Varfëria, rreziku kryesor i sigurisë në Ballkanin Perëndimor

Nga Valbona Zeneli, botuar në Panorama Online, 14 qershor 2015

valbona-zeneli-220x300Ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia – ende mbeten mbrapa pjesës tjetër të Europës. Të ardhurat rajonale lëvizin në një nivel mesatar prej 5,300 dollarësh, duke përbërë vetëm 31 për qind të mesatares së Bashkimit Europian. Për më tepër, Ballkani Perëndimor renditet në fund të indeksit “Catch up”, të Iniciativës të Politikave Europiane. Ky është një tregues që mat performancën e 35 vendeve të Europës në katër kategori, duke marrë në studim ekonominë, cilësinë e jetës, demokracinë dhe qeverisjen. Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria janë në pozicionet e fundit të renditjes. Kosova nuk është marrë në këtë studim.

Vendet e Ballkanit kanë rënë tashmë në çarkun e “të ardhurave mesatare”. Industritë që kanë sjellë rritje ekonomike në periudhat e mëparshme janë tashmë jokonkurruese, duke qenë se rritja e pagave në rajon ka inkurajuar sektorët e bazuar te krahu i lirë i punës të lëvizin drejt vendeve më të lira. Për fat të keq, koha e rritjes së shpejtë ekonomike dhe afrimit me vendet më të zhvilluara ka mbaruar. Periudha të gjata rritjesh të ulëta ekonomike, të ndjekura nga faza stanjacionesh zvogëlojnë rritjen ekonomike mesatare dhe zgjasin procesin e afrimit me ekonomitë më të avancuara. Parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për rajonin është i zymtë. Mesataret e rritjes ekonomike rajonale parashikohen vetëm 2 deri në 3 për qind në vitet e ardhshme.

Nëse ky parashikim rezulton i vërtetë, ideja e konvergjencës me vendet e Bashkimit Europian do të jetë e vështirë të arrihet. Ekonomistet përdorin formulën e ‘72- shit për të llogaritur përafërsisht sa kohë i duhet një vendi për të rritur të ardhurat e popullsisë. Kjo teori shpjegon se të ardhurat dhe prodhimi dyfishohen çdo dekadë, nëse ekziston një rritje mesatare ekonomike prej 7 për qind. Po të ndjekim këtë formulë, me këtë rritje aktuale ekonomike vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’i duheshin 25- 36 vjet për të dyfishuar të ardhurat. Dhe 50 vjet për të arritur të ardhurat mesatare të Bashkimit Europian.

Kërcënuese është edhe papunësia e lartë, me një mesatare prej 24 për qind, që është më e larta ne Europë dhe sa dyfishi i asaj në BE. Problematike është pjesëmarrja e ulët dhe mungesa e mundësive në tregun e punës e të rinjve. Një nga dështimet më të mëdha të procesit të tranzicionit në rajon është minimi i ekonomisë së tregut nga informaliteti dhe pabarazia e madhe sociale. Kriza e fundit ekonomike e eurozonës e ka përkeqësuar më tej situatën në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ambientit ekonomik të dobët të jashtëm i shtohet procesi i papërfunduar i reformave që po e mbajnë rajonin larg krahasimit me ekonomitë e pasura të BE-së.

Indikatorët ekonomikë tregojnë një performancë të ulët në krijimin e tregjeve konkurruese dhe në përmirësimin e sektorit sipërmarrës, që kuptohet nga nivelet shumë të ulëta të prodhimtarisë. Konkurrueshmëria mbetet e pakënaqshme në të gjithë rajonin, vendet e të cilave listohen dobët në raportin e Konkurrueshmërisë Globale të vitit 2015, të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror. Dy faktorët kryesorë që kontribuojnë në këtë konkurrueshmëri të ulët në rajon janë ambienti jomiqësor i biznesit, i karakterizuar nga institucione të dobëta dhe sundim i pamjaftueshëm ligji, si dhe roli i limituar i inovacionit në ekonomi.

Njësoj e rëndësishme është edhe çështja e korrupsionit. Komisioni Europian ka identifikuar krimin e organizuar dhe korrupsionin si pengesat kryesore në rrugën për integrimin europian. Kjo është veçanërisht shqetësuese, sepse këto problematika shkaktojnë një kosto të madhe për prosperitetin rajonal. Sipas Global Financial Integrity (GFI), paratë e pista që vijnë nga krimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal i kanë kushtuar Ballkanit një shumë marramendëse prej 111.6 miliardë dollarësh në periudhën kohore 2001-2010. Kjo shumë llogaritet se ka dalë jashtë rajonit në periudhën kohore të studiuar nga GFI.

Varfëria dhe pabarazia nxisin sfida të tjera sigurie në Ballkanin Perëndimor. Këto përfshijnë emigrimin ilegal drejt vendeve të BE-së, ekstremizmin e dhunshëm, trazira sociale dhe pasiguri rajonale. Të gjithë këta faktorë përfaqësojnë rreziqe për sigurinë në të gjithë Europën. Këto probleme nga ana e tyre kanë krijuar një imazh negativ për rajonin tek investitorët e huaj. Ata ngurrojnë të investojnë në Ballkanin Perëndimor, duke pasur frikë nga shqetësime të ndryshme politike dhe ekonomike. Fatkeqësisht, i tërë rajoni tërheq më pak se 0.9 për qind të investimeve të huaja globale. Një axhendë reformash të qëndrueshme nevojitet për të përparuar në një ekonomi globale të bazuar te njohuritë. Përfitimet më të kollajshme të ekonomisë së tregut janë arritur.

Frutat në degët e pemës që arrihen me dorë janë kapur. Ato që mbeten janë degët e larta të pemës, të cilat janë më të vështira për t’u arritur. Vendet e Ballkanit janë të paktën një dekadë vonë për të nisur reformat e qëndrueshme. Tani që vendet kanë mbetur pa para, liderët duhet të kenë kurajën të nisin reforma serioze. Rritja ekonomike është çelës për të përmirësuar standardet e jetesës. Rritja nuk mund të vijë vetvetiu, dhe për këtë është përgjegjësi e qeverive të ndërmarrin reformat e duhura. Ndryshimet strukturore duhet të nxiten. Këto përfshijnë një ambient biznesi pa korrupsion, investim ne kapitalin njerëzor përmes edukimit dhe lejimi i forcave të tregut dhe incentivave të investimeve që të punojnë.

Nga ana tjetër, integrimi ekonomik rajonal është i domosdoshëm. Pika fillestare drejt një bashkëpunimi më të mirë është pranimi i faktit se vendet e Ballkanit janë tepër të vogla dhe të dobëta individualisht për të gjeneruar shkallë dhe kapacitet të mjaftueshëm për të tërhequr investitorë të huaj dhe forcuar konkurrueshmërinë. Rritja e tregtisë rajonale dhe bashkëpunimit, e investimeve, do të ndihmonte të arrihej më shumë në skenën ndërkombëtare dhe do të sillte një mori efektesh pozitive për secilin vend-dhe për të gjithë Europën. Sfidat e sigurisë që kapin titujt e lajmeve në Ballkanin Perëndimor janë në fund të fundit të lidhura me ekonomitë lokale.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi