Ajo monstër sa e vjetër dhe e re që vret demokracinë

Nga Gustavo Zagrebelski, botuar në Mapo, 21 gusht 2015

040544768-27adaa1b-a028-47aa-955a-ad97d418875fNjë imazh që ndoshta mund të përbëjë një sintezë efikase dhe mund të ofrojë ndonjë sugjerim është ai i gjarprit mitologjik që kafshon bishtin e tij, duke u ushqyer me vetveten. Ky imazh, i pasur me domethënie analogjike dhe metaforike, shfrytëzuar nga filozofia e rikthimit të përjetshëm dhe vizionet ezoterikë të unit të pandryshueshëm dhe të vetëmjaftueshëm, mund të përcaktojë fare mirë marrëdhënien mes parasë dhe politikës, në këmbimin e një shkëmbimi dhe të mbështetjes reciproke. Pushteti mban dhe rivitalizon paranë dhe paraja mbështet dhe rivitalizon pushtetin.

Ka edhe një aspekt pikërisht të qarkut para-pushtet, që buron nga rrethana që, në ekonominë e financiarizuar, paraja nuk është statike, por aspiron për rritjen e vetvetes: para që prodhohet nga paraja. Tregu i lirë i kapitaleve është humusi ideal për këtë aspiratë në rritje. Për këtë arsye, ndërkohë që gjarpri mitologjik është gjithmonë i ngjashëm me vetveten, sistemi politiko-financiar ka prirjen që të marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe kanosëse në mjedisin ku zhvillohet, duke thithur gjithnjë e më shumë burime.

Për të mbetur tek imazhi, tendenca për rritjen nënkupton që ajo ngushton gjithnjë e më shumë lakun e vet mbi shoqërinë, duke e varfëruar nga burimet e saj për t’i shfrytëzuar për qëllimet e veta të rritjes; së dyti, ajo modelon shoqërinë dhe ndarjet e saj në të njëjtën mënyrë si nevojat e veta riprodhuese, sipas një ndarjeje trefishe, ose më mirë, sipas tre rrathëve koncentrikë. Ata që janë tek gjarpri janë të privilegjuarit e pushtetit dhe të parasë, të cilët me funksione të ndryshme (politike, ideologjike,tekniko-ekzekutive, avokateske) qëndrojnë dhe fitojnë para në brendësi të shkëmbimit para-pushtet. Përreth tyre, operojnë ata që shërbejnë për t’u ofruar humusin e domosdoshëm material, në atë që mbetet prej “ekonomisë reale”.

Në njëlloj skllavërie të vullnetshme, ata bashkëpunojnë për të mbajtur në këmbë një sistem pushteti, duke pësuar kufizime në mënyrën e tyre të jetesës, në kushtet e punës, në disponueshmërinë e shërbimeve, në sigurinë dhe largpamësinë sociale: sistem pushteti që, ndonëse duke i shfrytëzuar me një ritëm që sa vjen e intensifikohet, I sheh pothuajse si viktima në mirëkuptim sepse, dhe për sa kohë, i mbron nga rreziku I rënies në rrethin e tretë.

Në këtë të fundit qëndrojnë të padobishmit, ikanakët, të papunët, të braktisur në veten e tyre si çakalli, që nuk ka të drejtë të rëndojë pjesët e tjera të shoqërisë, të frenojë apo pengojë “rritjen’: fjala-kyç e gjarprit të legjendës. Cikli para-pushtet-para është, apo synon të bëhet, vetë-referues. Kjo do të thotë që e gjen tërësisht tek vetvetja arsyen e të qenit në veprim. Është njëkohësisht qëllim dhe mjet.

Nëse ne do të donim të gjenim një definicion të fortë dhe të përshtatshëm të nihilizmit, do të thoshim pikërisht kështu: jo vetëm mungesa e qëllimeve, që në vetvete nënkupton thjeshtë pakuptimësi, irracionalitet, cinizëm, por përkimi i mjeteve dhe i qëllimit. Kështu do të kemi një definicion që zotëron racionalitet të tmerrshëm:drejtimi i planifikuar dhe i vetëdijshëm drejt zgjerimit të pakufi të vetvetes, në padije dhe indiferencë ndaj gjithçkaje që është rrotull.

Ose më mirë, në padijen dhe indiferencën deri në momentin kur ajo që është rrotull, në gurgullimën e vet, nis të përfaqësojë një rrezik për vetëprodhimin tënd. Kemi dëgjuar, pohimin e një njeriu të një qeverie “teknike”: në vjeshtë, na presin agjitacione sociale të rrezikshme; prandaj na duhet të veprojmë me një masë drejtësie.

Një qeveri nihiliste do të kish thënë: shoqëria nuk është e qetë, e përshkojnë tensione socialë; duhet të kuptojmë arsyet dhe prej arsyeve do të shkojmë më tej me nxitjen e drejtësisë. Nëse qëllimi është shmangia e trazirave, nuk dilet aspak nga vetëreferimi; përkundrazi, aty konfirmohen dhe përforcohen rripat.

Në po të njëjtën logjikë, trazirat mund të theksohen apo eliminohen jo vetëm me një masë drejtësia të adoptuar në gjendje emergjence, por edhe në vetë logjikën e emergjencës, me anë të represionit. Në këtë shfaqet tendenca autoritare e çdo sistemi qeverisjeje nihiliste, alias vetëreferuese. Në nihilizmin dhe vetëreferimin, në rrethin e mbyllur të pushtetit dhe parasë, nuk ka vend për politikën. Ka vend vetëm për dominimin e verbër që refuzon të ngrejë pyetjen e kuptimit të ekzistencës së vet. Është marrëzi. Atëherë, është për t’u habitur që, nëse ajo që vazhdojmë të këmbëngulim ta quajmë politikë, tërheq gjithnjë e më pak shumicën e qytetarëve, ata që janë jashtë rrethit?

Siç tingëllojnë boshe, hipokrite dhe retorike thirrjet për një pakt të ri mes qytetarëve dhe politikanëve, pa u vënë as minimalisht në diskutim arsyet e atij divorci! Demokracia është formë e politikës dhe politika është thelbi i demokracisë. Por nëse mungon thelbi, forma reduktohet në boshllëk. Në botën e lashtë, thelbi i politikës ishte polisi, një koncept i mbushur me përmbajtje spirituale. Për të gjithë, polisi ishte“qyteti i drejtë”, për të cilin njerëzit e lirë ishin krenarë, ku donin të jetonin dhe për të cilin ishin të gatshëm të bënin sakrifica të mëdha.

Perikliu i thur elozhe në epitafin për të vdekurit e vitit të parë të luftës peloponeziane. Në atë diskutim ka një të vërtetë të përjetshme: nëse pushteti nuk ka një qëllim që e përshkon, nëse ligjet e tij nuk identifikohen me jetën e mirë të qytetarëve në përgjithësi, nuk ka politikë dhe aq më pak nuk mund të ketë demokraci. E përsërit këtë në një prej veprave të tij Euripidi nëpërmjet Tezeut. Në kohën tonë, nuk ka një polis, qytet të drejtë për natyrë dhe nevojë, që neve na takon ta njohim, mbrojmë dhe rrisim. Gjithçka është shkatërruar, gjithçka duhet rindërtuar. Kur jeta politike nuk është më një e dhënë e natyrës, si ajri, toka dhe klima, por duhet ndërtuar e rindërtuar, projekti i qytetit të drejtë është ajo gjëja që e vendosim së bashku dhe që e quajmë “kushtetutë”.Do të thuhet: atëherë shpëtuam!

Një kushtetutë e kemi dhe, për më tepër, të gjithë apo pothuajse të gjithë i referohen. Diskutohet për mundësitë e modifikimit të formave të politikës por, të paktën në thelb, domethënë mbi parimet dhe qëllimet përse qëndrojmë bashkë – ata pra që zakonisht janë në pjesën e parë të kushtetutës –të gjithë bien dakord. Askush, apo pothuajse askush nuk propozon ndryshime. Nuk ka të vërtetë në këto fjalë. Parimet dhe qëllimet e Kushtetutës mund të lihen,ashtu si janë dhe ku janë, për arsyen e thjeshtë që aty mund të injorohen, sikur të mos ekzistonin.

Çfarë bëhet me punën si një e drejtë; për detyrimet e solidaritetit social; të dinjitetit të barabartë të të gjithë qytetarëve; të mjedisit si pasuri e përbashkët; të funksionit social të pronës; të detyrimeve të taksimit që duhet të na frymëzojnë për progresivitetin; të të drejtave sociale si arsimi, shëndeti, mbrojtja e më të dobtëve? Janë vetëm shembuj. Normat që flasin për këto gjëra ndjekin gjurmët enjë “qyteti të mirë”, për të cilin kemi dashur të krijojmë një Kushtetutë. Por mund të lihen të qeta, sepse mund të bëjmë sikur nuk ekzistojnë.

Për t’u shndërruar në realitete veprues, ato kanë nevojë për politika adekuate dhe politikat bëhen sipas formave. Format parashikohen në pjesën e dytë të Kushtetutës dhe këto, shumëkush do të donte t’i ndryshonte rrënjësisht. Kush janë këta “të shumtët”? Nëse janë ata që, pak a shumë, qëndrojnë në rrethin më të thellë të shoqërisë, atë të bashkimit para-pushtet, mund të mendojmë që veprojnë për të na dhënë instrumentet për ta carë dhe për t’i dhënë hapësirë politikës, apo mos është më e lehtë të mendosh që operacioni që po kryejnë shërben për ta shtrënguar edhe më shumë?

Forcimi i qeverisë dhe dobësimi i parlamentit, të besosh tek“vendimi” dhe të mos besosh tek “pjesëmarrja”, për çfarë mund të shërbejë, në momentin e kalbjes dhe rrezikut që, bashkë me demokracinë, kërcënon oligarkitë e lëvizshme të pushtetit dhe parasë, të paaftë të dalin nga kriza e tyre pa i dhënë një goditje Kushtetutës?

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi