Programi i Qeverisë Ilir Meta (28 tetor 1999 – 6 shtator 2001)

 

 Ilir Meta – I nderuar zoti Kryetar,

të nderuar zonja e zotërinj deputetë,

Qeveria që del sot përpara këtij Kuvendi për të kërkuar votëbesimin e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit shqiptar, është e treta brenda mandatit që “Aleanca për shtetin” ka marrë për të qeverisur Shqipërinë në 29 qershor të vitit `97. Kjo qeveri nuk lindi as në boshllëkun që lindi Qeveria Nano, pas rrënimeve që pësoi Shqipëria për shkak të kolapsit të sistemit piramidal, as në terrenin e vështirë të periudhës pas grushtit të dështuar të shtetit në shtatorin e kaluar, kur “Aleanca për shtetin” krijoi Qeverinë Majko.

Qeveria që unë jam ngarkuar të formoj, lind ndërkohë që koalicioni ynë progresist ka hedhur disa hapa të pakthyeshëm në krijimin e shtetit demokratik të të gjithë shqiptarëve, duke vendosur në themel të qeverisjes sonë respektin për të drejtat dhe liritë e njeriut; duke i dhënë Republikës së Shqipërisë një kushtetutë të standardeve perëndimore; duke lidhur marrëdhënie solide, bashkëpunime me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe organizma financiarë ndërkombëtarë; duke çrrënjosur njëherë e mirë firmat piramidale; duke ndërmarrë reforma institucionale, strukturore dhe të ekonomisë së tregut në të gjitha fushat.

Kjo Qeveri lind pasi ne, koalicioni i “Aleancës për Shtetin”, në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor dhe qytetarët shqiptarë përmbushëm me dinjitet atdhetar misionin që i takonte një force qeverisëse shqiptare në funksion të çështjes kombëtare, duke u bërë faktor aktiv i pamohueshëm në procesin e futjes së kësaj çështjeje në rrugën e zgjidhjes; duke u rreshtuar me tërë forcat dhe energjitë tona në frontin e aleancës euroatlantike kundër regjimit diktatorial të Beogradit; duke mbështetur pa asnjë rezervë faktorët politikë, ushtarakë e human të rezistencës kosovare, në radhë të parë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; duke menaxhuar një krizë me dimensione jashtëzakonisht të mëdha si ajo e strehimit të gjysmë milioni shqiptarëve të dëbuar nga trojet e tyre.

Kjo Qeveri hyn në terrenin e vështirë të luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, në një kohë kur “Aleanca për shtetin” ka filluar t’i zbrapsë këto forca të së keqes, duke vendosur e thelluar bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, me grupin e Miqve të Shqipërisë, për të identifikuar vatrat që ushqejnë këto forca, për t’i goditur pa ngurim, me qëllim që në Shqipëri të vendoset përfundimisht rendi publik dhe të krijohet një situatë që do të garantojë investime të rëndësishme në pjesën tonë të rajonit ballkanik; duke ndërmarrë një sërë aksionesh konkrete e mjaft të suksesshme kundër elementëve të inkriminuar dhe bandave kriminale, që u shumuan në kaosin e pranverës së vitit ’97, duke nisur të krijojmë dalëngadalë besimin te forcat e rendit dhe te vetë qytetarët, për faktin se në luftën e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar kundër krimit të çdo natyre nuk mund të ketë asnjë rezultat tjetër të mundshëm përveç triumfit të shoqërisë e të shtetit mbi krimin.

Përvoja e Qeverisë së “Aleancës për shtetin” gjatë këtyre dy vjetëve të vështira që kemi kaluar së bashku në drejtimin e Shqipërisë, do t’i shërbejë këtij kabineti të ri jo vetëm si arsye themelore për të besuar në aftësinë qeverisëse të koalicionit tonë progresist, por edhe si eksperiencë ballafaquese me të metat që duhet të korrigjojmë dhe gabimet që nuk duhet t’i përsërisim, në mënyrë që të fitojmë zgjedhjet e ardhshme lokale dhe të meritojmë një tjetër mandat për të qeverisur vendin në zgjedhjet politike të vitit 2001.

Qeveria e re e “Aleancës për shtetin” nuk mund të krijohet pa e mbajtur mirë parasysh përvojën e këtyre dy vjetëve në qeverisjen e vendit, por njëkohësisht në formimin e kabinetit, për të cilin kërkoj sot votëbesimin tuaj, unë nuk e kam harruar për asnjë çast se ky kabinet nuk lindi pas një krize institucionale.

Qeveria që jam ngarkuar të drejtoj është një qeveri e dalë pas zhvillimeve normale demokratike në Partinë Socialiste, zhvillime të cilat reflektuan dhe kërkuan edhe nevojën për ripërtëritjen e ekipit qeverisës të “Aleancës për shtetin”. Në këtë kontekst, theksoj se ky votëbesim kërkohet për të vazhduar normalisht punën, duke synuar pa ndërprerë thellimin e rezultateve pozitive, eliminimin e dobësive të verifikuara në procesin qeverisës dhe pasurimin e programit tonë me burimet që ofron Pakti i Stabilitetit.

Duke pagëzuar këtë qeveri të re si Qeveri të Paktit të Stabilitetit, Presidenti i Republikës Rexhep Meidani dha një mesazh të rëndësishëm jo vetëm për klasën politike shqiptare, por për të gjithë kombin shqiptar. Na takon të gjithëve, por, në radhë të parë, këtij kabineti qeveritar që ta meritojë dhe ta mbajë në vazhdimësi këtë emër, duke e shndërruar Paktin e Stabilitetit në themel dhe bosht të programit tonë. Kam parasysh tre shtyllat me të cilat ngrihet ky vizion i ri euro-atlantik për Europën Juglindore, domethënë edhe për vendin tonë, për Shqipërinë: paqja, siguria dhe zhvillimi.

Pakti i Stabilitetit përbën një shans historik për rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin në rajonin tonë, për të cilin na lind detyra ta shfrytëzojmë duke pasur parasysh se nëpërmjet tij ne do të kemi mundësi të realizojmë projekte të rëndësishme, por në të njëjtën kohë, në kuadrin e Paktit të Stabilitetit, ne do të duhet të angazhohemi për ta vënë theksin në thellimin e procesit kompleks të demokratizimit të shoqërisë shqiptare. Për të garantuar realizimin e projekteve brenda prioriteteve të Paktit të Stabilitetit, funksionimin normal të koordinatorit nacional për këtë pakt, suksesin e negociatave e fqinjët në funksion të një zhvillimi të përgjithshëm rajonal, fokusimin e zhvillimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën edhe brenda Paktit të Stabilitetit, ne duhet të ecim paralelisht, me shpejtësi drejt thellimit të reformave në vend. Vetëm përshpejtimi i këtyre reformave do të bëjë të mundur rritjen e adaptueshmërisë së strukturave të institucioneve tona në sistemin demokratik europian dhe fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizimit dhe asocimit me Bashkimin Europian. Duke vlerësuar arritjet e deritanishme në fushën e integrimit politiko-ushtarak në NATO, Qeveria do të orientojë përpjekjet e saj për fuqizimin e aftësive mbrojtëse të republikës nëpërmjet zbatimit të reformës, tanimë, të projektuar, si dhe zbatimin në proces të angazhimeve të marra në kuadrin e planit të veprimit për anëtarësim.

Të nderuar deputetë,

Ne shqiptarët ishim dhe mbetemi modest për sa i përket afirmimit të kontributit që dhamë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës përkrah NATO-s dhe bashkësisë ndërkomëtare, që ndërmorrën dhe çuan përpara një nga misionet më të mëdha njerëzore të këtij shekulli. Ne jemi të vetëdijshëm se suksesi i Paktit të Stabilitetit, si një betejë për paqen, është i lidhur ngushtë me përfshirjen brenda tij të gjithë vendeve demokratike të rajonit që janë përpara një prove cilësisht të re bashkëpunimi në Ballkan. Por ne nuk mund të mos kujtojmë se pikënisja e vetë Paktit u bë një çështje e jona, e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Nënvizimi i këtij fakti ka vlerë vetëm për të rritur ndjenjën tonë të përgjegjësisë në lartësinë e vizionit që kanë aleatët tanë euroatlantikë për të ardhmen e rajonit dhe vetë rendin e ri botëror. Na takon të jemi të gjithë faktorë shembullorë në kuadrin e Paktit të Stabilitetit. Për këtë arsye mendoj se është koha që mbi bazën e nje respektimi të thellë për historinë tonë të dhimbshme politike, ne të gjithë të nënshkruajmë një pakt të tonin:  pakt për ligjin dhe për shtetin.

Forcimi i shtetit ligjor dhe imponimi i forcës së ligjit mbetet prioriteti themelor i kësaj Qeverie. Do të vazhdohet me tërë vendosmërinë lufta kundër krimit të organizuar dhe ordiner, korrupsionit, trafiqeve dhe veprimtarive të paligjshme të çdo lloji. Kjo luftë e vendosur do të mbështetet nga një polici që do të shkojë duke u forcuar në linja, tashmë, të përcaktuara me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe nga ai pushtet gjyqësor që do të shkojë duke u konsoliduar nëpërmjet rritjes së pavarësisë e profesionalizmit.

Ne do të konsolidojmë dhe do të thellojmë arritjet e deritanishme të policisë shqiptare. Për ta mbështetur fort policinë në punën e saj do të përfundojmë në dy faza reformën legjislative të policisë, ku kryesorja është miratimi i ligjit “Për Policinë e Shtetit” së shpejti dhe do të vazhdojmë ratifikimin e konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, që lidhen me punën dhe aktivitetin e policisë, do të vazhdojmë integrimin dhe do të thellojmë bashkëpunimin e policisë sonë me organizatat policore ndërkombëtare, si dhe policisë e vendeve euroatlantike, do të përfundojmë ristrukturimin e policisë në të gjitha nivelet e saj, duke pasur gjithmonë parasysh modelet e vendeve demokratike më të zhvilluara.

Është detyrë imperative e këtij koalicioni që të përmirësojë legjislacionin në fushën e drejtësisë për të thjeshtëzuar procedurat dhe rritur eficencën e mekanizmit të drejtësisë, për ta garantuar këtë mekanizëm nëpërmjet një bashkëpunimi strukturor të policisë me organet e ndjekjes penale, për të bërë një rregullim organik ligjor të strukturave që merren me krimin, për të krijuar organizma të specializuara në fusha specifike të shfaqjes së kriminalitetit me fokus të veçantë mbi krimin e organizuar.

I takon kësaj Qeverie, ajo është e gatshme, të ndërmarrë nisma për rregullimin e kuadrit ligjor, në radhë të parë, për t’ia përshtatur sa më shpejt legjislacionin Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ne do të fokusohemi, gjithashtu, në të gjitha rregullimet e nevojshme ligjore lidhur me funksionet dhe organizimin e prokurorisë apo strukturave kundër krimit të organizuar brenda saj; lidhur me policinë gjyqësore dhe marrëdhëniet e saj me organet e ndjekjes penale; lidhur me policinë e shërbimeve gjyqësore; lidhur me ndryshime të rëndësishme, që duhen bërë në kodin penal dhe në atë të procedurës penale, sidomos në aspektet e forcimit të luftës kundër korrupsionit; lidhur me ngritjen e gjykatave të krimeve të rënda; lidhur me luftën kundër pasurimit të paligjshëm dhe të drejtën e konfiskimit të kësaj pasurie; lidhur me financimin e paligjshëm dhe evazionin fiskal.

Qeveritë tona të mëparshme kanë nisur dhe kompletuar bashkëpunime me partnerët tanë një program për luftën kundër korrupsionit, por duhet ta pranojmë hapur se efektiviteti i këtij programi antikorrupsion ka qenë i papërfillshëm dhe se rezultatet e dëshiruara mungojnë.

Unë angazhohem përpara jush që mbi bazën e programit ekzistues dhe të një analize shumë serioze të fenominit të korrupsionit në bashkëpunim edhe me grupin e Miqve të Shqipërisë, do të përgatisim një program të ri të luftës kundër kësaj sëmundjeje sfilitëse për shoqërinë shqiptare. Ky do të jetë një program më realist dhe më i aplikueshëm me objektiva dhe detyra konkrete për të gjitha strukturat e shtetit dhe drejtuesit e tyre, nga të cilët do të kërkoj me këmbëngulje dhe pa asnjë kompromis zbatimin e ligjit kudo dhe ndaj kujdo dhe, e përsëris edhe një herë tjetër, pa asnjë kompromis. Megjithatë më lejoni t’ju kujtoj se lufta kundër korrupsionit nuk është një çështje vetëm e policisë apo e gjykatave, as vetëm e Qeverisë, pavarësisht se Qeveria ka një përgjegjësi të veçantë për çdo betejë të dështuar në këtë luftë. Lufta kundër korrupsionit është një luftë e gjithë shoqërisë sonë, fitorja ose humbja në këtë luftë është, padyshim, një fitore ose një humbje e gjithë shoqërisë sonë. Ja pse duhen  pjesët më të angazhuara për modernizimin e shoqërisë sonë.

Realiteti i artikuluar i kësaj pjese në rrjetin përditë e më të organizuar të shoqërisë civile apo në komunitetin e biznesit dhe pjesa e vetëdijshme dhe e përgjegjshme e klasës politike shqiptare, duhet të krijojë një aleancë të fortë dhe transparente, një front të përbashkët në luftën kundër korrupsionit dhe vatrave që e gjenerojnë këtë forcë të së keqes.

Kjo Qeveri është këtu për të provuar se Shqipëria e ka potencialin shpirtëror, moral, intelektual e politik që duhet për t’u bërë një vend i paqes, sigurisë dhe zhvillimit për qytetarët e saj.

Në funksion të këtij synimi, që përbën dhe gjithë aspiratën e gjithë pjesës së shëndoshë të shoqërisë shqiptare, kjo Qeveri do të përqendrohet në forcimin e dialogut politik në Parlament dhe me shoqërinë civile si një realitet gjithnjë e më me peshë në zhvillimet demokratike në Shqipëri.

Edhe vetë përbërja e re e kabinetit qeveritar të “Aleancës për shtetin” dëshmon për marrjen në konsideratë të këtij realiteti. Përmes forcimit të dialogut politik ne do të synojmë rritjen e elementeve të konsensusit në çështjet me rëndësi kombëtare dhe me efekt në forcimin e stabilitetit ekonomik dhe social të vendit. Përmes forcimit të dialogut politik ne do të synojmë konsolidimin e vazhdueshëm të gjitha atyre vlerave të përbashkëta, te të cilat e gjen veten pjesa më e shëndoshë e shoqërisë dhe e klasës sonë politike; përmes forcimit të dialogut politik ne do të synojmë respektimin e të drejtave të pakicave dhe mbi të gjitha respektimin e ligjit përpara të cilit jemi të gjithë të barabartë. Të kesh vullnetin politik dhe institucional për dialog do të thotë të ofrosh bashkëpunim me cilindo që kërkon atë në të mirë të shoqërisë, por të kesh vullnet politik dhe institucional për dialog do të thotë njëkohësisht të mospranosh asnjë lloj marrëveshje a kompromisi që cenon institucionet demokratike dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

I nderuar President i Republikës, zoti Rexhep Meidani,

 I nderuar Kryetar,

 Të nderuar deputetë,

Dëshiroj t’ju konfirmoj solemnisht juve dhe qytetarëve që ju kanë votuar, në përgjegjësinë time të plotë institucionale, politike e qytetare se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e paprekshme, e pacenueshme, e padiskutueshme, e pazëvendësueshme. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e do të mbetet e shenjtë për mua deri në sekondin e fundit të punës sime si Kryeministër dhe për tërë jetën në ndërgjegjen time si qytetar i Shqipërisë.

Dialogu mes forcave politike, mes atyre që janë votuar për të qeverisur vendin dhe atyre që janë zgjedhur nga elektorati shqiptar për t’i bërë opozitë qeverisjes, nuk është një çështje preferencash individuale, marrëveshjesh e kompromisesh prapa kuintave mes kundërshtarësh politikë. Dialogu mes forcave politike është një detyrë e të gjithë klasës sonë politike karshi qytetarëve shqiptarë, është një katalizator i domosdoshëm i proceseve demokratike, është një shprehje e qartë e emancipimit të politikës shqiptare. Dialogu mes forcave politike është një princip qeverisës në frymën e respektit për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjeve të shtetit të ri shqiptar, për Parlamentin dhe institucionet e këtij shteti, për vetë Shqipërinë, si atdheu i të gjithë Shqiptarëve.

Duke synuar të zhvillojmë një dialog transparent mes kësaj Qeverie të “Aleancës për shtetin” dhe shoqërisë civile, ne kërkojmë një bashkëpunim real, një aleancë të gjerë me organizata joqeveritare, institutet e pavarura, fondacionet dhe individët e angazhuar për zhvillimin e shoqërisë sonë nga jashtë partive, një bashkim forcash për të bërë ekspertizat e nevojshme për të marrë vendimet e duhura në të mirë të vendit tonë të përbashkët.

Më lejoni të përfitoj nga ky rast për të nënvizuar publikisht se Qeveria që kërkon sot votëbesimin tuaj do ta konsidorojë, së pari, Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe gjithë universitetet apo institucionet e tjera kërkimore-shkencore si partnerë të pandarë në rrugën e saj. Vendosja e këtij partneriteti është dhe shprehje kuptimplotë e përpjekjes sonë për të hapur një dialog të vazhdueshëm, duke krijuar premisa të nevojshme të një bashkëpunimi konkret e të gjithanshëm me botën universitare dhe me elitat intelektuale shqiptare. Nuk ka një rast më të mirë që t’ i shpreh mirënjohjen time mendjeve të ndritura shqiptare: Ismail Kadaresë apo Ferit Muratit, që me të tjerë bashkëkombësat tanë kanë krijuar dhe krijojnë vlera për thesarin e qytetërimit bashkëkohor, duke nderuar njëkohësisht emrin e vendit tonë jashtë kufijve të tij gjeografik. Kjo mirënjohje e thellë e imja, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, u shkon dhe të tërë atyre që jetojnë në Shqipëri, që punojnë dhe krijojnë vlera të mirëfillta, pavarësisht nga shtrëngesat dhe vështirësitë e pazakonta. Fatmirësisht mendjet e ndritura të Shqipërisë bashkëkohore nuk janë pak. Emrat e tyre nuk mund të renditen të tërë këtu, por unë e ndjej për detyrë dhe njëkohësisht për nder që kjo tribunë t’u ofroj atyre predispozitën time të plotë për të mirëpritur çdo kritikë, sugjerim a kontribut që ata mund të japin në ndihmë të mirëqeverisjes së vendit të tyre.

Nga ana ime siguroj se, duke filluar që nga anëtarët e këtij kabineti qeveritar dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe, duke vazhduar deri në nivelet më të ulëta të administratës së këtij shteti, unë në cilësinë e Kryeministrit të “Aleancës për shtetin” do të kërkoj që kriteret e vlerësimit për secilin të jetë puna e ndershme dhe arritjet konkrete e jo përkatësitë partiake, jo lidhjet personale, jo lidhjet farefisnore.

Efikasiteti i Qeverisë dhe i administratës është një prioritet i padiskutueshëm i imi si Kryeministër. Këtë prioritet e kam pasur parasysh edhe në formimin e kabinetit qeveritar, duke evituar ministritë pa karakter ekzekutiv dhe poste qeveritare, që krijojnë dublifikim, konfuzion, mungesë përgjegjësie e për pasojë vendimmarrje të dobët. Me këtë koncept, unë jam i vendosur për të ecur në të gjitha nivelet e administratës shtetërore për ta çliruar atë nga hallkat e tepërta e parazitare dhe gjithë parazitarët për të mos u dhënë mundësi një pjesë të administratës që të abuzojë me kohën e punës, duke dekurajuar e demotivuar tërë pjesën e përgjegjshme të saj, njerëzit e ndershëm dhe profesionistët e zotë, që nuk na mungojnë.

Unë angazhohem përpara këtij Parlamenti për një drejtim institucional të Qeverisë e të mbarë administratës shtetërore dhe për realizimin e një procesi transparent monitorimi e vlerësimi të punës. Ky proces bëhet i domosdoshëm në kushtet aktuale, ku shkalla e absurbimit të fondeve dhe zbatimi i ndihmës së huaj ka rezultuar me shumë të meta e mangësi. Reforma e administratës civile është në zhvillimin e sipër dhe na duhet ta përshpejtojmë me qëllim që të krijojmë një organizëm të bazuar në ligje, profesionalisht të denjë nëpunësish civil, të cilët do të marrin të gjitha garancitë për të qenë luajalë ndaj shtetit dhe për t’i mbrojtur institucionet nga luhatjet politike.

Përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje këtij Kuvendi të nderuar që të adoptojë sa më shpejt kuadrin e nevojshëm ligjor në këtë drejtim, në mënyrë që Qeveria të mund të procedojë menjëherë me masat e nevojshme zbatuese.

Ka ardhur koha të ndërmarrim hapa të guximshëm e vendimtar drejt decentralizimit të funksioneve të shtetit dhe forcimit të pushtetit vendor. Shteti ynë demokratik duhet të shkojë më afër njerëzve, dhe vendimet e tij duhet të jenë sa më transparente.

Këto ditë do të ratifikohen në Kuvend Karta Europiane e Autonomisë Lokale, ndërkohë do të hartojmë ligje për organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes lokale, për financimet e qeverisjes lokale, për sistemin e mbledhjes së taksave lokale, për transferimin e administrimit të pronave të pushtetit vendor apo për prefekturat. Të gjitha këto ligje synojnë konsolidimin e institucioneve dhe administratës së qeverisjes lokale dhe për rrjedhojë rritjen e përgjegjësisë së tyre në raport me qytetarin.

Marrja e masave për një përpilim të saktë të listave të votuesve shqiptarë është kushti numër një për zgjedhje transparente lokale vitin e ardhshëm.

Kjo Qeveri angazhohet këtu solemnisht për arritjen e standardeve demokratike bashkëkohore në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe krijimin e të gjitha kushteve që shtetasit shqiptarë ta ushtrojnë në liri e pavarësi të plotë të drejtën e zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në pushtetin vendor.

Nisur nga fakti që çështja sociale, problemet e varfërisë, papunësisë etj., si çështje etike të koalicionit tonë progresist, nuk i është kushtuar vëmendja e duhur deri tani. Ne do të synojmë që në vitin e ardhshëm fushës së punësimit dhe asaj të çështjeve sociale t’u jepet një rëndësi e veçantë. Këtu një vend parësor do të zërë përkujdesja shoqërore.

Këto konsiderata më kanë nxitur që postin numër dy të Qeverisë ta bashkojë me portofolin e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Ne do të jemi shumë të vëmendshëm për t’ i dhënë zgjidhjen më të mirë dhe më të mundshme disa problemeve kyç të politikës sonë sociale, siç janë njësimi gradual i pensioneve të vjetra me ato të reja, shpërndarja më e shpejtë e përfitimeve që rrjedhin nga statusi i ushtarakut apo i veteranit të luftës dhe futja në rrugën e zgjidhjes së problemit të madh të strehimit.

Një ndër këto probleme kyç është edhe problemi i shëndetit publik. Ne do përpiqemi t’i përshtatemi sa më mirë të jetë e mundur sfidës së madhe që paraqet lëvizja demografike, duke harmonizuar shërbimin shëndetësor publik me atë privat. Synimi ynë është që sa më shpejtë të arrijmë në një skemë adekuate sigurimesh shëndetësore. Sidoqoftë, varfëria në vendin tonë mund të përballohet me efektivitet vetëm nëse do të arrihet një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe e shëndetshme, vetëm një ekonomi ku prodhimi i përgjithshëm rritet me shpejtësi do të sjellë vende pune, të ardhura të garantuara për familjet shqiptare, si dhe perspektiva optimiste për gjeneratat e rinisë.

Objektiv madhor i politikës sonë ekonomike afatgjatë do të jenë ndërrimi i kahjes së importit me eksportin, mes konsumit dhe prodhimit. Ekonomia jonë do të ketë përparësi të sajën integrimin europian të Shqipërisë, duke nxitur prodhime me cilësi e kosto të tillë, që do të zënë në treg vendin e produkteve të importuara me synim të mëtejshëm krijimin e një potenciali eksportues. Veprimtaritë ekonomike të paligjshme mund t’i sjellin mirëqenie materiale disa individëve, por ato kurrsesi nuk mund të përbëjnë një bazë solide për një rritje të qëndrueshme të mbarë shoqërisë. Le të kujtojmë dramën e madhe të piramidave dhe të shembjes së tregut informal. Ndaj në shtyllat e politikës sonë ekonomike do të jetë vendosja e rregullave të lojës së konkurrencës dhe barazisë së oportuniteteve në treg me synimin që të minimizohet në maksimum roli i tregut informal, që shërben si bazë e korrupsionit, kriminalitetit dhe krizave. Në kuadrin e përpjekjeve për të vendosur rregulla të qarta loje për të gjithë, përparësi do t’i jepet konsolidimit të sistemit bankar dhe transparencës së tij, privatizimit të bankave, nxitjes për krijimin e bankave të reja për hapjen e degëve të bankave ekzistuese, modernizimit të sistemit të pagesave, rritjes së garancive financiare për komunitetin e biznesit, e kështu me radhë.

Ndër prioritetet tona mbetet krijimi i një shteti të aftë të mbledhë tatimet, taksat dhe detyrimet doganore. Dështimi në këtë drejtim do të thotë paaftësi për të plotësuar detyrimet tona themelore ndaj qytetarëve, paaftësi për të garantuar e zhvilluar shërbimet sociale, shërbimin shëndetësor, arsimimin, kulturën, zbutjen në përgjithësi të varfërisë dhe lehtësimin e atyre plagëve sociale nga të cilat vuan më së shumti sot rinia shqiptare.

Ekziston një lidhje e qartë midis sëmundjes së korrupsionit, evazionit fiskal e mirëqenies së çdo shqiptari. Ne duhet të kuptojmë që në një terren ku lulëzon korrupsioni dhe kontrabanda jo vetëm zvogëlohet mundësia e krimit të vendeve të punës, por varfërohet dita-ditës qytetari, prandaj, siç e theksova edhe më lart, lufta kundër këtyre forcave të së keqes nuk duhet parë vetëm si një çështje e Qeverisë, por duhet të trajtohet si një fushatë kombëtare për të afirmuar vlerat e kombit dhe sigurisë së tij.

Qeveria që unë drejtoj angazhohet të ruajë dhe konsolidojë linjat kryesore të politikës së deritanishme ekonomike financiare, e cila ka bërë të mundur kapërcimin e krizës së vitit ‘ 97, uljen në zero të inflacionit, si dhe stabilizimin e monedhës kombëtare. Kjo politikë është përshëndetur vazhdimisht këto dy vjetët e fundit të qeverisjes së “Aleancës për shtetin” dhe veçanërisht edhe këto ditë nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga donatorë, të cilët nuk e kanë kursyer ndihmën financiare teknike për vendin tonë. Prandaj, marrëveshja ESAF 2 me FMN-në apo programet e tjera me Bankën Botërore e institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare do të vazhdojnë të mbeten shtylla të politikës sonë ekonomike, të cilat Qeveria do t’i garantojë duke i qëndruar me rigorozitet parametrave të përcaktuara në këto marrëveshje dhe programe.

Ne do të synojmë që në vitin 2000 të arrijmë një rritje të prodhimit të brendshëm bruto në 8 për qind , një normë inflacioni jo më të lartë se 3 për qind , dhe një ulje të borxhit të financuar nga burime të brendshme në 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Ndër prioritetet e politikës sonë makro-ekonomike mbetet reduktimi i borxhit publik, rritja e efektivitetit në mbledhjen e taksave dhe përmirësime në procesin e shpenzimeve nga Buxheti i Shtetit.

Është e kuptueshme se nëse ulet barra e shtetit ndaj ekonomisë, bankat do të kenë gjithnjë më shumë mundësi t’i japin kredi sektorit privat. Rritja e disiplinës në fushën e tatimeve do të thotë që edhe barra tatimore të shpërndahet në mënyrë më të drejtë, dhe që shteti të ketë më tepër mundësi të kënaqë më mirë nevojat sociale dhe më urgjente që kemi.

Është një fakt që duhet pohuar hapi se niveli i shpenzimeve, veçanërisht i investimeve publike këtë vit ka qenë mjaft i ulët. Pikërisht, për t’i dhënë frymëmarrje më të madhe ekonomisë e për të korrigjuar këtë prirje, Qeveria do të synojë të bëjënjë monitorim të rreptë të shpenzimeve publike. Ne nuk do të lejojmë harxhimin e kotë të parave të taksapaguesve shqiptarë. Sidoqoftë një menaxhim i mirë makro-ekonomik është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për zhvillimin nëse ai nuk shoqërohet nga ata elementë të mirëqeverisjes që u përmendën më sipër.

Krijimi i një ambienti të shëndoshë për rritjen ekonomike do të mbetet prioriteti ynë kryesor dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse do të kemi një kuadër ligjor dhe institucional të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, do të kërkoj pandërprerë forcimin e rendit publik, imponimin e forcës së ligjit, të cilat kanë një rëndësi të dorës së parë në ndërtimin e infrastrukturës moderne për hyrjen e investimeve të huaja dhe për nxitjen e investimeve vendase.

Forcimi i sektorit privat, veçanërisht i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, është esencial për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për të rritur potencialin prodhues të ekonomisë sonë.

Procesi i privatizimit të ekonomisë ka dhënë shenja pozitive vitin e fundit, megjithatë privatizimi, sidomos në sektorët strategjik, duhet të përshpejtohet dhe të garantohet me procedura sa më transparente.

Kam besim se Ministri i ri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit do të jetë në lartësinë e kësaj sfide.

Një vështirësi jo të vogël për ndërmarrjet vendase ka qenë mungesa e kreditit. Ne shpresojmë se privatizimi i bankave kryesore si i Bankës Tregtare, që është në përfundim, dhe i Bankës së Kursimeve, që sapo ka filluar, do të shpejtojë procesin e hapjes së kreditit bankar mbi baza të shëndosha ekonomike. Ky proces do të mbetet një ndër sfidat themelore të politikës sonë ekonomike në muajt që po vijnë.

Një ndër prioritetet e kësaj Qeverie do të jetë vënia e theksit për zhvillimin e bujqësisë, nëpërmjet së cilës vazhdon të jetojë masa dërrmuese e popullsisë sonë. Synimi për ta bërë bujqësinë një sektor që jo vetëm të sigurojë prodhimet e mjaftueshme për vendin, por edhe të arrijë të eksportojë, që do të jetë këtej e tutje një synim i patjetërsueshëm. Në këtë kontekst konsolidimi i tokës, zhvillimi dhe fuqizimi më tej i tregut të saj do të jetë ndër detyrat parësore të Qeverisë së re. Kompletimi i regjistrimit të tokës është ndër ato masa të rëndësishme që do t’i shërbejnë qëllimit të sipërpërmendur.

Për të rritur e përmirësuar cilësisht prodhimin bujqësor, Qeveria do t’i kushtojë të gjithë vëmendjen skemave të kreditit bujqësor, modernizimit të shërbimit të asistencës ndaj bujqësisë, si dhe atyre përmirësimeve të tjera sociale dhe kulturore, që janë aq të domosdoshme për një zhvillim të fshatit në kushtet bashkëkohore.

Një pengesë e madhe për zhvillimin e ekonomisë sonë, por që e bën edhe jetën e përditshme të vështirë është infrastruktura e dobët materiale, rrugët, furnizimi me energji e me ujë, sidomos problemi ende i pazgjidhur i energjisë mbart me vete një zinxhir pyetjesh që kërkojnë përgjigje. Si do të mbushet boshëllëku i krijuar nga mosndërtimi i burimeve të reja energjetike për mëse 15 vjet? Si do të përballohet shtimi marramendës i konsumit të energjisë? Si do të ripërtërihet rrjeti i amortizuar që transporton dhe shpërndan energji? Çfarë masash konkrete duhen marrë për ta mbyllur njëherë e mirë kapitullin 10-vjeçar të abuzimeve me energjinë dhe të vjedhjes së saj në çdo metër të territorit të Shqipërisë?

Qeveria do të ulet menjëherë për të identifikuar rrugët e mundshme të zgjidhjes së këtij problemi të madh kombëtar në bashkëpunim me çdo partner të huaj apo vendas, që ofron nivel të respektueshëm ekspertize lidhur me energjinë.

Një nga dobësitë më të dukshme të Qeverisë së “Aleancës për shtetin” në këta dy vjet ka qenë mungesa e aftësisë në thithjen e fondeve të ofruara nga donatorë për përmirësimin e infrastrukturës. Mund të numërojmë këtu shumë arsye frenuese objektive që nga 14 shtatori deri te periudha e krizës së Kosovës. Mund të numërojmë po ashtu edhe arsye subjektive si nga ana jonë edhe nga donatorët, por ka rëndësi të theksohet se procesi i zbatimit të projekteve në infrastrukturë ka ecur mjaft ngadalë.

Unë angazhohem që ky ritëm kaq i ulët të ndryshojë dhe kjo Qeveri ta përshpejtojë këtë proces. Nuk ka Pakt Stabiliteti pa vëmendje ndaj arsimit dhe kulturës. Nuk mund të ketë një Qeveri Shqiptare të Paktit të Stabilitetit pa zhvillim të shkollës shqiptare dhe pa institucione që të garantojnë zhvillimin e kulturës sonë kombëtare në kuadrin e integrimit europian. Nuk mund të ketë një program serioz qeverisje për Shqipërinë, ku arsimi të mos renditet si një proritet themelor. Përveç përmbushjes së arsimimit të fëmijëve dhe të rinjve, shkolla shqiptare do të garantojë edukimin e parimeve qytetare dhe atdhetare, respektin për tjetrin, ndjenjën ndaj përgjegjësisë dhe ndaj pronës publike, njohjen e të drejtave individuale dhe detyrimeve ndaj komunitetit. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha që përballon masa e gjerë e mësuesve dhe e petagogëve. Ne jemi të vetëdijshëm për borxhet që tërë qeveritë e tranzicionit kanë akumuluar ndaj fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë, ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen jashtëzakonisht të rënduar të infrastrukturës së shkollës shqiptare dhe për domosdoshmërinë e masave që duhen marrë.

Synimi ynë është të ecim edhe më shpejt me rehabilitimin fizik të shkollave nga njëra anë dhe me thellimin e reformës arsimore nga ana tjetër. Në këtë fushë kemi shumë për të bërë, për të garantuar një zbatim sa më të shpejtë të ligjit të ri të arsimit të lartë qoftë edhe për të rritur bashkëpunimin me partnerët e huaj në të gjitha nivelet dhe për të gjithë objektivat që kemi paracaktuar për shkollën shqiptare si koalicion i “Aleancës për shtetin”.

Një reformë e tillë ka filluar edhe në kulturë. Ne do ta vazhdojmë këtë reformë duke ofruar gadishmëri për ta shpjeguar e rishpjeguar domosdoshmërinë e saj. Por një gjë duhet të jetë e qartë jo vetëm për zgjedhësit e këtij koalicioni, por për të gjithë qytetarët shqiptarë, reformat në përgjithësi, sado delikate qofshin, janë të rëndësishme për Shqipërinë, që troket në dyert e shekullit të ri, për Shqipërinë plot energji të reja që kërkon të ndahet nga e kaluara.

Unë ju ftoj që t’i diskutojmë e t’i ridiskutojmë të gjithë bashkë reformat, të përpiqemi të zgjedhim mënyrat më të përshtatshme e dinjitoze për t’i bërë ato sa më konsensuale, por të jemi të gjithë të vetëdijshëm se kjo është rruga e duhur e Paktit të Stabilitetit. Pra, ne, të gjithë shqiptarët, nëpër parti të ndryshme politike apo në gjirin e shoqërisë civile ndaj punës së shtetit apo njerëz të komunitetit të biznesit, pensionistë apo studentë, veteranë apo ushtarakë në aktivitet, pra, të gjithë bashkë, pa asnjë përjashtim, duhet të qartësojmë e të bindim njëri – tjetrin për faktin se nuk kemi dy a më shumë rrugë drejt përparimit, por një dhe vetëm një. Kjo është rruga e reformave të gjithanshme dhe marrjes së përgjegjësive nga gjithësecili për të ndërtuar një shtet të fortë dhe një shoqëri të hapur.

Politika e jashtme.

Qeveria vjen sot për të marrë votëbesimin, në një moment kur para saj shtrohen detyra të rëndësishme në fushën e politikës së jashtme. Zhvillimet e fuqishme në planin ndërkombëtar krijuan një kuadër të ridimensionuar marrëdhëniesh, i cili filloi të zbatohet nga kabineti paraardhës në të gjithë dinamikën e tij. Dëshiroj të nënvizoj që Qeveria që unë kryesoj, do të çojë përpara këtë punë dhe unë do të synoja ta përsosë dhe ta aktualizojë atë.

Politika jonë e jashtme duhet të përshtatet me realitetet e reja të krijuara në Europën Juglindore, pas mbarimit të krizës së Kosovës dhe fillimit të zbatimit të Paktit të Stabilitetit. Këto momente në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare do të përbëjnë angazhime serioze, afatgjata dhe shumëplanëshe për Qeverinë Shqiptare.

Mbarimi i konfliktit të armatosur në Kosovë dhe vendosja e saj nën administrimin ndërkombëtar të udhëhequr nga OKB-ja, shënojnë fillimin e një faze të re zhvillimesh që pritet të sjellin më shumë paqe, stabilitet dhe rindërtim demokratik në Europën Juglindore. Qeveria Shqiptare angazhohet të ndjekë një politikë transparente dhe parimore, në përkrahje të akteve ndërkombëtare, që rregullojnë procesin e paqes në Kosovë. Rikonfirmojmë vullnetin tonë për të bashkëpunuar gjerësisht me organizmat ndërkombëtarë, prezente në Kosovë, si : UMNIK, KFOR, etj., në dobi të paqes dhe normalizimit të shpejtë të situatës në terren.

Gjendja në Kosovë dhe realiteti i ri i krijuar aty kërkon angazhimin maksimal të shtetit shqiptar për vendosjen e lidhjeve të ngushta të bashkëpunimit me të gjithë spektrin e faktorëve politikë shqiptar për vendosjen e lidhjeve të ngushta të bashkëpunimit me të gjithë spektrin e faktorëve politikë shqiptar të Kosovës. Qeveria Shqiptare do të punojë për forcimin e unitetit të shqiptarëve të Kosovës në një proces të Kosovës, në një proces që parashikon normalizimin e situatës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira, ndërtimin e institucioneve vetëqeverisëse dhe krijimin e klimës për funksionimin e shoqërisë pluraliste e multietnike. Qeveria Shqiptare shpreh bindjen se realizimi i këtij kuadri demokratik, krijon premisat për një zgjidhje afatgjatë dhe përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe për respektimin e plotë dhe të gjithanshëm të të drejtave dhe të vullnetit të shqiptarëve të Kosovës.

Shpallja e Paktit të Stabilitetit nga komunitetit ndërkombëtar që kriza e Kosovës ndodhet në kulmin e saj, solli një element esencial në perspektivën e zhvillimeve në Europën Juglindore pas mbarimit të konfliktit. Shqipëria e ka mbështetur tërësisht këtë strategji afatgjatë që do të ndajë rajonin tonë nga trashëgimia e rënduar e krizave dhe konflikteve të përsëritura.

Qeveria që unë drejtoj e konsideron Paktin e Stabilitetit si prioritetin e saj kryesor. Në këtë aspekt, unë e kuptoj dhe e miratoj plotësisht konsiderimin nga Presidenti i Republikës së këtij kabineti si “Qeveria e Paktit të Stabilitetit”. Unë dhe Qeveria që kryesoj angazhohemi fuqimisht për të dhënë kontributin tonë të pakursyer në zbatimin sa më të shpejtë të objektivave të Paktit të Stabilitetit në drejtim të konsolidimit të demokracisë, zhvillimit ekonomik, paqes dhe sigurisë në Europën Juglindore.

Unë dua të theksoj se në konceptin tonë, Pakti i Stabilitetit është një sfidë jo vetëm për Qeverinë, por për të gjitha strukturat e shtetit, për partitë politike, për mekanizmat e shoqërisë civile, për të gjithë shoqërinë shqiptare. Dëshira dhe angazhimi ynë është që t’i përfshijmë të gjithë këta faktorë në ndjekjen dhe zbatimin e Paktit të Stabilitetit.

Ne e konsiderojmë të rëndësishme kalimin nga faza procedurale e Paktit të Stabilitetit në zbatimin konkret të iniciativave dhe projekteve me interes të përbashkët rajonal. Qeveria Shqiptare shprehet për një trajtim prioritar dhe të diferencuar të vendeve që mbajtën peshën kryesore të krizës dhe që janë angazhuar në avancimin e objektivave të Paktit të Stabilitetit. Integrimi europian dhe euroatlantik i vendit është objektiv strategjik dhe drejtim kryesor, tashmë, i konsoliduar i politikës së jashtme shqiptare. Marrëdhëniet politike mjaft të mira me Bashkimin Europian kanë përcaktuar edhe mbështetjen e fuqishme e të gjithanshme që i është dhënë vendit tonë nga ky organizëm ndërkombëtar. Qeveria Shqiptare do të punojë fuqimisht që të ngrejë nivelin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian, si një hap esencial përpara drejt integrimit të Shqipërisë në bashkësinë e vendeve demokratike europiane. Realizimi i kësaj marrëveshje, e cila do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt afrimit progresiv me BE-në, përbën një proces që kërkon punë dhe angazhim serioz të diplomacisë dhe të gjithë strukturave të tjera shtetërore.

Qeveria që unë drejtoj është e bindur në rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s për garantimin e paqes dhe të sigurisë në Europë. Kjo konsideron se prania afatgjatë e aleancës në rajonin tonë është domosdoshmëri për stabilitetin e situatës, lehtësimin e tensioneve dhe arritjet e zgjidhjeve afatgjata. Mbi këtë bazë, në kuadër të Këshillit të Partneritetit Euroatlantik dhe të partneritetit për paqen, ne do të punojmë për afrim të mëtejshëm të Shqipërisë me NATO-n, me synim afatgjatë anëtarësimin e plotë në këtë organizatë.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Këshillit të Europës dhe e organizatës për sigurim dhe bashkëpunim në Europë. Ne njohim dhe vlerësojmë lart rolin që kanë luajtur këto organizata si në shkallë ndërkombëtare, ashtu edhe për konsolidimin e proceseve demokratike, shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Synimi ynë në këto organizata do të mbetet aktivizimi sa më i mirë dhe shfrytëzimi në përputhje me mundësitë tona reale i hapësirave që ato krijojnë për realizimin e interesave dhe forcimin e vlerave tona të përbashkëta.

Zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe kriza e Kosovës nxorën në pah rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në zgjidhjen e konflikteve. Shqipëria ka bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë fuqimisht me OKB-në, për të materializuar angazhimet e përbashkëta në kuadrin e paqes dhe stabilitetit në Europën Juglindore.

Qeveria Shqiptare i konsideron prioritare dhe me një rëndësi të veçantë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Roli i Qeverisë Amerikane në ecurinë e proceseve demokratike në vend, konsolidimin e institucioneve dhe përsosjen e shtetit ligjor, forcimin e stabilitetit dhe sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, arritjet e objektivave themelorë të integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe zbatimin e Paktit të Stabilitetit, mbetet përcaktues dhe thelbësor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, në normalizimin e situatës dhe ndërtimin e një shoqërie multietnike, duke synuar arritjen e një zgjidhj e afatgjatë.

Qeveria Shqiptare do t’i kushtojë një rëndësi parësore zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Bashkimin Europian si donatori kryesor i vendit tonë. Ne do të nxisim me përparësi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe me vendet e BE-së dhe veçanërisht me Republikën Federale të Gjermanisë, Britaninë e Madhe dhe Francën, ndihmesa e të cilave ka qenë dhe mbetet e çmuar për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj .

Shqipëria si një vend i Europës Juglindore e konsideron politikën e saj rajonale si një nga prioritetet e saj bazë. Një peshë të veçantë në këtë kuadër do të zënë marrëdhëniet strategjike me Italinë. Zhvillimet rajonale dhe prespektiva e integrimit euroatlantik të Shqipërisë i japin një karakter prioritar zhvillimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Mbështetur në të njëjtat arsye, Qeveria Shqiptare i konsideron po aq strategjike edhe marrëdhëniet me Greqinë fqinje, me të cilën na lidh një gamë e gjerë interesash dhe objektivash të përbashkëta.

Zhvillime të mëtejshme pritet të kenë marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira me Turqinë mike, nëpërmjet konkretizimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, financave dhe ekonomisë.

Tashmë, është krijuar një institucionalizëm i marrëdhënieve me Maqedoninë mbi bazën e interesave të ndërsjellta. Ne do të punojmë që ky nivel marrëdhëniesh të inkurajojë veprimet pozitive të deritanishme në drejtim të plotësimit të të drejtave të ligjshme të shqiptarëve në këtë vend. Pakti i Stabilitetit do të nxisë zhvillime të reja edhe në marrëdhënie me vendet e tjera të Europës Juglindore, në bazë të parimeve të bashkëpunimit konstruktiv dhe me interes të ndërsjelltë, me synim konsolidimin e faktorëve dhe klimës që sjell paqe dhe stabilitet në rajon. Politika antishqiptare e regjimit të Beogradit heq çdo mundësi që Shqipëria të zhvillojë marrëdhënie në çfarëdolloj niveli me këtë vend. Qeveria Shqiptare e veçon klikën e Milosheviçit nga populli serb dhe mbështet çdo zhvillim që do të sillte demokratizimin e Serbisë. Qeveria Shqiptare njeh dhe miraton politikën e diferencuar që komuniteti ndërkombëtar ka adoptuar ndaj Malit të Zi.

Vëmendje të veçantë Qeveria do t’i kushtojë intensifikimit të marrëdhënieve me vendet e Europës Qendrore mbi bazën e lidhjeve tradicionale dhe interesave të përbashkëta dhe në kuadrin e nismës së Europës Qendrore. Ne konfirmojmë vullnetin për të zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin me Federatën Ruse në funksion të interesave të përbashkëta, të paqes dhe të sigurisë në rajon.

Në politikën e jashtme rëndësi do t’i kushtohet edhe marrëdhënieve e bashkëpunimit me vendet e zhvilluara aziatike dhe në mënyrë të veçantë me Republikën Popullore të Kinës dhe Japonisë.

Kontributi dhe përkrahja që vendet e Lindjes së Mesme dhanë gjatë krizës së Kosovës, krijuan një frymë të re bashkëpunimi, e cila do të shërbejë si një fazë dhe më të lartë të marrëdhënieve tona me këto vende.

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Në këtë fjalë programatike, me rastin e votëbesimit të Qeverisë në Parlament, synova theksimin me forcë të disa prioriteteve dhe detyrave për përmbushjen me sukses të mandatit që besoj se edhe ky Parlament do të na votëbesojë, duke menduar se nuk ishte e arsyeshme që t’u lexoja programin e plotë të Qeverisë sime, të cilin që ditën e djeshme e kam vënë në dispozicionin tuaj.

Por edhe njëherë dëshiroj të vë theksin te domosdoshmëria e një pakti mbarë shqiptar për shtetin dhe për ligjin, si dhe te nevoja që vetë koha ka sjellë në rend të ditës për një aleancë të gjerë të shtetit dhe të strukturave të tij me shoqërinë civile.

Do të dëshiroja të theksoja këtu vullnetin tim dhe të Qeverisë që do të drejtoj për të mbajtur një komunikim transparent ndërinstitucional me Presidentin e Republikës, me pushtetin legjislativ, me shumicën dhe me pakicën parlamentare, me pushtetin gjyqësor dhe me mediat, si dhe drejtpërdrejt me qytetarin shqiptar. Transparenca në komunikimin e Qeverisë dhe strukturave të saj me qytetarin është për ne shprehje e detyruar e respektit të së drejtës së qytetarit për t’u informuar qartë lidhur me punën e qeverisë së tij. Kësaj transparence do t’i shërbejë edhe një rikonceptim i plotë i mekanizmave të dhënies së informacionit e thithjes së opinioneve apo shqetësimeve drejpërdrejt nga qytetarët. Qeveria do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë sondazheve të opinioneve lidhur me çështje të ndryshme, përfshirë edhe analizat e shkallës së popullaritetit të saj.

Gjithashtu, ne do të ndërmarrim hapa konkretë për të shmangur të ardhurat televizive të Qeverisë e për të bërë që mesazhet e kabinetit qeveritar të forcohen nëpërmjet punës dhe rezultateve sa më mirë në opinionin publik.

Vëmendje të veçantë ne do t’i kushtojmë komunikimit ndërinstitucional edhe me publikun e gjerë.

Ne do të bëjmë gjithçka mundemi për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë një pamje të plotë të punës e të përpjekjeve tona në terrenin e vështirë të qeverisjes së vendit, në mënyrë që nesër të kemi të drejtën të gjykohemi mbi arritjet dhe mos arritjet tona dhe jo mbi hamendje dhe pakënaqësi që lindin nga mungesa e transparencës.

Kërkoj sot votëbesimin tuaj për një qeveri që në qendër të vëmendjes së vet do të ketë qytetarin shqiptar, aftësitë dhe hallet e tij; për një qeveri që do të përkushtohet deri në fund për t’ i ndihmuar njerëzit të ndihen më të lirë, më të sigurt, më të motivuar; për një qeveri që do të inkurajojë zhvillimin ekonomik, social e kulturor.

Kërkoj sot votëbesimin tuaj për të hedhur së bashku me ju, përfaqësues të shumicës apo të pakicës parlamentare, me shoqërinë civile dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë, një hap të rëndësishëm drejt Europës.

Kërkoj sot votëbesimin tuaj për të fituar të drejtën që bashkë me kolegët e mi të gëzojmë vetëm një privilegj: Privilegjin për t’i shërbyer Shqipërisë.

 Rroftë Shqipëria demokratike europiane!

Rroftë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë!

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan