Koalicioni qeverisës dhe riorganizimi i partisë socialiste

Nga Dorian Koçi, botuar në Shqip, 21 korrik 2015

Dorian-KociDebati më i fundit në gjirin e Partisë Socialiste për riorganizimin e saj është një debat i shëndoshë që i shkon për shtat së majtës shqiptare, e cila në dallim nga e djathta, gjithmonë ka lejuar rryma mendimi dhe korrente të ndryshme nga ato që konsiderohen si linja zyrtare. Në këtë kontekst, cilido mendim për të përmirësuar më tepër jetën e brendshme të partisë besoj se është i mirëpritur derisa në fakt t’i shërbejë dhe të jetë koherent me zhvillimet më të fundit të organizmit të partive simotra në Europë. E rëndësishme është se përpara se të kërkohet respektimi strikt i statuteve të ngurtë, të shikohet dhe situata në terren, pasi ajo që vlen më tepër në sistemin partiak dhe përfaqësimit të tyre në Parlament është rezultati, vota, mandatet që bëjnë të mundur të realizosh përmes qeverisjes së mirë alternativën partiake.

Pak histori për zhvillimin e sistemeve partiake

Teoritë mbi sistemet partiake mbështeten në platformën e pluralizmit partiak. Me zgjerimin e pjesëmarrjes së kategorive të njerëzve në votim, edhe funksioni i partive ndryshoi. Në këtë kontekst, partitë u shndërruan nga parti parlamentare (elitare) në parti gjithëpërfshirëse dhe elektorale. Për të pasqyruar këtë ndryshim, ndryshoi struktura organizative bazë e partive. Partitë kishin organe drejtuese në qendër edhe në bazë. Anëtarët e partive që kandidonin në emër të tyre për në Parlament duhej t’iu bindeshin disiplinës partiake. Ky rregull zbatohej edhe për deputetët pjesëmarrës në Parlament. Mirëpo pas këtyre ndryshimeve, partitë në përgjithësi dalloheshin për dy funksione kryesore të cilat ishin. Së pari, funksioni i përmasave vertikale, e cila lidhet me faktin e lidhjes vertikale midis partive parlamentare dhe qeverive partiake me elektoratin që kishte kontribuar në marrjen e pushtetit nga partitë nëpërmjet votës dhe së dyti, me funksionin e përmasave horizontale që lidhet me faktin e misionit që kanë partitë në integrimin politik të shoqërisë. Për një kohë të gjatë pas reformave të detyrueshme që ndërmori qeveria si kontrolli i territorit, duke prishur ndërtimet pa leje, aksioni i mbledhjes së faturave të papaguara të energjisë elektrike, reforma arsimore etj., u duk se pati një shkëputje midis pritshmërisë së elektoratit dhe veprimeve të qeverisë. Votimi masiv me po të njëjtën shumë votash në zgjedhjet e përgjithshme lokale, në fakt tregoi të kundërtën, duke u lënë shumë Kasandrave analistë dhe politikanë vetëm rolin e vajtocave, por jo të përçimit të drejtë të ndjesive popullore. Misioni i Aleancës për Shqipërinë Europiane u konfirmua jo vetëm nga marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian por edhe nga një sërë institucionesh të tjera ndërkombëtare që kanë vlerësuar performancën e qeverisë shqiptare në këto kohë krizash ekonomike në Ballkan.

Funksionimi i koalicionit qeverisës

Duke u mbështetur në modelin qeverisës, edhe sistemet partiake ndahen në disa modele, por modeli që është aktualisht qeverisës i njohur si Aleanca Europiane për Shqipërinë konsiston në modelin e sistemit partiak dy plus një në modelin konsensus (koalicioni qeverisës përbëhet nga dy parti që krijojnë shumicën parlamentare (PS + LSI) pra është koalicion i një plus një partie (PDIU). Ky model njihet si shembulli gjerman i qeverisjes dhe ka qenë shumë efektiv për Gjermaninë gjatë zhvillimit dhe funksionalizmit të tij për modernizmin e politikës së brendshme gjermane. Teoricieni i njohur i Demokracisë Liberale, Xhovani Sartori, i ka klasifikuar sistemet partiake në dy grupe. Grupi i parë quhet sisteme partiake të polarizuara ku partitë pjesëmarrëse në Parlament shndërrohen në parti “shantazhi”. Ndarja e mandatave të deputetëve me diferenca të vogla midis së majtës dhe së djathtës do të kishte rievoluar mandatet e pakta të një partie, në mandate të arta për të siguruar shumicën e duhur, ndaj votimi në mënyrë masive pro “Aleancës Europiane për Shqipërinë”, ishte një mesazh që elektorati shqiptar i dha sistemit të mëparshëm të lodhur partiak. Grupi i dytë quhet sisteme partiake të moderuara. Parti të tilla janë ato parti, të cilat në programet e tyre elektorale si dhe në sjelljet e tyre politike, karakterizohen nga cilësi të tilla si përfaqësimi, efektshmëria e tyre në qeverisje, konsensusi (kompromisi) i parë si në prizmin e arritjes së koalicionit në qeverisje, ashtu edhe para elektoratit gjatë marrjes së mandatit qeverisës prej tij. Ky është shembulli tipik i funksionimit të Aleancë Europiane për Shqipërinë, aleancë që ka rezultuar fituese në harkun kohor të dy viteve 2013 dhe 2015. Një konsensus i gjerë ekziston në qeverinë e sotme shqiptare si për sa i përket trajtimit të çështjeve urbano–rurale, të cilat përfshihen si tema kryesore në programet e partive që përpiqen të rregullojnë pabarazitë që ekzistojnë në ndërmjet zonave rurale dhe urbane përmes reformës territoriale apo çështjeve etniko – kulturore, të cilat, në rastin shqiptar, lidhen me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë së popullsisë çame, të drejta të cilat ka dy vjet që janë bërë pjesë e ligjërimit publik të qeverisë shqiptare.

Riorganizimi i Partisë Socialiste

Parë në këtë këndvështrim, organizimi më i ri i Partisë Socialiste do të jetë një vlerë e shtuar për të majtën shqiptare, pasi do të bëjë të mundur përfshirjen e sa më shumë shtresave, individëve dhe zërave të shquar të opinionit publik, në mënyrë të tillë që kauzat politike dhe morale të shoqërisë të gjejnë prezantimin e duhur dhe brenda strukturave partiake. Në këtë kontekst, përfshirja apo jo në mbledhjen e radhës së Asamblesë së Partisë Socialiste të zgjedhjes së kryetarit, përveçse mund të jetë një lajm ilustrues statutor, nuk përbën lajm, përderisa koalicioni qeverisës dhe vetë Partia Socialiste doli fitues nga zgjedhjet e radhës. Kauzat mbeten të njëjta, mirëqeverisje për të garantuar prosperitet dhe mirëqenie, njerëzit që duhet t’i çojnë përpara këto kauza duhet të jenë sa më të përgatitur. Hapja e negociatave për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është më një ëndërr, por një realitet që ka trokitur në dyert e qeverisë shqiptare. Sfidat politike dhe shoqërore të këtyre negociatave kërkon parti elektorale të tipit të ri dhe Partia Socialiste duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të ecë drejt kësaj rruge ashtu si simotrat e veta europiane.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi