Raporti i OSBE për Shqipërinë: Mbizotëron interesi partiak, reformat duan konsensus politik

Teksti i plotë i Raportit të OSBE për Shqipërinë, 18 shtator 2015

z_1442643892-9929091

Koalicioni i ri qeverisës, i drejtuar nga kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste (PS) Edi Rama dhe nga kryetari i Kuvendit dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) Ilir Meta, e mori detyrën në shtator 2013. Qeveria zhvilloi një vizion ambicioz të reformave që nevojiteshin për të përmirësuar gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe për të shënuar përparim të mëtejshëm në qëllimin parësor të politikës së jashtme, atë të integrimit evropian. Në përgjithësi, qeveria ndërmori një qasje të strukturuar dhe proaktive, duke zhvilluar plane veprimi strategjike 100 dhe 300-ditore, si dhe duke bërë përpjekje të lavdërueshme për të qenë transparente lidhur me rezultatet e zbatimit të tyre. Mandati i gjerë dhe fleksibiliteti relativ i Prezencës së OSBE-së mundësuan partneritetin e hershëm në veprimtari dhe nisma, duke i dhënë shtysë dhe qëndrueshmëri punës së institucioneve.

Edhe pas një viti, është e vështirë të gjykosh nivelin e përgjithshëm dhe qëndrueshmërinë e progresit. Qeveria ka dhënë prova se është e aftë për veprime konkrete (për shembull, duke rritur përpjekjet për të luftuar korrupsionin përmes ndryshimeve në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, përmirësimit të aksesit në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit, apo masave për fuqizimin e drejtpërdrejtë ekonomik të grave në familjet në nevojë). Më të dukshmet ishin arritjet në hapat e hershëm kundër kultivimit të drogës: përpjekja e suksesshme për të rivendosur kontrollin në Lazarat, qendra famëkeqe e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, është pasuar nga operacione të ngjashme në zona të tjera të vendit. Qeveria, po ashtu, ka dëshmuar qëndrueshmëri në drejtimin e një reforme strategjike dhe aq të domosdoshme në strukturën e qeverisjes vendore. Ky vrull çoi në arritjen më domethënëse gjatë periudhës së raportimit: vendimin e Këshillit Evropian, në qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, përparimi në kapërcimin e sfidave dhe përmbushjen e aspiratave themelore të Shqipërisë – sidomos lufta kundër korrupsionit – do të kërkojë një program ndryshimi të thellë, afatgjatë, gjithëpërfshirës dhe konsensual. Tani për tani, interesat e ngushta partiake dhe mosbesimi i thellë mes blloqeve politike vijojnë të mbizotërojnë. Deklarata e Këshillit Evropian qe e qartë lidhur me nevojën për të përshpejtuar reformat dhe Komisioni Evropian, në raportin e tij të progresit të qershorit 2014 për Shqipërinë, deklaroi se është jetike që procesi i reformave të shoqërohet nga një dialog politik i rifuqizuar dhe i konsoliduar ndërmjet qeverisë dhe opozitës, dhe se puna konstruktive dhe e bazuar në kompromis në parlament është thelbësore për qëndrueshmërinë e reformave. Ky ka qenë thelbi i mesazheve që Prezenca i ka dhënë udhëheqjes politike të të dyja palëve, i cili është përforcuar nga veprimtaritë e vijuara diplomatike dhe programore për të punuar së bashku me të gjithë aktorët dhe për të mbështetur bashkëpunimin mes tyre.

MJEDISI POLITIK DHE VEPRIMTARITË

Pas një kalimi relativisht të butë të pushtetit më 2013, udhëheqja politike e Shqipërisë pati mundësinë të përqafonte një stil të ri politike. Megjithë sinjalet e para të një ndryshimi të tonit dhe të një drejtimi dinjitoz të Kuvendit nga kryetari i tij, politika u kthye te një stil më kundërvënës. Qeveria dhe opozita nuk kanë dëshmuar aftësi për të punuar së bashku në mënyrë konstruktive – as për reforma, si reforma administrativo-territoriale, për të cilat të dyja palët bien dakord që janë jetësore. Kjo gjë vijon të dëmtojë besueshmërinë dhe ritmin e axhendës së reformave.

Reforma administrativo-territoriale, e përmbyllur së fundmi, e cila konsolidoi rrjetin prej 373 njësish të qeverisjes vendore në Shqipëri, është një nga rastet në fjalë. Të dyja palët e kanë pranuar prej kohësh nevojën për një reformë të tillë, e cila ka qenë mbështetur fuqimisht nga bashkësia ndërkombëtare, për ta bërë qeverisjen vendore më efiçente dhe për të zvogëluar shpenzimet dhe mundësitë për korrupsion, por mungesa e besimit dhe frika nga pasojat zgjedhore e vonuan procesin për vite të tëra. Me kërkesë të Partisë Demokratike në opozitë (PD), maxhoranca ngriti një komision të posaçëm parlamentar për të menaxhuar reformën. Megjithatë, opozita nuk pranoi të emëronte anëtarë në komision, pa iu siguruar e drejta e vetos. Qeveria krijoi komisione rajonale për të diskutuar në mënyrë gjithëpërfshirëse reformën dhe për të mbledhur propozime në nivelin vendor. Shumica qeverisëse e vonoi disa herë procesin, në përpjekje për të përfshirë edhe opozitën, por, në fund, zgjodhi ta vijojë reformën në mënyrë të njëanshme, në vend që ta shtynte më tej.

Prezenca vijon të nxisë si qeverinë, ashtu edhe opozitën, t’i fokusojnë energjitë në përpjekjet e Shqipërisë për reforma. Prezenca, angazhohet rregullisht me qeverinë, për të diskutuar dhe identifikuar mundësitë për bashkëpunim dhe fushat me përparësi, si edhe me opozitën, për ta nxitur të marrë pjesë në mënyrë aktive dhe konstruktive në promovimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Po ashtu, Prezenca ka identifikuar fushat me potencial kompromisi, në të cilat palët mund të punojnë së bashku (p.sh., komunikimi i përbashkët i deputetëve të shumicës dhe të opozitës me qytetarët, miratimi i një Kodi Sjelljeje për parlamentin apo shndërrimi i transmetuesit publik në një institucion të pavarur dhe profesional).

Polarizimi politik ka dëmtuar punën dhe atmosferën në parlament. Opozita nuk ka marrë pjesë aktive në disa procese të rëndësishme reformash dhe një numër i konsiderueshëm paketash legjislative të rëndësishme është miratuar vetëm me votat e shumicës. Pas një përballjeje verbale dhe, më pas, fizike në parlament mes dy deputetëve të shumicës dhe njërit të opozitës në korrik, opozita vendosi të bojkotojë të gjitha procedurat parlamentare deri në një njoftim të dytë. Duke u nisur nga atmosfera në përkeqësim në Kuvend, e cila kulmoi me incidente agresioni verbal dhe fizik, Prezenca, në bashkëpunim të ngushtë me administratën e Kuvendit dhe ODIHR-in, punoi për të finalizuar një Kod Sjelljeje për deputetët, i cili po pret miratimin e Kuvendit. Miratimi i tij mund të kontribuojë për një mjedis pune konstruktiv më pak konfliktual dhe më profesional në Kuvend.

Pranohet gjerësisht, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, se korrupsioni në gjyqësor është një nga pengesat themelore për një demokraci plotësisht funksionale në Shqipëri. Megjithatë, reforma në drejtësi është bërë gjithnjë e më shumë një çështje përplasjesh të hapura mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) – kryesuar nga Presidenti i Republikës – i cili, për çështje si masat disiplinore kundër gjyqtarëve dhe kompetencat e Presidentit në lidhje me gjyqësorin, ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të dobësojë pavarësinë e gjyqësorit.

Debati i vijueshëm rreth ndikimit politik në institucionet e pavarura shtrihet përtej sistemit gjyqësor dhe përfshin institucione të tjera që merren me çështje si mbikëqyrja e medias, antikorrupsioni, siguria shtetërore dhe statistikat zyrtare. Po zhvillohet një betejë politike për pavarësinë e këtyre institucioneve, ku secila palë akuzon tjetrën se po përpiqet të marrë apo të mbajë në kontroll ente të caktuara, për arsye politike.

Largimet dhe pranimet në punë të nëpunësve civilë, përfshirë të prekurit nga ristrukturimi i institucioneve shtetërore, mbetën një pikë e fortë përplasjesh përgjatë vitit. Në qershor 2014, shumica në Kuvend votoi kundër kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni për emërimet dhe shkarkimet në administratën publike, veçanërisht në polici, gjatë dhjetë muajve të parë pas ardhjes në detyrë të qeverisë së re. Megjithëse është e vështirë, në mos e pamundur, për të siguruar shifra të sakta, është e qartë që ka pasur ndryshime të konsiderueshme në administratën publike, veçanërisht në nivel vendor, që pas ardhjes në detyrë të shumicës së re qeverisëse. Megjithëse qeveria mund t’i justifikojë shumë ndryshime me mungesën e aftësive apo përkatësinë e hapur partiake, duket se procedurat për largimin e stafit janë çuar deri në limitet e tyre, hera-herës pa marrë parasysh dispozitat ligjore. Respektimi maksimal i dispozitave ligjore dhe zbatimi i plotë i ligjit të ri për nëpunësin civil do të përmirësonin situatën dhe do të ndihmonin në luftimin e perceptimeve për pranime dhe largime politike nga puna.

Pas një vendimi të shumicës së re qeverisëse për të ndarë funksionet ministrore nga ato ligjvënëse, trembëdhjetë ministra dhanë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Sipas Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i zëvendësoi me kandidatët e radhës të gjinisë më pak të përfaqësuar. Megjithatë, tri gra, të cilave u takonte mandati sipas këtij sistemi, hoqën dorë prej tij; mandatet u shkuan, më pas, kandidatëve meshkuj. Në përgjithësi, numri i grave deputete u rrit në 27 (19%). Ndonëse ky është një përmirësim krahasuar me legjislaturën e shkuar (23 deputete), sikundër është edhe rritja e mëtejshme e numrit të grave ministre (tashmë shtatë nga njëzet), gratë, në përgjithësi, vijojnë të jenë të papërfaqësuara sa duhet në postet publike. Prezenca i ka nxitur partitë politike të rrisin mundësitë për përfaqësimin e barabartë të grave në nivel qendror e vendor, si dhe për të shqyrtuar mundësinë e fuqizimit të mëtejshëm të kuotës gjinore. Më konkretisht, në vjeshtën e vitit 2013, Prezenca ndërmjetësoi ringritjen e Aleancës ndërpartike të Grave Deputete.

Prezenca vijon të shihet si një partnere e fortë, e paanshme dhe mbështetëse e vendit. Prezenca do të vijojë të nxisë dhe të punojë në mënyrë aktive me të gjithë aktorët relevantë për axhendën e reformave, në përputhje me mandatin e saj dhe në partneritet të ngushtë me qeverinë, parlamentin, aktorët e tjerë politikë dhe shoqërinë civile. Këtu përfshihen, sigurisht, Shtetet pjesëmarrëse që kanë përfaqësitë e tyre në vend, si dhe organizatat ndërkombëtare. Për të ushqyer lidhje më të forta dhe njohjen më të mirë të veprimtarive të Prezencës në të tri dimensionet e saj, Prezenca zhvilloi një sërë takimesh informuese për përfaqësuesit e Shteteve pjesëmarrëse.

Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe Shtetet pjesëmarrëse, duke të shmangur mbivendosjen, mbetet një parim kyç në planifikimet dhe veprimtaritë e Prezencës. Dialogu i vijueshëm me partnerët, në nivele strategjike dhe operacionale, i jep mundësi Prezencës të harmonizojë kontributin e saj unik me kontributet e tyre, me dobi të ndërsjellë. Po ashtu, Prezenca përfiton nga partneriteti me donatorët e Shteteve pjesëmarrëse, duke përdorur ekspertizë të brendshme për të maksimizuar ndikimin e kontributeve të tyre. Prezenca ka përcaktuar si përparësi nxitjen e nismave rajonale, punën me misionet e tjera të OSBE-së dhe nxitjen e bashkëpunimit mes vendit pritës dhe fqinjëve të tij. Kjo i shërben arritjes së synimit të Kryesisë së Radhës së OSBE-së për të vënë në pah vlerën unike potenciale të OSBE-së në këtë drejtim dhe përmbushjes së pritshmërive të Shteteve pjesëmarrëse për paralajmërimin e hershëm, parandalimin e konflikteve dhe për pajtimin.

MJEDISI PROGRAMATIK DHE VEPRIMTARITË

Dimensioni politiko-ushtarak

Strategjia e Sigurisë Kombëtare, e miratuar nga Kuvendi më 31 korrik 2014, dhjetë vjet pas asaj të fundit, përfaqëson një hap drejt një menaxhimi më efikas, koherent dhe të strukturuar të rreziqeve në fushën e sigurisë. Strategjia e 2014-s, e hartuar nga një grup ndërinstitucional pune, fut një arkitekturë të re sigurie, duke synuar të vendosë bazën për një bashkërenditje dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve të ndryshme. Strategjia parashikon një sërë direktivash strategjike, por nuk përmend se si do të zbatohen apo financohen ato. Kjo mund të zgjidhet përmes hartimit të planeve të veprimit për zbatimin e aspekteve specifike të Strategjisë.

Përpjekjet afatgjata të Prezencës për të forcuar kapacitetet e policisë dhe për të përmirësuar nivelet e përgjithshme të performancës kanë prodhuar rezultate pozitive në luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, përfshirë trafikimin, dhe një proces të përmirësuar të menaxhimit të kufirit. Që prej majit 2014, policia ka zhvilluar një operacion madhor në mbarë vendin kundër prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, me rezultate të prekshme. Vlen të përmendet veçanërisht operacioni në Lazarat, i konsideruar prej kohësh si qendra off-limits e prodhimit të drogës, gjatë të cilit u shkatërruan 133,565 rrënjë kanabis, 56 tonë kanabis i korrur, tetë pako heroinë, tetë laboratorë për përpunimin e kanabisit dhe u kap një sasi e madhe armësh dhe municioni. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, që prej qershorit 2014, policia ka shkatërruar rreth 77 tonë kanabis sativa – 25 herë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë të 2013-s. Ndjekja penale e suksesshme e atyre që qëndrojnë pas tregtisë së drogës do të shënonte një hap të rëndësishëm përpara, një parakusht ky për suksesin afatgjatë të luftës kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.

Prezenca ka një fokus afatgjatë në përmirësimin e standardeve të policisë. Një pjese të drejtuesve të rinj të policisë u mungon përvoja dhe trajnimi i kohëve të fundit në polici, gjë që ka krijuar disa sfida. Prezenca po mbështet zhvillimin e standardeve arsimore me fokus kriteret mësimore për riemërimin e drejtuesve të lartë. Në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në polici, Prezenca është fokusuar te drejtuesit e nivelit të mesëm, duke nxitur zhvillimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse bazuar te komuniteti. Trajnimet teknike (p.sh. për teknikat e mbikëqyrjes dhe të intervistimit) për forcat speciale të policisë dhe për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, të ofruara nga Prezenca, rritën aftësitë e tyre për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në polici. Fatkeqësisht, në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm kjo arritje nuk u ruajt, për shkak të ndryshimeve të mëdha në staf. Programi i lidershipit, që po zbatohet nga Prezenca për drejtuesit e nivelit të ulët e të mesëm, solli miratimin nga policia të kurrikulës së kursit dhe, më pas, akreditimin e saj, si dhe në zhvillimin e një programi për trajnimin e trajnuesve për stafin mësimdhënës të Qendrës së Formimit Policor. Një tjetër ngjarje pozitive ishte që Prezenca përmbylli fazën e fundit të trajnimit të trajnerëve rreth diversitetit dhe barazisë për oficerët e policisë dhe stafin e burgjeve; policia ka marrë tashmë autorësinë dhe do t’i shtrijë trajnimet në mbarë Shqipërinë, duke përdorur manualin e Prezencës “Barazia dhe Diversiteti”.

Prezenca ka mbështetur zhvillimin e një qasjeje më shumë të bazuar në inteligjencë në punën e policisë për të rritur standardet e hetimit si dhe mbledhjen, përdorimin dhe ndarjen e inteligjencës penale. Brenda kësaj kornize, Prezenca organizoi një sërë seminaresh për ekipe drejtuese të emëruara rishtas, lidhur me policimin e drejtuar nga inteligjenca dhe Modelin Kombëtar të Inteligjencës. Këto përpjekje plotësojnë planet e qeverisë për të përmirësuar kapacitetet hetuese të policisë përmes krijimit të një Byroje Kombëtare Hetimi. Në korrik, Kuvendi miratoi ndryshime të konsiderueshme në ligjin e vitit 2007 për Policinë e Shtetit, pas diskutimeve të gjata në parlament. Ndryshimet u bënë në bashkëpunim të ngushtë me Prezencën dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë; komentet teknike të Prezencës, shumica e të cilave u pasqyruan në versionin përfundimtar, përqendroheshin në pavarësinë operacionale të policisë dhe në shqyrtimin e shqetësimeve lidhur me çështje si emërimet në punë dhe të drejtat e njeriut të të dënuarve.

Një Strategji e re për Menaxhimin e Integruar të Kufirit u hartua nga policia; Prezenca ndihmoi në hartimin e një Plani Veprimi efikas dhe gjithëpërfshirës për të përmirësuar zbatimin e saj. Bashkëpunimi ndërkufitar mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj është përmirësuar, megjithëse zbatimi i procedurave ndërkombëtare të kufirit mbetet një sfidë për Policinë shqiptare të Kufirit dhe Migracionit.

Sa i përket çmilitarizimit, Prezenca vijon të mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes për përmirësimin e kapaciteteve për shkatërrimin e municioneve konvencionale të tepërta dhe të armëve të vogla e të lehta, si dhe për asgjësimin e kimikateve të rrezikshme. Ministria filloi zbatimin e Planit të Veprimit për çmilitarizimin në 2009-n, duke synuar përfundimin e tij në 2013-n. Megjithatë, kryesisht për shkak të mungesës së fondeve, në fillim të 2014-s ende mbeteshin për t’u shkatërruar rreth 10 mijë tonë municione, 300 tonë kimikate dhe rreth 200 mijë armë. Rreth 16 mijë tonë municione u shkatërruan nga Ministria më 2013, dhe 116 tonë kimikate u ripaketuan në mënyrë të sigurt nga Prezenca e OSBE-së, në pritje të transportimit dhe shkatërrimit jashtë vendit. Falë kontributeve jashtëbuxhetore shtesë, Prezenca duhet të jetë në gjendje të përfundojë shkatërrimin e 116 tonëve lëndësh kimike brenda prillit 2015. Megjithëse shkatërrimi i municioneve pritet të përfundojë brenda vitit 2014, shkatërrimi i armëve mbetet shqetësim, sikundër edhe prania e vijueshme e lëndëve plasëse që janë lehtësisht të aksesueshme në vendet e ruajtjes. Burimet e kufizuara të qeverisë e bëjnë tejet të vështirë ndërmarrjen e një operacioni pastrimi të plotë të një shkalle të tillë nga Shqipëria, pa mbështetje të konsiderueshme nga jashtë.

Prezenca është fokusuar, gjithnjë e më shumë, te një përkufizim më i gjerë i reformës në sektorin e sigurisë, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në të shkuarën, për shembull, shërbimi zjarrfikës dhe emergjencat civile janë lënë shpesh pas dore në favor të synimeve të një përparësie më të lartë, si policia. Një vlerësim i aftësisë së shërbimit zjarrfikës për të mbështetur policinë në emergjencat civile në fusha kyçe nxori në pah mungesa në standardet, aftësinë, infrastrukturën dhe formimin profesional. Prezenca mundësoi importimin e rreth 40 tonëve pajisjesh të dhuruara për raste zjarri, aksidentesh, emergjencash dhe kimikatesh të rrezikshme, si dhe trajnimin e 30 zjarrfikësve për përdorimin e tyre. Prezenca po punon tani nga afër me shërbimin zjarrfikës për të hartuar legjislacion të ri dhe një program arsimor të qëndrueshëm.

Dimensioni ekonomik dhe mjedisor

Qeveria e re e shpalli luftën kundër korrupsionit një ndër përparësitë e saj kryesore dhe, në nëntor 2013, caktoi një Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit, në nivel ministri, i cili raporton drejtpërdrejt te kryeministri. Ministritë e linjës, institucionet e pavarura dhe organet e qeverisjes vendore përcaktuan një total prej 57 pikash kontakti për antikorrupsionin, në nivel politik dhe teknik. Kodi i Procedurës Penale, i ndryshuar në mars 2014, forcoi masat e ndjekjes penale kundër korrupsionit; rishikime të ligjeve të tjera lidhur me masat antikorrupsion dhe mbrojtjen e “bilbilfryrësve” janë duke u bërë me ndihmën e Prezencës. Pas marrjes së një kërkese nga qeveria, Prezenca mbështeti, po ashtu, hartimin e një strategjie antikorrupsion për vitet 2014-2017, si dhe një plan veprimi përkatës, të cilat duhet të miratohen në fund të 2014-s. Plani i veprimit përcakton masa dhe veprimtari konkrete brenda tri shtyllave kryesore të strategjisë: parandalimit, ndjekjes penale dhe rritjes së ndërgjegjësimit.

Megjithëse autoritetet kanë nisur hetimin dhe ndjekjen penale të disa zyrtarëve për akuzën e korrupsionit, ende nuk ka ndonjë historik të identifikimit dhe dënimit të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të lartë. Një sërë vrasjesh të nivelit të lartë të personaliteteve të biznesit dhe zbulimi i një vjedhjeje të konsiderueshme në Bankën e Shqipërisë kanë vazhduar të japin përshtypjen se shteti i së drejtës është ende i brishtë. Megjithatë, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi në shtator 2014 se prokurorët shqiptarë po hetojnë një numër zyrtarësh të lartë të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Nën drejtim të ri që prej shkurtit 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave po bën përpjekje të bashkërenduara. Nga marsi deri në korrik 2014, Inspektorati i referoi 33 raste prokurorisë – një përmirësim i konsiderueshëm nga mosreferimi i asnjë rasti më 2013. Në prill 2014, Kuvendi miratoi ndryshime ligjore për rritjen e rolit kontrollues të Inspektoratit të Lartë dhe për rritjen e mekanizmave të institucionit. Si pasojë, numri dhe niveli i zyrtarëve që do të kontrollohen plotësisht është rritur dukshëm. Përpjekje të tjera shtesë të Inspektoratit të Lartë për të parandaluar dhe identifikuar konfliktet e interesit, veçanërisht të atyre mes zyrtarëve të nivelit të lartë, do të jepnin një shembull të rëndësishëm. Kontrolli i Lartë i Shtetit, po ashtu, ka qenë shumë aktiv: në gjysmën e parë të 2014-s, 16 raste (që përfshinin 100 persona) u çuan për ndjekje penale në prokurori për shpërdorim të buxhetit të shtetit. Megjithatë, mbetet shqetësuese shkalla e ulët (45%) e zbatimit nga ana e institucioneve publike të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë për zyrtarët që kanë shpërdoruar detyrën. Prezenca, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, vlerësoi nevojat e trajnimit për çështjet e antikorrupsionit për zyrtarët e administratës publike, në nivel qendror e vendor, si dhe zhvilloi një paketë modulesh trajnuese për antikorrupsionin dhe rekomandimesh për zbatimin e politikave. Po ashtu, Prezenca ndihmoi në hartimin e një Kodi Etike për inspektorët e punës, i cili u miratua nga Inspektorati Qendror i Administratës Publike në prill 2014.

Në reformën mjedisore, qeveria ka caktuar si përparësi menaxhimin e mbetjeve, duke ngritur një Komitet ndërministror për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, në shkurt 2014, dhe duke shpallur gjendjen e emergjencës mjedisore, që çoi në një fushatë mbarëkombëtare, gjatë së cilës u pastruan 450 kilometra rrugë dhe vijë bregdetare. Në maj 2014, Ministria e Mjedisit gjobiti 137 kryetarë bashkish e komunash për mosmenaxhimin si duhet të mbetjeve në njësitë e tyre. Megjithatë, nuk ka prova se këto sanksione kanë pasur ndonjë ndikim pozitiv, pasi vendit ende i mungojnë sistemet për menaxhimin e duhur të mbetjeve urbane. Buxheti i shtetit për sektorin mjedisor mbetet shumë më poshtë nivelit të nevojshëm të investimeve, sikundër edhe dënimet për shkelje mjedisore (vetëm 34 raste ku janë dhënë dënime në 2013-n, një rënie kjo nga 83 raste në 2012-n). Prezenca i dha Ministrisë së Mjedisit ekspertizë teknike për të zhvilluar një vlerësim të rrezikut të korrupsionit, si pjesë e Planit kombëtar të Veprimit për antikorrupsionin, rezultatet e të cilit treguan që, për të luftuar në mënyrë të efektshme korrupsionin në këtë sektor, nevojiten kapacitete të përmirësuara.

Reforma e pronës mbetet një çështje themelore për Shqipërinë, pasi pasiguria juridike e të drejtave të pronarëve pengon zhvillimin ekonomik dhe ushqen problemet sociale. Qeveria e ka shpallur zgjidhjen e çështjes së pronës ndër përparësitë e saj kryesore, por duhet ende të zhvillojë një strategji. Një qasje e konsoliduar, konsensusi kombëtar dhe qëndrueshmëria e kornizës institucionale dhe ligjore janë të domosdoshme për suksesin e kësaj reforme. Në një zhvillim pozitiv, megjithëse të kufizuar, për transparencë në procesin legjislativ, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) nisi të shqyrtojë të gjitha aplikimet për legalizim, përcaktoi çmime reference të tregut për tokat e zëna dhe rriti transparencën e vendimeve të saj. Prezenca u angazhua me ministritë përkatëse lidhur me rekomandimet e mëparshme të saj rreth kthimit, kompensimit dhe regjistrimit të pronave.

Qeveria ndërmori një proces reforme administrativo-territoriale, në tetor 2013, për ta bërë qeverinë vendore më efiçente dhe për të zvogëluar shpenzimet dhe mundësitë për korrupsion, duke siguruar, në të njëjtën kohë, edhe një bazë për përpjekjet e mëtejshme decentralizuese. Prezenca i siguroi asistencë teknike qeverisë (inter alia, në përcaktimin e kritereve dhe metodologjisë për riorganizimin territorial dhe ekspertizë specifike këshillimore në grupin sektorial të punës) dhe organizoi takime informative sistematike për Shtetet pjesëmarrëse. I gjithë procesi u pengua rëndë nga mosmarrëveshjet politike mes dy palëve, ku përfshihej edhe ndërmarrja e një procesi konsultimi paralel nga partia kryesore e opozitës. Megjithatë, më 31 korrik, Kuvendi miratoi me votat e shumicës dhe me ato të një partie më të vogël opozitare ndarjen e re administrativo–territoriale me 61 njësi qeverisjeje vendore (nga 373 që ishin). Më pas, Presidenti e ktheu ligjin në parlament, duke u shprehur se reforma nuk kishte qenë transparente dhe gjithëpërfshirëse dhe se ulja e numrit të njësive të qeverisë vendore dëmton qeverinë dhe autonominë vendore. Më 1 shtator, Kuvendi e miratoi edhe një herë ligjin, i cili hyn në fuqi pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015.

Përmirësimi real në qeverisjen vendore dhe në ofrimin e shërbimeve do të varet nga sa domethënëse do të jetë reforma e decentralizimit, në mbështetjen e njësive vendore për të pasur statusin, financimin dhe aftësitë e duhura. Paralelisht me reformën administrativo-territoriale, qeveria filloi të hartojë një strategji të re decentralizimi dhe të rishikojë legjislacionin që lidhet me të. Prezenca po ndihmon në hartimin e kësaj strategjie të re, duke mbështetur përcaktimin e përgjegjësive të ndara qartë midis qeverisë qendrore dhe vendore dhe një planifikim dhe menaxhim territorial koherent.

Ka pasur disa përmirësime në parandalimin dhe ndjekjen penale të trafikimit të personave. Ndonëse koordinimi midis agjencive të zbatimit të ligjit dhe atyre të shërbimeve sociale u përmirësua si rezultat i takimeve sistematike të Task Force-s së Mekanizmit Kombëtar të Referimit, koordinimi në nivel vendor mbetet i dobët. Për më tepër, numri i procedimeve penale mbetet i ulët: vetëm tri raste u dërguan në gjykatë në vitin 2013. Prezenca ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në takimet e Task Force-s dhe në hartimin e një Strategjie të re kundër Trafikimit për periudhën 2014-2017, e cila do të finalizohet në dhjetor 2014. Prezenca nxiti bashkëpunimin mes agjencive për ndjekjen dhe ndëshkimin e rasteve të trafikimit të personave dhe mbështeti përpjekjet ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi kundër trafikimit, duke mundësuar arritjen e një marrëveshjeje për trajnime të përbashkëta sistematike të policisë dhe për veprimtari ndërgjegjësuese. Nga 95 rastet e trafikimit të evidentuara në vitin 2013, 21 përbënin trafikim për punë të detyruar. Duke e vlerësuar problemin, qeveria ka filluar të punojë me Prezencën e OSBE-së. Prezenca po ndihmon në arritjen e një marrëveshjeje mes inspektorëve të punës, policisë së anti-trafikimit dhe Zyrës së Koordinatorit Kombëtar kundër Trafikimit, për t’u hapur rrugën inspektimeve të përbashkëta të punës. Gjithashtu, ajo po ndihmon qeverinë në hartimin e një Kodi Sjelljeje për parandalimin e punës së fëmijëve, me synim miratimin e tij nga shoqatat e biznesit.

Sipas një studimi të qeverisë të vitit 2013, në Shqipëri ekzistojnë më shumë se 2 500 fëmijë në situatë rruge, një e treta e të cilëve rrezikojnë të trafikohen. Prezenca ka mbështetur Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në hartimin e një Udhëzuesi për Mbrojtjen e Fëmijëve në Situatë Rruge dhe ka nisur trajnimin e ekipeve në terren të angazhuara në identifikimin dhe referimin e fëmijëve në situatë rruge. Gjithashtu, Prezenca ka lobuar për nxitjen e rolit dhe veprimtarive të qendrave të administruara nga OJF-të për fëmijët e rrugës, të cilat ofrojnë shërbime shumë të rëndësishme.

Dimensioni njerëzor

Megjithëse qeveria e re i përqafoi rekomandimet e ODIHR-it që dolën nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, zbatimi i tyre i plotë mbetet ende pezull. Ajo çka është shumë e rëndësishme është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po operon me vetëm katër nga shtatë anëtarë, që prej prillit të vitit 2013. Në dhjetor të vitit 2013, Prezenca ndihmoi KQZ-në me organizimin e një veprimtarie mbi mësimet e nxjerra nga kjo e fundit, pasuar nga një sërë tryezash të rrumbullakëta ekspertësh për çështjet e identifikuara në raportin përfundimtar të ODIHR-it të vitit 2013. Në qershor të vitit 2014, Prezenca, ODIHR-i dhe KQZ-ja organizuan së bashku një konferencë të nivelit të lartë, ku paraqitën konstatimet dhe rekomandimet e tryezave të rrumbullakëta, në përpjekje për të nxitur dialogun dhe konsensusin mes të gjithë aktorëve të interesuar për rrugën që duhet ndjekur për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit zgjedhor. Kuvendi e ngarkoi KQZ-në me hartimin e një Plani Veprimi për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2015 dhe me krijimin e një administrate zgjedhore profesionale dhe jopolitike, si dhe me bashkëpunimin e ngushtë me partitë politike në zhvillimin e programeve të trajnimit për të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. Në këtë kuadër, Prezenca dhe Këshilli i Evropës po ndihmojnë KQZ-në në ngritjen e një platforme të përhershme trajnimi për trajnimin e specializuar të komisionerëve zgjedhorë dhe të aktorëve të tjerë që lidhen me zgjedhjet, gjatë gjithë ciklit zgjedhor. Prezenca mbetet pika kryesore e kontaktit për bashkërendimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi menaxhimin e zgjedhjeve dhe reformën zgjedhore për Shtetet pjesëmarrëse, organizatat ndërkombëtare dhe partnerët shqiptarë.

Qeveria e re është fokusuar te programi i reformës në fushën e drejtësisë në pesë përparësitë e identifikuara në vitin 2013 nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimin e pavarësisë, efiçencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve gjyqësore — që të gjitha fusha ku Prezenca vazhdon të përdorë eksperiencën e saj të gjerë për të ndihmuar në ecjen përpara. Në fillim të vitit 2014, qeveria ngriti një Komision Këshillimor të Reformës Ligjore, i cili punon me Ministrinë e Drejtësisë për nismat legjislative me në qendër reformimin e institucioneve kryesore të drejtësisë, pasi i kërkoi asistencë Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës. Në qershor, qeveria miratoi një plan veprimi për masat legjislative dhe praktike për reformën në drejtësi, për periudhën 2014-2015. Në korrik, Kuvendi bëri disa ndryshime në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, me synim rritjen e paanshmërisë, transparencës dhe efiçencës së këtij institucioni. Pjesa më e madhe e komenteve të Prezencës u pasqyruan në ligjin e miratuar dhe ndryshimet e bëra përbëjnë një hap përpara. Një qasje gjithëpërfshirëse ndaj reformës është e nevojshme. Megjithatë, veprimet e ndërmarra në fillim të muajit korrik u perceptuan gjerësisht si të politizuara dhe Prezenca, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, e ka inkurajuar Ministrinë e Drejtësisë që të ndërmarrë një qasje vërtet gjithëpërfshirëse, duke punuar ngushtë me të gjithë aktorët në këtë reformë thelbësore dhe delikate. Përveç kësaj, Prezenca është përpjekur të përmirësojë komunikimin dhe bashkëpunimin midis Ministrisë dhe KLD-së, duke i angazhuar të dyja institucionet në një përpjekje për të përmirësuar efiçencën e gjykatave.

Një vrull i ri u vu re sa i përket përgjegjshmërisë së gjyqtarëve, si përmes procedurave disiplinore, ashtu edhe atyre penale. Në bazë të hetimeve të kryera nga Inspektorati i KLD-së, që prej shtatorit 2013, ministri i Drejtësisë propozoi masa disiplinore ndaj 20 gjyqtarëve. Si rezultat, një gjyqtar u shkarkua nga detyra, njëri u ul në detyrë, dy u akuzuan për korrupsion dhe u pezulluan nga detyra, kurse dymbëdhjetë morën vërejtje. Megjithatë, propozimi i Ministrit për shkarkimin nga detyra të katër gjyqtarëve për deklarata të rreme të pasurive u refuzua në muajin korrik nga KLD-ja, si i pabazuar. Një hap pozitiv ishte përfundimi, nga KLD-ja, në korrik, i procesit të emërimit të kryetarëve të gjykatave dhe vlerësimit të gjyqtarëve për vitet 2005-2006, i cili kishte mbetur pezull për mbi dy vjet.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka operuar me mungesa në staf që prej tetorit të vitit 2013, për shkak të mosrënies dakord të Presidentit dhe parlamentit për emërimin e gjyqtarëve, ku çdo institucion i ka kritikuar vendimet e tjetrit si të pabazuara. Aktualisht, tre nga 19 pozicione në Gjykatën e Larë janë vakante, gjë që pengon funksionimin e gjykatës.

Ndonëse ka pasur njëfarë përmirësimi në performancën e përgjithshme të gjykatave, efiçenca, transparenca dhe aksesueshmëria e procedimeve gjyqësore mund të përfitonin më tej nga ndryshimet ligjore dhe ndryshimet në praktikë. Për më tepër, pas shpalljes jokushtetues të ligjit për administratën gjyqësore nga Gjykata Kushtetuese, në mars të vitit 2014, duhet të miratohen dispozita të reja për të rregulluar punën e gjykatave dhe të stafit të tyre. Në dhjetor 2013, Prezenca nisi një projekt pilot me USAID/JuST, në një gjykatë rrethi, për të zbatuar disa teknika novatore për shmangien e seancave joproduktive dhe vonesave të panevojshme. Projekti mbështetet në rekomandimet e raportit të Prezencës “Drejt Drejtësisë” të monitorimit të gjyqeve, të vitit 2012, për përmirësimin e administrimit të drejtësisë. Projekti çoi në një numër mjaft më të ulët seancash për çështje, ndërkohë që numri i çështjeve të zgjidhura nga çdo gjyqtar në muaj u dyfishua. Këto rezultate pozitive bënë që Prezenca ta shtrinte projektin në muajin qershor në një gjykatë të dytë më të madhe.

Sistemi i ri i gjykatave administrative të Shqipërisë, i cili operon që prej nëntorit të vitit 2013, ka bërë hapa të rëndësishëm përpara drejt zvogëlimit të vonesave dhe uljes së ndjeshme të çështjeve të prapambetura gjyqësore administrative, duke zgjidhur më shumë se 9 mijë mosmarrëveshje në nëntë muaj – pavarësisht mungesave të konsiderueshme në staf. Prezenca ka trajnuar gjyqtarë të gjykatave administrative dhe profesionistë të tjerë në fushën e drejtësisë në lidhje me rregullat e reja procedurale, ka ofruar udhëzime praktike përmes një “Manuali për Drejtësinë Administrative” dhe ka mbështetur ndryshimet në kuadrin ligjor.

Nga marsi deri në korrik 2014, Kuvendi miratoi një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin Penal në lidhje me zgjerimin e kompetencave të Gjykatës së Krimeve të Rënda për krimet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë, harmonizimin e Kodit të Procedurës Penale me Kushtetutën për çështje të imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, dhe duke parashikuar krime të reja si pjesëmarrja e shtetasve shqiptarë në konflikte të huaja të armatosura. Në korrik, Kuvendi miratoi disa ndryshime në ligjin për Ndihmën Ligjore, duke përmirësuar aksesin në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit dhe duke parashikuar ndihmë të menjëhershme ligjore në raste urgjente. Prezenca kontribuoi me këshilla teknike në të gjitha ndryshimet e sipërpërmendura për të qartësuar dispozitat dhe për të përmirësuar teknikat legjislative, të cilat u pasqyruan gjerësisht në ndryshimet e miratuara. Në total, që prej nëntorit 2013, Prezenca ka shqyrtuar 22 projektligje për të parë nëse përputheshin me standardet ndërkombëtare të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut dhe u ka dërguar komente institucioneve qeveritare dhe komisioneve parlamentare përkatëse.

Me projektligjin e propozuar për njoftimin dhe konsultimin publik, qeveria ndërmori një nismë për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin legjislativ. Megjithatë, procesi legjislativ shpesh vijon të jetë i nxituar dhe i pastrukturuar mirë, shpesh për shkak të një padurimi për të përshpejtuar reformat. Ndonëse bashkëpunimi midis institucioneve qeveritare është përmirësuar disi, ai do të përfitonte nga një ndarje e qartë e përgjegjësive, bashkërendim më i mirë, vendosja e afateve realiste, analiza e legjislacionit ekzistues dhe teknikat e standardizuara të hartimit të ligjeve.

Në frymën e prioritetit të shprehur të Kuvendit për zhvillimin e një procesi legjislativ gjithëpërfshirës, të përgjegjshëm dhe transparent, Prezenca vazhdoi të ndihmonte Kuvendin në përmirësimin e aksesit të organizatave të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit në procesin legjislativ. Si fazë e parë në ngritjen e zyrave rajonale zgjedhore për deputetët, Prezenca shqyrtoi praktikat dhe rrugët që ndiqen aktualisht për mbajtjen e marrëdhënieve të deputetëve me qytetarët. Ndërkohë, Prezenca, në bashkëpunim të ngushtë më Kuvendin, vijoi të organizonte forume lokale me deputetët dhe qytetarët për të ushqyer mundësitë e komunikimit me deputetët dhe reagimin e këtyre të fundit.

Largimet dhe pranimet në punë të nëpunësve civilë mbetën një pikë e fortë përplasjesh në sferën politike dhe në gjykata gjatë gjithë vitit. Pasi Gjykata Kushtetuese, në shkurt 2014, shpalli jokushtetues aktin normativ të Këshillit të Ministrave që shtynte hyrjen në fuqi të ligjit, ligji i ri për nëpunësin civil hyri në fuqi në shkurt 2014. Megjithatë, zbatimi i tij u vonua edhe më shumë dhe filloi vetëm në muajin gusht, pas miratimit të akteve nënligjore të nevojshme. Vonesat ndikuan edhe në procesin e përzgjedhjes së Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, i cili, me kuadrin e ri ligjor, do të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil për afërsisht 20 000 nëpunës civilë, tri herë më shumë sesa me legjislacionin e mëparshëm. Shumica qeverisëse deklaroi se, që nga muaji maj, ristrukturimi i institucioneve qendrore kishte çuar në nxjerrjen të tepërt të 260 punonjësve, dhe se këta njerëz nuk ishin hequr nga puna, por ishin vendosur në një listë pritjeje me pagesë, në pritje të marrjes së një detyre të re. Megjithatë, në gusht, opozita informoi Prezencën se të paktën 3 600 punonjës ishin hequr nga puna nga shumica qeverisëse me justifikimin e reformës në administratën publike. Gjykatat administrative kanë regjistruar 1 956 padi për mosmarrëveshje në marrëdhëniet e punës midis institucioneve shtetërore dhe punonjësve të larguar nga puna, nga janari deri në qershor 2014. Rekrutimet e reja në administratën publike u ndërprenë në fillim të muajit mars, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e nëpunësit civil; në gusht, qeveria shpalli 257 pozicione të lira pune në administratën publike dhe deklaroi çeljen e aplikimeve për 113 prej tyre.

Sa i përket medias, proceset për ngritjen e bordit drejtues të transmetuesit publik (RTSH) dhe të bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive filluan, përkatësisht, në tetor 2013 dhe prill 2014. Megjithatë, mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike lidhur me procedurat e nominimit i kanë vonuar këto procese; asnjëri prej këtyre dy enteve nuk është plotësisht funksional. Procesi i transformimit të RTSH-së në një transmetues publik kombëtar të pavarur editorialisht, të qëndrueshëm financiarisht dhe të përgjegjshëm ka mbetur në vend. Ka pasur, gjithashtu, vonesa të konsiderueshme edhe në procesin e kalimit në transmetimet numerike, gjë që ngre pikëpyetjen nëse Shqipëria do të jetë në gjendje të kalojë plotësisht në transmetime numerike brenda qershorit 2015, që është afati për të cilin është rënë dakord në nivel ndërkombëtar. Prezenca, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, i ofroi asistencë, si parlamentit, ashtu edhe qeverisë, në lidhje me reformën e medias audiovizive. Prezenca është e përkushtuar të mbështesë reformën e transmetuesit publik përmes një menaxhimi profesional dhe politikisht neutral, dhe po zhvillon një partneritet, në këtë aspekt, me Unionin Evropian të Transmetimeve dhe me UNESCO-n.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka promovuar statusin e grave dhe të barazisë gjinore. Megjithatë, vendi ende përballet me shumë sfida sa i përket shfrytëzimit të plotë të potencialit të grave në tregun e punës dhe në ekonomi, si dhe në rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje. Përveç kësaj, vendi ende ka nevojë të forcojë kuadrin e tij legjislativ dhe institucional sa i përket barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit, të përmirësojë monitorimin dhe përgjegjshmërinë e zyrave të administratës publike kundrejt grave dhe të sigurojë integrimin e perspektivës gjinore në politikat publike. Qe pozitiv fakti që, në qershor 2014, qeveria vendosi t’ua shpërndajë ndihmën ekonomike vetëm kryefamiljareve femra, si një masë e fuqizimit të drejtpërdrejtë ekonomik të grave në familje. Prezenca ka vazhduar të mbështesë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, duke u fokusuar veçanërisht te gratë në pozicione drejtuese të zgjedhura. Prezenca mbështeti Platformën Kombëtare për Gratë në projektimin e një lëvizjeje kombëtare për hartimin e planeve konkrete vendore të veprimit, për t’u dhënë mundësi grave aspirante për të pasur fushata efikase për zgjedhjet e vitit 2015 dhe për të kërkuar përmbushjen e kuotës gjinore. Në veprimtaritë e kësaj lëvizjeje morën pjesë qindra kandidate potenciale.

Kapaciteti i shoqërisë civile mbetet përgjithësisht i ulët dhe kërkon mbështetje në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë rolin e saj si partnere strategjike e qeverisë në vendimmarrje. Përveç kësaj, mungesa e përgjithshme e besimit midis qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile mbetet shqetësuese. Për këtë arsye, Prezenca u përqendrua në nismat me bazë komunitetin për të rritur mundësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në mënyrë efikase në jetën publike. Prezenca është fokusuar, veçanërisht, te rinia dhe demokracia, duke ngritur një rrjet klubesh debati dhe duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë për përmirësimin e aftësive të tyre për të mbrojtur një çështje të caktuar, për të ngritur rrjete bashkëpunimi, për të mbledhur fonde dhe për të organizuar fusha të ndryshme. Përmes këtij programi, të rinjtë zhvilluan diskutime substanciale me zyrtarë të lartë, duke përfshirë Presidentin, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryetarin e Radhës së OSBE-së. Prezenca u angazhua edhe me OJF-të lokale për të rritur aftësinë e tyre për të kuptuar procesin legjislativ dhe për të ushtruar ndikimin e tyre mbi të. Rezultatet e këtyre konsultimeve në të gjithë vendin u diskutuan me deputetë, institucione të pavarura dhe OJF kombëtare dhe rajonale, në një takim të nivelit të lartë, në dhjetor 2013, i cili u fokusua në vënien në pah të praktikave më të mira dhe të mësimeve të nxjerra.

Diskriminimi vijon të jetë problem dhe raporti vjetor i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2013 tregoi një rritje të numrit të ankesave prej pothuajse 90% krahasuar me vitin 2012, 58% e të cilave ishin diskriminime për shkak të racës. Dëbimi i familjeve rome përbën një çështje veçanërisht problematike, që do të kërkojë ngritjen e një sistemi proaktiv. Megjithatë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është angazhuar aktivisht në çështjet e romëve dhe duket e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje jetëgjatë për problemin e strehimit. Një hap i mëtejshëm pozitiv qe finalizimi nga ana e Ministrisë i ligjit të shumëpritur për aftësinë e kufizuar, i cili mori parasysh shumë prej komenteve të Prezencës. Në qershor 2014, me urdhër të kryeministrit, u ngrit një grup pune për pakicat, nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili do të analizojë çështjen e pakicave në Shqipëri, me qëllim ofrimin e rekomandimeve për politikat dhe për çdo ndryshim legjislativ që gjykohet i nevojshëm. Avokati i Popullit hapi, në korrik 2014, një zyrë rajonale në jug të Shqipërisë, me fokus të veçantë mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Në shtator, Komisionerja e Lartë e OSBE-së për Pakicat Kombëtare vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe u angazhua në një gamë të gjerë çështjesh rajonale dhe vendase që lidhen me pakicat.

Vlen të theksohet si zhvillim pozitiv se, në mars 2014, qeveria deklaroi se do të rifillonte procesin e kompensimit financiar të të përndjekurve politikë nga regjimi komunist. Qeveria filloi të bëjë pagesat e kompensimeve në muajin prill, duke premtuar se, deri në fund të shtatorit, të gjithë ish-të përndjekurit politikë do të kishin marrë të paktën këstin e parë. Në maj, një grup ish-të përndjekurish politikë filluan një grevë urie, duke kërkuar pagesë më të shpejtë të kompensimit për viktimat e ish-regjimit komunist. Në korrik, Kuvendi miratoi, me asistencën teknike të Prezencës, disa ndryshime në legjislacionin përkatës, të cilat u dhanë përparësi grupeve veçanërisht të cenueshme.

Trajtimi i të burgosurve në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit; megjithatë, trajtimi i të burgosurve me probleme të shëndetit mendor mbetet i papërshtatshëm. Edhe zbatimi i plotë i programeve të individualizuara të rehabilitimit dhe ri-integrimit për të burgosurit, siç kërkohet nga ligji për trajtimin e të burgosurve, mbetet, po ashtu, shqetësues. Pavarësisht shumë hapave pozitivë, mbipopullimi i vendeve të vuajtjes së dënimit vazhdon të jetë problematik. Paraburgimi vazhdon të përdoret me tepri nga gjyqësori, me kosto të konsiderueshme. Prezenca e ndihmoi qeverinë në përmirësimin e legjislacionit lidhur me sistemin penitenciar dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Përdorimi i dënimeve alternative ndaj burgimit është përmirësuar ndjeshëm; numri i të dënuarve të mbikëqyrur nga Shërbimi i Provës u rrit me 250% nga janari deri në qershor 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Përdorimi më i madh i shërbimit të provës për të miturit është një tjetër zhvillim pozitiv. Në këtë aspekt, dhe duke u mbështetur në partneritetin tonë afatgjatë dhe në zhvillim e sipër me Shërbimin e Provës, Prezenca u fokusua në ngritjen e Sistemit të Vlerësimit të Autorëve të Veprave Penale për të Miturit dhe për të Rinjtë dhe në trajnimin e punonjësve të Shërbimit të Provës për përdorimin efikas të tij. Prezenca zhvilloi një sërë veprimtarish ndërgjegjësuese me avokatë, institucione arsimore dhe të dënuar për të nxitur përdorimin e dënimeve alternative ndaj burgimit. Në nëntor 2013, programi i masterit “Administrimi i Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë”, iniciuar nga Prezenca me financim jashtëbuxhetor, u mor përsipër nga Universiteti i Tiranës.

Dhuna në familje vijon të përbëjë një problem të mprehtë social në Shqipëri. Qeveria nisi një fushatë ndërgjegjësimi për dhunën në familje dhe punoi për fuqizimin ekonomik të grave, duke krijuar mundësi për formim profesional dhe punësim. Prezenca zhvilloi një sërë forumesh ndërgjegjësuese për të rinjtë mbi dhunën në familje dhe punoi me nënkomisionin parlamentar për dhunën në familje për zbatimin e kuadrit ligjor përkatës. Përveç kësaj, Prezenca, në partneritet me Policinë e Shtetit dhe me Bashkinë e Korçës, organizoi “Ditët kundër Dhunës në Familje”, një sërë veprimtarish për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut, sidomos të të rinjve, për dhunën në familje dhe për nxitjen e një bashkëpunimi më të ngushtë midis strukturave shtetërore përkatëse.

VËSHTRIM DREJT SË ARDHMES

Qeveria shqiptare, e zgjedhur në vitin 2013, është tashmë në gjendje të plotë pune dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE, në vitin 2014, vetëm sa e ka mprehur fokusimin te përparësitë kryesore të reformave. Këto reforma – në fusha si decentralizimi, drejtësia dhe antikorrupsioni – ofrojnë një mundësi të fortë për bashkëpunimin strategjik midis Prezencës dhe vendit pritës.

Ndërkohë që pritet që Shqipëria të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm dhe stabilizues në kontekstin rajonal, klima e brendshme politike ka të ngjarë të mbetet e polarizuar. Prezenca do të vazhdojë të mbështesë fokusimin kombëtar te përparësitë kryesore dhe të punojë në mënyrë gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët kryesorë. Prezenca do të vijojë ta kalojë fokusin e saj nga ndërtimi i institucioneve te përmirësimi i funksionimit të tyre dhe te marrëdhënia midis qytetarëve dhe institucioneve, si dhe midis vetë institucioneve.

Zgjedhjet vendore do të vazhdojnë të tërheqin vëmendjen në pjesën më të madhe të vitit 2015. Prandaj, Prezenca do të vijojë të fokusohet në zhvillimin afatgjatë të institucioneve zgjedhore të Shqipërisë dhe në rritjen e profesionalizmit të administratës zgjedhore.

Siç u theksua në raportin e Prezencës së OSBE-së të vitit 2013, sfidat që mbeten për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar janë të brendshme, në mendësi dhe në funksionim: trajta e ardhshme e vendit, shpejtësia, efikasiteti dhe qëndrueshmëria e reformave varen shumë nga vullneti dhe përkushtimi i të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri, si dhe nga ndjeshmëria e tyre ndaj qytetarëve.

Varianti i vetëm zyrtar i këtij raporti është ai në gjuhën angleze.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi