Decentralizimi, cilat janë kompetencat e reja të vendorëve

Nga Suela Topi, botuar në Shekulli, 9 gusht 2015

PicMonkey-Collage15-620x514

61 kryebashkiakët e rinj njihen me kompetencat shtesë që do të kenë në kuadër të ndarjes së re territoriale. Në një takim të thirrur nga kryeministri Edi Rama, ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi prezantoi kompetencat e reja që do të ketë krerët e njësive vendore që kanë të bëjnë me arsimin parashkollor, mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe një pjese të rrugëve rajonale që janë pjesë e bashkisë, shërbimin zjarrfikës, fondin e ndihmës ekonomike, pyjet dhe kullotat, rrjetin e kanaleve vaditëse dhe ato të kullimit si edhe bashkëkontrollin e personelit mjekësor në qendrat shëndetësore. Ndërsa kryeministri Rama theksoi se qeveria do të bashkëpunojë me çdo bashki dhe me çdo të zgjedhur pa dallime partiake, por do të bazohet në çdo hap në parimin e reciprocitetit në raport me detyrimet e ndërsjella mes saj dhe qeverisjes vendore.

Takimi

“Në marrëdhëniet tona nuk ka parti dhe nuk ka pengesa të krijuara nga lufta e natyrshme politike mes forcave të ndryshme politike që ne përfaqësojmë fatmirësisht apo fatkeqësisht, varet nga këndi reciprok i vështrimit. Arsyeja pse dëshirova që të ishim këtu sot lidhet me domosdoshmërinë që së bashku ne të çelim një dialog intensiv, për të finalizuar paketën e parë të reformës të decentralizimit, si një paketë që sot pas ndarjes së re administrativo-territoriale është më e domosdoshme se kurrë më parë”, theksoi kryeministri në takimin me vendorët. Duke sjellë në vëmendje se si ish-kryebashkiak e njihte mirë presionin e komunitetit mbi kryetarin e bashkisë por edhe domosdoshmërinë për të pasur më shumë kompetenca, ai theksoi se prandaj është e nevojshme që procesi i decentralizimit të thellohet më tej.

Në kuadër të këtij procesi, kryeministri konsideroi si domosdoshmëri reformën e ujit, luftën kundër informalitetit por dhe miradministrimin e borxheve të lënë ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Ndërsa ministri Çuçi u ndal konkretisht në kompetencat e reja që do të kenë kryebashkiakët. “Faza e parë e transferimit të kompetencave do të thotë se pushtetit vendor i kalon arsimi parashkollor, menaxhimi i rrugëve rurale dhe asaj pjese rajonale që është pjesë e bashkisë, shërbimi zjarrfikës, Fondi Ndihmës Ekonomike, pyjet dhe kullotat brenda territorit të bashkisë, rrjeti kanaleve ujitëse si edhe bashkëkontrolli për shërbimin shëndetësor”, tha ministri.

Ndërsa kryeministri Rama duke marrë sërish fjalën, kërkoi kontributin e çdo kryebashkiaku për një menaxhim sa më të mirë të pushtetit vendor. “Ministri dhe ministria janë për të ndërtuar politika në bazë të vizionit të programit të qeverisë, për të ndërtuar standarde dhe për t’i monitoruar këto standarde. Nuk mund të bëjnë edhe punëtorin edhe supervizorin e vetvetes. Ndërkohë që, agjencitë ekzekutive ndër të cilat bashkitë janë kryesoret në këtë proces”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se kryebashkiakët duhet të kenë më shumë forcë ligjore edhe sa i përket menaxhimit të tokës. “Dhënia e titujve të pronësisë në fshat duhet të jetë një qëllim i përbashkët, sepse do ta keni të pamundur të mbështesni zhvillime në territorin e fshatit nëse njerëzit nuk kanë tituj pronësie”, – theksoi ai. Rama shtoi se shumë shpejt Shqipëria do të ndahet në disa rajone, edhe në kuadër të menaxhimit të burimeve natyrore dhe të aseteve. “Nuk flasim për qarqe, nuk flasim për bashki, por flasim për rajone menaxhimi, në bazë të disa modeleve shumë të suksesshme të BE-së.

Praktikisht, këtë reformë ne e kemi punuar intensivisht për rreth një vit me ekspertizën e Landit më të suksesshëm, jo të Austrisë, por të BE-së, në thithjen e fondeve strukturore nga BE. Ajo do të na ndihmojë që së bashku të ulemi dhe të përcaktojmë se cilat janë prioritetet, në nivelin e një rajoni ekonomik, përveçse cilat janë problemet dhe nevojat”, – theksoi Rama. Ai garantoi se ekzekutivi nuk do të ndërhyjë por do të monitorojë. “Askush nuk do të fusë hundët në administrim, por qeveria do të ruajë të drejtën të vendosë standardet dhe të monitorojë”, – deklaroi ai. Rama garantoi se çdo bashki që do të performojë siç duhet nga pikëpamja financiare, do të ketë incentiv për të marrë më shumë.

Takimi, kryebashkiakët e PD-së shprehen të zhgënjyer

Takimi i kryeministrit Edi Rama me 61 kryebashkiakët e rinj nuk ka plotësuar pritshmëritë e të zgjedhurve të djathtë të bashkive në vend, të cilët janë shprehur të zhgënjyer pas mbledhjes. “Në fazën që jemi kjo nuk është reformë, janë një gështenjë e nxehtë në dorën e qeverisë e cila për të mos djegur dorën e saj ja ka kaluar pushtetarëve vendor. Ne prisnim të kishte diçka më shumë për ligjin e pushtetit vendor”, – u shpreh kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.

Sipas tij kryebashkiakët në sallë ishin vetëm shikues dhe mbledhja, tha Frrokaj. E vetmja gjë që ai cilëson si pozitive nga takimi është tentativa për ngritjen e një shoqate për krerët e bashkive. Edhe kreu i bashkisë së Mallakastrës ironizoi rezultatet e takimit. “Falënderoj kryeministrin që më në fund na njohu si kryebashkiakë. Sa herë që të ketë ftesa nga kryeministri do të jemi të pranishëm të marrim, të japim mendimet”, tha Agron Kapllanaj. Sipas tij takimi ishte i njëanshëm. “Sot ishte takim i njëanshëm se vetëm dëgjuam. Në momentin që duhej të flisnim, kryeministri dhe ministrat e kishin axhendën shumë të ngjeshur. Nga një takim që duhej të ishte, përfundoi vetëm me një sugjerim për të krijuar shoqatën e kryebashkiakëve”, tha kryetari i bashkisë së Mallakastrës.

Kompetencat e reja

Arsimi parashkollor. I gjithë personeli i kopshteve do të jetë nën administrimin e plotë të bashkisë. Ky proces do të shoqërohet me transferimin e plotë të burimeve financiare që mbulojnë këtë administrim.

Mirëmbajtja dhe pronësia e rrugëve rurale dhe një pjesë të rrugëve rajonale që janë pjesë e bashkisë. Edhe kjo do të shoqërohet me fondin përkatës të akorduar nga shtetit.

Shërbimi zjarrfikës do të jetë tërësisht në funksion të bashkive të reja. I gjithë rrjeti bashkë me kompetencat dhe detyrimet.

Fondi i ndihmës ekonomike do të decentralizohet, me kushtin që pjesë e këtij fondi që nuk shfrytëzohet si pjesë e rishikimit të listave dhe emrave fiktivë që ndodhet këtu të shkojë për qëllime sociale brenda bashkisë përkatëse.

Pyjet dhe kullotat me natyrë vendore. Parqet me karakter kombëtar do të jenë nën administrimin e qeverisë.

Rrjeti i kanaleve vaditëse dhe të kullimit. Jemi në bisedimet e fundit për këtë çështje.

Bashkëkontrolli për personelin mjekësor dhe qendrat shëndetësore.

Auditi i bashkive, nënshkruhet marrëveshja me “Grant Thornton”

Qeveria shqiptare nënshkroi dje me “Grant Thornton”, kontratën për auditimin e financave të pushtetit vendor. Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë si një projekt strategjik që u vjen në ndihmë vendorëve. “Një ndër kompanitë më të mëdha ndërkombëtare të auditimit do të vërë në dispozicion të gjithë kryetarëve të bashkive jo vetëm një dokumentacion shterues lidhur me gjendjen aktuale të financave dhe të aseteve të njësive të reja administrative, por dhe një dije të re mbi mënyrën sesi në të ardhmen duhet të mbahen librat e llogarive dhe si duhet punuar me librat e llogarive jo thjesht për të mbajtur inventar por për të ndërtuar politika zhvillimi”, – u shpreh Kryeministri.

Ndërsa Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi thekson se me nënshkrimin e kësaj kontrate, 61 bashkitë e reja duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, do të mund të bëjnë një vlerësim të saktë të borxheve të prapambetura, inventarit të aseteve dhe pasurive publike si edhe vlerën e tyre tregtare. “Sot fillon një proces i rëndësishëm drejt konsolidimit të bashkive të reja nga pikëpamja financiare-administrative. Në përfundim të këtij procesi do të kemi një ent publik, bashki e re duke ditur sa borxhe kemi nga të gjitha bashkitë që na bashkohen, duke ditur inventarin e aseteve dhe vlerën tregtare të pasurive publike që menaxhohen nga bashkitë tuaja, duke ditur hapësirën mes planifikimit buxhetor dhe të ardhurave të bashkisë”, deklaroi ministri.

Në aspektin organizativ kontrata e nëshkruar garanton që administratat të mund të bëjnë një rishikim dhe përshkrim të detajuar të përgjegjësive të çdo sektori, të burimeve njerëzore si edhe të çdo çështjeje ligjore ku bashkitë e reja janë të përfshira. Protokoll-arkiva dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK) do të jenë një nga sektorët që do t`i nënshtrohen një analize të thelluar gjatë periudhës së konsolidimit. Kontrata u nënshkrua nga Drejtoresha e UNDP-së, Yesim Oruc dhe partneri i “Grant Thornton” në Shqipëri, Kledian Kodra, gjatë një ceremonie zyrtare ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, përfaqësues të Grant Thornton International, donatorët dhe partnerët kryesorë ndërkombëtarë dhe kryebashkiakët e vendit.

Reforma e ujit, Haxhinasto prezanton pikat kryesore

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, sqaron pikat kryesore te reformës së ujësjellësve si dhe kompetencat e reja të kryetarëve të bashkive në lidhje me Ujësjellës-Kanalizimet. Duke folur në takimin e zhvilluar në kryeministri, pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi asistencën teknike dhënë njësive vendore, në prani të 61 të zgjedhurve të rinj vendore, ministri sqaroi si do të jetë struktura e re e ujësjellësve në gjithë vendin por dhe rolin e kryetarëve të bashkive. “Kryetari i bashkisë do të jetë drejtuesi i Asamblesë së Administrimit të Ndërmarrjes dhe do të marrë përgjegjësi për përzgjedhjen e 3 drejtuesve kryesore të ndërmarrjes. Nëse performanca nuk do të jetë e mirë atëherë do i merret administrimi duke ia kaluar ose një bashkie tjetër ose do e marrë nën administrim qeveria.

Ndërmarrjet e ujësjellësit do të kthehen në kompani të bashkive me të cilat bashkitë do të bëjnë para”, – deklaroi ministri. Ndërkohë që sfidë e madhe për ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës është reduktimi i humbjeve, pasi sistemi ka një humbje prej 67 % të ujit që prodhohet. Aksion kryesor do të jetë ndërprerja e lidhjeve të paligjshme që do sjellë efekte pozitive në uljen e humbjeve dhe përmirësimin e furnizimin me ujë. Haxhinasto theksoi se nuk do të ketë më subvencionime për ujësjellësit, por ato do të shkojnë për kompensimin e personave në nevojë. Ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve do të duhet të përmbushin kriteret e vendosura në një kontratë me qeverinë. Pjesë e reformës do të jetë edhe zgjedhja mbi bazë kriteresh e drejtuesve të ujësjellësve.

Gjiknuri: Bashkive që nuk performojnë do t’u ndërpriten fondet

Çdo bashki duhet të performojë sipas standardeve dhe detyrimeve ligjore në rast të kundërt nuk do të përfitojë fonde nga qeverisja qendrore. Pohimi u theksua dje nga ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri. Ai premtoi ndërkohë një skemë të re që bashkitë të mund të shpëtojnë nga borxhet e akumuluara për energjinë. “Ne kemi menduar që t’iu vijmë në ndihmë për borxhet e akumuluara edhe me një skemë të ngjashme siç e aplikuam me klientët familjarë. Jemi të gatshëm për të bërë një lloj marrëveshje për t’iu lehtësuar, për t’iu incentivuar në lidhje me kamatat, në mënyrë që të kompensojmë principalin.

Kryeministri e tha se jemi në një proces në zhvillim, por do të detyrohemi më vonë që të shkojmë deri në masat drastike. Ky proces nuk mund të vazhdojë me logjikën se “unë jam bashki dhe nuk kanë çfarë të më bëjnë, nuk do të më ndërpresë energjinë elektrike pasi krijohet një problem social”. Jo! Kjo mënyrë administrimi nuk pranohet! Realisht, nëse bashkitë vazhdojnë të mos performojnë edhe për shkak të keqmenaxhimit të tyre, mund të shkohet deri aty sa të kushtëzohen buxhetet të cilat alokohen nga qeverisja qendrore”, – tha ai. Gjinkuri kërkoi më tej bashkëpunimin e kryebashkiakëve që të eliminohet çdo keqmenaxhim i energjisë.

“Shpeshherë konstatohet vjedhja. Dua ta them se në disa raste ky fenomen ndodh në bashkëpunim edhe me punonjës të Operatorit, raste të cilat ne po investigojmë. Unë do të doja bashkëpunim nga kryetarët e bashkive, që nëpërmjet strukturave edhe jashtë OSHEE-së, siç është Task-Forca e varur nga Ministria Energjisë, të investigojmë raste të caktuara. Ne kërkojmë bashkëpunimin tuaj në këtë drejtim. Do krijojmë lehtësirat e nevojshme, por nga ana tjetër nuk mund të jeni klientët që asnjëherë nuk do të penalizoheni. Do të ishte shumë kollaj ndërprerja e energjisë elektrike dhe në fund të fundit do të jesh i detyruar ta paguash atë”, – tha ai.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi