Rritje e pakët, inflacion i pakët, konsum i pakët; BSH ul interesin e lekut

Nga Gjergj Erebara, botuar në reporter.al, 5 nëntor 2015

Sejko

Banka e Shqipërisë uli më tej normën e interesit bazë në ekonominë shqiptare nga 2 në 1.75 për qind, duke e çuar atë në nivelin më të ulët që kur instrumenti i politikës monetare për ndërhyrje indirekte u përdor për herë të parë në Shqipëri në vitin 2003.

Kjo qe ndërhyrja e katërmbëdhjetë rradhazi e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës së interesit që nga viti 2011, kur u shfaq kriza aktuale me konsum të dobët dhe me interesa depozitash dhe kredish në rënie.

Përgjatë katër viteve, Banka e Shqipërisë e ka ulur interesin bazë në ekonomi nga 5.25 % në vitin 2011 në vetëm 1,75 për qind sot, por kjo ulje drastike e interesave nuk ka sjellë rezultatin e pritshëm në rigjallërimin e kreditimit të ekonomisë dhe të rritjes ekonomike në tërësi.

Shqipëria vijon të ketë inflacion të ulët, të shkaktuar nga konsumi i ulët dhe rritja ekonomike e paktë. Duke folur për vendimin e uljes së re të normës së interesit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se konsumi privat është reduktuar, inflacioni ka qenë i ulët dhe me fluktuacione të konsiderueshme të shkaktuara nga çmimet e ushqimeve dhe se rritja ekonomike e pritshme për pjesën e mbetur të këtij viti do të jetë e “përafërt me pjesën e parë të vitit.”

“Aktiviteti ekonomik regjistroi rritje vjetore prej 2.5% në tremujorin e dytë,” tha Sejko. “Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të regjistrojë norma të ngjashme rritje edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015”, vijoi ai.

Në vitin e kaluar, qe shpresuar që ekonomia të rritej këtë vit me 3.1 për qind. Por qeveria shqiptare pësoi një rënie të ndjeshme në të ardhurat buxhetore të parashikuara në fillim të vitit dhe mungesa e të ardhurave detyroi shkurtimin e investimeve publike, gjë që nga ana e tyre, shkurtojnë edhe rritjen ekonomike.

Interesi-baze-grafikNorma bazë e interesit e zbatuar nga Banka e Shqipërisë nënkupton normën referuese të interesit që BSH ofron për depozitat e bankave të nivelit të dytë dhe normën e interesit që kërkon për kreditë që jep për këto banka. Supozohet se ulja e normës së interesit të BSH sjell ulje të interesit të kredive dhe depozitave, duke ndihmuar kreditimin dhe konsumin.

Por pavarësisht uljes drastike të interesave përgjatë viteve të fundit, dhe rënies edhe më të madhe të interesave të depozitave dhe kredive, sërish kreditimi është i dobët, konsumi i dobët the rritja ekonomike është minimale.

Sipas Sejkos, “tregjet financiare shqiptare rezultojnë likuide dhe aktiviteti në to paraqitet i stabilizuar, por agjentët financiarë vazhdojnë të shfaqin një oreks të ulët për rrezik dhe gatishmëri të pakët për financimin e projekteve afatgjata”.

Guvernatori thotë se politika e BSH ka dhënë ndikim në segmentin e kreditimit në lekë, i cili ka pësuar një rritje prej 5.2 për qind gjatë vitit të fundit. Por problemi është se 60 për qind e kredive në Shqipëri janë në valutë.

“Megjithatë, aktiviteti kreditues mbetet ende i zbehtë, sidomos në drejtim të financimit të biznesit dhe në segmentin e kredive në valutë. Rritja vjetore e portofolit të kredisë u reduktua rreth nivelit 1% në muajin gusht”, tha Sejko.

Interesat e kredive në valutë janë sërish më të ulëta se sa ato në lekë dhe pavarësisht kësaj, volumi i kredive të reja dhe stoku i kredisë nuk ka pësuar rritje.

Duke argumentuar se mekanizmi i politikës monetare nuk mjafton për të rritur ekonominë dhe nuk zëvendëson nevojën për reforma jomonetare, Sejko tha:

“Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar ofron kohën e nevojshme për kryerjen e reformave strukturore dhe zbut koston e këtyre reformave në ekonomi, por ai nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i tyre”.

Në këtë pikë, BSH sugjeron se zgjidhja e problemeve është zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe zgjidhjen e kredive me probleme, një plan që synon të shkatërrojë përmes falimentimit dhe likujdimit një pjesë të korporatave që konsiderohen si të pashpresa dhe që kanë kredi të tepërta të këqija dhe ristrukturimin e një pjese të korporatave që besohet se mund të rekuperohen.

Por për këtë, hallka të tjera të shtetit shqiptar duhet të funksionojnë dhe në këtë punë, politika monetare nuk ndihmon dot.

Në Shqipëri janë disa dhjetëra kompani të mëdha dhe grupe kompanish të lidhura me pak pronarë të cilët disponojnë pjesën më të madhe të portofolit të kredive të këqija. Pikërisht ky konsiderohet problemi kryesor se pse ekonomia shqiptare është mbërthyer nga kriza që prej vitesh. Plani i masave të ristrukturimit të këtyre kompanive është ndërmarrë, por zbatimi i tij po vonon. Një arsye mund të jetë fakti që korporatat që duhet të falimentohen, kanë njëkohësisht ndikim mediatik dhe politik në Shqipëri dhe se zbatimi i masave të premtuara kërkon vullnet politik, i cili për momentin nuk ekziston.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi