Programi i Qeverisë teknike të Vilson Ahmetit

Vilson Ahmeti: Të nderuar deputetë,

Duke u paraqitur përpara Kuvendit Popullor për të marrë votëbesimin e tij, kjo qeveri e re është e ndërgjegjshme për vështirësitë e misionit që merr përsipër dhe për përgjegjësinë e madhe që ka para popullit dhe demokracisë së re e të brishtë shqiptare. E krijuar në një moment tepër të rëndë e delikat, në një periudhë krize të gjithanshme, që po shoqërohet me një tension politik e social jo të zakonshëm, kjo qeveri merr përsipër barrën e rëndë jo të kapërcimit të krizës, që është një proces më i gjatë se jetëgjatësia e saj, por qetësimin dhe normalizimin relativ të jetës së popullit dhe të kushteve të domosdoshme të jetesës së tij.

Kjo qeveri, e formuar nga intelektualë pa përkatësi partiake, të cilët marrin pjesë në të vetëm me motivin për t’i shërbyer  vendit në këtë kohë të vështirë me dijet, aftësitë dhe objektivitetin e tyre, shpreson dhe beson t’ia dalë mbarë misionit të vetme mbështetjen tuaj, me përkrahjen e të gjitha forcave politike e sindikale e veçanërisht duke ndierë besimin, durimin dhe realizmin e popullit shqiptar. Asnjë qeveri, sado e aftë dhe të kualifikuar të jenë anëtarët e saj, nuk do të mund ta mbyllte denjësisht mandatin e saj pa një mbështetje të tillë.

Situata në të cilën po nis punën e vet Qeveria, është e njohur për të gjithë ju përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Karakteristikë e këtyre momenteve aktuale është se kriza ekonomike, politike e sociale, kriza e rëndë e besimit janë rënduar edhe më shumë gjatë ditëve të fundit, që i paraprinë dhe pasuan rënien e Qeverisë së Stabilitetit. Në aspektin ekonomik gjithashtu situata është e njohur. Rënia e prodhimit vazhdon, duke iu afruar pragut të bllokimit tërësor të ekonomisë. Aktualisht vendi e siguron thuajse të gjithë ushqimin e popullit nga ndihmat. Rendi publik, i cili edhe gjatë muajve të fundit ka qenë karakterizuar nga rritja e kriminalitetit dhe mosrespektimi i ligjit, gjatë ditëve të fundit është rënduar më shumë. Grabitjet dhe veprimet shkatërruese në Laç, si dhe ngjarja e Fushë-Arrëzit, që çoi në një tragjedi të dhimbshme për çdo shqiptar, janë shembuj sinjifikativë të kësaj tablloje të rëndë të mungesës së qetësisë publike, të kërcënimit të jetesës së qytetarëve, të pronës dhe të pasurisë kombëtare e të shtetasve.

Kjo situatë e përgjithshme politike, ekonomike dhe shoqërore, që njihet nga të gjithë deputetët, dikton objektin e veprimtarisë së Qeverisë. Nga ana tjetër, jetëgjatësia e kufizuar e mandatit të saj, që përfundon me zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, përcakton edhe misionin e saj si një qeveri që ka si detyrë themelore ta çojë vendin në zgjedhjet e reja, në kushte sa më normale që të jetë e mundur, të sigurojë një fushatë elektorale me sa më pak tensione sociale.

Qeveria është e ndërgjegjshme se sigurimi i ushqimeve, medikamenteve dhe kushteve më të domosdoshme të jetesës së popullit është një nga prioritetet më kryesore të verimtarisë së saj. Gjendja reale përsa i përket furnizimit me ushqime është kjo: është premtuar nëpërmjet ndihmave e kredive sasia e grurit për bukë deri në korrjet e reja të vitit të ardhshëm. Për artikujt e tjerë ushqimorë, si mish, vaj, sheqer, oriz, gjalpë, vezë, qumësht pluhur, do të vazhdojë livrimi i tyre në kuotat e limituar. Në datën 20 të këtij muaji në Bruksel do të bëhet takimi i përfaqësuesve të Qeverisë sonë me përfaqësuesit e grupit të 24-ve për të përcaktuar ndihmat ushqimore për vendin tonë për vitin e ardhshëm, duke vazhduar kështu punën e nisur për këtë qëllim. Po kështu po bëhen përpjekje dhe është e mundur të arrijmë që të shpenzohet livrimi i mallrave të tjera të akorduara si ndihmë nga SHBA, Gjermania dhe shtetet e tjera.

Detyrë e rëndësishme e Qeverisë është që të gjitha sasitë e ushqimeve që po vijnë e do të vijnë gjatë kësaj periudhe, të transportohen e të shpërndahen sa më shpejt pranë konsumatorëve nëpër rrethe, qytete e fshatra, duke u dhënë përparësi zonave që mund të bllokohen nga dimri. Në kushtet aktuale Qeveria e konsideron të domosdoshme ruajtjen dhe përdorimin e legjistikës së ndërtuar për shpërndarjen e ushqimeve. Kjo është e vetmja mundësi teknike e organizative për të arritur një shpërndarje të shpejtë e pa humbje të ndihmave që po vijnë e do të vijnë në të ardhmen. Nga ana tjetër, Qeveria do të forcojë kontrollin dhe masat ndaj organeve qeveritare dhe komiteteve ekzekutive në rrethe për administrimin e tregtimin e tyre, për t’u prerë rrugën abuzimeve e spekulimeve, duke mos toleruar asnjë veprim që cënon interesat jetike të popullit, furnizimin e tij me ushqime.

Qeveria do të nxisë e mbështesë procesin e filluar të privatizimit të dyqaneve, magazinave, furrave të pjekjes së bukës, mullinjve të drithit në fshat etj., si një rrugë e efektshme për të siguruar një furnizim sa më të rregullt.

Një çështje tjetër që do të ketë angazhimin serioz të Këshillit të Ministrave, është sigurimi i lëndëve djegëse dhe energjive për ngrohje. E vërteta është se për një sërë faktorësh që lidhen me gjendjen e përgjithshme, situata është shqetësuese. Nuk janë siguruar sasitë e planifikuara të druve për djegie, të qymyrit, mazutit etj. Edhe për ato që janë prodhuar, ka munguar e vazhdon të mungojë transporti i nevojshëm. Në këto kushte mundësitë e kësaj qeverie janë minimale. Megjithatë ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet që të shfrytëzojë çdo burim të mundshëm për transportimin te konsumatorët të lëndës së drurit, qymyrit dhe lëndëve djegëse të lëngëta që ndodhen në vendet ku janë prodhuar, për shpërndarjen e sasisë së qymyrit të importuar dhe do të përpiqet të sigurojë me kredi apo në formë ndihme lëndët djegëse nga importi. Përparësi do t’u jepen zonave ku temperaturat janë më të ulëta, çerdheve, spitaleve, konvikteve të nxënësve dhe të studentëve.

Objektiv i rëndësishëm i Qeverisë do të jetë edhe rigjallërimi i jetës ekonomike të vendit. Platforma e veprimtarisë në këtë drejtim do të orientohet nga vazhdimi i zbatimit të reformave të miratuara nga Kuvendi Popullor. Për këtë qeveria do të synojë vazhdimin me ritme të shpejta të ndarjes së tokës të ish-kooperativave bujqësore, duke e konsideruar këtë proces edhe si një faktor stabilizimi në fshat dhe një mjet të rëndësishëm për gjallërimin e prodhimit bujqësor. Gjithashtu ajo do të punojë për shpejtimin e privatizimit në tregti e në shërbime, për zbatimin e ligjit “Për veprimtarinë e ndërmarrjeve shtetërore”, për kontratat kolektive të punës, për asistencën sociale, si një hap i rëndësishëm e thelbësor në zbatimin e reformës. Ky do të jetë një objektiv tjetër parësor i Qeverisë.

Me përpjekjet e veta, për të nxitur prodhimin, për të futur njerëzit në punë, Qeveria do të vazhdojë përpjekjet për të siguruar lëndët e para për një pjesë të industrisë. Në mënyrë të veçantë do të bëhen përpjekje për sigurimin e makinerive bujqësore dhe të plehrave kimike për mbështetjen e sektorit privat. Kjo do të arrihet duke realizuar kreditë e dhëna dhe duke u përpjekur të sigurojmë kredi të tjera.

Forcimi dhe zgjerimi i lidhjeve dhe marrëdhënieve me botën do të jetë një fushë tepër e rëndësishme e veprimtarisë së Qeverisë së re. Kjo qeveri do të respektojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria e mëparshme me shtetet e organizmat ndërkombëtarë dhe do të vazhdojë kontaktet dhe bisedimet e filluara nga ajo.

Politika e jashtme e Qeverisë do të synojë në forcimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me shtetet evropiane, me SHBA dhe përgjithësisht me Komunitetin Ndërkombëtar, duke e vlerësuar këtë bashkëpunim si të domosdoshëm për forcimin e demokracisë dhe për kapërcimin e krizës ekonomike. Ajo do të nxitë njëkohësisht futjen e investimeve dhe kapi- talit të huaj në Shqipëri, si një rrugë efikase me interes të ndërsjelltë.

Qeveria do t’u kushtojë një vëmendje të veçantë marrëdhënieve me vendet fqinje, duke synuar që të arrihet një klimë miqësore e mirëkuptimi në dobi të paqes e të interesave të popujve të Ballkanit e të Evropës. Ashtu si deri tani, edhe kjo qeveri do të vazhdojë të mbrojë interesat e popullsisë shqiptare jashtë kufijve tanë shtetërorë. Veçanërisht ajo do të kërkojë pranë shteteve, organizmave e institucioneve ndërkombëtare që të sigurohen të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar në Kosovë e në trojet e tjera në Jugosllavi sipas parimeve të KSBE-së. Ne jemi për një zgjidhje politike paqësore të krizës jugosllave, në të cilën të merren parasysh interesat e popullsisë shqiptare, përfaqësuesit e së cilës duhen të jenë partnerë të barabartë në tryezën e bisedimeve.

Të nderuar deputetë,

Një nga drejtimet themelore të punës së Qeverisë do të jetë edhe sigurimi i rendit publik. Stabilizimi i jetës së vendit, aq sa ç’është aspiratë e të gjithë njerëzve të ndershëm, po aq është domosdoshmëri për të mos lejuar cënimin e sigurisë kombëtare. Situata e sotme e rendit publik është krejtësisht e pastabilizuar. Tashmë nuk janë ngjarje sensacionale, por një realitet i hidhur dukuri të tilla, si, vjedhjet masive të depove e magazinave, ushqimoreve e veshmbathjeve, të dyqaneve e të bagëtive, djegie shkollash, objektesh ekonomike e socialkulturore, vjedhje e mbajtje armësh pa leje, cënim i personit e deri në vrasje, kërcënime e përdhunim. Rritja e kriminalitetit është evidente dhe shenjat tregojnë se po kalohet drejt një krimi të organizuar.

Nuk është vendi për të bërë analizën e shkaqeve të kësaj situate, që është bërë herë të tjera deri në Kuvendin Popullor, por një gjë është e qartë dhe mendojmë ta nënvizojmë me forcë. Një situatë e tillë nuk është kurrsesi në interes të popullit, në interes të demokracisë që duam të ndërtojmë. Përkundrazi, një situatë e tillë u shërben vetëm atyre qarqeve që nuk u leverdis ecja mbarë dhe qetë e proceseve demokratike në Shqipëri, u leverdis atyre elementëve spekulantë, të cilëve kaosi u shërben për përfitime të paligjshme. Njohja e kësaj gjendjeje dhe pasojave shumë të rrezikshme të saj e obligojnë Qeverinë për t’iu përkushtuar veprimtarisë për rivendosjen e rendit publik. Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë e shumta e të mëdha të realizimit të këtij misioni në atmosferën e sotme tejet të rënduar të gjendjes ekonomike dhe psikologjike.

Qeveria do të bëjë maksimumin e përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor, për zbatimin me konsekuencë të ligjeve që janë miratuar deri tani dhe për plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor për rendin. Ajo do të këmbëngulë për forcimin e punës së saj dhe për koordinimin e veprimtarisë së organeve të rendit me organet e drejtësisë meqenëse deri tani shpeshherë ka pasur shkëputje. Qeveria është e mendimit se nuk do të ishte një qëndrim realist që të gjitha punët për rivendosjen e rendit, për sigurimin e qetësisë publike të mbështeteshin vetëm në veprimtarinë e forcave të rendit dhe të organeve të drejtësisë. Për të realizuar këtë synim të saj ajo e ka të domosdoshme mbështetjen e të gjitha forcave politike të vendit dhe të sindikatave. Këtë mbështetje Qeveria e konsideron si kusht themelor për rivendosjen e rendit e të qetësisë.

Së fundi, Qeveria parashikon që tensionet sociale mund të  rriten më tej mbas shpalljes së ditës së zgjedhjeve, me intensifikimin  e fushatës elektorale. Prandaj ajo i quan të drejta propozimet e disa partive politike për një afat të shkurtër të fushatës elektorale, sepse zgjatja e saj do të cfiliste më tej popullin në këtë dimër të ashpër  klimatik, ekonomik e politik. Qeveria do të angazhohet plotësisht dhe do të kontribuojë për të plotësuar e zbatuar kuadrin e nevojshëm ligjor që do të miratohet nga Kuvendi. Gjatë fushatës elektorale ajo do të përpiqet që t’u krijojë të gjitha partive mundësitë materiale për propagandën, shtypin, për një fushatë normale në përputhje me ligjin.

Të nderuar deputetë,

Duke paraqitur përpara jush këtë program të shkurtër të Qeverisë dhe përbërjen e saj, që e tha Kryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor, dëshiroj të theksoj se të gjithë anëtarët e Qeverisë janë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e mëdha që paraqet plotësimi i tij e njëkohësisht se sa e rëndësishme është për popullin dhe vendin tonë që këto detyra të realizohen. Jemi të ndërgjegjshëm gjithashtu se kjo nuk mund të arrihet pa një mbështetje të plotë të punës së saj nga të gjitha partitë politike, nga sindikatat, nga organet e pushtetit lokal, nga i gjithë populli. Prandaj, duke kërkuar votën tuaj për miratimin e Qeverisë që jam ngarkuar të kryesoj, në emër të anëtarëve të saj shpresoj të na jepet dhe vota e kësaj mbështetjeje.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi