Rrugëzgjidhje për më shumë transparencë

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shekulli, 31 tetor 2015

Afrim_KrasniqiMuajin e kaluar, një raport prestigjioz ndërkombëtar (TI) raportoi se Shqipëria vijon të jetë vendi i parafundit evropian për nivelin e lartë të korrupsionit. Disa raporte të ngjashme, me burim Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OECD, BB, etj, konfirmuan të njëjtat nivele shqetësuese korrupsioni. Disa ditë më pas, në kontrast me vlerësimet perëndimore, në një takim ndërkombëtar të organizuar në Tiranë Shqipëria mori nga vendet e rajonit, çmimin e parë të suksesit për portalin anti-korrupsion online. Për qeverinë shqiptare burimi kryesor i korrupsionit është sistemi i drejtësisë, për opozitën është qeveria, për publikun ekzistojnë më shumë se një burime dhe asnjë segment politik e institucional nuk është i përjashtuar. Shqetësimi rreth korrupsionit nxiti disa nisma publike: disa rrjete online pranojnë denoncime anonime, qeveria hapi një faqe ku bën sqarime për akuzat që i bëhen zyrtarëve të saj, një numër OJF krijuan blogje e rrjete sociale, disa të rinj zgjodhën të protestojnë të enjteve përpara Kuvendit, si dhe retorika me skandale prej qindra miliona euro të lidhur me CEZ vijon të jetë pjesë e axhendës politike.

Në situata të tilla praktikat pozitive të vendeve të tjera na ofrojnë zgjidhje të gatshme dhe standarde: një komision ad hoc i prokurorisë, njësitë e kontrollit të pasurisë, të hetimit të pastrimit të parave, të anti-korrupsionit si dhe të shërbimeve të inteligjencës bashkërendojnë përpjekjet për tu dhënë përgjigje pritshmërive të mëdha publike: verifikimin e çdo akuze dhe vendosjen përpara drejtësisë të çdo individi, cilido qoftë ai. Duket një recetë utopike në kushtet e Shqipërisë, por në Rumani, Bullgari, Kroaci dhe disa vende të tjera rajonale kjo recetë funksionoi. Alibia se pengesë është reforma në drejtësi nuk vlen, dosjet korruptive të hartuara me profesionalizëm nuk mund të zhbëhen në dy ose tri nivele as nga gjyqtarët më të korruptuar.

Përballë kësaj praktike shtetërore dhe institucionale politika vijon të përdorë praktikën e vjetër, keqpërdorimin e akuzave dhe skandaleve për ushqim politik javor, refuzimin për t’iu drejtuar me dosje organit të hetimit dhe refuzimin për të pranuar akuzat dhe kritikat. Mazhoranca, e cila premtoi se do t’i japë fund sistemit të korruptuar duket se po ndjehet komode në të njëjtin sistem, madje po e mbron atë edhe pse mesazhi i votuesve të saj ka qenë i kundërt. Opozita, e cila do duhej të kishte një kredo të re morale në aksionin antikorrupsion po i vendos emrave të rinj të korruptuar të pushtetit emrat e vjetër të korruptuar të saj. Dhe kështu, sistemi mbetet i paprekur, klientela mbetet e njëjta, struktura e njëjtë, mentaliteti i njëjtë dhe reagimi ndaj situatës dramatike po ashtu i njëjtë.

Në mazhorancën dhe opozitën e sotme, në institucione, në jetën publike, në media dhe shoqërinë civile, ende ka individë të cilët me integritet dhe sens përgjegjësie kërkojnë dhe sugjerojnë mjete institucionale të zgjidhjes dhe kalimit të Shqipërisë nga skeda e shteteve të dështuara drejt një fillimi në nisjen për sistemin e premtuar të demokracisë funksionale. Edhe në rastin e korrupsionit ka zgjidhje të shumta. Ja për shembull: çfarë e pengon ekzekutivin të reduktojë ndjeshëm praktikat burokratike të marrëdhënieve detyruese të qytetarit dhe biznesit me shtetin? Përse një bujk në fshat apo tregtar i vogël në qytet duhet të harxhojë 3-4 ditë sorollatje nëpër zyrat e shtetit për të regjistruar veten dhe për të marrë shërbime, të cilat shteti me ligj duhet t’i ofrojë online?

Përse pagesa e TVSH-së për biznesin, pagesa e akcizës në fshat, paga e pensioneve për mijëra pensionistë, shërbimi i vërtetimeve apo i regjistrimeve në çdo nivel shërbimi publik nuk ofrohet online nga institucione, të cilat kanë investuar miliarda në vite për këtë shërbim të pamundësuar? Përse tenderat publikë, njoftimet për konkurim dhe për vende pune, njoftimet për shkrirje strukturash apo shpenzime publike, njoftimet për sistemin e gjobave apo taksave, etj, nuk gjenden në portalin zyrtar online të qeverisë, por mund të gjenden në rastin më të mirë në më shumë se 30 portale të ndryshme, shumica të panjohura dhe pa akses publik?

Përse VKM-të dhe aktet zyrtare të ministrave, burimet e financimit të projekteve publike, lista e kredive të huaja dhe borxheve të enteve publike, lista e shpenzimeve milionere të kompanive shtetërore e publike për reklama e trajnime fiktive, praktikat nominale të karrierës dhe të promovimit, etj, nuk bëhen publike për median dhe grupet e interesit përmes sistemit online, për verifikim të vazhdueshëm dhe monitorim nga institucionet përgjegjëse? Përse nuk ka një database për personelin, për të shmanguar ri-emërimet në poste dhe administratë të individëve të shkarkuar më parë, të dhënave universitare fiktive të tyre, të dosjeve problematike të së kaluarës, apo për miliardat që shteti paguan për gjyqet e humbura për shkurtimet e paligjshme nga puna në nivele të ndryshme administrative e publike?

Përse MAS nuk bën publike në database të gjitha punimet shkencore dhe titujt akademikë që janë dhënë ose po vijojnë të jepen me sistem klientele dhe sasi të mëdha në sistemin e paakredituar universitar, përse sistemi mjekësor nuk bën publike praktikat e shërbimit, oraret e shërbimit, adresat e shërbimit dhe të dhëna specifike që lidhen me kurimin apo ndjekjen e sëmundjeve më problematike? Përse bashkia dhe njësitë e varësisë nuk bëjnë publike listën e ndërtimeve pa leje, listën e ndërhyrjeve në zbatim të ligjit, listën e investimeve të programuara dhe mënyrën e realizimit praktik, të dhënat për sistemin e taksave vendore dhe adresarët e shërbimeve sociale të tyre ndaj qytetarëve? Përse MPJ-ja nuk bën publike organigramën emërore të diplomatëve dhe drejtuesve në misionet diplomatike, CV-të profesionale të tyre, të dhënat për emërimet dhe praktikat e punës, si dhe kopje të marrëveshjeve zyrtare që bëhen në emër të shtetit shqiptar? ….

Janë pafundësisht praktika pozitive në çdo sektor të qeverisjes, të cilat aplikohen në vendet demokratike dhe që mund të jenë të aplikueshme edhe në Shqipëri. Ka një sentencë të njohur gjermane: ku ka paaftësi e korrupsion, shpiken rregulla të vazhdueshme! E njëjta ka ndodhur e po ndodh tek ne. Pafundësisht rregulla dhe udhëzime, shumica kundërshtuese me njëra tjetrën, dhe që së bashku, më shumë ushqejnë sesa luftojnë sistemin abuziv, korruptiv dhe cenues ndaj lirive dhe të drejtave qytetare.

Sistemi i transparencës së munguar mund të marrë çmime rajonale, por ato kanë vlerë sa çmimi qesharak i vitit 1988 për cilësinë e jetës në Shqipërinë komuniste. Sistemi funksional i transparencës kërkon transparencë edhe për mënyrën e hartimit dhe prezantimit të tij. Sepse paguhet me taksat tona, sepse ka të bëjë me taksat tona, sepse na prezantohet si transparencë ndaj shqetësimeve tona. A mund të bëhen ndryshime të tilla horizontale në Shqipëri? Natyrisht që po. Do të vijë një ditë kur kjo të ndodh. Çështja është kostoja në kohë, kosto në energji, kosto në tranzicion dhe kosto në vlerat financiare që humbëm dhe po vijojmë të humbim.

Së fundi, Shqipëria po përballet vitet e fundit me një fenomen tjetër negativ, i cili, sipas një diplomati perëndimor në Tiranë, po ndikon dukshëm në rënien e cilësisë së demokracisë. Prej disa vitesh nuk ka mekanizëm monitorimi të demokracisë dhe sistemit politik në Shqipëri. Ka projekte, ka nisma, ka donacione, ka OJF dhe programe, por shumica janë sporadike dhe parciale,-pa një spektër të gjerë monitorimi dhe analize. Për rrjedhojë, burime referimi mbeten vetëm të dhënat informale nga politika e media, si dhe roli fragmentar i prioriteteve të ndonjë organizmi ndërkombëtar.

Nëse përgjegjësitë e pikave më lart janë përgjegjësi shqiptare, përgjegjësia e monitorimit të demokracisë në Shqipëri është direkt e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos e misionit të BE-së në Shqipëri. A do ndryshojë kjo praktikë? Ka të dhëna dhe kontakte të para që sinjalizojnë një ndryshim cilësor në këtë drejtim, por ende nuk ka një projekt konkret dhe të qartë. Sa më parë aq më mirë, sa më horizontalisht në shtrirje, aq më cilësor dhe ndihmës për një sistem referimi e monitorimi të besueshëm e funksional. Rrugëzgjidhjet për transparencën dhe mirëqeverisjen janë të shumta, por duhet vullnet, duhet presion, duhet ndërgjegjësim e reagim, duhet kurajë dhe integritet, – cilësi të cilat ndonëse në minorancë kulturore në shoqëri, janë shpresa e vetme prej nga mund të vijnë lajme më të mira për Shqipërinë.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi