Raporti KE: Ekonomia u rrit 2.1% në 2014; financat, dobët parashikimi i të ardhurave

Sipas Monitor, 14 korrik 2015

KE

Për Shqipërinë ulet treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar. Performance e dobët e të ardhurave: Buxheti shpëtohet nga licencat dhe ulja e shpenzimeve…

Komisioni Europian ka publikuar sot raportin e tremujorit të dytë për vendet kandidate dhe potenciale kandidate, që përfshijnë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë, Bosnjë Hercegovinën.
Ecuria e rritjes në pjesën më të madhe të ekonomive të Ballkanit, sipas raportit, duket se është forcuar më tej në muajt e parë të 2015-s. Faktorë të tillë si punësimi më i fortë, rritja e kredive dhe eksporteve kanë kontribuar– në shkallë të ndryshme nëpër rajon – në këtë rezultat. Por zhbalancimet e brendshme dhe të jashtme si dhe dobësitë e vazhdueshme strukturore mund të ndikojnë në fuqinë e rimëkëmbjes në periudhën në vazhdim. Për më tepër, raporti thekson se kriza greke mund të ngadalësojë momentin e rritjes në disa vende, nëse do të dobësohet besimi dhe do të materializohet efekti përhapës.
Për Shqipërinë, raporti thekson se sipas publikimeve më të fundit, rritja ekonomike e përshpejtoi ritmin në tremujorin e parë, me prodhimin e brendshëm bruto (PBB), që u përshpejtua në 2.8% me bazë vjetore, nga 2.4% që u regjistrua në tremujorin e mëparshëm.
Të gjitha degët kanë dhënë kontribut pozitiv në rritje, me më të madhin, 1.2 pikë përqindjeje që ka ardhur nga shërbimet, për shkak të një zgjerimi vjetor prej 13.1% në aktivitetet financiare dhe të sigurimeve dhe një rritjeje prej 3.4% në administratën publike, edukimin dhe shëndetësinë. Prodhimi i industrisë u rrit me 7.6%, duke dhënë një kontribut prej 1 pikë përqindje (pp), bujqësia me 0.4 pp dhe ndërtimi me 0.3pp.
Një vlerësim i parë për rritjen reale të PBB-së në 2014-n tregon se prodhimi ekonomk u rrit me 2.1% vitin e kaluar (kjo rritje është më e lartë se vlerësimi i mëparshëm i vlerës së shtuar bruto prej 1.89% publikuar nga INSTAT-shënim i redaksisë), duke kthyer kështu trendin rënës të ritmeve të rritjes së ekonomisë, që arriti nivelin më të ulët në 2013-n, me vetëm 1.1%.
Për deficitin e llogarisë korente, raporti thekson se pasi u zgjerua për pesë tremujorë radhazi, ai u ul me 15.4% me bazë vjetore, nga janari në mars, megjithëse ai u ndihmua nga perfomanca e fortë e eksportit të shërbimeve, si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve të turistëve me 12.9% më shumë se një vit më parë, ndërsa shpenzimet e udhëtarëve jashtë ranë me 13.8%.
Investimet e huaja u rritën me 53.6% për tremujorin e parë me bazë vjetore.

Bankat, ulet treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë u rrit në 8.6% në prill-maj, nga 8.1% në tremujorin e parë, duke sugjeruar se mund të ketë arritur fundin pas një tendence të gjatë rënëse dhe që politika monetare ka rezultate më të dobëta në uljen e mëtejshme të kostos së huadhënies.
Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar u ul në tremujorin e parë në 15.8% nga 16.8% që u regjistrua në tre muajt e mëparshëm, por mbetet mbi nivelin minimum që kërkohet nga rregullorja prej 12%. Treguesit e përfitueshmërisë mbeten në territor pozitiv dhe u përmirësuan ndjeshëm në tremujorin e parë.

Performancë e dobët e të ardhurave: Buxheti shpëtohet nga licencat dhe ulja e shpenzimeve

Performanca buxhetore ishte e ndryshme në pesë muajt e parë të viti. Të ardhurat nga taksat ishin 7.5% më pak se plani, me pjesën më të madhe të kategorive që ishin nën plan, përveç tatim fitimit. Inflacioni më i ulët sesa pritej dhe prodhimi i naftës dëmtuan të ardhurat, por, natyra e gjerë e rënies së të ardhurave sugjeron vazhdimin e dobësisë në planifikimin e buxhetit dhe administrimin e taksave. Të ardhurat në total kishin një ecuri më të mirë dhe ishin poshtë planit vetëm me 4.2%, si rrjedhojë e të ardhurave nga shitja e licencave 4G.
Rënia e të ardhurave u neutralizua nga shpenzimet, që ishin 8.2% më pak se plani.

Pas një rritjeje me 13.7% me bazë vjetore, borxhi publik qëndroi në 70.7% të PBB-së në tremujorin e parë (pa detyrimet e prapambetura qeveritare).

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi