Programi i Qeverisë Berisha (2009 – 2013)

Sali Berisha – Zonja Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë dhe deputete, Shkëlqesi ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,

Miq dhe të ftuar,

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptare, Para së gjithash, dëshiroj t’ju përshëndes juve, të nderuar deputetë dhe deputete të Kuvendit të Shqipërisë, t’ju uroj suksese në misionin tuaj fisnik të ndërtimit të infrastrukturës ligjore të Shqipërisë europiane. Përshëndes me mirënjohje të thellë dhe respekt të madh zgjedhësit tuaj dhe të gjithë zgjedhësit shqiptarë, që me votën e tyre i dhanë Parlamentit të vendit përfaqësuesit e tyre të shkëlqyer, në lartësinë e integritetit, dinjitetit dhe aftësive që ai meriton

Gjithashtu, nga ky tempull dua të përulem me nderim të madh para të gjithë qytetarëve shqiptarë që më 28 qershor u ftuan nga pozita dhe opozita të votojnë ndryshimin dhe ata, me një mençuri olimpike, midis ndryshimit të pushtetit dhe ndryshimit të Shqipërisë, votuan për maxhorancën dhe vazhdimin e ndryshimit të Shqipërisë, vendosën besimin e tyre mbi projektin e Shqipërisë që po ndryshon, projektin e Shqipërisë europiane, si projektin më të mirë për realizimin e ëndrrës së tyre të bukur – Shqipëria si Europa, ëndrrës së integrimit në Bashkimin Europian.

Unë dua t’i garantoj ata se kryefjala e kësaj Qeverie dhe e këtij programi do të jetë ndryshimi që ata mirëpresin dhe për të cilin ata kanë votuar.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria erdhi në zgjedhjet e 28 qershorit si vendi problematik me zgjedhjet e lira. Kështu që më 28 qershor në Shqipëri nuk ishim në provë vetëm ne, partitë, liderët apo programet e tyre. Para së gjithash, në provë ishte liria e shqiptarëve, demokracia e tyre, ishte qëndrimi ynë ndaj lirisë, ishte dinjiteti ynë qytetar dhe kombëtar.

Katër vjet më parë jam betuar në këtë sallë se Qeveria ime do të bëjë çdo gjë që qytetarët shqiptarë të shprehin lirshëm vullnetin e tyre.

Sot, pas katër vjetësh, shpreh kënaqësinë se më 28 qershor në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s, fitoi liria dhe demokracia mbi trysninë, mashtrimin, falsifikimin e manipulimin. Miku i madh i kombit shqiptar, Presidenti francez, Nikola Sarkozi, do t’i vlerësonte këto zgjedhje si fitore të demokracisë.

“Zgjedhjet në Shqipëri, do të deklaronte zëdhënësi i OSBE/ODIHR-it, plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së” dhe se “vlerësimi i përgjithshëm për këto zgjedhje është pozitiv”.

Zgjedhjet e 28 qershorit nuk ishin të përsosura, por ato hynë në historinë e lirisë dhe të demokracisë së këtij vendi si zgjedhjet e para në të cilat opozita zgjodhi vetë sistemin zgjedhor, si zgjedhjet që u realizuan me teknologjinë dixhitale më të lartë, ku vota e çdo shqiptari u numërua, u fotografua e u filmua dhe çdo mandat i deputetëve të këtij Kuvendi u votua me unanimitet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. (Duartrokitje) Këto ishin zgjedhjet për të cilat arbitri ndërkombëtar u shpreh se “nuk pati prova për parregullsi në numërimin e votave apo për manipulim të rezultateve”.

Një mirënjohje të thellë dua t’u shpreh vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe të NATO- s, për raportin objektiv që ata bënë, vendeve mike që dërguan në Shqipëri vëzhguesit e tyre dhe t’i siguroj para jush dhe në emrin tuaj se vërejtjet, sugjerimet, rekomandimet e tyre dhe reforma zgjedhore do të jenë përparësi e programit të Qeverisë sonë dhe se në projektin e Shqipërisë europiane ato përbëjnë një përparësi madhore.

Ftoj opozitën shqiptare të zërë vendet në Parlament dhe e garantoj atë se, sikundër deri sot, ajo do të ketë rol parësor e të rëndësishëm në reformën zgjedhore dhe në reformat për integrimin e vendit. Le të trajtojmë së bashku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për të përsosur më tej procesin zgjedhor.

Por zgjedhjet e 28 qershorit janë historike, sepse në këto zgjedhje sovrani, me votën e tij të lirë, përcaktoi zgjerimin e spektrit qeverisës të vendit, aleancën integruese të Shqipërisë në BE, Parti Demokratike – Lëvizja Socialiste për Integrim, aleancë kjo që do të shndërrojë në realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve. (Duartrokitje)

Duke përshëndetur përzemërsisht me këtë rast votuesit e LSI-së, dua t’i siguroj ata se në programin e kësaj Qeverie do të kenë të mishëruar tërësisht programin për të cilin ata kanë votuar më 28 qershor.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Ky mandat nis pasi ne, me reforma të thella dhe të gjithanshme, ia dolëm të shndërrojmë në

realitet ëndrrën e madhe euroatlantike të kombit tonë, të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO; të firmosim e të ratifikojmë Marrëveshjen e Stabilizim–Asociimit, të paraqesim kërkesën për vend anëtar të BE-së dhe heqjen e vizave me të.

Ne e nisim këtë mandat pas një lufte të suksesshme kundër krimit dhe korrupsionit, pas reformave të thella ekonomike, privatizimeve të mëdha, rritjes së shpejtë ekonomike, revolucionit të thellë fiskal dhe pothuaj dyfishimit të të ardhurave, rritjes me 60% të rrogës mesatare, dyfishimit të rrogave dhe pensioneve të ulëta dhe pasi Shqipëria është shndërruar në një ndër vendet më tërheqëse në rajon për investimet e huaja.

Nisim mandatin e dytë, ndërkohë që ekonomia shqiptare i rezistoi më mirë se të gjitha ekonomitë e tjera krizës së rëndë ekonomike dhe financiare europiane dhe botërore. Nisim mandatin e ri në një kohë kur vendi ynë është bërë një nga vendet turistike më të kërkuara në rajon dhe më gjerë.

Pra, rrethanat ku ne nisim qeverisjen e re janë jo katër, por tetë herë më të favorshme se katër vjet më parë, por projekti që duhet të zbatohet në katër vjetët që vijnë është shumë më kompleks, më i vështirë sesa ato që kemi realizuar deri më sot.

Shqipëria europiane nuk është një bulevard i shtruar për ne, por është projekti më madhor, më ambicioz, më kompleks dhe më i vështirë që Shqipëria ka ndërmarrë në tërë historinë e saj dhe që duhet të bazohet kryekëput në performancën e demokracisë shqiptare dhe ekonomisë së tregut të këtij vendi, si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.

Shqipëria europiane është një ëndërr e bukur kombëtare e shqiptarëve qysh në rilindjen e tyre, por shndërrimi i saj në realitet është një univers i tërë reformash, ligjesh, vendimesh, veprash publike dhe ndryshimesh me të cilat ne duhet t’u garantojmë qytetarëve shqiptarë të drejtat, standardet, normat, praktikën e qytetarëve të vendeve të zhvilluara europiane.

Zonja dhe zotërinj,

Liria është dhe mbetet pasioni ynë. Liria dhe vlerat e saj janë themelet e Shqipërisë europiane. Para së gjithash, Shqipëria europiane është vendi i lirive dhe i të drejtave të garantuara, i shtetit ligjor dhe i institucioneve demokratike e të pavarura, pra vendi i demokracisë funksionale. (Duartrokitje)

Liritë dhe të drejtat e individit dhe të minoriteteve do të njohin gjatë këtij mandati respektim dhe zgjerim më të madh. Minoritetet, që sot janë të përfaqësuara më mirë se më parë në këtë Parlament, do të gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e garantuara nga dokumentet ndërkombëtare që ka firmosur Shqipëria. Një vëmendje të veçantë Qeveria do të dëshmojë për komunitetin rom e atë egjiptian.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Dekadën e Romëve dhe Egjiptianëve dëshmon angazhimin tonë për fokusimin më të madh në strehimin, punësimin dhe shkollimin e tyre.

Respektimi i plotë i lirisë së mendimit, mediave, është dhe mbetet qëndrimi ynë. Shqipëria europiane do të jetë vendi i standardeve unike në Europë, ku nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë padi penale apo civile ndaj gazetarëve, çfarëdo që ata të shkruajnë për punonjësit dhe zyrtarët e administratës.

Shqipëria europiane është vendi i tolerancës së shkëlqyer fetare, i kësaj trashëgimie mahnitëse të kombit shqiptar. Ky Parlament së shpejti do të ratifikojë marrëveshjen e Qeverisë me komunitetet e mëdha fetare. Ligji për financimin e tyre do të zbatohet. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet në kuadrin e Aleancës së Qytetërimeve dhe nismave të tjera, që të përhapim gjithnjë e më shumë në Europë dhe më gjerë mesazhin e tolerancës fetare, shpirtit tonë të madh kombëtar.

Reforma institucionale është një objektiv tjetër madhor i programit të Qeverisë së Integrimit Europian.

Respektimi dhe konsolidimi i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, pavarësisë së sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, përmirësimi rrënjësor i kushteve të veprimtarisë së këtij sistemi, transparenca e vendimeve gjyqësore, ekzekutimi me vendosmëri i vendimeve të gjykatave, përcaktimi më i qartë i kompetencave midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, transparenca e sistemit të emërimeve dhe kontrollit të gjykatësve, do të jenë objektivat kryesorë të punës sonë.

Riorganizimi i sistemit të akuzës, përgjegjshmëria e tij para ligjit dhe lufta kundër korrupsionit në çdo qelizë të jetës së vendit mbetet një nga përparësitë tona.

Ne angazhohemi për një rishqyrtim tërësor të legjislacionit të vendit, kodeve, ligjeve dhe procedurave ligjore, për t’i përshtatur ato me standardet europiane.

Reforma do të vazhdojë me vendosmëri në sistemin e vuajtjes së dënimit, për arritjen e standardeve europiane në këto institucione.

Po kështu, do të konsolidohet sistemi i përmbarimit shtetëror dhe privat, me qëllim zbatimin e vendimeve të gjykatave, duke arritur mesataren e vendeve anëtare të BE-së në këtë fushë të zbatimit të ligjit.

Reforma institucionale do të vazhdojë në të gjitha institucionet e vendit, me qëllim përmirësimin e funksionit të tyre. Reformës do t’i nënshtrohen Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Kombëtar, entet rregullatore, agjencitë që merren me reformën e pronësisë, në mënyrë që ato të përmbushin misionin e tyre të ardhshëm për Shqipërinë europiane.

Reformave të thella do t’u nënshtrohen arsimi, shëndetësia dhe diplomacia shqiptare.

Qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë do të jetë zotimi ynë solemn para qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, ne zotohemi të zvogëlojmë me 10% administratën publike të Shqipërisë, të instalojmë brenda vitit 2010 e-government, çka do të rrisë transparencën e qeverisjes dhe do të përmirësojë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve.

Statusi i nëpunësit civil do të konsolidohet dhe zgjerohet. Për trajnimin dhe kualifikimin e administratës publike, Qeveria do të konsiderojë ngritjen e Universitetit të Administratës Publike brenda këtij mandati.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Shqipëria europiane dhe ndërtimi i saj ka si kusht të të gjitha kushteve luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit, këtij kanceri që përbën mater matriks të të gjitha të këqijave në një vend të lirë.

Në katër vjet Qeveria “e duarve të pastra” shembi sistemin e kleptokracisë, me reforma të thella dhe të gjithanshme Shqipëria u shkëput nga 24 vendet më të korruptuara të planetit dhe la mbrapa 95 vende; zuri vendin e parë në rajon dhe u rendit ndër 10 vendet më të mira në botë për suksesin e luftës kundër korrupsionit, madje ne ia dolëm të dyfishojmë buxhetin. (Duartrokitje) Por stadi në të cilin ndodhemi kërkon nga ne që fituam një betejë kundër tij të vazhdojmë çdo orë, çdo ditë luftën me zero tolerancë ndaj tij.

Në këtë kontekst, Qeveria e Integrimit Europian sërish luftën kundër korrupsionit do ta bazojë në reformat e gjithanshme dhe në penalizime të vendosura të zyrtarëve të korruptuar. Objektivi ynë do të jetë rendja drejt grupit të 20 vendeve të para me korrupsion më të ulët, objektiv ky që, sigurisht, nuk mund të përmbushet me një mandat, por do të jetë frymëzues në të gjithë veprimtarinë tonë. (Duartrokitje)

Për suksesin e luftës kundër korrupsionit ne zotohemi për qeveri të vogël dhe shkurtimin e shpenzimeve operative të saj edhe me 25%, duke filluar nga vitet 2009-2010.

Prandaj, në kuadrin e zvogëlimit të shpenzimeve, abuzimeve, në muajin e parë të këtij Parlamenti ne do të sjellim për miratim projektligjin për heqjen e disa privilegjeve të pamerituara të administratës dhe institucioneve shtetërore. Vetëm me këtë ligj kursehen mbi 35 milionë dollarë në vit në rrafshin financiar, por dhjetëra herë më shumë fitohet në rrafshin etiko-moral të qeverisjes, duke e shkëputur administratën e sistemit demokratik nga trashëgimia e nomenklaturës së vjetër komuniste.

Unë ju shpreh juve, të nderuar deputetë, falënderimet për mbështetjen që dhatë për hartimin e këtij projektligji. (Duartrokitje)

Shërbimet online, regjistrim biznesi online, taksa dhe bilance online, si dhe dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve shtetërore, janë rrugët efikase për luftën kundër korrupsionit.

Shqipëria sot është vendi i vetëm në botë me prokurime elektronike 100%, por përsosja e këtij sistemi, si dhe shtrirja e tij edhe për blerjet e vogla e ankandet mbeten objektiva madhorë të këtij mandati.

Konsolidimi i heqjes së 2/3 të lejeve dhe licencave, krijimi i One Stop Shop-eve për lejet e licencat e mbetura dhe One Stop Shop-eve për energjinë, si dhe ngritja e tij për minierat janë reforma efikase kundër korrupsionit.

Vendosja e parimit “heshtja është pranim” në lejet e ndërtimit, por edhe në lejet dhe licencat e tjera, përbën kushte sine qua none për të prerë me gërshërët e ligjit dorën e zezë të ryshfetit.

Privatizimi i të gjitha sipërmarrjeve publike, shitja e aksioneve të shtetit, si dhe dhënia me koncesion i shërbimeve publike, përfshirë këtu ato të pronave dhe regjistrimit të pasurive, janë mekanizma të tjerë të luftës efikase kundër korrupsionit.

Antifragmentarizimi i buxhetit, kontrolli rigoroz i shpenzimeve do të jenë objektiva të tjerë madhorë në luftën kundër korrupsionit.

Ligji për transparencën e plotë të financimeve të partive politike i bën nder çdo partie që zotohet për luftën kundër korrupsionit. Ju garantoj se votat e maxhorancës do të jenë të tëra në favor të këtij projektligji. (Duartrokitje)

Heqja e imunitetit për ministrat dhe deputetët e kësaj maxhorance, në çdo rast dhe për çdo motiv që do ta kërkojnë organi i akuzës apo gjykatat do të jetë një qëndrim i pandryshuar i maxhorancës sonë.

Amendimi i ligjit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe krijimi i të gjitha mundësive për hetim të plotë për pasuritë e zyrtarëve është një premtim tjetër i kësaj maxhorance për të rritur më tej luftën kundër korrupsionit.

Konsolidimi i zbatimit të ligjit të denoncuesve të korrupsionit, reformimi e konsolidimi i të gjitha institucioneve të kontrollit, si dhe i Task Force-s së luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në gjashtë qarqet kryesore të vendit.

Ndëshkim ligjor për të gjithë zyrtarët e korruptuar. Kjo është platforma jonë, me të cilën ne jemi të sigurt se do të fitojmë luftën kundër korrupsionit. (Duartrokitje)

Zonja dhe zotërinj,

Qeveria e Integrimit Europian një ndër përparësitë më madhore të saj do të ketë sigurinë më të lartë të jetës, pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, bashkëpunimin dhe partneritetin luajal në këtë fushë, në rajon dhe më gjerë.

Lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar solli si rezultat çmontimin e qindra grupeve dhe organizatave kriminale, rënien e treguesve të kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të BE-së, rënien e ndjeshme të trafiqeve kriminale, trafikut të njerëzve, drogës etj.

Në katër vjetët që vijnë kjo luftë do të vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Shqipëria do të ecë drejt niveleve të ulëta të kriminalitetit në rajon dhe Europë.

Kontrolli i integruar i kufijve, sistemi i ri i identifikimit të qytetarëve janë një mbështetje e fuqishme për këtë objektiv. Shqipëria do të mbajë në fuqi moratoriumin për skafet. Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore do të përbëjë një ndër përparësitë më madhore në kuadrin e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar.

Policia shqiptare do të pajiset me të gjitha mjetet më moderne për luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar.

Legjislacioni ynë do të përshtatet për një luftë më efikase kundër krimit ekonomik dhe pasurive të tij, larjes së parave, hetimit të pasurive të fshehura.

Reformës së thellë, në funksion të kësaj lufte dhe parandalimit të krimit, do t’i nënshtrohen të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit: policia, sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve, bashkëpunimi i saj me komunitetin, prokuroria, Shërbimi Informativ Kombëtar, si dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria europiane ka si kusht themelor ekonominë funksionale të tregut të lirë, kompetitivitetin e saj, rritjen e shpejtë ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të pandërprerë të vendit.

Asgjë nuk i përcakton më shumë dhe më qartë ritmet e integrimit të vendit tonë në BE, sesa rritja e shpejtë ekonomike, zhvillimi i qëndrueshëm dhe i pandërprerë i tij.

Por kam kënaqësinë të theksoj se pas shembjes së murit të krimit dhe korrupsionit, suksesi i reformave ekonomike dhe fiskale janë ndër arritjet më madhore të katër vjetëve që shkuan.

Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël, por solide, dinamike dhe, në sajë të reformave të thella dhe të gjithanshme, ia dolëm ta vendosnim Shqipërinë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike, në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Shqipëria sot është vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë, vendi në të cilin biznesi regjistrohet në One Stop Shop dhe me të cilin janë hequr dy të tretat e lejeve dhe licencave, është krijuar One Stop Shop për lejet dhe licencat që kanë mbetur, si dhe One Stop Shop për energjinë. Ekonomia shqiptare, me gjithë krizën e thellë botërore, ruan këtë vit rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti investimet e huaja kanë një rritje prej 59%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. (Duartrokitje)

Por ndërtimi i Shqipërisë europiane kërkon që ekonomia shqiptare të vrapojë, si kushti më kryesor për të garantuar për qytetarët shqiptarë mirëqenien, punësimin, shërbimet që gëzojnë qytetarët e vendeve anëtare të BE-së.

Objektivat më madhorë të Qeverisë së Integrimit Europian janë: konsolidimi i rritjes së shpejtë ekonomike, rritja e kompetitivitetit të ekonomisë sonë, Shqipëria lider në rajon për thithjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj.

Për të garantuar kompetitivitetin më të lartë do të ndërmerren reformat më të thella administrative, fiskale dhe gjyqësore.

Reformës së thellë do t’i nënshtrohet sistemi i të gjitha inspektorateve të vendit, me objektivin kryesor rritjen e efikasitetit të punës së tyre, zvogëlimin e barrës së tyre mbi bizneset.

Regjistrimi i biznesit, pagesa e taksave dhe bilancet do të jenë online.

Do të konsolidohen One Stop Shop-et për licencat e lejet edhe për energjetikën dhe do të ndërtohet One Stop Shop-i për minierat.

Do të ridimensinohet partneriteti publik privat në të gjitha fushat e ekonomisë, si levë kryesore për thithjen e investimeve private dhe zhvillimin e vendit.

Diplomacia shqiptare do të shndërrohet në një promotor të fuqishëm të potencialeve të Shqipërisë për investimet e huaja dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar të vendit.

Do të reformohet tërësisht Agjencia e Investimeve të Huaja.

Do të krijohen gjashtë parqet industriale në gjashtë qarqe të vendit, të cilat do të shndërrohen në gjeneratorë të fuqishëm të prodhimit dhe të punësimit.

Sistemi i minierave të vendit do të riaktivizohet mbi bazën e standardeve më të mira të shfrytëzimit, të transparencës financiare, mbrojtjes së mjedisit dhe bashkëpunimit me komunitetin.

Në të gjitha lejet dhe licencat do të vendoset parimi “heshtja është miratim”.

Revolucioni industrial i vendit do të jetë një nga tiparet kardinale të katërvjeçarit që vjen. Energjia dhe turizmi do të jenë shtyllat kryesore të zhvillimit të ekonomisë.

Revolucioni fiskal dhe reformat e financave publike do të vazhdojnë pandërprerë. Stabiliteti makroekonomik do të jetë një nga objektivat më madhorë të Qeverisë sonë. Borxhi publik do të zbresë në fund të këtij mandati në 50%. Inflacioni do të jetë i kontrolluar në vlerat jo më shumë se 3%, sikundër deficiti buxhetor do të zbresë në 3%. (Duartrokitje)

Reduktimi i mëtejshëm i barrës fiskale, si heqja e TVSH-së për mallrat dhe shërbimet në arsim dhe shëndetësi, reformimi tërësisht i sistemit të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore do të jenë lëvizjet e mëdha të reformës sonë në këtë fushë në të ardhmen.

Hartimi, zbatimi dhe kontrolli i buxhetit të shtetit do të reformohet thellësisht.

Do të aplikohen stimuj fiskalë për punësim.

Reformë ligjore institucionale dhe modernizmi i mëtejshëm i sistemit të tatimeve dhe doganave, taksa, bilance online, skaner dhe kontroll imazhor në të gjitha doganat kryesore të vendit.

Rimbursim i TVSH-së brenda 30 ditëve dhe aplikim i parimit “heshtja është miratim”.

Modernizim i menaxhimit të borxhit publik. Objektivi ynë madhor për katër vjetët që vijnë është që në Shqipëri, në parqe industriale, në parqe energjetike, në porte, veçanërisht në Portin e ri të Vlorës, autostrada e aeroporte, hidrocentrale dhe vepra të tjera, në mijëra kilometra rrugë që do të ndërtohen do të investohen rreth 12 miliardë euro. (Duartrokitje) Disa miliarda euro do të investohen në rreth 150 hidrocentrale, që do të ndërtohen apo do të nisin ndërtimet në rrethet e Elbasanit, Peshkopisë, Gjirokastrës, Mirditës, Tiranës, Gramshit, Shkodrës, Kukësit, Tropojës. Miliarda të tjera do të investohen në porte, vepra energjetike dhe parqe industriale në Vlorë, Durrës, Tiranë, Shëngjin, Fier, Elbasan, Korçë. Në këto vepra do të punësohen rreth 160 mijë punonjës. (Duartrokitje)

Të nderuar deputetë,

Shqipëria-superfuqi e vogël energjetike në rajon është objektiv tjetër madhor i Qeverisë sonë. Ne zotohemi të bëjmë çdo përpjekje për të shfrytëzuar të gjitha burimet energjetike nga ato eolike, ujore, tek nafta, qymyret dhe burimet nukleare që ky vend, me një pozicion strategjik gjeografik, të shndërrohet, duke ruajtur standardet më të larta mjedisore, në një vend kryesor prodhimi dhe eksporti energjie në rajon.

Deri tani janë licencuar rreth katër mijë megavat hidrocentrale, termocentrale me biomas dhe eolike, që kapin një investim prej rreth 5 miliardë eurosh, ndër të cilat do të veçoja kaskadën e Devollit, projektin më të madh energjetik ujor në Europë, por janë gati për t’u paraqitur në treg kaskada e Vjosës, Osumit, Shkumbinit, Matit, Skavicës, degëve të DrinitdheparqetëmëdhaeoliketëLezhës, Karaburunit, parqet energjetike të Porto Romanos, Lezhës etj.

Ne do të reformojmë kuadrin ligjor dhe do të përcaktojmë stimujt konkretë për ndërtimin e qindra e mijëra hidrocentraleve të vogla në mbarë vendin, për të cilat Qeveria zotohet t’u garantojë ndërtuesve të tyre lidhjen e tyre me sistemin energjetik të vendit, kudo që ata t’i ndërtojnë.

Shfrytëzimi i qymyreve të vendit apo të importit, duke ruajtur standardet më të larta mjedisore, do të jetë një drejtim tjetër i programit të Qeverisë shqiptare. Termocentralet me qymyr po ndërtohen sot në mbarë Europën.

Shqipëria-superfuqi energjetike në rajon parakupton një infrastrukturë të re të transmetimit dhe lidhjeve energjetike me rajonin. Në këtë kontekst, pas përfundimit të linjës Elbasan- Podgoricë, do të fillojë dhe do të përfundojë brenda këtij mandati linja Tiranë-Prishtinë, Elbasan-Shkup, si dhe linja nënujore Shqipëri-Itali.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria nuk mund të ketë fytyrë tjetër, përveçse fytyrës së njerëzishme sociale, nuk mund të ketë zemër tjetër përveçse zemrës së dhimbsur, pra vendi i solidaritetit të madh njerëzor. (Duartrokitje)

Në të vërtetë sot Shqipëria që po ndryshon është më njerëzore, më sociale se kurrë në historinë e saj. Por sërish ajo është larg objektivit tonë të kohezionit dhe solidaritetit më të lartë njerëzor, shoqëror dhe kombëtar, vendit dhe shoqërisë në të cilin as edhe një qytetar nuk duhet të ndjehet i përjashtuar.

Në katër vjet ne ia dolëm të rrisim nga 50-100% buxhetin për 860 mijë familje shqiptare të punësuar në administratë, pensionistë apo qytetarë me ndihmë ekonomike, të punësojmë rreth 80 mijë vetë, të nxjerrim nga varfëria rreth 400 mijë qytetarë shqiptarë. Rënie prej 70% pësoi varfëria ekstreme apo mjerimi, sipas një studimi të Bankës Botërore. Por, me gjithë këto arritje, Shqipëria sërish ka një varfëri prej 12,1% të popullatës së saj dhe akoma më rëndë, ajo ka një varfëri ekstreme prej 1,34% të popullatës së saj, pra e konvertuar në njerëz e në familje, Shqipëria ka edhe sot me mijëra familje që ende qajnë çdo ditë me lotët e ftohtë të mjerimit. Shqipëria ka hartën e varfërisë dhe mjerimit që shtrihet nga Buzi i Tepelenës, Frashëri i Përmetit deri në Dukagjin. Në këto rajone mijëra familje përballen me egërsinë e tregut dhe dhimbjet e mjerimit. Qeveria ime është e vendosur të veprojë nëmënyrënmëefikase,mëenergjikepërtënxjerrë nga mjerimi çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare.

Qeveria e Integrimit Europian është e vendosur të konsolidojë në Shqipëri standardet europiane të shtetit social.

Ne angazhohemi se, duke ruajtur standardet më liberale të ekonomisë së tregut, do të thellojmë gjithnjë e më shumë frymën sociale të qeverisjes sonë, luftën e pamëshirë kundër njërit prej dy armiqve më kryesorë të njerëzve të lirë – varfërisë, do të zgjerojmë, konsolidojmë dhe përsosim më tej sistemin e mbrojtjes sociale, do të realizojmë një rishpërndarje gjithnjë e më të mirë dhe më të ndershme të të ardhurave dhe do të bëjmë çdo përpjekje që në Shqipëri, qoftë dhe një qytetar i vetëm, të mos ndjehet i braktisur nga shoqëria shqiptare.

Lufta kundër varfërisë në zonat verilindore dhe juglindore të vendit do të përbëjë përparësinë madhore për Qeverinë tonë. Të gjitha investimet private në këto zona do të kenë lehtësime të ndjeshme fiskale.

Me një skemë të veçantë financimesh me grante, do të nxiten të gjitha potencialet lokale bujqësore, blegtorale e turistike të këtyre zonave.

Brenda vitit 2011 do të përfundojë masterplani i zhvillimit të turizmit të zonave malore, si dhe brenda këtij mandati, zonat malore të Shqipërisë, nga Vermoshi në Gjirokastër, do të kenë infrastrukturën rrugore moderne, të gatshme për investime të gjera turistike.

Në funksion të luftës kundër varfërisë, Qeveria do të përshtatë të gjithë sistemin arsimor. Ne zotohemi të dyfishojmë numrin e studentëve dhe të nxënësve nga këto zona për në shkollat e mesme, profesionale dhe në universitetet e vendit.

Reformë të thellë do të njohë ndihma ekonomike, e cila do të dalë me çdo kusht jashtë informalitetit. Dhënia e saj, përveçse për personat me aftësi të kufizuar, do të kushtëzohet me punën e dobishme për komunitetin dhe punimin e tokës.

Brenda vitit 2013, ne synojmë që çdo qytetar shqiptar të ketë ndihmë ekonomike mbi dy dollarë në ditë dhe pensionet e fshatit të barazohen me pensionet e qytetit. Qeveria e Integrimit Europian do të bëjë të heshtin sirenat e mjerimit në të gjitha vatrat e familjeve shqiptare, ku sot ato ulërijnë.

Familjet dhe individët në nevojë, që për arsye të vërtetuara e kanë të pamundur të dalin nga mjerimi, do të gëzojnë të gjithë ndihmën ekonomike të nevojshme që të ushqehen, të vishen dhe të gëzojnë të gjitha shërbimet, kujdesin shëndetësor, sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, arsimimin e fëmijëve, njëlloj si të tjerët.

Zonja dhe zotërinj,

Masat e Qeverisë sonë kundër mjerimit janë jetike, masat e shpallura në këtë program kundër varfërisë janë të domosdoshme. Por për Qeverinë e Integrimit Europian mjeti më efikas, antidodi më absolut kundër varfërisë është punësimi dhe vetëm punësimi. Prandaj dhe punësimi i qytetarëve shqiptarë do të jetë përparësi e të gjitha përparësive. Ne jemi zotuar që në katër vjetët që vijnë do të krijojmë rreth 160 mijë vende pune.

Për këtë qëllim do të ndërmerren reforma të thella dhe të gjithanshme të tregut të punës.

Do të dyfishohet buxheti për shkollimin, trajnimin, kualifikimin, përshtatjen e aftësive të të papunëve dhe të atyre që humbasin vendin e punës me kërkesat e tregut.

Do të aplikohen stimuj fiskalë për punëtorët. Në

vitin e parë të punësimit të tyre i gjithë sistemi arsimor do të përshtatet me kushtet dhe kërkesat e tregut. Do të merren përsipër sigurimet shoqërore të punonjësve të rinj.

Por, realisht, këto janë vetëm masa nxitëse, sepse gjeneratori më madhor i punësimit është dhe mbetet, siç provon historia e zhvillimit, rritja e shpejtë ekonomike dhe tërheqja masive e investimeve të huaja.

Në politikën tonë të Shqipërisë sociale, një kujdes të veçantë do t’u kushtohet dy moshave më delikate: vogëlushëve të këtij vendi dhe moshës së tretë. (Duartrokitje)

Në këtë kontekst, gjatë këtij mandati ne zotohemi për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve, të luftojmë uljen e mortalitetit infantile, duke e ulur atë në nivele europiane, të shtrijmë vaksinimin ndaj të gjitha sëmundjeve të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve, të ngremë në të katër anët e vendit sistemin e arsimit parashkollor, si kusht për një parapërgatitje dinjitoze të fëmijëve tanë në shkolla.

Krijimi i mjediseve për lojëra dhe zbavitje të fëmijëve do të jetë një detyrim për qeveritë vendore. Një ligj i veçantë do të miratohet brenda vitit 2010, i cili do t’u garantojë kujdesin, trajtimin e merituar dhe dinjitoz personave të moshës së tretë, si dhe problematikave të tyre specifike.
Rritja e rrogave dhe e pensioneve, duke lënë mbrapa gjashtë vende anëtare të BE-së, do të jetë një tipar tjetër i rëndësishëm i politikës tonë sociale, si dhe kusht vendimtar në zhvillimin e shpejtë e të qëndrueshëm të këtij vendi.

Të nderuar deputetë,

Për Qeverinë e Integrimit Europian gara e dijes është dhe do të mbetet promotori, lokomotiva më e fuqishme e ndryshimit të saj, e vrapit të saj drejt Shqipërisë europiane.

Prandaj edhe për ne, shkollimi i fëmijëve tanë, shkolla si shtëpia e dytë e tyre, mësuesit si edukatorët kryesorë të tyre pas prindërve, mbeten epiqendra e programit tonë.

Në katër vjet ne ia dolëm të dyfishojmë buxhetin për arsimin, rrogat e arsimtarëve, numrin e studentëve, të ndërtojmë apo rindërtojmë rreth 1012 shkolla, të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat e vendit, të kapim standarde europiane në rekrutimin e nxënësve nga shkollat e mesme në universitete, vendosëm dhe zbatuam fondin Brain Gain dhe atë të Ekselencës. Por sërish dua të theksoj se këto janë vetëm një bazë solide për t’u dhënë fëmijëve

tanë shkollimin më të mirë të mundshëm. Prandaj dhe zotohemi që me programin tonë katër vjeçar, reformave të thella dhe të gjithanshme do t’u nënshtrohen arsimi parashkollor, parauniversitar dhe universitar, me objektivin kryesor standardet europiane për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.

Në këtë kontekst, brenda këtij mandati, buxheti për arsimin, nga sektori publik dhe privat do të arrijë në 7% të PBB-së, kurse ai i sektorit publik në 6% të prodhimit të brendshëm bruto.

Luftë me zero tolerancë kundër analfabetizmit do të jetë alfa e të gjitha përpjekjeve tona në reformën e sistemit arsimor;

Sistemi i arsimit parashkollor do të modernizohet dhe do të shtrihet në çdo skaj të vendit;

Reformë e thellë tërësore e kurrikulave të arsimit, të të gjitha cikleve, përshtatje maksimale me kërkesat e tregut;

Parimi ynë do të jetë: çdo fëmijë që mbaron klasën e nëntë, duhet të ketë kushte për të ndjekur shkollën e mesme, kudo që ndodhet dhe banon, duke e tërhequr atë në konvikte, në rast se aty nuk ka shkollë të mesme. Çdo i ri që mbaron shkollën e mesme duhet t’i ketë të hapura dyert e universiteteve.

Rekrutimi i nxënësve nga shkollat e mesme në universitete të kalojë mbi mesataren e vendeve anëtare të BE-së.

Numri i studentëve, nga 115 mijë që është sot, do të rritet në 150 mijë në vitin 2013. Të rritet së paku me 10% numri i nxënësve që ndjekin shkollat profesionale.

Shteti do të dyfishojë numrin e studentëve nga zonat verilindore dhe juglindore të vendit, duke ofruar cikël parapërgatitor, që të garatojë suksesin e shkollimit të tyre.

Shteti të marrë përsipër të gjitha librat shkollorë për arsimin parashkollor dhe parauniversitar, për familjet me ndihmë ekonomike dhe do të dyfishojë bursat për shkollat e mesme dhe universitetet e vendit që këtë vit.

Do të rindërtohen ose do të ndërtohen nga e para edhe rreth një mijë shkolla që kanë mbetur në mbarë vendin. Në fund të këtij mandati fëmijët shqiptarë do të kenë shkolla të reja ose të rindërtuara plotësisht.

Mësime dixhitale do të zhvillohen në të gjitha shkollat e vendit.

Do të lehtësohet barra fiskale dhe t’u ofrohet toka për shkolla sektorit privat.

Do të dyfishohen investimet në sektorin privat në arsim, dhe, siç e theksova, do të hiqet TVSH-ja. Rrogat e mësuesve të vendit do të rriten, për të parakaluar në fund të mandatit gjashtë vende anëtare të BE-së.

Fondi i Ekselencës do të zgjerohet me bursa për studentët shqiptarë, jo tashmë në 10, por në 15 universitetet më të mira të planetit. Cilido i ri apo e re që aplikon dhe fiton të drejtën të ndjekë shkollimin apo gradimin në këto universitete, Qeveria Shqiptare do t’i përgjigjet atij kudo që të jetë ai, në Shqipëri, në diasporë, në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi e kudo kundrejt një kontrate të caktuar.

Shkenca, kërkimi shkencor dhe inovacioni do të jenë një përparësi tjetër e rëndësishme e Qeverisë sime.

Pas reformës së thellë të institucioneve shkencore, krijimit të Agjencisë për Kërkime Shkencore dhe Inovacionit, Qeveria është e vendosur të dyfishojë buxhetin për kërkimin shkencor. Në kuadrin e projektit Brain Gain dhe fondit të Ekselencës, do të rritet dhe inkurajohet bashkëpunimi i institucioneve shkencore të vendit me ato të huaja.

Kultura, rinia dhe sportet

Qeveria e Integrimit Europian do të ketë si përparësi të saj zhvillimin, mbrojtjen, promovimin e kulturës shqiptare, si thelbin e identitetit të kombit shqiptar. Ndaj edhe unë dua të garantoj institucionet kulturore kombëtare, artistët dhe krijuesit e këtij vendi se këto katër vjet fondet për kulturën do të ndiejnë një rritje të madhe; statusi i tyre do të ketë një përmirësim të madh. Një kujdes të veçantë Qeveria do të dëshmojë drejt trashëgimisë kulturore të këtij vendi.

Riorganizimi tërësor i sistemit të arkeologjisë mbi bazën e distrikteve, alokimi i fondeve dhe i resurseve të nevojshme njerëzore për zbulime të reja arkeologjike, konservimi i tyre është një detyrim madhor jo vetëm për të pasuruar trashëgiminë tonë kulturore, por për ta paraqitur atë para mbarë botës, para turistëve që vërshojnë nga të katër anët e dheut për të vizituar Shqipërinë. (Duartrokitje)

Rinia dhe potencialet e saj do të jenë një tjetër përparësi kryesore e Qeverisë sime. Në Shqipëri, si rrallë në ndonjë vend tjetër, janë të rinjtë më shumë se kushdo tjetër ata që kanë përcaktuar dhe përcaktojnë zhvillimet e mëdha të këtij vendi. (Duartrokitje) Ndaj edhe unë angazhohem jo vetëm për arsimimin masiv të tyre, por edhe për zgjerimin më të madh të rolit të tyre në shoqërinë shqiptare.

Qeveria me programe të veçanta do të përparësojë punësimin e të rinjve me linja krediti, do të ndihmojë inicimin e bizneseve, por edhe strehimin e çifteve të reja.

Sporti dhe sportistët shqiptarë do të kenë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë, së pari, në masivizimin e sporteve, por edhe në elitarizmin e tij.

Zonja dhe zotërinj,

Pas ndërtimit të një infrastrukture moderne, Shqipëria në moshën dixhitale është dhe mbetet objektivi tjetër më madhor, më ambicioz i Qeverisë së Integrimit Europian.

Mosha dixhitale përbën një nga zhvillimet më themelore dhe kushtet më vendimtare për ta shkëputur Shqipërinë nga prapambetja e saj dhe për ta vendosur atë midis vendeve të zhvilluara.

Shqipëria aktuale është sot vendi me ritmet më të larta të rritjes së penetrimit të IT-së, por njëkohësisht është ende larg standardeve mesatare europiane. Ajo është vendi i internetit në të gjitha shkollat, i taksës dhe i doganave, i regjistrit elektronik kombëtar të Gjendjes Civile, të biznesit, të penaliteteve, prokurimit elektronik 100%.

Për të shpejtuar më tej ritmet e progresit drejt moshës dixhitale, pranë Këshillit të Ministrave është emëruar një ministër që, krahas reformave dhe institucioneve, do të drejtojë procesin e dixhitalizimit të shoqërisë.

Në këtë kontekst, ne synojmë të finalizojmë brenda vitit 2010 e-government dhe e-governance. Mosha dixhitale do të shtrihet dhe konsolidohet në të gjitha shërbimet dhe fushat e jetës së vendit, interneti me bandë të gjerë duhet të sigurohet brenda vitit 2012 në të gjitha familjet, në fshatrat dhe qytetet e vendit, kompjutera për të gjithë të rinjtë shqiptarë në shkollat e vendit, brenda vitit 2013.

Zonja dhe zotërinj,

Qytetarët shqiptarë do të ndihen qytetarë europianë vetëm kur kujdesi për shëndetin e tyre, për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve të jetë i standardeve europiane. Ndaj dhe reformat në sistemin e shëndetësisë do të jenë edhe reformat e para dhe më të rëndësishme të Qeverisë sonë. Për këtë qëllim, në katër vjetët që vijnë:

– zhvillimi i shëndetit, edukimi shëndetësor dhe parandalimi i sëmundjeve do të jenë drejtimet themelore të sistemit tonë shëndetësor;

– do të rrisim me 60% buxhetin për shëndetësinë;

– do të reformohet tërësisht sistemi i menaxhimit dhe financimit të shërbimit shëndetësor;
– do të vendosim praktikat më të sigurta të luftës kundër korrupsionit në këtë sistem;
– do të vazhdojmë rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve, duke parakaluar gjashtë vende anëtare të BE-së;

– do të zgjerohet partneriteti publik-privat në fushën e shëndetësisë;

– do të hiqet TVSH-ja për mallrat dhe shërbimet shëndetësore në sektorin privat;

– në spitalet tona do të instalohen teknologjitë dhe laboratorët më modernë;

– blerja e shërbimeve për qytetarët do të shtrihet edhe në sektorin privat;

– kujdesi për fëmijët, për vaksinimin e tyre, do të ridimensionohet. Po kështu kujdesi për gratë, mamografia dhe pap-testi do të jenë falas, sikundër ekografia për gratë shtatzëna;

– sigurimet shëndetësore do të shtrihen për të gjithë qytetarët.

Dua të siguroj qytetarët shqiptarë se Qeveria do të marrë përsipër sigurimet shëndetsore për çdo qytetar që nuk është në gjendje t’i paguajë ato dhe se reforma e shëndetësisë është reforma e të gjitha reformave që Qeveria ime do të ndërmarrë me përparësi gjatë këtij mandati. Ne jemi të vendosur të vendosim në Shqipëri sistemin më modern, më funksional shëndetësor, mbi bazat më të sigurta dhe, në këtë kontekst, ne do të paguajmë për ata që nuk kanë. Një pjesë tjetër do të marrë përsipër të mbajë një peshë në emër të një shërbimi jetik për veten, prindërit dhe fëmijët e tyre.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Reforma e pronësisë do të mbetet një nga reformat themelore të vendit. Në këtë kontekst, kjo reformë do bazohet në:

– përfundimin e Regjistrit Dixhital të Pronave në Shqipëri, brenda viti 2011;

– dixhitalizimin e të gjithë arkivit dhe dokumentacionit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, brenda vitit 2010;

– përzgjedhjen e një kompanie serioze, me garë të hapur, për regjistrimin e pronave, brenda vitit 2011; – rritjen progresive të fondit të kompensimit monetar dhe fizik të pronave dhe rikthimit të tyre në

të gjitha rastet e mundshme;

– mbrojtjen dhe garancinë shtetërore për investitorët dhe investimet në prona të blera mbi bazën e dokumenteve shtetërore të rregullta të pronësisë;

– zgjidhjen brenda vitit 2010 të titujve të pronësisë, bazuar në ligjin nr.7501;

– përfundimin e procesit të legalizimit në të gjithë

territorin e vendit, në përputhje me ligjin ekzistues, brenda shtatorit të vitit 2010.

E drejta e pronarëve shqiptarë është dhe do të mbetet përparësi kryesore e Qeverisë së Integrimit Europian.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Shqipëri europiane mund të jetë vetëm ajo Shqipëri që ka zëvendësuar tërësisht infrastrukturën e botës së tretë me infrastrukturën moderne të standardeve europiane. Shqipëria, me sistem rrugor, porte, aeroporte, ujësjellës, kanalizime, trajtim të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, të standardeve më të mira europiane, është angazhimi ynë.

Në katër vjetët që shkuan, në mbarë vendin, ne ndërtuam rreth 6 mijë km rrugë, autostrada, rrugë kombëtare të standardeve ndërkombëtare, rrugë rurale dhe dytësore, ndër të cilat do të mbeten si monumente të infrastrukturës sonë: korridori i kombit, që vetëm vitin e parë, pa llogaritur kursimin në kohë, efektin në bumin turistik dhe shkëmbimin e mallrave, por vetëm kursimet në automjete dhe shpenzime të tjera të lidhura me to, do të sjellë një fitim prej rreth 70 milion euro në vit, rruga Dhërmi- Sarandë, e cila do të mbetet edhe kjo si rruga më panoramike e vendit.

Po të një rëndësie të veçantë janë dhe do të mbeten edhe autostradat Lushnjë-Fier, Korçë-Qafë Plloçë, Ura e Çerenecit-Bulqizë, Gjirokastër- Tepelenë, Vorë-Fushë-Krujë etj., etj. Gjatë këtij katërvjeçari janë për t’u ndërtuar edhe rreth 7 mijë km autostradë, rrugë kombëtare, rurale, dytësore, në fshatrat dhe qytetet e vendit.

Me infrastrukturën e re moderne të vendit ne kemi si objektiv madhor:

– përgjysmimin e distancës kohore me Tiranën nga çdo fshat dhe qytet i vendit;

– lidhjen brenda 15-25 minutash të qendrës së çdo komune të vendit me rrugën më të afërt kombëtare;

– lidhjen me rrugë të asfaltuar të çdo fshati me qendrën e komunës për një kohë prej rreth 15-20 minutash;

– dyfishimin e lidhjeve ndërkombëtare tokësore me Kosovën, Greqinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, duke ndërtuar rrugë të reja;

– ndërtimin e Portit të Vlorës, si një ndër portet më të mëdhenj të Mesdheut për kontenierë, si dhe ndërtime të tjera portuale.

– ndërtimin e një aeroporti të ri në Jugun e Shqipërisë;

– lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe hartimin e projektit për lidhje hekurudhore me Kosovën.

Ky katërvjeçar do të jetë, pra, katërvjeçari i përfundimit të rrjetit modern rrugor, që do të përgjysmojë distancën me Tiranën nga të gjitha skajet e vendit, Vermoshi e Konispoli, Saranda, Gjirokastra e Tropoja, Dibra e Korça. Brenda dy vjetëve që vijnë, do të përfundojnë këto autostrada: Rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tiranë- Elbasan, Qafë Plloçë-Qukës, Boshti i Jugut në trajektoren Elbasan-Belsh-Kuçovë-Berat-Kardhiq- Delvinë-Konispol-Sarandë, autostrada Fushë-Krujë- Ura e Limuthit, si dhe shndërrimi në katër korsi i autostradës Shkodër-Vlorë.

Brenda vitit 2013 do të përfundojë së ndërtuari Unaza e Madhe e Tiranës, unaza veriore dhe juglindore e vendit, me trajektore: Shkodër-Theth- Valbonë-Krumë- Kukës-Peshkopi-Librazhd-Kolonjë- Përmet-Delvinë; autostradat Fierzë-Koman, Shkodër-Vermosh, segmenti Berat-Memaliaj i boshtit të Jugut, si dhe disa mijëra kilometra rrugë turistike dhe rrugë rurale e dytësore në mbarë vendin.

Një objektiv tjetër ambicioz i Qeverisë sime është që brenda këtij katërvjeçari të ketë ujë 24 orë për familjet shqiptare, në fshat dhe qytet, duke ndërtuar apo rindërtuar rreth 800 ujësjellës në mbarë vendin,

Bumi turistik e ka shndërruar turizmin në degën kryesore ekonomike të vendit. Shqipëria pësoi në një kohë të shkurtër rritjen më të madhe turistike në rajon. Kush mund ta mendonte tre vjet më parë se Shqipëria në vitin 2009 do të priste rreth tre milionë turistë? Shqipëria turistike është një nga arritjet më të mëdha, më fatlume të kombit shqiptar.

Brenda vitit 2010 do të përfundojnë të gjithë ujësjellësit në ndërtim e sipër në zonat turistike bregdetare dhe do të nisë ndërtimi i ujësjellësve të mëdhenj për zonat turistike, duke filluar nga Kepi i Rodonit, Durrësi, Kavaja, Divjaka dhe do të merren masat për garantimin sa më parë të furnizimit me 24 orë ujë të kryeqytetit.

Po brenda vitit 2011 do të përfundojnë të gjitha impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, kanalizimet dhe landfield-et për mbetjet e ngurta, në të gjithë zonën bregdetare të vendit.

Brenda vitit 2011 do të përfundojnë masterplani për zonat turistike malore të Alpeve, vargmaleve të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Brenda këtij mandati do të ndërtohet infrastruktura rrugore që do të bëjë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të virgjëra turistike të tyre dhe të zonave të tjera turistike malore të vendit.

Zonja dhe zotërinj,

Mjedisi është jeta, ndaj edhe në projektin tonë të Shqipërisë europiane Qeveria është e vendosur të konsolidojë standarde europiane të mjedisit. Kështu, Shqipëria, që mban vendin e 27-të në botë për pastërtinë e mjedisit, duhet të ndërmarrë të gjitha reformat dhe vendimet për të mbrojtur dhe avancuar këtë pozicion. Në këtë kuadër, mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i mjedisit, do të mbeten shtyllë dhe objektiv kryesor. Investimet për mbrojtjen nga ndotjet të ajrit, ujit dhe mjedisit, në tërësi, do të dyfishohen. Kështu, për mbrojtjen dhe ruajtjen e pastërtisë së ajrit, në përputhje me standardet europiane, duke filluar nga 1 janari i vitit 2010, do të ndalohet tërësisht përdorimi i naftës D2, e cila shkarkonte në mushkëritë e shqiptarëve 7500 ton squfur në vit. Sektori i ndërtimit do të detyrohet të marrë të gjitha masat për pakësimin e grimcave të pluhurave në sheshet e ndërtimit.

Për përpunimin e ujërave të ndotura dhe mbrojtjen e pastërtisë së ujërave të brigjeve të deteve dhe liqeneve të vendit, do të përfundojë ndërtimi i 14 impianteve të mëdha të përpunimit të tyre. Përpjekje të mëdha po bëhen për të ndërtuar edhe landfield– et, por do të kalohet edhe në praktikat e djegies së mbeturinave të ngurta.

Zgjerimi i sipërfaqes së gjelbëruar dhe mbjellja e drurëve frutorë do të jetë një drejtim tjetër kryesor i punës sonë.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria mund të ndërtohet vetëm duke ndërtuar fshatin shqiptar europian, çka do të thotë që fermerët shqiptarë të kenë kushte jetese dhe pune, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, furnizim me ujë, kanalizime, mbështetje të gjithanshme për prodhimet e tyre, si dhe pensione të standardeve të vendeve europiane.

Në katër vjetët që shkuan, në infrastrukturën e zonave rurale të vendit, për prodhimin bujqësor dhe agrobiznesin u investuan rreth 1.6 miliardë dollarë. Gjatë mandatit të dytë, Qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje për të trefishuar investimet për infrastrukturën, nxitjen e prodhimit bujqësor, përpunimin e tij dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural të vendit. Do të ndërtohen dhe rindërtohen në zonat rurale, komunat dhe fshatrat e vendit, rreth 6 mijë km rrugë kombëtare rurale dhe dytësore. Qendra e çdo komune të Shqipërisë do të lidhet për 15-25

minuta me rrugët kombëtare. Do të ndërtohen dhe rindërtohen të gjitha shkollat e zonave rurale të vendit. Do të ketë internet me bandë të gjerë në të gjithë fshatrat e vendit dhe familjet shqiptare. Do të garantohet 24 orë ujë i pijshëm dhe do të ndërtohen sistemet e kanalizimit në mbarë fshatrat e Shqipërisë, do të ketë shërbime cilësore në shëndetësi, arsim dhe fusha të tjera. Qëllimi i gjithë kësaj është që në vitin 2013 fshatrat e këtij vendi të llamburisin njëlloj si lagjet e qyteteve të Shqipërisë.

Unë jam i bindur se është në interesin më të madh të fermerëve shqiptarë, të ekonomisë shqiptare dhe të zhvillimit të vendit, përcaktimi si objektiv kryesor dyfishimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral në Shqipëri në një hark kohor 6-vjeçar. Ky është një objektiv tejet ambicioz, i vështirë, por absolutisht i arritshëm dhe vendimtar, për të garantuar zhvillimin e harmonishëm ekonomik të vendit, luftën efikase kundër varfërisë.

Mendoj se arritja e këtij objektivi duhet të nisë me:

– ndërtimin e një sistemi të ri vaditës në mbarë vendin, duke kaluar nga presa dhe shati, te vaditja me pika apo në formë shiu. Shqipëria nën ujë – duhet të jetë motoja jonë;

– mbrojtjen e tokës nga kalbëzimi dhe erozioni, me një seri projektesh kullimi dhe anti-erozioni. Këto janë kushte për të fituar, gjatë viteve që vijnë, dhjetëra-mijëra hektarë tokë. Për të dyfishuar prodhimin, duhet që tokat e braktisura t’u jepen nga komunat me sistemin e të dhjetës atyre që dëshirojnë të punojnë.

Për dyfishimin e prodhimit bujqësor, Qeveria, përveç realizimit të projektit të mbjelljes në katër vjet të 20 milionë rrënjëve ullinj, do të nxisë dhe subvencionojë edhe mbjelljen e dhjetëra milionë rrënjëve vreshta, drurë frutorë, mollë, arra, gështenjë, kumbulla, lajthi, fiq, bimë aromatike, në përputhje me traditën dhe kushtet lokale.

Qeveria do të shumëfishojë grantet për nxitjen e prodhimit në zonat kodrinore, malore, për mbjelljen e drurëve frutorë, rritjen e sipërfaqeve me serra diellore dhe me ngrohje, si dhe kreditë e buta për zonat fushore.

Do të ketë një reformë të plotë të sistemit të certifikimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të vendit, zhvillim intensiv të akuakulturës në detet, liqenet dhe rezervuarët e vendit. Qeveria do të subvencionojë naftën për sipërfaqet e mbjella. Arsimi bujqësor në disa qarqe të vendit do të organizohet sipas modelit të shkollës amerikane dhe traditës së hershme shqiptare.
Në katër vjet, ne duhet të trefishojmë mbjelljen e drurëve frutorë. Pensionet e fermerëve do të barazohen me ato të qytetit.

Të nderuar deputete dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Më 4 prill 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, aleancës ushtarako-politike më të madhe të të gjitha kohërave. Kjo ngjarje shënon arritjen më të madhe historike për sigurinë e lirisë së atdheut tonë, që pas shpalljes së pavarësisë së tij në vitin 1912.

Shqipëria, anëtare e NATO-s, do të ketë në fund të vitit 2010 një ushtri tërësisht profesioniste, të ndërtuar mbi bazën e doktrinave dhe organizimin e forcave të armatosura të vendeve të NATO-s, e përgatitur dhe e aftë të realizojë misionin e saj kushtetues, si dhe të marrë pjesë me dinjitet dhe të kryejë me sukses çdo mision të Aleancës.

Qeveria do të sigurojë ndërveprimin dhe vënien në dispozicion të kapaciteteve të çdo ministrie dhe agjencie qendrore për plotësimin në kohë të Objektivave të Forcës, të cilat do të bëjnë të mundur integrimin e plotë të Forcave të Armatosura në strukturat e NATO-s deri në vitin 2019. Qeveria e Integrimit do të vazhdojë të mbështesë politikisht, financiarisht e me çdo mënyrë tjetër Forcat e Armatosura shqiptare për reformën më të madhe që ato kanë njohur në historinë moderne të shtetit shqiptar, duke përfunduar ndërtimin e strukturës më efikase të organizimit të tyre sipas modelit të ushtrive të NATO-s, përmes vënies në jetë të një sistemi eficient rekrutimi e trajnimi të personelit ushtarak e civil dhe një buxheti prej 2% të PBB-së në vit, si dhe përmes zbatimit rigoroz të tij gjatë gjithë katërvjeçarit të ardhshëm. Përmirësimi i kapaciteteve të bazave moderne ushtarake të përzgjedhura si pikat më të përshtatshme strategjike për dislokimin e Forcave të Armatosura do të shoqërohet me reduktimin e kapaciteteve të tepërta që prodhojnë kosto apo paraqesin rrezikshmëri, si reduktimi i depove të municioneve dhe shkatërrimi i një sasie prej 85.000 tonë municionesh të vjetruara e të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve, deri në vitin 2013.

Në vijim të traditës së shkëlqyer e të konsoliduar të bashkëpunimit në shërbim të paqes e sigurisë, me Aleancën, Shqipëria do të vijojë dhe zgjerojë kontributin e saj në misionet e drejtuara nga NATO- ja, BE-ja dhe OKB-ja dhe në operacione të tjera koalicionesh potenciale, do të rrisë pjesëmarrjen e

saj si në misionet e përhershme pranë NATO-s, ashtu edhe në agjencitë e strukturat e tjera të saj me personel ushtarak dhe civil të specializuar.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria europiane, ShqipëriaanëtareeNATO-s, do të vazhdojë një politikë të jashtme të paqes dhe do të forcojë edhe më tej rolin tashmë të konsoliduar të saj, si një kontribuese e rëndësishme e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Politika e jashtme e Qeverisë së Integrimit Europian do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm dhe të kontribuojë në frymën e dialogut dhe mirëkuptimit në të gjithë sistemin e organizatave ndërkombëtare e rajonale ku Shqipëria aderon, duke intensifikuar prezencën dhe pjesëmarrjen më aktive në veprimtaritë ndërkombëtare.

Republika e Shqipërisë do të vazhdoje të ruajë marrëdhënie shumë te mira politike dypalëshe me të gjitha vendet demokratike te botës. Konsolidimi i mëtejshëm dhe zgjerimi në të gjitha fushat i marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera dhe i bashkëpunimit të gjithanshëm me aleatin më të madh e strategjik të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara te Amerikës, do të vijojë të përbëjë një përparësi kryesore të politikës sonë të jashtme. Qeveria e Integrimit Europian do të zgjerojë dhe konsolidojë edhe më tej marrëdhëniet e ngushta e të shkëlqyera bashkëpunimin të gjithanshëm me të gjitha vendet partnere e aleate, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, si Francën, Gjermaninë, Italinë, Britaninë e Madhe, Spanjën dhe vende të tjera.

Republika e Shqipërisë do të ruajë marrëdhënie shumë te mira me vende mike si Japonia, Kina, India, Australia, Brazili, me të cilat është e gatshme të çojë më tej nivelin e tyre dhe të intensifikojë shkëmbimet në të gjitha fushat.

Në rajon, Qeveria e Integrimit Europian do të vazhdojë t’i konsiderojë si strategjike marrëdhëniet e shkëlqyera dhe zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm me Italinë dhe Greqinë, vende anëtare të NATO-s dhe BE-së, të cilat përbëjnë partneret kryesore tregtare të vendit tonë. Tradita e shkëlqyer e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore me Turqinë mike e aleate në NATO do të vijojë të thellohet në kushtet e reja të angazhimeve të përbashkëta te sigurisë, paqes dhe të zhvillimit ekonomik.

Marrëdhëniet me Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Rumaninë dhe vende të tjera në rajon, si dhe me Serbinë, do të kenë një rëndësi të veçantë në politikën tonë të jashtme dhe aksionin diplomatik të Shqipërisë. Qeveria do të punojë për të kthyer në tërësisht funksionale Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, Tregun e Përbashkët të Energjisë, infrastrukturat e rrjeteve energjetike e të transportit në rajon etj.

Të nderuar deputete dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Qeveria e Integrimit Europian do të mbështesë fuqishëm njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Historia e jetës së Kosovës së pavarur dëshmon se Kosova e lirë dhe e pavarur është një faktor madhor kyç i paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Qeveria jonë është e angazhuar t’i japë Kosovës të gjithë ndihmën e mundshme për konsolidimin e institucioneve të saj, t’i japë asaj të gjithë ndihmën e mundshme që ekonomia e saj të rimëkëmbet me shpejtësinë më të madhe. Autostrada që e lidh me portet e Shqipërisë është një ndihmë e madhe, por, natyrisht, Porti i Shëngjinit, që ne do t’ia ofrojmë së shpejti Qeverisë së Kosovës, përbën një lehtësi tjetër për konsolidimin e pavarësisë së këtij shteti. Duhet theksuar se konsolidimi dhe njohja e Kosovës së pavarur në arenën ndërkombëtare mbetet një nga objektivat e politikës sonë të jashtme. Theksojmë edhe një herë se njësimi i standardeve me vëllezërit tanë në Kosovë dhe me vendet përreth është një qëllim madhor i politikës dhe i qëndrimit të Shqipërisë. Unë besoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, por edhe me Malin e Zi dhe Maqedoninë, si vende me hapësira të kufizuara, janë në interesin më jetik për zhvillimin e tregut, biznesit, afarizmit, turizmit dhe ekonomisë së këtyre vendeve.

Qeveria e Integrimit Europian e konsideron diasporën shqiptare si një vlerë të madhe kombëtare, si pjesën, si gjakun shprishur. Shqiptarët kudo në botë kanë të drejtën e përkujdesjes së shtetit shqiptar, kanë kontributin e tyre thelbësor në të gjitha zhvillimet e mëdha kombëtare që nga Rilindja deri në pavarësinë e Kosovës, ndaj dhe ne zotohemi të bëjmë çdo përpjekje për të intensifikuar komunikimin me shqiptarët kudo që ndodhen. Këto katër vjet ne do të hapim shtëpitë kulturore shqiptare, do të punojmë së bashku me opozitën për t’u dhënë të drejtën e votës kudo që ata janë. Ligji për blerjen e tokës ishte vetëm një hap në drejtim të solidifikimit të diasporës. Hapa të tjerë të rëndësishëm do të ndërmerren. Diaspora duhet të shndërrohet në një faktor madhor të bashkëpunimit të Shqipërisë me vendet ku ajo jeton dhe punon.

Të nderuar deputete dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Zonja dhe zotërinj,

Udhërrëfyesi më i shkëlqyer, modeli më efikas, synimi dhe destinacioni final e i pazëvendësueshëm i Qeverisë së Integrimit Europian është dhe mbetet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky program që po paraqesim para jush dhe gjithë shqiptarëve bazohet në tërësinë e tij dhe ka si shtyllë arritjen e standardeve të prag-pranimit të Shqipërisë anëtare e Bashkimit Europian.

Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit më 1 prill 2009, Qeveria e Integrimit Europian do të punojë në tri plane: së pari, duke zbatuar në çdo nen të saj detyrimet në kuadër të dialogut politik e bashkëpunimit rajonal, perspektivës së afërt të vendosjes së zonës së tregtisë së lirë me BE-në, përafrimit të legjislacionit tonë me acqui communitaire dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera që mbulon kjo marrëveshje, së dyti, duke u përqendruar në mirëfunksionimin e mekanizmave të dialogut të ndërsjellë që monitorojnë zbatimin e MSA-së, si Këshilli i Stabilizim-Asociimit, Komiteti i Stabilizim-Asociimit dhe nënkomitetet, duke monitoruar shkallën e zbatimit të MSA-së përmes përditësimit të vazhdueshëm të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe, së fundi, përmes forcimit të bashkëpunimit të hapur dhe të plotë me Këshillin Europian, Komisionin Europian, Parlamentin Evropian dhe të gjitha institucionet e tjera të Bashkimit Europian dhe të gjitha vendet e tij anëtare, për një Shqipëri që ndryshon çdo ditë dhe që po europianizohet në çdo qelizë.

Në këtë kontekst, objektivi më madhor i Qeverisë së Integrimit Europian për katër vjetët e ardhshëm është realizimi i ëndrrës së qytetarëve shqiptarë për lëvizje të lirë në hapësirat europiane, si dhe përfitimi i statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë që për lëvizjen e lirë pesha kryesore e punës bie mbi 5 institucione qendrore, për dy pikat e tjera të axhendës do të jetë i angazhuar, absolutisht, çdo institucion qendror, në të gjitha nivelet, deri te specialistët më të thjeshtë. Plotësimi i pyetësorit të KE-së do të jetë një sfidë e vërtetë për administratën shqiptare, por ne do ta kryejmë me sukses. Ministria e Integrimit Europian, koordinatore kryesore e këtij procesi, por edhe Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme, do të kenë në dispozicion të gjithë ekspertizën dhe autoritetin e nevojshëm për të kurorëzuar me sukses këto objektiva madhore brenda këtij mandati. Dëshiroj të shfrytëzoj solemnitetin e këtij momenti, duke ju drejtuar juve, deputetë të nderuar të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, me premtimin se kjo Qeveri e Integrimit Europian do të bëjë çdo përpjekje, do të ndërmarrë çdo reformë dhe çdo masë tjetër apo angazhim politik, institucional, ligjor e financiar, për të bërë të mundur brenda vitit të parë të këtij mandati që Shqipëria ta meritojë vendimin për heqjen e vizave me BE-në dhe më gjerë, të iniciojë negociatat për anëtarësim të plotë në BE, duke kurorëzuar ëndrrën shekullore të kombit për rikthim dhe ribashkim me familjen e përbashkët të vlerave europiane. Falemnderit!

(Durtrokitje)

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi