Zgjidhja e krizës sipas ndërkombëtarëve

Nga Skender Minxhozi, botuar në JavaNews, 11 qershor 2019

Në një dalje publike të rakorduar, OSBE dhe Bashkimi Evropian kanë deklaruar nga Tirana dhe Brukseli se në kushtet e reja të krijuara pas dekretit të anullimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga presidenti Meta, klasa drejtuese e Shqipërisë duhej të vihej në lëvizje për ta zgjidhur vetë krizën. Thirrja për një “zgjidhje shqiptare” duket gjithçka, përveçse spontane. Mbi të gjitha, duket si një refuzim i drejtpërdrejtë për të negociuar termat e rinj që ka vendosur kreu i shtetit shqiptar, për shtyrjen e 30 qershorit. Morali i fabulës: për ne s’ka ndodhur asgjë, vazhdojmë përpara!

Kur të huajt refuzojnë ndërmjetësimin edhe në një krizë si kjo, do të thotë se vetë kriza ka një problem. Dhe ata e kanë identifikuar problemin tek trysnia në rritje e opozitës, për të provokuar një rotacion pushteti jo përmes zgjedhjeve, por përmes rrugës. Prej katër muajsh Shqipëria endet në batakun e djegies së mandateve dhe protestave të dhunshme, të cilat si fillim kanë dëmtuar sezonin tursitik dhe bashkë me të edhe ekonominë e dobët shqiptare, por më në thellësi, kanë vënë pikëpyetje serioze mbi aftësinë e këtij vendi për të gjetur një kurs stabiliteti dhe paqeje politike e sociale.

Kjo krizë cfilitëse dhe plot vapë, siç dinë të jenë krizat verore të Shqipërisë, do të duhet të kalojë nëpër grykën e shishes më 30 qershor, kur do të votohen organët e qeverisjes vendore. Rreshtimi i hapur Presidentit të Republikës në krahun e opozitës, duke anulluar datën e mësipërme të votimit, ka dëmtuar edhe më tej ekuilibrat e brishtë që lidheshin me zgjedhjet. Kurrë më parë, përveç mandateve presidenciale të Berishës, institucioni i kryetarit të shtetit nuk ishte pozicionuar në mënyrë kaq të hapur dhe banale në favor të njërës palë, duke shpërfillur Kushtetutën, ligjet, normat dhe etiketën që duhet të ketë Presidenca e Republikës.

Ilir Meta zbriti në fushë me impulsin e arbitrit që nuk duron dot pa e treguar se për cilën skuadër bën tifo. Dhe hapi që hodhi duket se po prodhon këto orë një reaksion zinxhir, që mund ta fusë krizën politike në dimensione edhe më të paparashikueshme.

Në këtë ambjent toksik, ku nuk ka më asnjë grimë mundesie që të gjendet hapësirë dhe vullnet për dialog, sytë janë kthyer tek të huajt. Dhe çfarë bëjnë ata? Na thonë ta gjejmë vetë zgjidhjen! E konsiderojnë një “çeshtje të brendshme” këtë që po ndodh dhe na ftojnë të merremi vesh në momentin më të pamundur për t’u marrë vesh!

Pse ky kthim krahësh në këtë moment, kur ambasadat në Tiranë janë vënë në lëvizje edhe nga kapsollat e protestës së rradhës?! Pse kjo tërheqje en bloc pas një lëvizjeje kaq të bujshme të kreut të shtetit shqiptar?

E gjitha kjo indiferencë “e shtirur” duket e mirëmenduar dhe kalkuluar deri në detaj. Dhe  është e fokusuar tek një element i vetëm: shpërfillja e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit! Mbyllje e vullnetshme sysh, përballë diçkaje të cilën nuk e përkrahin, nuk e pëlqejnë dhe nuk duan ta nxisin që të ndodhë! Ky është mesazhi që qëndron pas vendimit të ndërkombëtarëve që dekreti numër dy i presidentit Meta të “dekantojë” në procedura burokratike dhe të ndjekë rrugën e vet të natyrshme. Një rrugë e cila edhe kjo duket se është shqyrtuar me shumë kujdes nga të huajt dhe që duket se të çon vetëm në një destinacion: në pamundësinë reale të shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit!

Precedenti i vitit 2017, kur Bujar Nishani shtynte zgjedhjet dhe Gjykata Kushtetuese e dërgonte dekretin e tij për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor, duke se është çelësi sekret i interpretimit të dekretit të Ilir metës, sipas ndërkombëtarëve. Që do të thotë se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të vijojë i pashqetësuar, siç edhe ndodhi, përgatitjet për 30 qershorin dhe se paditë eventuale kundër kësaj sjelljeje, do të shqyrtohen vetëm nga Kolegji Zgjedhor. S’ka nevojë pra, për Gjykatë Kushtetuese. Kësisoj dekreti i anullimit i emetuar nga Meta nuk e prek statu quo-në dhe nuk e lëviz de facto nga horizonti datën 30 qershor, si moment i mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Kështu interpretohet sjellja e djeshme e ftohtë dhe pasive e ambasadorëve, e më pas edhe e BE dhe OSBE në Bruksel e Vjenë, ndaj zbritjes së zhurmshme të Ilir Metës në meidanin e zgjedhjeve shqiptare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi