Një shans që opozita nuk duhet ta humbë për reformën territoriale

Nga Gentian Kaprata, publikuar në Mapo Online, 13 korrik 2015

gentian-kaprata-150x150Zgjedhjet vendore u mbyllën. Ato u kryen mbi hartën e re administrativo-territoriale, dhe këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur. Opozita pranoi të futej në një garë lokale ku gjërat që diheshin ishin vetëm dy. Numri i banorëve dhe sipërfaqja e territorit të njësisë administrative.

Porse, as atëherë ku gara nisi dhe as sot kur gara ka përfunduar, nuk dihet se mbi çfarë ‘funksionesh të veta’, ‘funksionesh të përbashkëta’ dhe ‘funksionesh të deleguara’ do ushtrojnë pushtetin që fituesit i është deleguar nga zgjedhësit. Duket si lojë fjalësh, por ky është realiteti postzgjedhor. Mjafton ky fakt për të vlerësuar nivelin e demokracisë në vend dhe përgjegjshmërinë e elitës politike ndaj votuesit.

Ndoshta sot nuk e kuptojmë, sepse jemi brenda ngjarjes, por pas disa vitesh edhe ne vetë do e kemi të vështirë të besojmë çfarë ka ndodhur. Ne në vitin 2015 kemi kryer zgjedhje vendore për të përcaktuar kush do jetë ushtruesi i pushtetit, por pa ditur kush është pushteti që do ushtrohet! Vetëm me një hartë me ngjyra të ndryshme që përcakton, në një saktësi të pranueshme, kush do jetë kufiri gjeografik i secilës njësi qeverisëse!

Hartë, që ishte një nga dy faktorët e humbjes së opozitës në këto zgjedhje. Duke mos harruar faktin se një pjesë e verdiktit qytetar u deformua pamoralisht, faktori tjetër ishte opozitarizmi i dobët në dy vite dhe veçanërisht përgjatë fushatës zgjedhore. Ishte kështu për pothuajse çdo çështje, por qasja ndaj reformës territoriale ishte shembulli më evident që opozita zyrtare nuk ishte në nivelin që ‘populli potencialisht opozitar’ meritonte.

Sepse, ‘populli potencialisht opozitar’ e mbështeti opozitën zyrtare kur kjo refuzoi marrëveshjen për reformën territoriale, me arsyetimin se sapo ishte shkelur një marrëveshje e vjetër. Por nuk u ndje mirë kur opozita e harroi aq shpejt pretekstin e marrëveshjes së thyer për administratën publike.

‘Populli potencialisht opozitar’ e mbështeti opozitën zyrtare në tezën e saj se një hartë kufijsh e pashoqëruar nga një ligj për organizimin dhe funksionimin e qeverisëse vendore, nuk mund të konsiderohej reformë territoriale. Por nuk u ndje aspak mirë kur opozita nuk paraqiti një projekt të sajin për decentralizimin e mëtejshëm të funksioneve qeverisëse. Për të ardhur në fushatën lokale, ku ‘populli potencialisht opozitar’ nuk kuptoi pse opozita zyrtare foli për ulje taksash dhe çmimi energjie elektrike! Apo për stola, parqe, trotuare, kazanë mbetjesh urbane, por nuk e mbrojti politikisht autonominë lokale nga sulmet e drejtpërdrejta të qeverisë kombëtare.

A mund të kishte temë më adekuate se demokracia lokale, në kontekstin e një fushate për zgjedhje lokale? A mund të mos flitej për listat e përfituesve të ndihmës sociale që hartoheshin më ministri!? A mund të mos flitej për listat e përfituesve nga programet e strehimit që hartoheshin apo miratoheshin në një ministri tjetër!? A mund të mos flitej për bllokimin e lejedhënies ndërtimore!? A mund të mos flitej për sulmin e INUK ndaj ndërtimeve pa leje apo me leje të pamoralshme!? Mirëpo nuk u fol as për këto funksione të grabitura vendore dhe as për të tjera shkelje me origjinë antikushtetuese të qeverisjes qendrore.

Në “luftën” midis hartës së fabrikuar dhe frymëzimit demokratik e decentralizues fitoi e para. Jo sepse ishte më bindëse, por sepse mungoi i dyti. Ndërsa nuk mungoi e njëjta qasje centralizuese kryeministrore. Ai thirri në takim të zgjedhurit vendorë, për t’u komunikuar se pranonte t’i “emëronte” në ato poste që populli i kishte votuar. Po!

Sepse për mënyrën sesi e kupton Kryeministri qeverisjen me dy nivele, mund edhe të mos i kishte “emëruar”. Shqiptarët duhet t’ia dinë për nder që e bëri, dhe të vlerësojnë që në këtë takim ftoi edhe kandidatët fitues të opozitës. Fakti që këta nuk vajtën në takim nuk e pengoi kryeministrin të cungonte më tej autonominë lokale, duke i marrë edhe policinë bashkiake dhe gjithë funksionet dhe përgjegjësitë ligjore që kjo kryente.

Nuk kishte si ta pengonte përderisa arsyetimi i mungesës ishte formal. Ata nuk vajtën sepse ftesa nuk ishte në kohën e duhur dhe në formën e duhur, duke rrezikuar të humbin një shans të jashtëzakonshëm. Një top që mjafton të preket për t’u kthyer në gol. Dhe jo vetëm që opozita të rikthehet fuqishëm në politikë, por çka është më e rëndësishmja, që reforma territoriale të hyjë në shinat e përmbylljes gjithëpranuese.

Kështu mund të ndodhë nëse opozita e kthen diskursin e saj nga dimensioni formal në atë përmbajtësor, dhe propozon një paketë të plotë për ndarjen e funksioneve qeverisëse ndërmjet dy niveleve. Një paketë, të cilën pozita do e ketë të pamundur ta refuzojë pa kosto politike, ndërsa do ia ngrejë shumë lart kuotat opozitës në tregun politik dhe në perceptimin e ndërkombëtarëve.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan