Unë dhe Hasan Zyko Kamberi

Nga Ilir Yzeiri, botuar ne Shqip, 12 gushta 2015

iliryzeiriGjithmonë e më shumë, sidomos tani në gusht, mendja më shkon prapa, domethënë rri e rri dhe përpiqem të kthej kokën prapa, të kuptoj se përse vijojmë ende të mos shfaqim një identitet të qartë. Ne, shqiptarët, jemi ndoshta i vetmi popull në Ballkan që nuk po e bindim botën që jemi europianë, që jemi si ata. Rrimë e rrimë dhe i turremi historisë dhe, duke e përmendur vend e pa vend atë, bëhemi qesharakë e folklorikë. Shqiptarët, po ta vëresh me kujdes, janë të famshëm për të shkatërruar historinë e tyre. Nëse ka një gjë që nuk u intereson ajo është memoria kolektive historike. Nuk ka besoj vend tjetër në Europë që të ketë shkatërruar monumentet e veta historike siç bëjnë shqiptarët. Nuk e kam fjalën këtu për rrafshimin mendor dhe material që i bëri këtij vendi barbaria otomane, e kam fjalën për rrafshimet që i kemi bërë dhe vazhdojmë t’i bëjmë ne memories sonë. Mund të duket krejtësisht pa lidhje ose mund të ngjajë si shumë e kërkuar, por unë mendoj se informaliteti mbi të cilin është ngritur modeli i shoqërisë shqiptare vjen edhe nga triumfi i harresës dhe ngadhënjimi i unit provincial. Viti për vit, por sidomos këtë radhë, më tregojnë se në Mal të Zi, në Budva apo në Ulqin, atje ku shqiptarët shkojnë për pushime, nuk ka shërbim që nuk të pajis me faturën tatimore. Varka që të çon nga një plazh në një ishull të jep faturën tatimore. Një shitës i vogël i një kioske tepër të vockël të jep një faturë tatimore. Nuk e di sa është shkalla e informalitetit në atë vend, por perceptimi i përgjithshëm është se atje qytetarët janë të formalizuar dhe e dinë që ka një shtet, e dinë që mënyra më e mirë për të rritur të ardhurat dhe për të shtuar prosperitetin e atij vendi është që të paguhen taksat. Në Shqipëri, për fat të keq, fill pas 25 vjetësh, bash tani që shqiptarët votuan në masë për një shtet më të drejtë, për një qeverisje me autoritet ligjor, për një administratë më pak të korruptuar, bash tani, ne mësojmë të njëjtën plagë, ne marrim vesh se jemi pa asnjë shpresë, se administrata jonë tatimore e doganore nuk mbledh dot taksat, se korrupsioni dhe informaliteti po rrezikojnë seriozisht shtetin. Po çfarë po ndodh kështu? Jemi të paaftë për të ndërtuar shtet? Jemi vërtet kaq fatkëqij sa nuk dimë të zgjedhim? Jemi vërtet të mallkuar që çdo vit të përsëritim të njëjtin refren?

Më ndihmo, o Hasan Zyko Kamberi?

Nëse do të kërkosh defektet psikosociologjike të shqiptarëve që nuk arrijnë të ndërtojnë një shtet efikas e ke të vështirë t’i referohesh historisë, jo asaj që ka ndodhur, por asaj që është shkruar mbi atë që ka ndodhur. Tekstet tona flasin vetëm për luftë dhe për fitore, për njerëz si shkëmb e granit që nuk janë nënshtruar e që kanë triumfuar mbi të gjithë armiqtë. Për fat të keq, ne nuk kemi asnjë tekst që të na tregojë se si janë administruar shqiptarët, si kanë jetuar në kohë paqeje, me çfarë merreshin, si i paguanin taksat, kujt ia paguanin? Është një sipërmarrje e gjatë dhe e vështirë që në kufijtë e një komenti të tillë të sqarosh këtë anë të errët të historisë së shqiptarëve, sepse marrëdhëniet e shqiptarëve me shtetin për pesë shekuj ishin marrëdhëniet e një etnie që ishte pjesë e një Perandorie të stërmadhe që administrohej me të dërguarit ose me të emëruarit e portës në vilajete apo në qarqe. Ajo që u prodhua në fund të kësaj qeverisjeje të gjatë ishte një vend mizerabël, i prapambetur dhe me një paraqitje të egër dhe fisnore, pa asnjë element qytetërimi. Mirëpo, megjithëse shqiptarët fituan Pavarësinë ata nuk u çliruan nga brenda. Brenda tyre ishte shtrirë tani në gjithë hapësirën e frymës dhe të shpirtit mënyra orientale e të menduarit dhe e të vepruarit. Është një histori më vete ajo që bëri Zogu apo Enver Hoxha mbi këtë vend, ndërsa ajo që ka shkruar Hasan Zyko Kamberi, sot më shumë se kurrë paraqet thelbin e asaj që quhet model i jetës shqiptare.

Paraja

Po të lexosh sot poezinë e Hasanit dhe sidomos atë me titull “Paraja” bindesh se shqiptarët e sotëm janë po ata të Hasan Zyko Kamberit. “Mbreti q’urdhëron dynjanë,/që ka vënë taraphanë, /e i presin paranë,/ ja di kimenë parasë”. Këto vargje kur i lexonim dikur gjatë komunizmit nuk i ndienim tërësisht dhe na dukeshin të largëta, sepse mentaliteti komunist nuk kishte kult paranë, kishte kult ideologjinë dhe luftën. Sot udhëheqësit e shqiptarëve, të gjithë ata që kanë kaluar në këtë tranzicion të gjatë janë shfaqur ashtu siç thotë Hasani, mjeshtër të parasë që në përfytyrimin e tij, por edhe tonin sot, e duan aq shumë sa e presin vetë atë. Bukuria e kësaj vjershe vjen më poshtë, atëherë kur ai numëron administratën shtetërore të kohës që ngjet shumë me këtë tonën. Pas mbretit, vjen Veziri, Kryeministri që hiqet “adil” (i ndershëm), dhe që të mos flasë lart e poshtë edhe ai ia di “kimenë parasë”. Pastaj numëron institucionet. Gjyqësori, që përfaqësohet nga Sheh Islami, “nuk kaçirdis paranë” (nuk e lë t’i ikë rasti i mirë) edhe ai ia di “kimenë parasë”. Myftiu, myderrizi, kyrra-vizët (përfaqësuesit e administratës shpirtërore, drejtuesi i bashkësisë islame, mësuesi i medresesë dhe predikuesi i kuranit), të gjithë këta ia “dinë kimenë parasë”. Po ashtu kadiu, shehu i teqesë, pashallarët, bejlerët, të cilëve po t’u tregosh paranë thotë i ziu Hasan, “ndryshe e vërtisin sherianë”, domethënë ndryshojnë edhe shkrimin e shenjtë. Është me shumë interes të shohësh se, sipas Hasanit, për para njerëzit rrihen e vriten, njësoj si sot, dhe paraja të jep femra e të bën me emër, po ashtu njësoj si sot. Kjo poezi e Hasan Zyko Kamberit që vizaton Shqipërinë reale atë për të cilën ne flasim pak, na tregon se shqiptarët e vërtetë nuk janë ata që ne mësojmë nëpër tekstet e historisë, por janë këta që paraqet Hasani i gjorë. Sot, një nga karakteristikat e shqiptarëve, është kulti i parasë. Në këtë vend, në këta njëzetë e ca vjet u shkatërruan të gjitha vlerat dhe shqiptarët i kanë dhënë vetëm një kuptim jetës-para. Që nga i pari i vendit e deri në fund. Nëse ti përmend vlera të tjera je jashtë kohës, nuk je shqiptar.

Por Hasani vazhdon…

Edhe poezitë e tjera të Hasan Zyko Kamberit kanë një simbolikë të mrekullueshme sot. Një kult tjetër që ai zbulon është “Trahanaja”. Trahanaja është një ushqim i fukarenjve dhe karakterizon një gjendje të mjeruar. Mirëpo, ajo të shpëton nga vdekja, nga uria. Shqiptarët e Hasan Zyko Kamberit të mbledhur nëpër vatrat me tym e të zhytur në apati, në një vend ku të gjithë e kanë mendjen te paraja dhe te lufta i thurin himn “trahanasë”, mjerimit. Në një poezi tjetër, ai i qahet fatit të tij të keq. Pra ashtu si shqiptarët sot që mungesën e begatisë e shpjegojnë me fatin e keq dhe më pas në një poezi tjetër ai tregon se shqiptarët ashtu të çoroditur nisen për në luftë që nuk e merr vesh i pari të dytin “Seferi humajun”, nisen për në emigracion dhe për mercenarizëm. Njësoj si sot shqiptarët nuk dinë nga të shkojnë. Kthehen në Shqipëri, prishin ato dy lekë që kanë dhe ikin prapë, madje edhe deri në Siri për hyner(nder), siç thoshte Hasani dhe për ndonjë lekë. Ndërsa këtu të gjithë kanë vetëm një ankth-paranë. Dhe në gusht, kujtohemi se asnjë nuk paguan taksa, por ama ia dimë “kimenë parasë”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi