“Merkatoja e votës”, si fundi i demokracisë

Nga Manushaqe Rina, botuar në Ballkanweb, 13 korrik 2015

Një histori domethënëse qarkullon mes banorëve të Dibrës dhe origjina e kësaj historie vjen nga zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, kur kandidonte në Dibër një deputet i Partisë Socialiste. Pasi deputeti socialist merr mandatin, një votues i tij kishte shkuar ta takonte për t’i kërkuar një nder, ndërsa ky i fundit në bisedë e sipër i thotë votuesit të tij, “Ik se të kam blerë sa një viç më të mirin”.

Nuk do të merrem me vërtetësinë e historisë banale në pamje të parë, por me rreziqet e mëdha që i sjell fenomeni sistemit demokratik dhe konsolidimit të tij në vendin tonë. Në misionin e fundit të OSBE-ODIHR në Shqipëri, një nga kriteret më të rëndësishme të vlerësimit të procesit është monitorimi i shit-blerjes së votave në këto zgjedhje lokale. Kjo vjen edhe si rezultat i përhapjes së gjerë të fenomenit në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Është për të ardhur keq se si ka agravuar situata deri këtu dhe sa shumë e kemi keqpërdorur votën e lirë, po të marrim parasysh përpjekjet e shumta e luftërat e mëdha që janë bërë përgjatë historisë për të fituar këtë të drejtë që konsiderohet si “sin qua non” i sistemit demokratik. Vota është pushteti fuqiplotë i popullit për të ngritur e rrëzuar qeveri e sisteme politike, e duke qenë e tillë, meriton edhe vlerësimin e vendosmërinë maksimale nga ana e qytetarëve për të qenë plotësisht dhe thelbësisht e lirë. Gjatë argumentimit tim nuk do të merrem me arsyet që i çojnë qytetarët në shitjen e votës, por më poshtë do fokusohem te disa nga rreziqet më kryesore që i sjell fenomeni sistemit demokratik. – Kur thuhet se “pushteti është i popullit”, përcaktohet një koncept për burimet dhe legjitimitetin e pushtetit thoshte G. Sartori në librin e tij “Ç’është Demokracia?”. Në këtë aspekt, pushteti është legjitim kur jepet nga poshtë dhe është shprehje e vullnetit popullor. Kur qytetari shet votën në këmbim të diçkaje, që mund të jetë mall, apo para, ai ka shitur vullnetin për të zgjedhur, e në këtë rast vullneti popullor pro një force politike është vullneti i tjetërsuar si pasojë e marrëveshjes së shkëmbimit të votës me ofertat e forcës politike. Në këtë rast legjitimiteti i një qeverie nuk është real, sepse nuk vjen prej zgjedhjes së lirë, por prej mekanizmave tjetërsuese të vullnetit të qytetarëve.

– Llogaridhënia është një element i rëndësishëm i demokracisë. Konsolidimi i sistemit matet me nivelin e llogaridhënies që kërkojnë “ata që qeverisen, ose të qeverisurit” ndaj “qeverisësve, ose atyre që qeverisin”. Në një situatë ideale, ky proces duhet të funksionojë edhe pas ditës së zgjedhjeve, pra duhet të vazhdojë kërkesa e llogarisë së popullit ndaj pushtetit të zgjedhur. Shitja e votës e shkatërron procesin e llogaridhënies, sepse “i zgjedhuri” nuk është aty nëpërmjet votës së lirë, por nëpërmjet votës së shitur dhe detyrimet ndaj atij që votoi për të i ka shlyer një ditë përpara apo ditën e zgjedhjeve. Kjo çon në krijimin e dy botëve paralele, që funksionojnë brenda një shteti dhe i referohet shkëputjes së lidhjeve mes botës poshtë ose “popullit” dhe botës “lart”, të zgjedhurve. Të dyja palët funksionojnë mes vetes e të ndara nga njëra- tjetra dhe e dinë se do shihen sërish në hapjen e merkatos së katër vjetëve më vonë, me rregulla po të njëjta, ndoshta me ndonjë ndryshim për sa u përket mjeteve të këmbimit të votës, (psh. nga para në telefona, apo nga pantallona në pako ushqimesh).

– Protesta është konsideruar si mjeti demokratik i presionit nga poshtë për dhënie llogarie, apo për kundërshtime ndaj mënyrës së funksionimit të pushtetit të zgjedhur. Shitja e votës sjell venitjen totale të kësaj formë të presionit, sepse populli nuk ka moralin për të kërkuar realizimin e premtimeve ose hedhjen poshtë të projekteve antiqytetare. Qytetarit iu ble besimi në “tregun e madh të votës”, në shifrën, monedhën apo mallin që kërkoi.

– Përfaqësimi qytetar si shtylla kryesore e demokracisë përfaqësuese humbet si rezultat i shitjes së votës. Elementët e mësipërm si mungesa e llogaridhënies, delegjitimimi i qeverisë, venitja e protestës dhe zërit të kundërshtimit, vetoja qytetare përballë mosmbajtjes së premtimeve, shkëpusin plotësisht lidhjen thelbësore të funksionimit demokratik mes shumicës së qeverisur dhe pakicës qeverisëse. – Shkrirja e elitës politike me atë ekonomike. Politika, duke pasur shumë nevojë për biznesin në kohë zgjedhjesh, ka tentuar dhe ia ka arritur që ta përfshijë brenda vetes dhe të bashkëpunojë me të për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Edhe qeveritë që vënë theksin tek rishpërndarja, nëse do kenë “të zgjedhur” elitën ekonomike të një vendi, nuk kanë për t’ia dalë të zbatojnë platformat e tyre ideologjike dhe kjo do mbetet vetëm demagogji elektorale. Kjo, për arsyen e thjeshtë sepse të zgjedhurit biznesmenë do lobojnë për interesat e veta, edhe nëse kjo shkon në drejtim të kundërt me ideologjinë e partive të tyre. Interesi personal i të zgjedhurit do të dominojë mbi shumësinë e interesave të votuesve të vet.

Referuar argumentimit të mësipërm, ngritja e “merkatos së votës” çon në një formë të re skllavërie, asaj politike, ku populli shet pushtetin e vet fuqiplotë, VOTEN, duke e ridimensionuar sistemin e ri politik, si de jure demokratik dhe de facto oligarkik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi