Shqipëria tjetër pas 21 qershorit

Nga Mapo Online, 31 maj 2015

maxresdefault

Më 22 qershor, Shqipëria gdhihet me 61 bashki, pa komuna, me një format të ri politik dhe territorial. Zbatimi praktik i ndarjes së re territoriale, një tranzicion i vështirë që shkon deri në vitin 2020. Jeta sociale dhe ekonomike e qarqeve para ndryshimit të madh. Të gjitha risitë në qeverisjen vendore, investimet, shërbimet për qytetarët dhe rreziqet që kanosin jetësimin e ndarjes së re.

Këto zgjedhje vendore do të mbahen mend, më shumë se sa për testimin politik të mazhorancës dhe opozitës, për fillimin e një epoke të re në qeverisjen e pushtetit vendor. Reduktimi i njësive vendore nga 374 aktualisht në vetëm 61 bashki, përveçse do t’i bëjë më të pushtetshëm kryebashkiakët e rinj, do të ketë ndikim të padiskutueshëm në jetën sociale dhe ekonomike të vendit.

Ndarja e re territoriale nuk është thjesht përcaktimi i kufijve të rinj administrativë që kanë lidhje me qeverisjen vendore, por jep mundësi të reja zhvillimi në të gjitha aspektet, sigurisht nëse të zgjedhurit e rinj do të dinë të menaxhojnë. Në të kundërt, “pashallarët e vjetër” që kanë qeverisur nga dy mandate në bashkitë kryesore do të shtrijnë edhe më tej sulltanatin për pushtet personal më pak se në shërbim të qytetarëve.

Mirëpo ajo që fushata elektorale po ofron sot nuk shpalos asgjë nga ajo që pritet të ndodhë.

Të paktën nga programet elektorale të artikuluara në takimet e kandidatëve nuk është zbardhur asgjë e jashtëzakonshme se nga ato që rëndom kemi dëgjuar për fushatat e tjera. Dhe kjo, jo për faj të kandidatëve vendorë, por të pushtetit qendror që nuk ka ende gati të gjitha ligjet, udhëzimet, rregulloret dhe fondet që do të jetësojnë në praktikë funksionet e ndarjes së re.

Sipas strategjisë finale të decentralizmit 2015-2020, që tashmë ka marrë miratimin edhe në Kuvend, qeverisja lokale nuk do të zgjerohet vetëm në territor gjeografik, por edhe në kompetenca, ligjvënie dhe në administrim.

Kryebashkiakët e rinj do të kenë më shumë kompetenca që rrjedhin nga decentralizimi. Ata do të kenë të drejtë të miratojnë nivelin e taksave vendore dhe t’i grumbullojnë ato. Gjithashtu është menduar koncepti i “tax share”, ku bashkitë që nxisin grumbullimin e sigurimeve shoqërore dhe tatimeve të tjera për llogari të buxhetit qendror mund të përftojnë një pjesë të këtyre tatimeve për nevojat e veta.

Pushtetarët e rinj vendorë kanë kompetenca të marrin borxh dhe të emetojnë obligacione njësoj si qeveria për të zhvilluar projektet e tyre. Ata do të mund të japin me koncesion dhe të zhvillojnë partneritetin publik dhe privat për shërbime dhe investime të ndryshme.

Ndarja e re i hap rrugë zhvillimit të zonave rurale si resurse turistike në administrimin nga bashkia. Bie fjala zona e Dardhës në Korçë dhe ajo e Valbonës në Tropojë mund të pësojnë zhvillime rrënjësore nën qeverisjen e re vendore, e parë kjo si një burim të ardhurash. Kryebashkiakët e rinj do të kenë kompetenca të reja në politikat e arsimit dhe të shëndetësisë në përputhje me nevojat e zonës, pasi sot këto funksione drejtohen nga pushteti qendror.

Për qytetarët krijohen hapësira të reja gjithashtu. Kostot për kryerjen e shërbimeve nuk do të rriten, pasi qendrat e komunave do të funksionojnë si njësi të vogla shërbimesh, për të lëshuar vërtetime apo për të kryer verifikime. Por, për qytetarët, hapet një derë e re komunikimi, ku përveç njësisë vendore, problemet e tyre ritrajtohen nga bashkia. Të grupuar në shoqata, qytetarë dhe grupe të tjera interesi do të kenë mundësi të lobojnë për projektet e lokaliteteve të tyre dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Njësitë e qeverisjes vendore do të kenë më shumë kompetenca dhe fonde për t’u shërbyer qytetarëve në mënyrë më efikase dhe për t’u ofruar atyre shërbime me standarde të Bashkimit Europian.

Bizneset, nga ana tjetër, do të riformatohen drejt sipërmarrjeve më të mëdha, për shkak se projektet do të formësohen në funksion të të gjithë rajonit dhe jo vetëm në një ose dy-tre fshatra. Gjithashtu, ato do të kenë mundësi të hyjnë në partneritet me pushtetin lokal për projekte dhe investime. Njësitë e reja do të jenë më të mëdha, ndaj do të kenë kapacitete më të mëdha për investime, që do të thotë më shumë mundësi fitimi për bizneset lokale.

Por, sjellja e pushtetit lokal në standardet që pretendohet, nuk do të jetë e lehtë. Pasi duhen ndërmarrë 150 masa ligjore, teknike dhe administrative dhe duhen të paktën 9 miliardë lekë ose 66 milionë euro, ku rreth 60% e shumës mbetet e pafinancuar. Periudha transitore është parashikuar të shtrihet deri në 2020, por nëse deri atëherë mund të ketë një rrotacion politik, ndarja e re rrezikon meremetime të tjera politike.

Sipas planifikimeve aktuale, ndarja e re territoriale do të kursejë 60 milionë dollarë në vit si shpenzime administrative, të cilat do t’i kthehen pushtetit vendor në formën e investimeve.

Kursehen 60 milionë USD në vit, rikthehen si investime

Mesatarisht, bashkitë dhe komunat në Shqipëri, shpenzojnë 27% të buxhetit të tyre për investime kapitale dhe 37% për pagat e punonjësve. 40 njësi shpenzojnë mbi 80% të buxhetit të tyre vetëm për pagat e punonjësve, ndërsa 230 njësi shpenzojnë mbi 60% të buxhetit të tyre për pagat e punonjësve.

Reforma administrativo-territoriale do të bëjë të mundur një ndryshim rrënjësor në investimet dhe ofrimin e shërbimeve publike në nivel të qeverisjes vendore dhe rrjedhimisht, do të përmirësojë jetën e qytetarëve. Si rezultat i reformës administrativo-territoriale, qeverisja vendore pritet të fitojë rreth 60 milionë dollarë në vit, të cilat mund të shkojnë drejtpërdrejt për investime në infrastrukturën vendore. Me krijimin e njësive më të mëdha të qeverisjes vendore krijohen kushtet e nevojshme për zhvillim social-ekonomik dhe përthithjen e investimeve të mëdha nga institucionet publike, Bashkimi Europian, donatorët ndërkombëtarë dhe sektori privat. Reforma administrativo-territoriale do të ulë pabarazinë në shërbime, financime, të ardhura e zhvillimin që ekziston sot mes qendrave të mëdha urbane dhe zonave rurale.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan