Rritja ekonomike afër stanjacionit

Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online, 21 shtator 2015

zef-preciTeoria ekonomike na më son se sa më shumë që të ulet niveli i papunësisë, d.m.th. njerëzit në moshë pune dhe të aftë për punë të zihen me punë, sa më shumë të rritet kapitali që avancohet në ekonomi, sa më shumë të rritet niveli i arsimit, ndryshon cilësia e kapitalit e zgjerohet përdorimi i teknologjisë, rritet kapaciteti prodhues i ekonomisë.

Kjo do të thotë që ekonomia mund të rrisë prodhimin e saj duke u dhënë konsumatorëve më shumë të ardhura më të disponueshme, duke promovuar një rritje në shpenzimet për konsum, dhe duke siguruar burimet e nevojshme për biznesin, për t’i përdorur për investime të mëtejshme, ndërsa qeverisë për t’i përdorur për sigurimin e mallrave dhe të shërbimeve publike.

Rritja e pjesëmarrjes në punë të fuqisë punëtore rrit prodhimin. Arsimimi i përmirësuar dhe i zgjeruar mundëson që punëtorët të punojnë me rendiment më të lartë. Shpenzimet e biznesit dhe të qeverisë për kërkim dhe zhvillim nxitin aftësitë tona për të prodhuar dhe i lejojnë çdo punëtori që të bëhet me rezultativ, duke rritur të ardhurat për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë.

Së fundi, për të arritur një nivel më të lartë të GDP-së në të ardhmen, konsumatorët duhet të kufizojnë shpenzimet e konsumit dhe rritjen e kursimeve sot, duke lejuar bizneset për të investuar më shumë në mallra kapitale. Nëse burimet janë investuar në ndërtimin e një ekonomie të shëndetshme në kohën tonë, brezat e ardhshëm do të gëzojnë një nivel më të lartë të rritjes ekonomike; bizneset tona do të prodhojnë më shumë mallra dhe konsumatorët mund të blejnë më shumë mallra e shërbime. Rritja e prodhimit me ritme më të shpejta se rritja e popullsisë është ajo që na jep mundësinë të gëzojnë një standard më të lartë të jetesës. Këto ditë në masmedia janë përcjellë një numër lajmesh ekonomike, ndër to edhe këto:

1) Njoftim i EUROSTAT-it se gjatë tremujorit të dytë 2015 më shumë se 1/5 e kërkuesve për azil për herë të parë në vendet e BE-së, ose 44 mijë vetë, vjen nga Siria, afganët në vendin e dytë me 13% të totalit ose 27 mijë kërkues për herë të parë dhe Shqipëria me 8% të totalit të kërkuesve në BE, ose 17.700 kërkues azili për herë të parë, shumica e të cilëve (rreth 90%) kanë aplikuar vetëm në Gjermani… (më gjatë mund të lexoni në: http://ec.europa.eu/…/…/ b0377f79-f06d-4263-aa5b-cc9b4f6a838f).

Nëse këto shifra i analizojmë në raport me numrin e popullsinë gjithsej të këtyre vendeve, paradoksalisht rezulton se emigracioni ynë ekonomik për çdo 10 mijë banorë është tre herë me lartë se i Sirisë (që ka 23 milionë banorë) dhe shtatë herë më i lartë se i Afganistanit (31 milionë banorë)… Pavarësisht se flitet për një periudhë kohë të shkëputur (tremujori i dytë 2015), çdo ko ment tjetër do të ishte i tepërt…

2) Një njoftim i INSTAT-it për rënien e konsumit në vend thotë se “familjet kursejnë ushqimin për ilaçet, dritat, arsimin”, duke theksuar se, sipas “Anketës së buxhetit të familjes”, është rritur pesha që zë 10 përqindëshi më i pasur i popullsisë në totalin e konsumit. Raporti i pabarazisë në vitin 2014 u rrit në 3.6 nga 3.3 që ishte në vitin 2009. Pra po ecet në drejtimin: “i pasuri po bëhet edhe më pasur dhe i varfëri edhe më i varfër”, d.m.th. po thellohet hendeku i pabarazisë shoqërore në vend… Po kështu, sipas shtypit, këtë vit shkollor u ulen për herë të parë në bankat shkollës 30 mijë nxënës nga 45 mijë 20 vjet më parë… Ndërsa projeksionet e INSTAT-it mbi rritjen e popullsisë, për herë të parë japin edhe alarmin – popullsia e Shqipërisë drejt rënies – 120 mijë persona më pak në 2031! .E kjo ndodh kur gjatë tetëdhjetë viteve të fundit çdo 20-25 vjet popullsia ka qenë dyfishuar…

Ndokush që lexon këtë status mund të thotë e çfarë lidhjeje ka midis këtyre dy treguesve ose/edhe se nuk ka fare lidhje shkak-pasojë midis tyre. Në fakt, vëzhgimet e mia tregojnë se në Shqipëri, ashtu si dhe në Kosovë, rënia e konsumit, sidomos ajo e konsumit të produkteve lokale, është një trend që ka fituar qëndrueshmëri veçanërisht gjatë dy viteve të fundit. Personalisht mendoj se në krijimin e kësaj situate ka ndikuar edhe braktisja e vendit dhe largimi drejt vendeve të BE-së dhe kryesisht Gjermanisë të një numri të madh qytetarësh (shifrat e mësipërme flasin vetëm për ata që në pamundësi të një pritësi apo kontakti për ndonjë punë informale për t’u ushqyer atje, u drejtohen sporteleve të pritjes së azilantëve, edhe pse shkaku i aplikimit të tyre – varfëria e këtushme – nuk është e përligjur për aplikim për azil).

Siç dihet, askund në botë nuk njihet azili ekonomik, aq më pak nga “vendet e sigurta” dhe “tmerrësisht demokratike” si i yni, siç do të thoshte me humorin e vet origjinal z. Edmond Tupja… Po në ekonominë tonë ç’po ndodh? A ka ndonjë njeri a ndonjë institucion politikëbërës që shqetësohet për këto rrugë të rritjes më të shpejtë ekonomike të vendit dhe rolin e punësimit në këtë proces? A do të kuptohet vallë ndonjëherë se zënia me punë mbetet burimi kryesor dhe i pazëvendë- sueshëm jo vetëm për kapërcimin e mbijetesës ekonomike të sotme të mjaft familjeve, por edhe për futjen e vendit në binarët e rritjes ekonomike të qëndrueshme? Po përpjekjet e ligjshme të qeverisë, herë-herë edhe arbitrare, për vendosjen e kasave fiskale dhe për ngushtimin e informalitetit si ndërlidhen me zënien me punë?

A është një risk real rritja më tej e papunësisë, sidomos në radhët e të vetëpunësuarve, bizneseve familjare, në zonat me pak popullsi ose me popullsi të varfër, d.m.th. që i mungon fuqia blerëse për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme? Ku janë programet e mbështetjes së punësimit, vetëpunësimit, biznesit familjar, biznesit të vogël, zejtarëve, fermerëve, nxitjes së përpunimit të produkteve bujqë- sore e blegtorale etj? Përse nuk çohen më zonat e mbjellës së kanabisit farëra dhe fidanë të zgjedhura që të rritet prodhimi pa humbur traditën e prodhimet të mbeten gjenetikisht të pastra dhe konkurruese? Përse nuk promovohen dhe mbështeten financiarisht ndërtimi i fabrikave që përpunojnë për tregun vendës dhe për eksport bimët medicinale, gështenjën etj? Dëshpërimisht unë nuk kam përgjigje pohuese për këto pikë/pyetje…

Është koha të kuptojmë se braktisja e vendit mund të gëzojë përkohësisht politikanë të caktuar që i shohin njerëzit si “turma votuesish pa tru”, ata që ngushtësisht mendojnë se mbas kësaj “do të jetojnë më mirë ata që mbeten këtu, por e ardhmja jonë e përbashkët kërcënohet nga një rrezik serioz që nuk shërohet me asnjë lloj populizmi propagandistik. Sfida jonë e përbashkët është ta bëjmë Shqipërinë e këtushme e për këtë, më shumë se kurrë, janë të nevojshme reformat e premtuara…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi