Dy ligje dhe dhjetë probleme…

Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online, 31 maj 2015

zef-preciNë masmedia është përcjellë miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të radhës të kësaj jave i projektligjit “Për investimet strategjike”, që synonte “…përshpejtimin dhe zgjerimin e gamës së investimeve vendëse ose të huaja në Shqipëri”. Gjithashtu, Kuvendi miratoi disa ndryshime në ligjin “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, që “…parashikon nxjerrjen për shfrytëzim të tri zonave të lira ekonomike ndaj sipërmarrjes private, zona që ndodhen në Durrës, Koplik dhe Vlorë”. (http://www.ata.gov.al/kuvend-miratohet-prligji-per-investimet-strategjike- 2-269723.html)

Mbas këtij informacioni, me dëshirën që të sqaroj disa çështje që lidhen me këtë, – përpjekje që kam bërë edhe përmes komenteve mediatike dhe në rrjetet sociale – në vijim do të analizoj këto dy ligje në një këndvështrim pak më të gjerë nga debati politik dhe publik, që shoqëroi vendimmarrjen përkatëse të Kuvendit.

Ndër çështjet kryesore, të cilave sipas meje ky ligj nuk u jep përgjigje, mendoj se janë edhe ato që lidhen me përcaktimin e investitorëve strategjikë, me implikimet e zbatimit të këtyre ligjeve ndaj ligjit të prokurimit dhe mbrojtjes së konkurrencës së lirë, por edhe me vetë procesin e integrimit europian të vendit.

Ndoshta një problematikë më vete përbën edhe kuadri i përgjithshëm i ekonomisë së vendit, në të cilin ndërmerret ky ligj. Le t’i analizojmë me radhë secilin nga këto probleme. Së pari, e gjej plotësisht me vend shqetësimin e qeverisë Rama për nevojën e nxitjes së investimeve vendëse dhe të huaja të çfarëdo lloji në ekonominë tonë kombëtare, të dominuar nga sektori privat.

Kjo sepse problemet e mëdha strukturore të kësaj ekonomie, aftësia e dobët konkurruese dhe shterimi i rritjes ekonomike mbi bazën e burimeve ekstensive dhe pa punësim (siç ka ndodhur gjatë më shumë se prej dy dekadash), kanë sjellë një situatë ku çfarëdo progresi real në këtë ekonomi varet dukshëm nga aftësia e qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe posaçërisht nga aftësia për të nxitur investimet vendëse dhe për të thithur investime të huaja.

D.m.th. bëhet fjalë për të përmirësuar klimën e biznesit si një nevojë imperative e kohës në një ekonomi të rregulluar dobët, me ndërhyrje të fuqishme të lobeve të biznesit me lidhje politike në rregullimin e tregjeve etj. Së dyti, duke u kthyer te ligjet e sipërcituara, në literaturën ekonomike, financiare dhe të biznesit bëhet një dallim i qartë midis investimeve “të zakonshme” dhe “investimeve strategjike”. Në fakt, në ligjin e sapomiratuar nga Kuvendi këto dy nocione duket se konfondohen, ky dallim është i pamundur – të krijohet përshtypja se gjithçka është/mund të jetë “strategjike” në përputhje me vullnetin dhe autoritetin e qeverisë – diçka që nuk mund të jetë kështu.

Për ta kuptuar lexuesit, po sjell si shembull si e trajton “investimin strategjik” p.sh. Deutsche Bank. Kështu, kjo bankë ofron hua për financimin e projekteve në energjinë e rinovueshme, teknologjinë për eficiencën e energjisë etj., përmes të cilave bashkërendohen aspektet mjedisore, sociale dhe te mirëqeverisjes, duke zgjeruar analizat tradicionale të investimeve përmes përfshirjes së komponentëve jofinanciarë afatgjatë. Kjo mundëson një shqyrtim të integruar të problematikës së konkurrencës, aspekteve financiare, rregullatore, ekologjike, sociale, problemeve të rrezikimit të reputacionit etj., në momentin e marrjes së vendimeve strategjike.

Burime të tjera e përcaktojnë “investimin strategjik” si një transaksion që lidhet ngushtësisht me ndërmarrjet e përbashkëta (joint ventures), me një variacion transaksionesh, në të cilat investitori nuk është drejtpërdrejt i interesuar në qëllimet financiare, por në qëllime më të gjera biznesi, pra me qëllime strategjike. D.m.th., nëse investitori i zakonshëm ka si qëllim final të gjenerojë një normë fitimi sa më të madhe mbi investimin e vet, ky nuk është qëllimi i drejtpërdrejtë i “investimit strategjik” (http://www.economywatch.com/). Pra, në rastin e një “investitori strategjik” kemi të bëjmë me investimin në një biznes të ri apo që ofron tregje të reja, që zhvillon produkte të reja…

Jam skeptik nëse do të ketë vërtet investitorë vendës dhe të huaj të tillë (strategjikë), që rrezikojnë paratë e tyre për të zhvilluar ekonominë tonë kombëtare në sektorë të tillë, si: sektori minerar, transporti, turizmi dhe bujqësia përballë risqeve që lidhen me korrupsionin qeveritar, mosrespektimin e detyrimeve kontraktore, sistemin fiskal të paqëndrueshëm, Gjyqë- sorin tejet ineficient dhe të korruptuar etj?

Aq më tepër që këtë klasifikim do ta bëjë vetë qeveria përmes ngritjes së Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS), si një organ kolegjial pranë vijon nga faqja 1 Këshillit të Ministrave, i cili merr vendime për dhënien e statusit të asistuar apo të veçantë të investimeve strategjike, që propozohen nga investitorët vendës ose të huaj”. Personalisht nuk besoj se ekzistojnë ndokund ne botë investitorë “bamirës” që kanë shkelur e do të shkelin ndonjëherë në vendin tonë, ashtu siç e konsideroj kthim prapa rritjen e rolit të qeverisë në “përzgjedhjen” të investitorëve vendës dhe të huaj dhe emërtimin e tyre “strategjikë” ose jo…

Përvoja e vendeve të tjera, por edhe studimet që personalisht kam drejtuar në fushën e antikorrupsionit, tregojnë se ndë- rhyrjet shtetërore të kësaj natyre në ekonomi, në thelb, bartin mungesën e transparencës, mundësinë e aferave korruptive, cenimin e interesave publikë, aq më keq në një plan afatgjatë me përfshirjen e aseteve të rëndësishme publike, siç është toka etj. Së treti, përkufizimi për madhësinë e investimeve të ashtuquajtura “strategjike”. Sipas propozimit të Këshillit të Ministrave, “strategjike” do të cilësohen investimet në sektorët kryesorë të ekonomisë, që kapin vlerën nga 1 milion deri në 100 milionë euro, në varësi të sektorit ku investohet.

Në botën e sotme, madhësia e kapitalit, e palidhur p.sh. me numrin e të punësuarve, me drejtimin e investimit (p.sh. prodhim vendës, eksport etj.), ka të bëjë me specifikat e bizneseve të caktuara apo me teknologjinë e zbatuar prej tyre, por vështirë se mund të jetë kriter përcaktues për t’u përjashtuar nga disa procedura apo për përfitime që anashkalojnë ligjin e prokurimit publik, pra konkurrencën në treg. Aq më tepër që madhë- sia e sipërme (100 milionë dollarë) më duket pa kuptim, që të vendoset në një akt ligjor. Së katërti, një problem të rëndësishëm sjell ky ligj në lidhje me anashkalimin e ligjit të prokurimit dhe të koncesioneve, duke ofruar përcaktimin e “…procedurave në rastet e zhvillimit të procedurave konkurruese/ tenderuese/ koncesionare”, gjë që sipas mendimit tim bart pasoja të pariparueshme, veçanërisht sa i takon cenimit të konkurrencës në treg.

Duke qenë se ky ligj, ndër të tjera, përcakton edhe “… procedurat administrative që ndiqen nga organet shtetërore për realizimin e investimeve strategjike nëpërmjet dy formave atë të procedurës së asistuar dhe atë të procedurës së veçantë si dhe masat mbështetëse”, kjo do të thotë se po përcaktohet një procedurë jashtë modelit të konkurrimit klasik të njohur, e konsoliduar gjatë më shumë se dy dekadave të fundit, procedura të cilat nuk mund të mos çojnë në deformimin e konkurrencës dhe pasojave që kjo krijon në ekonomi.

Kështu, ndër të tjera, krijohen mundësitë për favorizime, kësaj radhe “me ligj”, por edhe për avantazhe në kostot e prodhimeve/ shërbimeve përkatëse që ofrohen, si në krahasim me bizneset e ngjashme ekzistuese, por që nuk janë klasifikuar nga qeveria si “strategjikë”, ashtu edhe me ato që do të futen në treg në periudhat që vijnë, kur ky ligj të ketë pushuar efektet e veta. Së pesti, në vlerësimin tim, ky ligj bie ndesh me hapat e hedhur deri më sot dhe angazhimet e shtetit shqiptar për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian në drejtim të nxitjes dhe mbrojtjes së konkurrencës.

Pohimi se ky ligj “…nuk synon përafrim të legjislacionit të shqiptar me atë të Bashkimit Europian… konsiderohet si një masë legjislative e përkohshme deri më 31 dhjetor 2018” – siç sqarohet në relacionin e përgatitur nga qeveria për Kuvendin e Shqipërisë, nuk mendoj se gjen justifikim. Aq më tepër që jetojmë në një kohë kur sipërmarrje dhe biznesmenë të fuqishëm nga vendet e pasura kanë ndërmarrë një “agresion” të vërtetë për marrjen nën kontroll të pasurive kombëtare të vendeve të varfra, me institucione të dobëta e të korruptuara, me sistem ligjor ineficient, jofunksional dhe nën pushtetin politik dhe të parasë si yni etj.

Relacioni i qeverisë për ligjin në fjalë sqaronte përfshirjen në të ardhmen, rast pas rasti, të Autoritetit të Konkurrencës (AK) në dhënien e opinionit rreth projekteve individuale që do të konsiderohen nga qeveria si “investime strategjike” si pjesë e një “grupi operacional” pranë AIDA-s. Në fakt, duke qenë se ky ligj cenon thelbësisht konkurrencën, nga mungesa e së cilës po vuan përherë e më shumë ekonomia jonë kombëtare, si dhe duke marrë parasysh edhe faktin se një numër agjencish rregullatore të tregjeve po drejtohen nga përfaqësues të industrive (të cilët nuk mund të mos përfaqësojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi interesat e lobeve të biznesit prej nga vijnë), përfshirja e AK duhej të ishte bërë qysh në fillim.

Në projektin e Këshillit të Ministrave dhe në relacionin përkatës të tij nuk rezulton që të ketë dhënë opinionin e vet ky institucion për projekt-aktin në fjalë, ndonëse ligji mbi të cilin funksionon ky autoritet parashikon shprehimisht dhënien e opinionit të vet zyrtar përmes një vendimi dhe publikimin e tij në çdo rast, që ka të bëjë me konkurrencën. Po kështu, opinionin zyrtar të AK nuk rezulton ta ketë kërkuar as vetë Kuvendi në momentin e shqyrtimit të ligjit që po komentojmë, ndonëse procedurat e shqyrtimit në Këshillin e Ministrave të rasteve për shmangien nga konkurrenca përmes metodave ekstrakonkurruese, siç parashikon ligji, janë tejet të shpejta në afatet e tyre, gjë që mund të krijojë probleme procedurale dhe ndoshta edhe mbetjen jashtë vendimmarrjes të AK edhe në të ardhmen, ndonëse përfshirja e këtij institucioni është një detyrim ligjor për të gjitha institucionet e shtetit, veprimtaria rregullatore e të cilëve krijon mundësi për deformim të konkurrencës, krijim monopolesh, dhënie ekskluzivitetesh etj.

Ndoshta kjo mund të bëhet në periudhën përpara dekretimit nga Presidenti i Republikës, por duke marrë parasysh “rreshtimin” e mjaft institucioneve në shërbim të ekzekutivit të radhës dhe jo ligjin, jam skeptik së një gjë e tillë mund të ndodhë edhe me agjencinë që në fillimet e veta është drejtuar nga autori i këtyre radhëve. Së gjashti, dhënia e garancive juridike për shpronësimet e tokave përbën një problem, sipas mendimit tim, serioz parimor dhe procedural.

Projektligji përcakton gjithashtu krijimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, që do të vihen në dispozicion të projekteve. Nuk ka dyshim se çmimet me të cilat janë kompensuar dhe kompensohen pronarët e tokave bujqësore e trojeve gjatë çerekshekullit të fundit janë disa herë më të ulëta se çmimet e tregut dhe janë zbatuar pothuajse në çdo rast në shkelje të prerogativave kushtetuese për këtë proces. D.m.th., është cenuar kjo kategori shoqërore dhe parimisht kjo është bërë si për të frenuar orekset në procesin e kompensimit të pronarëve të shpronë- suar në periudhën e regjimit komunist, ashtu edhe për faktin se ndërtimi dhe zgjerimi i infrastrukturës publike kërkon sipërfaqe të mëdha, të cilat në një vend si yni janë të kufizuara. Nuk po flas për fondet publike që sigurohen përherë e më me vështirësi për këtë qëllim.

Por përfshirja e shtetit (qeverisë) në shpronësimin e pronarëve private de jure “për nevoja publike” dhe “de facto” për interesat e lobeve të biznesit, qoftë edhe me paqëllimin e mirë të lehtësimit të hyrjes së kapitalit të huaj në vend, mendoj se është kushtetutshmërisht e pambështetur dhe ekonomikisht një burim i madh korrupsioni. Aq më tepër që vendit i mungon një strategji e mirëfilltë e zhvillimit ekonomik e shoqëror, nuk ka përfunduar ende procesi i regjistrimit të pasurive të patundshme dhe fuqia ndikuese e lobeve të interesuara të biznesit mbi Kuvendin dhe qeverinë është më e madhe se kurrë më parë.

Së shtati, dhënie e fuqive ekzekutive për ndëshkimin e shkeljeve të administratës publike apo vendosje penalitetesh një agjencie promocioni dhe zhvillimore (në atë masë pavarësie në vendimmarrje sa lejon ekzekutivi, kuptohet), siç është AIDA, hap diskutimin rreth kapaciteteve dhe funksioneve të kësaj agjencie. Kështu, sipas këtij ligji, AIDA-s i jepet e drejta të vendosë gjobë mbi punonjësit e administratës publike kur ata “… definohen si shkaktarët e vonesave apo shkaktarët e mosecjes së projektit”, gjë që në një shtet normal nuk ka përse të jetë atribut i kësaj agjencie.

Kjo jo vetëm në respekt të parimeve mbi të cilat është e ndërtuar dhe funksionon administrata jonë publike, por edhe të faktit se çdo fuqizim i ekzekutivit cenon rolin e gjykatave dhe krijon amulli institucionale, e cila, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë e tillë as në fillimet e tranzicionit.

Së teti, qëllimi i mirë i ligjit, siç del edhe nga raportimet zyrtare në faqen e Kuvendit të Shqipërisë se …nëpërmjet këtij projektligji përcaktohen procedurat dhe rregullat administrative, lehtësuese apo përshpejtuese për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve publike, private, vendëse dhe të huaja, në sektorët të identifikuar si strategjikë nëpërmjet lehtësimit të barrierave penguese të deritanishme, si burokracia e tepërt, mungesa e transparencës apo kompleksiteti i legjislacionit, të cilat kanë frenuar dhe vonuar investimet në vend. (http://www.parlament.al/web/Komisioni për Ekonomine dhe Financat shqyrtoi projektligjin Për investimet strategjike në ne 20125 1.php) nxjerr në pah problemet e vërteta, me të cilat ndeshen investitorët vendës dhe të huaj në ditët e sotme.

Por a duhet një ligj tjetër dhe institucione të tjera “sui generis” kur flitet për pengesa burokratike etj., që shprehin moszbatimin e kuadrit ligjor në fuqi? Mos do të ishte më mirë që përballë “shpikjeve” të tilla, që më shumë e komplikojnë problemin dhe shtojnë mundësitë për korrupsion dhe abuzim në dëm të interesave publikë, të kishte një qëndrim më serioz të ekzekutivit në përballimin me realizëm të problematikes së vërtetë me të cilën ndeshen investitorët? Unë mendoj se kjo e dyta është dhe duhet të jetë detyra e parë e çdo qeverie…

Së nënti, përvoja e vendeve të tjera në kushte të ngjashme ekonomike, si p.sh. Kosova apo edhe vendeve që kanë ndërmarrë nisma të tilla ligjore (p.sh. Kroacia), kanë hasur në reagimin e institucioneve europiane pikërisht në emër të atyre parimeve të rregullimit të tregut, reduktimit të ndërhyrjes shtetërore dhe mbrojtjes së konkurrencës, për të cilat shteti shqiptar është angazhuar të paktën prej 15 vjetësh.

Në të njëjtën ditë Kuvendi miratoi edhe ligjin “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, përmes të cilit qeveria parashikon “…nxjerrjen për shfrytëzim të trizonave të lira ekonomike ndaj sipërmarrjes private, që ndodhen në Durrës, Koplik dhe Vlorë” përmes një tenderi që do të zhvillohet brenda dy muajve, ndërsa kompania fituese për ndërtimin e tyre do të shpallet gjatë muajit tetor. Zonat e lira ekonomike parashikojnë lehtësira fiskale për të gjithë investitorët që do të bëhen pjesë, mes të cilave përgjysmim të taksës së tatim-fitimit për pesë vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë.

Sipas mendimit tim, e ky është edhe problemi dhjetë e i fundit në këtë opinion, edhe për këtë ligj janë problematike aspektet procedurale (shqyrtimi brenda një kohe tejet të shkurtër 30 ditë), aq sa të krijohet përshtypja se vetëm emri i kompanive/kompanive fituese, në një kohë që të gjitha vendet e tjera, shqyrtimi i projekteve të tilla zgjat në vite dhe përfshin komunitetet lokale, qarqet akademike etj, veçanërisht në drejtim të përfitimeve afatgjata të ekonomisë kombëtare dhe rajonit përkatës ekonomik të vendit.

Gjithashtu, për shkak të nivelit të lartë të informalitetit në vend dhe të shtrirjes së gjerë të korrupsionit në administratën publike favorizimet e premtuara për investitorët rrezikojnë të kthehen në një burim evazioni dhe përfitimesh korruptive, që komprometojnë qëllimin e mirë të ndërmarrës së vetë ligjit, pa folur për problematikën e shpronësimeve që u analizua gjerësisht më lart.

Në përfundim, mendoj se Kuvendi u nxitua në miratimin e këtyre dy ligjeve dhe jam i dyzuar nëse vërtet kjo ndihmon në zgjidhjen e problemeve të funksionimit të administratës publike, problemeve ligjore, problemeve të rregullimit të tregjeve etj., me të cilat ndeshen investitorët në vendin tonë apo krijon probleme të reja për ta? Ndoshta më shumë shanse ka kjo e dyta…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi