Ç’farë problemesh kanë shqiptarët?

Nga Ilir Yzeiri, botuar në Shqip, 28 shtator 2015

Në Ballkan janë dy shtete me shqiptarë dhe mjaft shqiptarë të tjerë janë pjesë e rëndësishme e Maqedonisë apo e Malit të Zi. Dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, nuk po arrijnë të prodhojnë sukses në qeverisjen e tyre, për më tepër, ato po vazhdojnë të eksportojnë imazhin e vendeve që nuk janë të qëndrueshme, që nuk kanë një projekt të qartë zhvillimi, që nuk respektojnë demokracinë, por që paraqiten si shtete që janë kapur nga banda rivale dhe që të vetmin shqetësim kanë pushtetin vetjak. Ballkani nuk është stabilizuar dhe krizat e mëdha që po trondisin botën, duket se e kanë lënë pak anash vëmendjen ndaj këtij rajoni.

Mirëpo, për hir të së vërtetës, disa shtete në Ballkan nuk e kanë humbur identitetin dhe vazhdojnë të paraqiten me imazhin e tyre të qartë, qoftë edhe negativ. Serbia është një shtet që paraqitet me identitet të spikatur. Ai vend nuk i ka harruar ende aspiratat ekspansioniste dhe nuk heq dorë nga imazhi i vet si qendra e Ballkanit. Imazhi që ai vend eksporton nuk janë grindjet e brendshme politike, por janë politikat e brendshme të qarta dhe paraqitja e tyre si një faktor i padyshimtë në rajon. Megjithëse, ata janë autorët e krimeve më të përbindshme të kryera pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ata përsëri kanë ditur ta ruajnë kohezionin e tyre të brendshëm politik dhe jashtë Serbisë nuk eksportojnë imazhin e luftës së brendshme për pushtet apo të grindjes së bandave, por paraqiten si një faktor që mund të jenë nesër kërcënim për të tjerët nëse Europa rrëshqet në drejtim të errët.

Deri edhe shteti i vogël i Malit të Zi paraqitet me një peshë të admirueshme në Ballkan duke shfaqur seriozitetin e një vendi që ka aspiratë të orientohet nga Perëndimi dhe jo nga Rusia. Të mos flasim pastaj për Greqinë e cila, me zhvillimet e fundit politike, u imponoi të gjithëve respekt, sepse vërtet Greqia mund të ketë humbur shumë gjatë qeverisjeve korruptive të së shkuarës, por ajo ka konsoliduar demokracinë dhe referendumi apo zgjedhjet e fundit treguan se Greqia është një vend që eksporton të paktën një vlerë sa i takon Ballkanit, qëndrueshmëri demokratike.

Shkatërrimi i elitave

Në Shqipëri tash në fund ka shpërthyer një nga skandalet e radhës, ajo me emrin “CEZ” dhe opozita, opinioni publik, gazetarë të të gjitha niveleve, nga mëngjesi në darkë recitojnë vetëm një tekst, atë të akuzës publike. Janë kthyer që të gjithë në prokurorë publikë dhe Shqipëria nuk ka më asnjë problem tjetër, por vetëm atë të vjedhjes në CEZ. Në Shqipëri nuk ekzistojnë institucionet, sepse politika është kthyer në një kafehane të madhe dhe arti i konspiracionit aq i dashur për shqiptarët është kthyer në një sport kolektiv. Kjo ka lidhje edhe me psikikën dhe me konstitucionin antropologjik të shqiptarit.

Në vetëdijen tonë është i ngulitur rrëfimi i ngjarjeve me anë të paranojës mitike. Shqiptarët janë pengje të rrëfimit të historisë me anë të hiperbolave dhe me anë të metaforave mitologjike, prej të cilave që të gjithë nuk besojnë faktet, por perceptimin që kanë mbi faktin. Ajo që ka ndodhur me CEZ është një histori e pastër korrupsioni, por tekstin e asaj historie nuk mund ta shkruajnë politikanët dhe as opinioni publik. Atë tekst e shkruajnë organet kompetente të investigimit dhe ajo ngjarje është objekt për ta, nuk është objekt dhe as ushqim për trutë e rrjedhura të atyre që llomotisin nga mëngjesi në darkë për një histori që nuk u takon ta gjykojnë ata. Mendoni se çfarë do të kishte ndodhur sikur skandali i Volkswagen-it të ishte prodhuar në Shqipëri. Shqiptarët do të kishin dalë mendsh, sepse nuk do të kishte mbetur i madh dhe i vogël pa treguar detaje, pa rrëfyer episode, pa nxjerrë video, pa u çmendur me një fjalë. Në anën tjetër, në Kosovë, askush nuk dëgjon fjalë tjetër vetëm se merr vesh për një opozitë që kërkon ta rrëzojë qeverinë me çdo kusht, me vezë, me protesta dhe një ish-kryeministër që ka vetëm një ëndërr, të bëhet president.

Nga ana tjetër, pothuajse çdo ditë do të mësosh nga një histori me vrasës e me të penduar. Dhe në të gjitha rastet do të marrësh vesh dy ngjarje: shqiptarë që vriten në Siri dhe shqiptarë që emigrojnë në Gjermani. Elitat në të dyja këto shtete kanë rrjedhur ose janë shuar ose janë vetëpërjashtuar nga jeta publike ose në rastin më të keq janë degdisur tutje nga bandat që kanë marrë pushtetin dhe që në fakt, kanë pushtuar si Shqipërinë, si Kosovën. Kështu, në të dyja rastet, pra si në rastin e Shqipërisë, si në atë të Kosovës, ne gjendemi pak a shumë ashtu siç ishte gjendur Shqipëria në fillim të shekullit të shkuar, pra atëherë kur Fuqitë e Mëdha na dërgonin Princ Vidin për të na qeverisur. Edhe atëherë Fuqitë e Mëdha na porositnin që të mos vjedhim, të mos vrasim, të respektojmë njëri-tjetrin. Edhe sot po të njëjtin mesazh na japin.

Shkurt, ne nuk po arrijmë të bëhemi faktor dinjitoz në Ballkan dhe në Europë, por po shfaqemi gjithnjë e më shumë si viktima të natyrës sonë shkatërrimtare. Tash në fund, nga Shqipëria i nisëm Komisionit të Venecias tekstin e ligjit për drejtësinë. Po kërkojmë dëshmitarë dhe po kërkojmë ndihmë që të qeverisemi, sepse vetë nuk duam, sepse fataliteti i këtij vendi ose i vendit ku janë shqiptarët është gjithmonë parësia. Të paktën për një shekull nuk po arrijmë të pajtohemi mes vedi që të sakrifikojmë veten për të tjerët, për një të mirë më të madhe.

Dhe në fund mbërrin Sulejmani në Lezhë

Si për ta përmbyllur këtë katrahurë që nxjerr pluhur e tym nga mëngjesi në darkë, ministresha e Kulturës rivendos një pllakat në osmanisht në Kalanë e Lezhës për të përkujtuar ndihmesën në rikonstruksionin e kësaj Kalaje të Sulltan Sulejmanit. Kjo pllakë qenka hequr dhe është gjetur në kopshtin e një banori. Unë nuk jam specialist i historisë, as i arkeologjisë, por jam i prirur të dëgjoj edhe palën tjetër, domethënë Shoqatën Mbarëkombëtare të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore dhe drejtuesin e saj, z. Pal Trashaj, të cilët kanë protestuar ashpër ndaj këtij veprimi. Siç thotë tash në fund edhe studiuesi Karaiskaj, kjo pllakë ka qenë aty por dikush e ka hequr dhe tani duhet rivendosur përsëri. Jam i prirur ta besoj edhe këtë variant. Ajo që nuk kuptoj është solemniteti që i jepet kësaj ngjarjeje. Nëse duhej rivendosur apo jo ajo pllakë aty, kjo është punë specialistësh, por nuk mund të jetë aksion politik qeveritar. Kalaja e Lezhës, siç thonë studiuesit, është ndërtuar nga venecianët dhe është rrafshuar nga otomanët dhe pastaj qenka rindërtuar nga Sulltan Sulejmani për t’u bërë garnizon ushtarak. Nuk do të kishte asnjë gjë të keqe që të përmendej edhe ky fakt. Por ta kryesh me solemnitet vendosjen e një pllake të rigjetur në hyrje të Kalasë së Lezhës dhe të lësh ende të shkatërruar shtëpinë e Fishtës, kjo nuk më duket se është e qëlluar politikisht, sepse i bie që edhe Tunelin e Rrugës së Kombit që përuroi Erdogan ta përkujtojmë ndonjë ditë me ndonjë pllakë në turqisht, meqenëse atë e ndërtoi një firmë turko-amerikane dhe të harrojmë se për atë rrugë ne dhamë të gjitha paratë e shtetit dhe vodhëm edhe nja 200 milionë dollarë.

Nuk e kuptoj se ç’lidhje ka Sulltan Sulejmani me Kalanë e Lezhës, të cilën sipas pllakës përkujtimore të rivendosur nga ministresha jonë e Kulturës e paska rindërtuar. Edhe në qoftë ashtu, ky gjest nuk i shton asgjë memories sonë historike. Nëse është e vërtetë se është gjetur ajo pllakë, dhe nëse është e vërtetë se është autentike, ajo mund të qëndrojë fare mirë në muzeun e Kalasë, por jo të bëhet shenjë e saj. Ky provokim i mëshon asaj tezës që po përhapet me shpejtësi se ne otomanët na kanë qeverisur, nuk na kanë pushtuar. Ideatorët e kësaj gjetjeje do të bënin mirë që edhe në sheshin “Nënë Tereza” të vendosnin një pllakat që me siguri gjendet diku për Musolinin dhe të tregonin se të gjitha ato objekte aty i ndërtoi Musolini i Madhërishëm.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi