Mbi konceptualizimin e anëtarësisë në partitë politike shqiptare

Nga Anjeza Xhaferaj, botuar në Mapo, 12 korrik 2017

Sa herë që flitet për partitë politike shqiptare, prirja është që të krahasohen me simotrat e tyre në perëndim apo edhe në vendet post-komuniste. Dhe ashtu sikundër tashmë dihet dhe pranohet prej të gjithëve, krahasimi bëhet për të kuptuar se partitë shqiptare dallojnë nga të tjerat. Shifrat e anëtarësisë të deklaruara nga partitë politike, edhe pse të marra me rezervë, janë të larta dhe tregojnë se partitë politike shqiptare janë fortësisht të ankoruara në elektorat. Megjithatë, duhet theksuar se kjo mbetet e vërtetë vetëm për dy partitë e mëdha, të cilat kanë predominuar skenën politike në Shqipëri pas rrëzimit të sistemit komunist. Partitë e tjera nuk ia kanë dalë të sigurojnë një ankorim të tillë në elektorat dhe përgjithësisht alternativat e reja nuk kanë patur mundësi të kthehen në aktorë të rëndësishëm në formësimin e sistemit partiak shqiptar.

Është e qartë që për shkak se Partia Socialiste trashëgoi një strukturë organizative të ndërtuar dhe një numër të madh anëtarësie ajo ishte më e organizuar dhe më e mbështetur në elektorat në vitin 1991 gjë që tregohet edhe nga rezultati i zgjedhjeve, të cilat u fituan prej saj. Në vigjilje të tranzicionit, Partia e Punës (para-ardhësja e PS) kishte një strukturë organizacionale të mirëstrukturuar dhe të shtrirë në të gjithë shoqërinë. Duke qenë se organizatat disidente ishin të ndaluara me ligj gjatë sistemit komunist, partitë opozitare patën mundësi të lindnin vetëm gjatë tranzicionit. Pavarësisht vështirësive, Partia Demokratike ia doli të organizohej në të gjithë territorin dhe të sigurojë një anëtarësi të lartë. Përllogaritja e raportit ndërmjet shifrave të anëtarësisë dhe elektoratit tregon se anëtarësia përbën 9-12 për qind të tij, duke e renditur kështu Shqipërinë si një ndër vendet ku partitë politike kanë ‘rekrutuar’ një pjesë të madhe të elektoratit, një pjesë që është shumë më e madhe se sa ajo e partive në vendet e tjera ku kjo shifër vërtitet rreth 3%-shit.

Partitë politike shqiptare janë modeluar sipas modelit të ‘shpikjes socialiste’ me degë relativisht të hapura. Tashmë mjafton të hysh online në faqen e internetit të partive politike dhe të aplikosh për të anëtarësohesh. Informacioni i vetëm që kërkohet është: Emri/Mbiemri, Atësia, Datëlindja, Vendlindja, Vendbanimi, Gjinia, Nr. Personal i identitetit, Nr. Telefoni Celular, Nr. Telefon fix dhe email-i. Mjafton të jesh mbi 15/16 vjeç dhe të mos jesh anëtar i një partie tjetër.  Dikur, Partia Demokratike, pat vënë si kusht që kandidati për t’u bërë anëtar nuk do të duhej të kish qenë pjesë e strukturave drejtuese të sistemit komunist dhe gjithsesi të kish një të kaluar të panjollosur nga sistemi diktatorial. Megjithatë, me kalimin e kohës edhe ky kriter u hoq, dhe tashmë nuk ka ndonjë tipar të dallueshëm ndërmjet anëtarësisë së njërës parti apo tjetrës. Përgjithësisht partitë politike shqiptare e vlerësojnë ekzistencën e anëtarësisë në organizatë, jo vetëm për mbështetjen e siguruar gjatë fushatës elektorale dhe veçanërisht ditës së votimit, por edhe sepse legjitimiteti që vjen nga një anëtarësi e madhe është po aq i rëndësishëm sa ai që vjen nga fitorja në elektorat. Shifra të larta anëtarësie nënkuptojnë parti të fuqishme.

Koncepti i anëtarësisë, në partitë politike shqiptare, në mënyrë të ngjashme me partitë në vendet post-komuniste ka pësuar një lloj ‘zgjerimi’ kuptimor që vjen si pasojë e nevojës për të propozuar kandidatë për poste publike, veçanërisht në zgjedhjet lokale. Partitë politike shpesh kanë vendosur kandidatë pa afiliacion politike nën emrin e partisë. Në rastin e Shqipërisë, këta kandidatë shpesh kanë ardhur nga bota e biznesit dhe ndonjë herë edhe janë marrë nga radhët e një partie tjetër. Nga njëra anë, kjo mund të shihet si një strategji e re, një mekanizëm alternativ ndaj kanaleve tradicionale për të rekrutuar kandidatë, për më tepër që nuk bie ndesh edhe me orientimin drejt qytetarit dhe jo politikes që zgjedhjet shpesh kanë pasur së fundmi. Nga ana tjetër, ky lloj rekrutimi është problematik në lidhje me disiplinën dhe kohezionin e partisë. Për më tepër, një problem tjetër që vjen prej një përzgjedhjeje të tillë ka të bëjë me kthimin e politikës në personale: kandidatët me influencë në zonë e kanë më të lehtë kontrollin e votës dhe për pasojë e kanë më të lehtë edhe ushtrimin e praktikave klienteliste dhe atyre të patronazhit. Dhe pikërisht një qasje e tillë ndaj zgjedhjeve është një indikator që flet për natyrën klienteliste të partive politike shqiptare.

Për sa i përket strukturës organizacionale, partitë politike shqiptare shfaqin një nivel të lartë artikulimi vertikal, me lidhje të forta midis niveleve të ndryshme organizacionale përmes përfaqësimit të shtresave më të ulëta në ato më të larta. Organizatat partiake përgjithësisht janë strukturuar me drejtim nga poshtë-lart, dhe kanë krijuar kongrese, konventa apo kuvende në të gjitha nivelet e organizimit të cilat zakonisht përbëhen kryesisht nga delegatë të zgjedhur në nivelet më të ulëta dhe që perceptohen si organe përfaqësuese të organizatës bazë. Organet ekzekutive zgjidhen nga dhe japin llogari te këto asamble. Së fundmi, kongresi/kuvendi/konventa e partisë është autoriteti më i lartë i partisë. Kjo gjë thekson rëndësinë që i jepet organizatës partiake të bazuar tek anëtarësia dhe është një indikator i ndikimit që kanë ushtruar modelet tashmë ekzistuese të organizimit partiak në perëndim te partitë politike shqiptare.

Ajo çka vihet re në statusin e partive politike shqiptare është se ato janë të organizuara sipas konceptimit të partisë së masave. Organizimit të partisë me degë dhe nën-degë, kongrese, kuvende apo konventa si dhe funksionimit dhe funksioneve të tyre i është kushtuar një pjesë shumë e madhe e statusit, gjë që përpiqet të japë mesazhin se anëtarësia është me të vërtetë ‘zinxhiri i transmisionit’ i partisë . Në këtë kuadër, është e rëndësishme të thuhet se anëtarësia e organizatës është baza ekskluzive mbi të cilën strukturohet e gjithë organizata jashtëparlamentare. Kjo do të thotë që madhësia e partisë është vendimtare për shpërndarjen e përfaqësimit të strukturave më të ulëta në kongresin/konventën/kuvendin e partisë apo në organet e tjera kombëtare, sikurse edhe për numrin e përfaqësuesve në organe në nivelet më të larta të partisë në përgjithësi. Por po aq e rëndësishme është të thuhet se organizatat bazë janë të vendosura pranë qendrave elektorale gjë që flet edhe për një orientim elektoral të partive politike shqiptare.

Pavarësisht strukturës së mirë-organizuar, anëtarësia nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm në vendim-marrje. Kështu rënia e frekuencës së kongreseve/konventave të partisë mund të shihet si një shembull i mekanizmave përmes të cilave anëtarësia po e humbet gjithmonë e më tepër rëndësinë e saj dhe udhëheqja e partisë po fiton gjithmonë e më tepër terren në kurriz të saj.

Në një farë mënyre lidhjet e dobëta të partisë me shoqërinë kanë shtruar rrugën për të patur një rol më dominues të elitave partiake. Ashtu sikurse e parashikojnë statutet e partive, por edhe sikurse e tregon praktika politike, është kryesia e partisë ajo që kontrollon funksionimin e aparatit partiak, procesin e vendimmarrjes dhe përzgjedhjen e kandidatëve në postet publike. Jo rrallë ka ndodhur që janë zgjedhur individë në poste publike dhe më pas janë anëtarësuar në partitë politike. Megjithëse organizata bazë mund të ketë deri diku zë në përzgjedhjen e kandidaturave për poste publike, kryesia kombëtare e partisë ruan të drejtën e aprovimit final apo të vetos. Niveli i lartë i centralizimit rreth lidershipit të partisë bëhet më i dukshëm nga pozicioni dominues i udhëheqësit të partisë brenda organizatës, i cili, jo vetëm në praktikën politike por edhe për shkak të statutit, gëzon një pozicion të privilegjuar.

Një aspekt tjetër, shumë i rëndësishëm që flet për balancën e brendshme të pushtetit është edhe ai financiar. Vendimet për çështjet financiare zakonisht ndjekin një zinxhir që shkon nga lart-poshtë, pra nga qendra drejt degëve dhe nën-degëve. Pavarësisht autonomisë financiare të degëve lokale, siç është grumbullimi i të ardhurave të kuotizacioneve të anëtarëve të vetë degës, nivelet e ulëta në hierarkinë organizative janë të kushtëzuar prej qendrës në marrjen e fondeve për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Shpërndarja e buxhetit dhe miratimi i shpenzimeve bëhet në qendër, gjë që e ul ndjeshëm mundësinë e njësive organizative në nivelet e ulëta për të manovruar. Për më tepër duke qenë se shumica e partive e marrin pjesën më të madhe të buxhetit prej fondeve shtetërore që grumbullohen në nivel qendror, nivelet e ulëta të organizimit partiak kanë pak liri për të manovruar, dhe kjo liri u lihet për shuma të vogla të cilat në fakt përcaktohen në nivel qendror.

Një indikator shumë i vlefshëm që tregon për centralizimin e pushtetit në qendër dhe rënien e rëndësisë së degëve janë shpenzimet vjetore dhe ato për fushatë.  Nga analiza e shpenzimeve të partive politike shihet se kontributi më i madh shkon për konsulenca, koncerte, anëtarësime në organizma të tjerë, gjë që tregon se shpenzimet e përditshme të partisë dhe pagat e personelit zënë një vend mjaft të vogël.

Në kuadër të investigimit të balancës së pushtetit ndërmjet partisë jashtë-parlamentare dhe partisë në post publik, është e rëndësishme të shihet se deri në ç’masë dy krahët e partisë janë financiarisht të lidhur me njeri-tjetrin, si edhe ç’pjesë zë secili krah në shumë totale të burimeve financiare që partia përfiton prej shtetit. Pavarësisht pozicionit që së paku zyrtarisht konsiderohet si i pavarur, mund të vihet re se grupet parlamentare japin kontribute financiare për partinë jashtë-parlamentare, por në asnjë prej raporteve mbi aktivitetin vjetor të partive nuk figuron që partia jashtë-parlamentare të japë kontribute për grupin parlamentar.

Legjislacioni shqiptar, i shpërndan fondet në përputhje me përfaqësimin parlamentar, por fondet shtetërore i jepen partisë, e cila më pas vendos mbi mënyrën sesi do të shpenzohen këto fonde.  Në ndryshim nga vendet e tjera postkomuniste, ku subvencionet shtetërore ndahen midis partisë jashtë-parlamentare dhe grupit parlamentar, në Shqipëri grupi parlamentar nuk përfiton fonde shtetërore. Duke patur parasysh se si fondet për aktivitetin vjetor ashtu edhe ato për fushatën elektorale i jepen krahut jashtë-parlamentar të partisë, kjo përforcon më shumë rolin e këtij krahu kundrejt partisë në post publik. Partia jashtë-parlamentare është kështu në një pozicion financiar shumë më të mirë se partia në post publik. Kjo nënkupton që në ndryshim nga partitë politike në vendet e Evropës Perëndimore ku ka predominancë të partisë në post-publik kundrejt krahut jashtë-parlamentar, partitë politike në Shqipëri karakterizohen nga një predominancë e krahut jashtë parlamentar.

Në vijim të asaj që u tha më sipër, mund të thuhet se anëtarësia luan një rol të rëndësishëm në kuptim të legjitimimit të partisë (sa më madh numri i anëtarësisë, aq më e fuqishme partia) dhe të krijimit të lidhjeve të partisë me elektoratin. Megjithatë, anëtarësia shpesh nuk është ekskluzive dhe lidhet me ‘patronin’ e zonës, i cili jo domosdoshmërisht konkurron gjithmonë për të njëjtën parti. Anëtarësia e ka humbur rolin e saj si ‘pishinë’ e përfaqësuesve të partisë, të cilët shpesh vijnë nga bota e biznesit. Së fundmi, drejtuesit e partive e përdorin anëtarësinë për të mbajtur nën kontroll partinë parlamentare, për të kontrolluar disiplinën e kësaj të fundit dhe qëndrimet që ajo mban në parlament.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi