Pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Europian nuk do të ishte i plotë

Nga Sebastian Kurz dhe Frank-Walter Steinmeier, Forumi i Vjenës, 27 gusht 2015

duo

Deklaratë e përbashkët e Ministrave të Jashtëm të Austrisë dhe Gjermanisë, Sebastian Kurz dhe Frank-Walter Steinmeier mbi Konferencën e Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë

20 vjet pas luftërave në Ballkanin Perëndimor, rajoni është në paqe dhe të gjitha vendet e tij po përpiqen të bëhen anëtare të BE-së. Megjithatë, progresi i jashtëzakonshëm i arritur nuk duhet të merret si i mirëqenë. Stabiliteti i rajonit ende qëndron mbi themele të paqëndrueshme dhe varet kryesisht nga mbështetja e Bashkimit Europian.

Perspektiva e anëtarësimit në BE deri më tani ka qenë nxitësi i vetëm më i rëndësishëm për zbatimin e reformave të vështira por të domosdoshme dhe për përpjekjet e vazhdueshme të pajtimit në rajon. Angazhimi ynë për t’i dhënë Ballkanit Perëndimor një perspektivë europiane mbetet çelësi për të siguruar stabilitet jetëgjatë në rajon dhe për të kompletuar transformimin e sistemeve politike, ekonominë dhe shoqëritë e rajonit. Paqja, stabiliteti dhe demokracia në vendet e Ballkanit Perëndimor janë në interesin strategjik të Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 nga Gjermania dhe i vazhduar këtë vit nga Austria, shton energji të ripërtërira dhe ripohon angazhimin tonë për këtë perspektivë.

Samiti i Vjenës më 27 gusht është i dyti në një seri prej pesë samitesh të planifikuara deri në vitin 2018. Ashtu si në samitin e parë në Berlin, Samiti i Vjenës do të bashkojë kryeministrat, ministrat e jashtëm dhe ministrat e çështjeve ekonomike të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të gjitha palët relevante nga Bashkimi Europian dhe institucionet ndërkombëtare. Objektivi i tij është i trefishtë: së pari, të nxjerrë në pah përparimin e madh të arritur në rajon; së dyti: të rikonfirmojë dhe përforcojë perspektivën europiane të të gjitha vendeve të rajonit, dhe së treti: të përshpejtojë reformat, të rritë mundësitë ekonomike dhe të inkurajojë bashkëpunimin në rajon.

Vitin e kaluar në Berlin, ne ramë dakord të përqendrohemi në projekte konkrete, kjo sepse popujt e Ballkanit Perëndimor presin përfitime të prekshme në rrugën drejt Bashkimit Europian, në fusha të tilla si konjektiviteti, punësimi, arsimi, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe demokracisë.

Si një shtyllë e zhvillimit ekonomik, udhëheqësit rajonalë kanë rënë dakord për një rrjet bazik rajonal të transportit dhe korridoret përkatëse. Komisioni Europian është i gatshëm të japë 1 miliard euro deri në vitin 2020 në mbështetje të kësaj përpjekjeje. Kjo do të ndihmojë që vendet e Ballkanit Perëndimor të lidhen më mirë me njëri-tjetrin dhe BE-në. Ne gjithashtu duam të ndihmojmë në krijimin e perspektivave të reja ekonomike për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. Austria si dhe Gjermania ofrojnë ekspertizë efektive në këtë fushë, për shembull me anë të sistemeve të tyre të dyfishta të arsimit profesional. Në Samit do të prezantohet një nismë rajonale shkëmbimi rinor bazuar në modelet shumë të suksesshme franko-gjermane dhe polako-gjermane. Kjo duhet të kontribuojë në shembjen e mureve ende ekzistuese në mendjet e të rinjve si edhe të nxisë pajtimin.

Një shoqëri e gjallë civile dhe media të lira janë shtyllat themelore të çdo demokracie moderne dhe të suksesshme. Forumi ynë i Shoqërisë Civile do të nxjerrë në pah vlerën e tyre të shtuar si forume për debat dhe zgjidhje paqësore të çështjeve sociale, si dhe rolin e tyre thelbësor për t’i kërkuar llogari qeverive.

Nuk ka dyshim se ka ende shumë për të bërë, sikurse kanë treguar incidentet e padëshirueshme të ndodhura këtë vit në Srebrenicë dhe sfidat e emigrimit që sapo janë krijuar. Megjithatë, ka edhe një larmi mbresëlënëse historish të suksesshme. BE-ja ka sjellë Serbinë dhe Kosovën në tavolinën e bisedimeve. Ata kanë përparuar shumë në rrugën e një normalizimi të plotë të marrëdhënieve mes tyre. Meqë ka ende shumë pyetje të cilat duhet ende të trajtohen, ne inkurajojmë lidershipin e Serbisë dhe Kosovës për të vazhduar me përkushtimin e tyre. Puna e mirë aktuale e Komisionerit Hahn në Shkup ka çuar në një marrëveshje mes partive kryesore politike. Iu bëjmë thirrje palëve të hapin rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në prillin e ardhshëm duke zbatuar shpejt dhe të gjitha reformat e brendshme të nevojshme, duke krijuar kështu më shumë mundësi të barabarta për të gjithë pretendentët politikë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, qasja e ripërtërirë e BE-së ka kontribuar në fokusimin në reformat social-ekonomike, nga të cilat do të përfitojnë të gjithë qytetarët e vendit. Këta shembuj tregojnë se angazhimi i Bashkimit Europian ka një ndikim pozitiv në kapërcimin e situatave më të vështira.

Konferenca do t’i kushtojë vëmendje të veçantë faktit se rruga e Ballkanit Perëndimor është bërë rruga kryesore e një numri në rritje të refugjatëve që kërkojnë mbrojtje në Europë. Ngjarjet e fundit në qytetin kufitar maqedonas të Gjevgjelisë janë një dëshmi e kësaj. Këto zhvillime krijojnë sfida të mëdha për menaxhimin e kufijve dhe sistemeve të azilit në disa vende të Ballkanit Perëndimor, si dhe në shtetet anëtare të BE-së. Vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu do të duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre në adresimin e këtyre sfidave. Por ato nuk janë të vetëm: Në Vjenë do të diskutojmë se si Bashkimi Europian, si edhe shtetet individuale, anëtare të BE-së, mund të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për të përmirësuar menaxhimin e kufijve dhe sistemeve të azilit.

Më 27 gusht, ne do të ripërtërijmë me këmbëngulje angazhimin tonë ndaj perspektivës evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të sigurojmë për mbështetjen tonë të vazhdueshme në këtë rajon. Dera drejt Bashkimit Europian duhet të mbetet e hapur për rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të sigurohemi se Bashkimi Europian mbetet projekti i paqes më i suksesshëm në botë. Pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Europian duket qartë se nuk do të ishte i plotë.

Kemi besim se Samiti në Vjenë dhe Procesi në vazhdim i Berlinit do të kontribuojnë në qëllimin përfundimtar të anëtarësimit në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Austria dhe Gjermania do të vazhdojnë të mbështesin plotësisht e pa rezerva të gjitha përpjekjet në këtë drejtim.

*

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi