A mund të mbijetojë demokracia liberale?

Nga Robert Kuttner, botuar në Mapo Online, 5 gusht 2015

Robert-KuttnerMë 1932, në vigjilje të presidencës së FDR [Roosevelt], Benito Musolini deklaroi: “Shteti liberal është i destinuar të zhduket”. Dhe, me saktësi, shtoi: “Gjithë eksperimentet e kohës sonë janë antiliberale”.

Demokracitë kishin marrë fund, deklaroi Il Duçe, sepse ato nuk mund të zgjidhnin problemet e rëndësishme. Ndryshe nga diktaturat, të cilat ishin të gatshme të përdornin shtetin e fortë, demokracitë nuk mund të rregullonin ekonomitë në krizë. Sistemet parlamentare ishin politikisht frenuese. Demokracitë ishin gjithashtu të ndjeshme ndaj luftës, kundër konflikteve, dhe të keqpërgatitura për luftë. Fashistët, ndryshe nga demokracitë, e kishin zgjidhur problemin kush ishte pjesë e komunitetit.

Aleati i Musolinit, Adolf Hitleri, ishte edhe më përçmues ndaj demokracisë amerikane. Kush ishte amerikan? Cili ishte vendi i emigrantëve në të? Po zezakët? Shtetet fashiste, në kontrast, i bashkuan qytetarët rreth një vizioni dhe qëllimi të përbashkët. Hitleri ishte goxha i sigurt se e dinte kush ishte gjerman e kush jo. Për ta dëshmuar këtë, ai krijoi ligjet e Nurembergut; ai aneksoi rajonet gjermanishtfolëse të fqinjëve të tij. Siç e përmblodhi në frazën famëkeqe: Ein Volk, ein Reich, ein Fuehrer.

Megjithëse ishte një diktator bufon, Duçja nuk ishte politolog kaq i keq. Në vitet 1930, shumë demokratë liberalë mendonin të njëjtën gjë, për të njëjtat arsye. Siç Ira Katznelson shkroi në Fear Itself: “Bindje dhe opinione të tilla nuk ishin të kufizuara te diktatorë e diktatura. Ndërsa Roosevelt u përgatit të fliste [fjalimi i inaugurimit të parë], skepticizmi ishte dominues në lidhje me çështjen se a mundeshin demokracitë parlamentare të përballonin brenda kufijve kushtetues liberalë kolapsin e plotë të kapitalizmit, ambiciet ushtarake të diktaturave, ose politikën ndërkombëtare të karakterizuar nga kërkesa territoriale ultranacionaliste. Hezitimi, alarmi, dhe lodhja demokratike ishin gjerësisht të përhapura.”

Demokracitë mbijetuan, natyrisht, dhe lulëzuan. Me The New Deal [Marrëveshja e re] bëmë gjysmën e rrugës së Depresionit të Madh, kurse pjesën tjetër e bëri përgatitja për luftë. Fashizmi u mund, ushtarakisht dhe ideologjikisht. Rënia e komunizmit sovjetik kërkoi një gjysmë shekulli tjetër. Falë mençurisë së izolimit, stalinizmi hëngri vetveten, ekonomikisht dhe politikisht.

Demokracitë jo vetëm që rezistuan – në vitet 1980, Amerika kishte zgjeruar përfshirjen. Europa kishte nisur një eksperiment të guximshëm drejt demokracisë kontinentale. Në ditët e fundit të komunizmit, në perëndim kishte triumfalizëm. Francis Fukuyama deklaroi me të madhe, në esenë e vitit 1980, “Fundi i historisë?” se gjithë shoqëritë po shkonin drejt demokracisë dhe kapitalizmit, dy ideale që mendoheshin të lidhura.

Sot, ato që rezonojnë janë fjalët e Musolinit. Sërish, demokracitë kanë vështirësi të mëdha në nxjerrjen e ekonomive nga një rënie ekonomike e gjatë. Sërish, ato vuajnë nga bllokimet parlamentare dhe humbja e besimit te institucionet demokratike. Versioni amerikan reflekton një parti republikane radikalisht obstruksioniste, që përfiton nga provizionet kushtetuese që Madison (dhe Obama) i përfytyronin si promovuese të kompromisit; përkundrazi, rezultati është frenimi. Varianti europian është dobësuar nga pikat e shumëfishta të vetos në një Bashkim Europian të paaftë për të ndjekur diçka, veç masave shtrënguese shkatërruese. Sërish, një radhë alternativash anti liberale janë në marshim. “Gjithë eksperimentet e kohës sonë janë antiliberale.”

Merrni një udhëtim në horizont. Musolini nuk do të habitej. Ekonomia me rritjen më të shpejtë, Kina, është antiliberale, dhe vazhdon t’i shtypë aspiratat liberale. Regjimi kinez, i cili ka mësuar virtytin e durimit qysh nga Tiananmen, i duroi protestat e Hong Kongut dhe i ndaloi me eficencë. Zgjedhjet e 2017 në Hong Kong do të jenë të kufizuara për kandidatë të aprovuar nga regjimi komunist në Pekin. Mendohej që kapitalizmi do të sillte me vete demokraci dhe sundimin e ligjit. Por kinezët janë treguar shumë efektivë në kombinimin e kapitalizmit të udhëhequr nga shteti me sundimin e një partie.

Ajo që i bashkon regjime të ndryshme si ai Iranit, Turqisë, Hungarisë, Egjiptit, Venezuelës dhe Rusisë është fakti që kombinojnë disa forma të demokracisë me sundimin jo liberal. Shtypi nuk është realisht i lirë, dhe është kryesisht instrument i qeverisë. Redaktorët dhe gazetarët janë rrezik personal për zhdukje. Ka zgjedhje, por opozita nuk ia del të marrë pushtetin. Minoritetet fetare dhe grupet etnike shtypen, herë butë e herë brutalisht. Disidentët, edhe nëse nuk shkelin ligje, rrezikojnë me jetë. Regjimet në këto shtete kanë nivele të ndryshme korrupsioni mes shtetit dhe oligarkëve ekonomikë, që i ndihmon të mbajnë pushtetin. Në Hungari, anëtare e BE, që është një bashkim i demokracive liberale, kryeministri Viktor Orbán ka evokuar dukshëm idealin e një shteti jo liberal. Në Turqi, Recep Tayyip Erdogan e ka rritur gramatikisht regjistrimin e në shkollat fetare të mbështetura nga shteti dhe automatikisht u ka dërguar disa fëmijë, kundër dëshirës së prindërve të tyre shekullarë. Turqia është një anëtar i fuqishëm i NATO-s. Në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme, aleatët tanë më të ngushtë nuk e njohin fare procesin demokratik; ato janë monarki krenare. Izraeli, miku ynë më i ngushtë në rajon, po bëhet më pak demokraci thuajse përditë. Izraelitët po debatojnë seriozisht nëse duhet të sakrifikojnë zyrtarisht ose jo elementë të demokracisë për hir të identitetit çifut. E ky rregull as nuk i përfshin tiranitë flagrante si i vetëquajturi Shteti Islamik. Gjithë eksperimentet politike të ditëve tona janë antiliberale.

Për ironi, disa liberalë shikojnë me shumë shpresë në trazimet e kohëve të fundit në institucione me hierarki, autokraci, fshehtësi dhe privilegje të lashta që ka qenë antiteza e liberalizmi për rreth dy mijëvjeçarë – Kisha Katolike, tani nën një papë reformator. Njeriu duhet t’i dëshirojë të mirën Francit [papa] dhe shpreson që kjo hapje [e kishës] të zgjerohet në gjithë institucionin, por gjatë jetës sime kisha ka qenë e dyshimtë me fashistët.

Një nga novacionet më të mëdha të demokracisë liberale ishte koncepti i opozitës së ndershme. Qeveria mund të kundërshtohej pa u konsideruar tradhti. Një udhëheqës mund të largohej nga zyra prej elektoratit pa frikën e burgosjes ose ekzekutimin e pasuesve. Në një pjesë të madhe të botës, ky ideal duket thuajse i pazakonshëm. Një regjim i korruptuar ose diktatorial ka shumë pse të frikësohet nga lënia e pushtetit, përfshi burgun e madje dhe vdekjen në duart e opozitës në pushtet.

Ka vetëm pika të shndritshme. Një pjesë e Afrikës ia ka dalë të mbajë zgjedhje thuajse të lira dhe të drejta. Demokracia e re e Afrikës së Jugut është e brishtë, por duket se po reziston. Një pjesë e zonës së Paqësorit po shkon drejt demokracisë reale. Shumë nga ish-satelitët e Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore janë demokraci funksionale, madje dhe liberale. Aspirata demokratike është larg vdekjes, siç e tregojnë ngjarjet në Ukrainë. Amerika Latine ka qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike më shumë seç ka pasur për një gjeneratë, por ajo ka gjithashtu disa demokraci që nuk janë liberale, ose viktima të grushteve të shtetit, ose janë thjesht të korruptuara. Meksika përfaqëson një demokraci jo liberale.

Por është zemra e territorit demokratik, Europa dhe Amerika e Veriut, që përfaqëson shkakun kryesor për alarm. Amerika po bëhet gjithnjë e më tepër e ngjashme me pseudo-demokracitë joliberale dhe kleptokracitë. Një vëzhgim i ftohtë i asaj që ndodh në vendin tonë duhet të përfshijë shtypjen e qëllimshme të së drejtës për të votuar; madje dhe manipulimin cinik të votimit në qarqe (district) në vendin që shpiku gerrymandering [ndarja e zonave elektorale me qëllim që t’i japë avantazh të padrejtë një partie]; zëvendësimi i shtetësisë me para dhe rritja e plutokracisë; korrupsioni i procesit rregullator; një rënie e madhe e besimit të publikut te qeveria dhe demokracia vetë; dhe një dyshim real që demokracia është diçka që e vlen sakrificën.

Obstruksioni ushqen cinizmin publik ndaj qeverisë. Megjithëse refuzimi për kompromis është i njëanshëm – është e vështirë të kujtosh një president demokrat më të gatshëm se Obama për të akomoduar opozitën – rezultati bllokues shuan besimin te demokracia dhe qeveria në përgjithësi. Pse këta njerëz nuk mund të bashkëpunojnë për të mirën e përgjithshme? Demokratët, partia që beson te qeveria, fajësohen më shumë se republikanët. Dështimi i qeverisë për të adresuar problemet komplekse e ushqen këtë dinamikë.

Kjo është dhe më alarmuese sepse sfidat e së ardhmes do të kërkojnë një qeveri të fortë dhe mbi të gjitha një qeveri legjitime. Në rastin më të mirë, ndryshimi klimaterik global dhe rritja e nivelit të deteve do të kërkojë koordinim publik dhe një farë dislokimi personal. Kalimi në një ekonomi më të qëndrueshme kërkon masa publike më intensive, si dhe besim publik me shpresën që ndryshimet në zakonin e vjetër të përdorimit të energjisë me karbon nuk do të çojnë në rënien e standardeve të jetesës. Rreziku i epidemive si ebola do të kërkojë qeveri më efektive për të koordinuar iniciativa që sektori privat nuk i menaxhon dot. Irritimi popullor me rënien ose ngrirjen e të ardhurave për të gjithë, me përjashtim të të pasurve, kërkon ndërhyrje më të madhe të qeverisë. Një qeveri e dobët nuk mund të kryejë asnjërën nga këto. Provokimi i Musolinit është përcëllues: Demokracitë liberale janë të paafta për zgjidhur problemet kombëtare.

Një gjeneratë më parë, politologët krijuan një frazë të dobishme – demokraci e fortë. The Prospect botoi disa artikuj që mbronin këtë çështje, nga autorë si Benjamin Barber. Të tjerë, si Jane Mansbridge dhe James Fishkin, duke shkruar në të njëjtën frymë, bënë thirrje për më shumë demokraci pjesëmarrëse. Tema e përbashkët ishte se demokracia kishte nevojë të fitonte energji të reja, me përfshirje më të madhe qytetare. Ajo që ka ndodhur është e kundërta. Kombinimi i streseve ekonomike, joshja e argëtimeve të ndryshme, rritja e internetit si një mënyrë e shkëmbimeve më sociale, e ka dobësuar demokracinë, kur duhet të jetë më e fortë.

Një pretendim tjetër i fashistëve – që demokracitë kishin probleme me çështjet shqetësuese të komunitetit dhe anëtarësisë – nuk ka qenë kurrë një sfidë sa tani. Në Europë, përzierja helmatisëse e papunësisë së lartë, ankthi prej terrorizmit, fluksi i refugjatëve dhe imigrantëve po ushqen një përplasje nacionaliste dhe rrit të djathtën ekstreme. Në SHBA, dështimi për të normalizuar statusin e 12 milionë emigrantëve që nuk kanë dokumentet e duhura u mohon një numri të madh banorësh të drejtat normale. Sulmi ndaj të drejtave për të votuar dhe për nënshtetas, duke shtuar dhunën fizike të policisë, i bën afro-amerikanët më pak se anëtarë me të drejta të plota në demokraci, pavarësisht revolucionit për të drejtat civile gjysmë shekulli më parë.

Pretendimi tjetër i Musolinit ishte që demokracitë liberale ishin shumë të përçarë dhe jo fort të interesuar për luftë. Kur Hitleri rimilitarizoi zonën e Rinit në mars 1936, në kundërshtim Traktatin e Versajës, demokracitë nuk bënë asgjë. Ato ishin të paqarta deri ditën që Gjermania pushtoi Poloninë në shtator 1939. Deri më 1940, Roosevelt-i ishte më i vendosur për të mbajtur Amerikën jashtë një lufte tjetër europiane sesa të ndihmonte britanikët për rezistencë kundër nazistëve.

Sfida ushtarake e sotme është më e ndërlikuar. Amerika në këtë shekull është luhatur mes madhështisë dhe kujdesit. Ajo bëri një luftë të gabuar në Irak, dhe pastaj mund të jetë tërhequr para kohe. Administrata ka qenë e dobët dhe e përçarë në politikën e saj ndaj Sirisë dhe Shtetit Islamik. Në një farë mase kjo është e kuptueshme; ato janë kërcënime shumëkokëshe pa zgjidhje të lehtë. Nëse Obama është ambivalent, publiku është më shumë i tillë. Megjithatë kërcënimet më të mëdha për demokracinë amerikane nuk janë rreziqet e pushtimit ose sulmet terroriste, por ajo që ata i bëjnë vetes. Administrata e Obamës, si ajo e George W. Bush, ka qenë shumë e gatshme ta kalojnë lirinë në varësi të sigurisë, sekretit, dhe autokracisë.

Rreziku nuk është që demokracia amerikane nuk do të “zhduket” papritmas, por kjo do të zbrazet ngadalë prej përmbajtjes së saj vitale. Nëse duam të frenojmë joshjen e shoqërisë globale antiliberale, duhet të riparojmë demokracinë në vendin tonë. Sfida është shumëplanëshe, dhe kërkon kohë. Duhet të jetë projekti i madh i presidentit të ardhshëm dhe puna në proces e nënshtetasve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi