Të ulen taksat për biznesin e vogël

Intervistë nga Prof. Dr. Adrian Civici për “Gazeta Shqiptare”, 25 gusht 2015

Ardian-CiviciUlja e taksave për biznesin e vogël është e mundshme në kushtet e ekonomisë shqiptare, ku vetëm 5% e të ardhurave në buxhet vijnë nga ky sektor. Ndërkohë aksioni anti-informalitet cilësohet si nevojshëm dhe me pritshmëri pozitive nga Prof. Dr. Adrian Civici, president i UET-së. Sipas Civicit, në kushtet kur ekonomia në zonë ‘gri’ përbën 40-50% të bizneseve në vend, duhet parë me pozitivitet lufta pa kompromis kundër informalitetit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Prof. Dr. Adrian Civici shpjegon avantazhet e nismës së qeverisë dhe pritshmëritë prej saj.

Çfarë përfaqëson në thelbin e saj ekonomia informale dhe pse konsiderohet kaq e rrezikshme për zhvillimin ekonomiko-social të një vendi?
Koncepti dhe praktikat “informale” në ekonomi janë të shumta. Në thelbin e saj, “ekonomia informale” mund të përkufizohet si tërësia e aktiviteteve ekonomike, financiare, shërbimeve, transaksioneve etj., të cilat zhvillohen jashtë çdo kontrolli shtetëror, jashtë çdo rregulli ekonomik e social, jashtë çdo efekti fiskal e statistikor, etj. Efektet negative të informalitetit kanë të bëjnë me: konkurrencën e pandershme që ato provokojnë në të gjithë segmentet e tregut ku veprojnë apo janë prezentë, me pamundësinë që statistikat ekonomiko-financiare e sociale të një vendi të jenë të sakta dhe të ofrojnë informacionin e duhur për politikat që duhen ndërmarrë, me fshehjen e një pjese të rëndësishme të PBB.

Është lehtësisht i manipulueshëm në procesin e pastrimin e parave dhe ekonomisë kriminale, krijojnë shmangie të konsiderueshme nga tatimet dhe taksat, duke cenuar rëndë të ardhurat publike buxhetore; fshehin shfrytëzimin e punonjësve dhe moszbatimin e kodit të punës; janë kontingjentet më të prirura drejt korrupsionit dhe klientelizmit politik etj. Ekonomia informale është prezente në të gjitha vendet e botës, të zhvilluara apo në zhvillim, të pasura apo të varfra. Shifrat variojnë nga nivelet 8- 40% në vendet e pasura e të zhvilluara të BE, SHBA, apo ato të OCDE në tërësi, deri në nivelet 40-80% në vendet e varfra dhe ato të pazhvilluara apo në zhvillim të Afrikës, Amerikës Latine, Azisë, etj. Siç shihet, me nivelin tashmë të deklaruar si nga qeveria shqiptare, ashtu dhe nga institucionet e specializuara ndërkombëtare prej 40-50% të informalitetit, fatkeqësisht Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve të pazhvilluara dhe të varfra.

Si e vlerësoni paralajmërimin e qeverisë për aksionin kundër informalitetit?
Natyrisht pozitiv dhe shumë të nevojshëm në këto momente. Lufta pa kompromis kundër informalitetit bën pjesë në detyrat apo objektivat direkt të çdo qeverie, nëse dëshiron të ndërtojë një ekonomi të shëndoshë, të garantojë të ardhura të qëndrueshme në buxhet, të ketë një treg funksional, transparent dhe garantues të konkurrencës së brendshme, nëse kërkon të luftojë korrupsionin dhe klientelizmin, nëse kërkon me të vërtetë që ta shtrijë legjislacionin fiskal, tatimor, penal e social në çdo segment e hallkë të ekonomisë e shoqërisë etj.

Paralajmërimi një apo dy muaj përpara se aksioni të fillojë, besoj se do ta lehtësojë një pjesë të punës, pasi një pjesë e aktorëve individualë apo bizneseve aktualisht informalë do nxitojnë të fillojnë procedurat për t’u bërë formalë përpara se të ndeshen me sanksionet shtetërore. Rritja e regjistrimeve në QKR e “bizneseve të reja” është ndoshta ilustrimi më i mirë i këtij konstatimi. E rëndësishme në këtë paralajmërim të qeverisë duket se është vendosmëria dhe vullneti politik për t’u përballur me këtë çështje direkt, në shkallë të gjerë dhe pa kompromis. Le të shpresojmë që edhe aplikimi në praktikë i saj të reflektojë të njëjtën vendosmëri e profesionalizëm qeverisjeje.

A është i vonuar?
Kur flitet për fenomene të këtyre përmasave dhe të kësaj rëndësie për ekonominë dhe financat kombëtare është gjithmonë vonë, por njëkohësisht ka gjithmonë një fillim që duhet përshëndetur. Më shumë se sa vonë apo herët, mendoj se ka disa probleme të tjera me natyrë strukturore që duhen gjykuar.
Së pari, fjala “aksion” është kompromentuese në luftën kundër informalitetit. “Aksion” mund të jetë vetëm momenti i fillimit dhe shprehja me një fjalë të vetme e vullnetit dhe vendosmërisë politike, por kurrsesi veprimi institucional, politik e rregullator në tërësinë e tij deri në realizimin e objektivave, të cilat fatkeqësisht mungojnë apo nuk janë të evidentuara e të shifruara, me përjashtim të një shifre prej 330 milionë dollarësh që MF premton se do mblidhen më tepër.

Së dyti, referuar eksperiencave të suksesshme ndërkombëtare dhe veçanërisht një kategorie vendesh që merren si shembull në këtë drejtim, lufta kundër informalitetit përbën një strategji komplekse nga më të rëndësishmet në qeverisjen e një vendi, një strategji që fillon me analiza të qarta për format e shfaqjes, modalitetet, arsyet kulturore, historike e institucionale të informalitetit, me një kategorizim shkencor të llojeve të ekonomisë informale në çdo vend… për të vazhduar me masat institucionale e paketat ligjore që e luftojnë në thelbin e tij informalitetin dhe mbyllin çdo shteg që të rishfaqet apo ripërtërihet në të ardhmen… me institucionet dhe strukturat që do angazhohen në këtë strategji, me indikatorët konkretë të tipit “përqindja e uljes së informalietit në 6 muajt e parë, vitin e parë, të dytë, etj.”, “numri i bizneseve VIP, të mëdhenj, të mesëm apo të vegjël që pritet të kalojnë në formalitet”, “sektorët dhe aktivitetet më prioritarë që kanë ndikim direkt apo maksimal”, “kosto financiare e këtyre operacioneve dhe garantimi i saj nga buxheti”, etj. Nuk mund të pretendohet, ose më e pakta nuk ka akoma dokumente të publikuara, që të argumentojë se ne jemi në këto linja e në këtë mënyrë veprimi në këtë “aksion” anti-informalitet. Me përjashtim të të angazhimit ekstra të rreth 500 punonjësve të rinj anti-informalitet, ngritjes së një strukture ndërinstitucionale ende në kompletim, dhe një objektivi vjetor prej 330 milionë dollarë shtesë, elementët e tjerë të strategjisë anti-informalitet të përmendur më lart nuk janë të evidentuar.

Cilat janë pritshmëritë? A do ketë ndikim ky aksion në realizimin e parashikimit të qeverisë për të ardhurat?
Pritshmëritë duken pozitive. Përtej shumë avantazheve të tjera, duket se efekti kryesor do të reflektohet tek rritja e të ardhurave, që për momentin përbën “thembrën e Akilit” të marrëdhënieve të qeverisë me FMN dhe realizimin e premtimeve të saj elektorale në lidhje me rrogat, punësimin, arsimin e shëndetësinë, etj. Megjithatë, duke pasur parasysh edhe ato që cilësohen si efekte anësore, shtimi i të ardhurave nga reduktimi i informalitetit mund të shoqërohet me ulje të konsumit të brendshëm, frenin të punësimit apo vetëpunësimit, etj. Rasti i pagesave të energjisë elektrike e provoi një efekt të tillë negativ të konsumit në përgjithësi, ndërkohë që ritmet e ulëta të konsumit vlerësohen si një nga elementet frenuese të rritjes ekonomike.

Grupet e interesit kërkojnë ulje të taksave për biznesin e vogël. Në kushtet që ndodhet buxheti i shtetit, a është e realizueshme kjo kërkesë?
Duke parë strukturën e kontributeve të bizneseve në të ardhurat fiskale, konstatohet qartë se efektin maksimal e japin bizneset VIP dhe përgjithësisht ato shumë të mëdha e të mëdha. Bizneset e vogla, megjithëse në numër fizik janë të shumta (afërsisht 90% e totalit të bizneseve), kontribuojnë rreth 5% në të ardhurat fiskale totale. Mendoj se është plotësisht e arsyeshme në këto momente dhe në këtë gjendje që është ekonomia shqiptare, që tatimet dhe taksat për këtë grup biznesesh të ulen, duke synuar me përparësi formalizim maksimal të tyre. Efekti në buxhetin e shtetit do ishte tejet minimal, ndërkohë që efektet e konsolidimit apo mbijetesës së tyre do ishin maksimale, duke mos harruar që bizneset e vogla sigurojnë sot një pjesë të konsiderueshme të konsumit, punësimit apo vetëpunësimit, janë aktorët kryesorë në luftën kundër varfërisë dhe stabilitetit social, etj.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi