Një ligj të ri për partitë politike

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 19 korrik 2018

Duke qenë se qytetarët shqiptar ka një uri për drejtësi, e cila vjen si pasojë e mungesës së saj përgjatë tranzicionit, atëherë, efektet  e Reformës në Drejtësi duhet të jenë të shpejta, të menjëhershme. Në të kundërt, besimi se drejtësia e re do të ndodhë  sa vjen e zbehet.

Në fakt, kështu ka ndodhur. Në fillimet e aprovimit të Reformës në Drejtësi, kur klasa politike e detyruar e aprovoi në unanimitet, besimi se erdhi momenti për të patur një drejtësi të pavarur ishte i madh. Mirëpo, me kalimin e kohës, politika shqiptare, bëri çmos ta pengonte, ta ngadalësonte apo dhe ta sabotonte. Ndoshta, për ti ulur kredibilitetin asaj, duke bërë kështu që as shqiptarët mos ti besojnë më.

E duke parë realitetin e sotëm, deri më tani,  ndoshta politika ja arriti qëllimin e saj. Sepse sot, shumëkush nuk beson më se do të vendosim një drejtësi të pavarur, edhe pse kemi një reformë të shkruar në Kushtetutë. Megjithatë, kjo mbetet për tu parë, pasi herët apo vonë ajo reformë do të duhet të zbatohet, përderisa është e shkruar e zezë në të bardhë në Kushtetutën shqiptare.

Mos vallë , problemet e Shqipërisë për sa i përket funksionimit të demokracisë, drejtësisë, apo atij që quhet shteti i së drejtës, do të zgjidheshin duke bërë më parë reformën politike dhe jo atë të drejtësisë?

Është e qartë, se një nga problemet kryesorë që Shqipëria sot, përtej drejtësisë, është padyshim partitokracia. Padyshim, që sot vuajmë nga politizimi i shteti, dhe ky është një sëmundjet më të madhe të shtetit shqiptar në tërësi.

“Murtaja italiane”,  titullohet një libër i botuar nga radikalët e majtë italianë  në vitet 70-80.Që nga titulli kuptohet fare mirë që kemi të bëjmë me një sëmundje, të rëndë madje. Partitokracia, ishte sëmundja për të cilën fliste ky libër. Aty kritikohej ashpër jeta politike e Italisë në ato vite, për shkak të  një kulturë politike, e cila bazohej tek forca e madhe që partitë politike kishin në të gjitha sferat e shoqërisë. Këto të fundit  kishin uzurpuar çdo gjë: ekonominë, shoqërinë, shtetin dhe jetën kulturore në një vend i cili ka mbijetuar vetëm në saj të kulturës. Forca e tyre e madhe ishte përhapur si një sëmundje infektive dhe kontaminuese, deri në zyrat më të parëndësishme të shtetit Italian. Një sistem partitokratik, që në pjesën më të madhe të funksionimit të shtetit ishte kthyer në një forcë arbitrare.

Shqipëria sot, ka të njëjtin problem, pikërisht  si Italia e viteve ’70-’80. Përtej partive politike nuk ekziston asgjë. Ato janë kthyer pothuajse në institucione fetare.  Nga liderat e tyre presim mrekullitë që s’do të arrijnë kurrë. Vetë ata, kanë marrë rolin e një profeti, ku duhet me patjetër të besojmë. Duhet të  përqafohet  pa kusht dogma e tyre, në të kundërtën je duke kryer një erezi e cila ndëshkohet rëndë.

Ky është regjimi që tashmë kemi vendosur. Një regjim partitokratik ku politika kontrollon gjithçka. Ajo jep drejtësi, nga ajo varet ekonomia, liria, individi e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me jetët tona.

Ekziston një moment shumë i rëndësishëm, për të kuptuar nëse institucionet janë të pavarura apo jo në një shtet të caktuar, është  pikërisht momenti kur  politika është në krizë. Krizave politike në vendet me pushtete të ndara i japin zgjidhje  organet e pavarura, të cilat kanë pikërisht këtë si detyrën kryesore. Nëse partitë politike dhe sistemi politik funksionon në rregull, përtej “luftës” normale të ideve, atëherë institucionet e shtetit kthehen në zyra formale. Nëse jo, atëherë roli i tyre është thelbësor.

Në momentet që politika shqiptare është në krizë, dhe kjo ndodh jo rrallë herë, gjëja e parë që vërehet është sulmi politik që zhvillohet ndaj institucioneve. Presidentë të Republikës të akuzuar si të një pale politike apo të një tjetre, vendime gjyqësore si të njëanshme, deri edhe në protesta ndaj tyre, janë bërë tashmë pjesë normale e ligjërimit politik. Kjo është një shenjë e qartë sesa pak besim kemi tek ato, për faktin se pjesa më e madhe e tyre është kthyer si organ i një partie të caktuar. Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis partisë-shtet në kohën e komunizmit  dhe shtetit të partive që kemi krijuar sot.

Të kuptohemi, partitë politike në një demokraci përfaqësuese janë jetike. Si të thuash, janë një e keqe e domosdoshme, pa të cilën demokracia nuk funksion. Vetë Kushtetuta jonë i jep një rëndësi të madhe institucioneve të partive si përfaqësimi politik, përcaktimi i politikave kombëtare apo funksione tjera. Kështu që, funksionimi i tyre është çështje e të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike. Është një çështje publike, sepse janë institucione të tilla.

Në këtë aspekt kemi nevojë urgjente për t’i reformuar,  duke u nisur që nga organizimi i tyre, funksionimi dhe financimi. Sot më shumë se kurrë ka nevojë për një ligj organik, i cili të përforcojë principet demokratike që kostituentët  tanë kanë vendosur jo pa qëllim për funksionimin e tyre. Është një paradoks  që ato kanë funksione publike dhe  funksionojnë me logjikë private. Le t’i kthejmë në institucione publike që nënkupton hapjen e tyre ndaj opinionit  dhe mekanizmave të fortë kontrollues. Vetëm kështu, shteti i partive do të ishte i pranueshëm.

  • Titulli origjinal i artikullit eshte “Po sikur t’ia fillonim nga reforma politike dhe jo nga ajo e drejtësisë?!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi