Shqipërisë i nevojitet planifikimi territorial

Nga Gentian Kaprata, botuar në Mapo, 8 shtator 2015

gentian-kaprata-150x150Rreth dy vjet më parë, “Kryeministri i votuar” Rama startoi diskursin e tij me tematikën e zhvillimeve ndërtimore në territor. Një gjë shumë e mirë kjo, në parim, po të kemi parasysh sa keq janë trajtuar burimet natyrore e territoriale të vendit. Veçanërisht për një vend si Shqipëria, që ende pas 25 vjetësh nuk po kupton rëndësinë që ka për një vend në tranzicion zhvillimi i qëndrueshëm, i zgjuar dhe gjithëpërfshirës i territorit. Gjë që merr kuptim jo vetëm në aspektin mjedisor për një dimension të të cilit flasim shpesh, por edhe në aspektin ekonomik, social dhe politik, për të cilët flasim rrallë për të mos thënë asfare. Mirëpo, edhe ligjërimi kryeministror, që më tej u kthye në aksione, masa dhe veprime qeverisëse, nuk na hapi një derë të re. Përkundrazi, e dëmtoi rëndë procesin e ndërtimit të një kulture tjetër të zhvillimit të territorit, duke e kthyer mbrapsht dhe akoma më larg targetit kombëtar që duhet të kishim. Për qasjen e mbrapshtë të qeverisjes Rama, ne kemi folur dhe do flasim përsëri, porse e rëndësishme është të përcaktojmë disa nga piketat kryesore që mund të na çojnë në një qasje tjetër ndaj zhvillimeve në territor.

Shqipërisë territoriale i nevojitet një qëndrim i ri politik mbi shpërndarjen e banorëve nëpër territorin kombëtar. Është bazike të kuptohet se, sa më njëtrajtshmërisht të jenë vendosur banorët nëpër territor, aq më mirë është. Së pari në dimensionin patriotik. Ndërsa flasim pafund për kufijtë, duket se kemi harruar territoret që kufizon ky kufi. Territore që prej vitesh po i lëshojmë. Së dyti, në aspektin urban. Një qasje e tillë pengon një nga problematikat më të mëdha të tranzicionit, sikurse është zhvillimi i qendrave të banuara në dy tipologji diametrikisht të kundërta: superqytetet e mbipopulluara dhe qendrat e nënpopulluara urbane. Të dyja me kosto shumë të larta, publike dhe private, për sigurimin e një cilësie të pranueshme jetese. Së treti, në aspektin ekonomik. Ekonomia shqiptare ka nevojë të dëshpëruar të ridimensionohet nga ekonomitë prodhuese, ndërkohë, burimet natyrore dhe territoriale po shpopullohen nga banorët që duhet t’i bëjnë ekonomikisht eficiente. Pa harruar aspektet mjedisore dhe sociale, Shqipërisë i duhet një set politikash për të rishpërndarë në mënyrë të balancuar popullsinë në territor.

Shqipërisë territoriale i nevojitet një sistem i ri rregullator për zhvillimet në territor. Një sistem i mbështetur në parimet e qeverisë së mirë urbane. Dhe jo për nevojën e “përshtatjes së legjislacionit” me atë të BE-së, por për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, të zgjuar dhe gjithëpërfshirës të territorit. Një sistem që detyron çdo zhvillues të pajiset me leje për çdo punim që do të kryejë. Leje të shumëllojshme, të grupuara sipas ndikimit në mjedis, dhe për secilin grup nga një procedurë të veçantë administrative, të cilat të konsistojnë në verifikimin nga administrata të përputhshmërisë së kërkesës së zhvilluesit me planet e miratuara më pare, dhe të jenë sa më të shkurta në kohë dhe me kosto sa më të ulët për kërkuesin, në varësi të llojit të punimit. Verifikim që kthehet në përgjigje të nënshkruar nga titullari i institucionit që ka juridiksion atë çështje apo atë territor. Një situatë e tillë lehtësuese do e bënte të pamundur nevojën e ndërtimtarisë pa leje dhe do siguronte një zhvillim me dimension të plotë mjedisor, social dhe ekonomik. Por, do të kthente në domosdoshmëri jetike planet territoriale të miratuara më parë.

Shqipërisë territoriale i nevojitet një kaskadë procesesh planifikuese. Procese që sigurojnë hartimin e instrumenteve të planifikimit territorial të të gjitha llojeve, niveleve qeverisëse dhe klasifikimesh. Sepse, në fund të fundit, planifikimi territorial është procesi që u jep kuptim gjeografik (territorial) politikave ekonomike, mjedisore dhe sociale nëpër procese demokratike e gjithëpërfshirëse të palëve të interesuara dhe publikut. Ku burokratët dhe ekspertët kanë detyrën e vetme, të furnizojnë takimet me informacione të gjendjes ekzistuese e praktikave të eksperiencave të mëparshme dhe të përfaqësojnë në këto procese brezat e ardhshëm dhe palët e papërfshira. Kjo i duhet Shqipërisë territoriale, zhvillim mbi planifikim dhe planifikim gjithëpërfshirës! Jo sepse na e thonë të gjitha raportet ndërkombëtare, por sepse vetëm një planifikim gjithëpërfshirës për palët e interesuara, orientues për investimet, ciklik e vetëpërsëritës për të lejuar korrigjimet nga inovacionet, siguron qëndrueshmërinë e planifikimit. E cila siguron qëndrueshmëri të zhvillimit në termat socialë, mjedisorë e ekonomikë, por edhe në termat politikë.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan