Të investojmë besim publik te Prokuroria dhe institucionet e pavarura

Nga Ndriçim Kulla, botuar në Mapo, 18 shtator 2015

ndricim-kulla-135x150Partnerët tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë, si kurrë më parë duan të na japin të kuptojmë se ata janë bërë garantë të dyfishtë që institucionet e pavarura nuk do të pësojnë sulme politike nëse bëjnë detyrën e tyre, dhe që institucionet e pavarura nuk do të bëjnë goditje me tendenca politike. Politika, në të dy krahët e saj, si te pushteti ashtu dhe tek opozita, për shkak të qëndrimit të partnerëve ndërkombëtarë, do të detyrohet që të shprehet në mbështetje të institucioneve të pavarura, megjithëse do të ketë raste kur veprimet e tyre do të prekin interesat e njërës apo tjetrës palë të politikës. Kështu që besimi dhe mbështetja e shprehur nga të dy krahët politikë tek institucionet e pavarura nuk do të jenë gjithmonë të sinqertë. Por kjo është më e mira që mund të pritet nga fusha e politikës.

Në këtë situatë, kur të dy krahët e politikës nuk do ta mbështesin gjithmonë me sinqeritet veprimin e institucioneve të pavarura, është nevoja që të bëhet një aleancë mes publikut të gjerë shqiptar dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kjo aleancë duhet të konsistojë në shprehjen e besimit nga ana e publikut të gjerë shqiptar tek institucionet e pavarura, por dhe të bashkëpunimit të nevojshëm të qeverisë me këto institucione.

Kontrolli i Lartë i Shtetit po bën një punë shembullore për të identifikuar dhe denoncuar abuzuesit e financave publike. Kjo tashmë është një e vërtetë e konfirmuar publikisht. Por që kjo punë të ketë vlerë të mbaruar, qeveria duhet që t’i respektojë propozimet e këtij institucioni të pavarur për largimin nga administrata të këtyre abuzuesve. Por e njëjta gjë mund të thuhet për vendimet e gjykatave, rekomandimet e Avokatit të Popullit, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive etj., që bëjnë pikërisht atë punë që duhet të bëjnë sipas detyrave kushtetuese që kanë.

Sepse institucionet e pavarura kanë nevojë që qeveria jo vetëm të mos i sulmojë, por të bashkëpunojë me to dhe së bashku me publikun të investojnë besim tek to. Për hir të së vërtetës duhet thënë se deri më sot, institucioneve të pavarura iu ka munguar ky besim prej qeverive por edhe i publikut, i cili ka qenë shumë skeptik ndaj tyre, dhe i kanë gjykuar ato sipas bindjeve politike, domethënë kur institucionet e pavarura i krijonte dhe i mbushte me njerëz partia e tij, këto institucione ishin në rregull, ndryshe nuk ishin në rregull. Por ajo gjë për të cilën këto institucione kanë nevojë ashtu siç ka nevojë njeriu për ajrin që thith, është besimi i gjerë, përtej dallimeve partiake dhe politike. Dikush mund të thotë se këto institucione mund ta bëjnë punën e tyre pavarësisht mendimit të publikut dhe se besimi i publikut do të krijohet nga puna e tyre. Kjo është e vërtetë, por atmosfera në të cilën punojnë institucionet e pavarura ka rëndësi, dhe ndryshe është puna në një atmosferë besimi të publikut. Dhe kjo atmosferë ndjehet nga shumë shenja kur ajo ekziston realisht.

Kur Prokurori i Përgjithshëm deklaron se do të ketë arrestime të nivelit të lartë së shpejti, atëherë bëni një e-mail me një mesazh mbështetës në adresën e Prokurorisë së Përgjithshme që është vënë për të komunikuar me publikun në vend të një shkrimi kritik dhe tendencioz në formë shantazhi kundrejt ndonjë interesi të caktuar. Megjithëse kjo adresë është vënë që qytetarët të shkruajnë problemet e tyre, nuk është e ndaluar që të shprehet dhe mbështetje. Në qoftë se nuk jeni përdorues kompjuteri, atëherë shkruani një letër të shkurtër me një mesazh mbështetës. Nëse në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme shkojnë mijëra e mijëra e-maile dhe letra, ky do të jetë një tregues i investimit të besimit publik. Këtë do ta vënë re edhe partnerët ndërkombëtarë, por edhe qeveria dhe në përgjithësi politika në vend

Besimi publik i investuar do të përkthehet në përgjegjësi për institucionet e pavarura, pasi partnerët tanë ndërkombëtarë do t’u thonë atyre: Tani që publiku i gjerë shqiptar ka investuar besim te ju, përgjegjësia juaj është më e madhe dhe duhet ta shpërbleni këtë investim me rezultate konkrete. Shoqëria jonë nuk po kalon në një shteg të pashkelur, por në një shteg ku kanë kaluar të tjerët para nesh dhe kanë pasur të njëjtat probleme. Kështu që ne kemi modele për të ndjekur, si ato që kam përmendur më lart. Edhe në vendet ish-komuniste, të cilët pak a shumë janë të ngjashme me ne, ndryshimi i vërtetë, pas ndryshimit fillestar të sistemit politik-shoqëror, ka ardhur me funksionimin e institucioneve të pavarura. Kur këto nisin të funksionojnë, atëherë shumë probleme që ka shoqëria zgjidhen si me magji, sepse ka munguar vetëm vullneti për t’ i zgjidhur ato.

Unë veçova Prokurorinë nga institucionet e pavarura, për arsye se ajo është ingranazhi pa lëvizjen e të cilit, puna e shumicës së institucioneve të tjera të pavarura, për të mos thënë e të gjithë atyre, ndalet në çast. Por nuk duhet harruar se Prokuroria është një institucion ku përqendrohet shumë presioni nga të gjitha anët, dhe për këtë arsye është institucioni që ka më shumë nevojë për mbështetje të gjithanshme.

Tanimë Prokuroria ka dhënë shenja shumë serioze se po të vihet në lëvizje për të bërë gjëra që nuk janë bërë kurrë më parë në Shqipëri. Këtë vit Prokuroria ka dhënë edhe prova për disponibilitetin e saj, duke arrestuar tre deputetë të mazhorancës parlamentare, apo shkelës të rrezikshëm të ligjit, siç nuk e kemi parë që të ndodhë kurrë më parë. Prokurori i Përgjithshëm, megjithëse i zgjedhur nga një mazhorancë parlamentare e ndryshme nga ajo që është sot, ka arritur që me punën e tij të imponojë autoritetin ligjor të postit të tij, edhe në situatën e re politike, duke mos lejuar që të zhvilloheshin tendencat e mazhorancës së sotme, për të pasur me të marrëdhënie si ato që kishte mazhoranca e djeshme parlamentare me Prokurorin e Përgjithshëm që gjeti kur erdhi në pushtet. Një lëvizje e organit të akuzës që është parë me rezerva dhe që ka rrezik të keqinterpretohet edhe me tej është se Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i është përgjigjur kërkesës së kryeministrit Rama për të shkuar për takim në zyrën e këtij, dhe pas kësaj ka pasur edhe takime të tjera në zyrën e Kryeministrit ose gjetkë. Këto takime të Prokurorit të Përgjithshëm mund të interpretohen edhe si nënshtrim i organit të akuzës ndaj qeverisë, por edhe si shprehje maksimale e vullnetit që drejtuesi i organit të akuzës i zgjedhur nga mazhoranca e kaluar parlamentare, i bën mazhorancës së sotme parlamentare për një bashkëpunim sa më të plotë për zbardhjen e shumë çështjeve delikate. Pas këtyre lëvizjeve të z. Llalla, opinioni publik nuk mund të ketë dyshimin se ky Prokuror i Përgjithshëm, i cili ka ardhur në këtë post pa votat e PS-së në parlament, nuk do të jetë prokuror i palës, siç edhe u akuzua fillimisht nga krerët e lartë politikë të së majtës.

Unë mendoj se opozita duhet t’i bashkohet aleancës së publikut të gjerë shqiptar me partnerët ndërkombëtarë, madje ta nxisë atë, se nga kjo gjë ka shumë për të fituar. Opozita, e cila për hir të së vërtetës e ka mbrojtur me forcë pavarësinë e këtyre institucioneve kur ato ndodheshin nën një presion agresiv nga qeveria pak kohë më parë, duhet investojë edhe më shumë besim tek institucionet e pavarura, pavarësisht dyshimeve që mund të ketë te njerëz të caktuar në to. Çfarë do të humbiste opozita në fund të fundit nga fushata e arrestimeve në nivele të larta që ka paralajmëruar Prokurori i Përgjithshëm, të cilat më duhet të theksoj se duhet të jenë plotësisht të ligjshme, të peshuara dhe të arsyetuara mirë? Në rastin më të keq, opozita do të humbte personazhe të vjetra të saj, të konsumuara sa nuk ka ku të vejë më, të cilët kanë përfituar nga PD-ja shumë më tepër se ç’ i kanë dhënë asaj. PD nuk mund të ecë përpara si një parti e suksesshme duke i mbajtur këta njerëz si një barrë e rëndë mbi shpinë. Është koha që këta njerëz të lihen në fatin e tyre për t’u ballafaquar me Drejtësinë, pa mbështetjen politike të PD-së. Pas kësaj, PD do të ketë të drejtë që të kërkojë me forcë ndëshkime të rënda për qeveritarët e sotëm që prodhojnë nga një skandal në ditë. Me këtë qëndrim, PD e epokës së Bashës, do t’ i japë një mesazh të qartë publikut se kjo parti ka hyrë në një epokë të re dhe se po shfaq një përgjegjshmëri institucionale që nuk është parë kurrë në Shqipëri deri më sot nga opozita.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi