Kur do të ketë një “ACT NOW” në Shqipëri?

Nga Ani Plaku, botuar në Mapo Online, 22 korrik 2015

Shoqërisë sonë të trazuar mes krizash ekonomike, kërkim identitetesh dhe problemeve të rënda sociale i duhen më shumë së kurrë disa piketa treguese për rrugëtimin e saj në demokraci. Duhen vlera e norma që në një vend demokratik kryesisht janë pjesë e detyrave, rolit dhe punës së përditshme të shoqërisë civile. Roli i saj duhet të jetë bashkëkrijimi i vlerave, frymës dhe i kauzave me të cilat duhet të mbështesë shoqërinë për forcimin e demokracisë në vend. Hapësira publike ku mendimi i lirë dhe profesional do të duhej të krijonte forcën e ndryshimit dhe ku më pas të kthehej në kulturë ndryshimi. Kjo e fundit është boshti ku mbështetet teoria e ndryshimit, e cila nuk është gjë tjetër veçse një proces i gjatë, i cili bën të mundur një rrugëtim nga një pikë e caktuar në një pikë tjetër sipas qëllimit që do të arrish. Për më tepër një vend si ky i yni me një të shkuar dramatike ka shumë nevojë për ringritjen e tyre. Në shoqërinë tonë, vlerat dhe normat janë përdorur në të shkuarën vetëm në funksion të të bërit ballë varfërisë dhe mbijetesës, e thënë kjo, nevoja për të perceptuar çfarë janë vlerat dhe normat përbën në vetvete një kauzë për realitetin ku jetojmë.

Por çështja është shumë e thjeshtë; a arrin të gjejë kauza shoqëria jonë civile për të cilat duhet të “ACT NOW” apo jo? A ka kauza më të forta sesa ato që lidhen me mbijetesën dhe varfërinë, ku pamundësia për të mbijetuar e një populli nuk i jep atij as më të voglin shans që të fillojë të mendojë ndryshe? Që të fillojë procesin e ndryshimit të normave dhe vlerave që teoria e ndryshimit na tregon? A jemi ne duke jetuar një shtypje dhe mjerim shpirtëror dhe ekonomik, ku nevoja për mbijetesë vazhdon të favorizojë pa masë mekanizmin e korrupsionit duke mbjellë sërish forma të cenimit të demokracisë? A jemi një vend me një risk të madh, ku korrupsioni arrin të mposhtë çdo vlerë, të shkatërrojë çdo bosht dhe të cenojë moralin e shoqërisë sonë? Nevoja dhe dëshpërimi për një ndryshim në themel troket fort në derën e shoqërisë sonë civile duke i thënë “ACT NOW” sa më shpejt, sa pa qenë shumë vonë.

Do të doja të ilustroja sa më sipër them, me dy raste konkrete, pa dashur të nënvlerësoj edhe shumë të tjera që kanë nevojë të trajtohen e analizohen shumë më gjerë sesa kaq.

A mund të kishte qenë një moment shumë i mirë për shoqërinë civile të reagonte në forume, deklarata e rekomandime mbi kriteret e kandidatë/et për kryetar/e bashkie në zgjedhjet vendore 2015? Çdo diskutim që dëgjuam, u kthye rëndom vetëm në faktin se na mjaftonte që kandidati/ja të mos ishte kriminel/e. A thua pas 25 vjet demokraci ky na paska ngelur kriteri i vetëm për të zgjedhur kandidatë/et. A thua nuk paska rëndësi fare që këta kandidatë/e të jenë pak të aftë/a, të kenë pak integritet, kapacitet intelektual të nevojshëm, aftësi të duhura menaxheriale? A do të kish qenë kjo kauzë e fortë për t’u marrë nëpër forume, manifeste apo deklarata të munguara nga ana e shoqërisë sonë civile? Mendoj se shoqërisë civile nuk i mungon aspak ekspertiza dhe njohja e mirë e problematikës ku fuqimisht mbështet edhe institucionet shtetërore për të bërë sa më mirë punën e tyre. Ajo çka më duket se mungon është mospërçimi i dijes dhe njohjes profesionale në trajtimin e problematikës në debatin publik, duke lënë paqartësinë të mbizotërojë.

Për asnjë moment nuk u bë pjesë e diskutimit fakti që ne po dëgjojmë disa kandidatë/e që premtojnë dhe diellin dhe hënën dhe ndërkohë ishin të paqarta çfarë ato do të kishin në dorë të bënin. Duket se iu kemi krijuar një komoditet të madh lidhur me atë llogaridhënie që ne do të duhet t’iu kërkojmë atyre pas katër vjetësh. Me të drejtë ata mund të na thonë se nuk ishin tamam siç duheshin specifikimet në ligj kur ne bënim fushatën. Por ndërkohë, për të gjithë ne do të kenë kaluar katër vite të shtrenjta jete që nuk do të kthehen më, për të marrë disa shërbime cilësore. A do t’ia vlente ky mos “ACT NOW”?

M’u duk akoma më i trishtë fakti i reagimit të disa anëtareve të shoqërisë civile ndaj komunikatës së Kishës Katolike, e cila sipas mendimit tim, u bë një nga zëdhënësit e vetëm të këtij shqetësimi madhor në shoqërinë tonë, që bëri thirrje për të reaguar dhe mbrojtur vlerat dhe normat e një demokracie në prag të zgjedhjeve vendore 2015. Në vend që të kishim një deklaratë mbështetëse nga ana e shoqërisë civile për ta shumëfishuar thirrjen që bëri Kisha Katolike, ajo çfarë dëgjuam, në rastin më të mirë, ishte heshtja, dhe rasti më i keq, përçmimi ndaj kësaj përpjekjeje nën okelion se çfarë i duhet Kishës që merret me këto punët e politikës tani. Dhe trishtimi sa vjen shtohet, jo për faktin që nuk po shohim “ACT NOW” e shoqërisë civile, por se duket qartë se as për vlera prej gjasme nuk ia ndjen më. E sërish e trishta për mos “ACT NOW” vazhdon për faktin e thjeshtë se kauza mbi të cilën Kisha Katolike mbështeti komunikatën e saj, vjen e bazuar në të vërteta dhe është e ndjerë thellësisht mbi atë çfarë po ndodh në vend. Ajo komunikatë mbron thjesht atë çfarë ne jetojmë përditë në lagjen tonë, në punën tonë, duke qenë e ndjerë me një të vërtetë të madhe brenda saj. Duke punuar prej vitesh si eksperte mbi çështjet gjinore, marr të drejtën për t’iu referuar sërish komunikatës për një fjali që më preku jo pak dhe më bëri të reflektoj. Kjo ishte shprehja ku thuhej “mbështetje e përfaqësimit logjik të grave”. Arsyeja është shumë e thjeshtë, po aq e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë sa ç’ishte edhe në atë komunikatë. Punoj mbi çështjet e të drejtave të grave dhe vajzave në këtë vend prej vitesh dhe asnjëherë, dhe pas shumë hulumtimeve që kam bërë vetëm apo në grup, asnjëherë nuk kemi dalë me një thënie kaq të ndjerë dhe kaq të vërtetë, sikurse nuk e kam parë në asnjë raport tjetër, “thjesht përfaqësim logjik”. Na duket dhe bëjmë sikur çfarë po bëjmë? Pra, çfarë po kërkojnë, atë çfarë është shumë logjike dhe thjesht duhet të ndodhë, pasi të dyja gjinitë janë pjesë që përbëjnë një si të tërën. Ajo që na transmeton ky mesazh është shembulli, morali dhe vlerat për të cilat kemi kaq shumë nevojë për të “ACT NOW” të tërë së bashku pa dalë në konkluzionin pak më vonë, “ah, pse nuk reaguam…”.

Duke u munduar t’iu bëj një thirrje dhe atyre që kanë qenë, janë dhe do të jenë burimi i mbështetjes financiare të shoqërisë sonë civile, do të thosha se sot, këtu në Shqipëri, kemi shumë më tepër nevojë për piketat që mbështesin teorinë e ndryshimit. Mendoj se këto piketa kaq të nevojshme për rrugëtimin tonë, shoqëritë nga të cilat vijnë, i kanë në themel të tyre të trashëguara tashmë prej shekujsh. Nëse do të kishte mundësi për vlerësim të prioriteteve të këtij vendi, njëri prej tyre pa dyshim do të ishte ai i vlerësimi të efekteve të përdorimit të burimeve financiare si vlerë e shtuar në funksion të teorisë së ndryshimit në vendin tonë.

Ne kemi shumë nevojë që të kuptojmë se, nëse nuk “ACT NOW”, do t’u lëmë në trashëgimi fëmijëve tanë, brezit që do të vijë, një shoqëri pa shpresë dhe pa prosperitet. Ne po rrezikojmë t’i trashëgojmë brezit të ri një set vlerash dhe normash akoma më shumë dëmsjellës sesa ato çfarë ne po jetojmë sot si trashëgimi e periudhës së diktaturës.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi