“Konsensusi Lagarde”

Bota është rritur edhe me masat e shtrëngimit, por duhen më shumë vende pune. Dhe gra në komandë. Drejtorja e FMN-së analizon emergjencat globale, që nga kriza deri tek reformat. “Kemi ndryshuar sistemin, kontribuesit nuk duhet të paguajnë më gabimet e financës. Dhe tani qeveritë kanë instrumentat për një zhvillim të qëndrueshëm”

Nga Moises Naim në një bisedë me Drejtoren e FMN, botuar në Bota.al, 15 prill 2015

Lagarde-Christine

Në vitet nëntëdhjetë, ishte në modë “Konsensusi i Uashingtonit”, bashkë me opinionet e mendimtarëve të ekonomisë si dhe funksionarëve të lartë me qendër në Uashington, sidomos ata të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Departamentit të Thesarit të qeverisë amerikane. “Konsensusi i Uashingtonit” ilustronte masat që qeveritë duhej të ndërmerrnin për të garantuar rritje ekonomike dhe prosperitet. Shumë vende e përshtatën formulën, ose më e pakta shpallën qëllimin e tyre për të ndjekur recetën e saj: hapje për tregtinë dhe investimet, maturi në menaxhimin e financave publike, privatizime etj. Më pas erdhën krizat financiare: Meksika, Rusia, Brazili, Tailanda, dhe shumë të tjerë. “Konsensusi i Uashingtonit” përfundoi në bangën e të akuzuarve dhe politikanët që në fillim i thurnin himne, tani e vinin në shënjestër.

Screen Shot 2015-04-14 at 10.16.29Ndërkohë që përgatitesha për intervistën me Christine Lagarde, ish Ministren e Financave të Francës, e cila që prej vitit 2011 është në krye të FMN-së, u kujtova që ishte shfaqur një tjetër konsensus, jo i lidhur me një tërësi specifike teorish ekonomike, por me atë vetë si person: mund ta quajmë “Konsensusi Lagarde”.

Emri i saj rishfaqet vazhdimisht në të gjithë listat e personave më të pushtetshëm të botës, dhe shpesh herë përmendet bashkë me Angela Merkelin dhe Janet Yellen, guvernatoren e Bankës Qendrore të SHBA (FED), si një prej tre grave më të pushtetshme të planetit. E takova Christine Lagarde për një bisedë të gjatë në zyrën e saj, në selinë e FMN-së në Uashington. Me veshjen e saj të kuqe, dhe vathët me të njëjtën ngjyrë, është shumë elegante. I lexoj mbiemrat që sakonisht shoqërojnë emrin e saj dhe e pyes nëse është dakord me këtë Konsensusin Lagarde. “Nuk jam shumë e sigurtë për mbiemrin ‘ambicioze’”, nxiton të përgjigjet. “Epo, shikoni se ku ndodheni”, i them, duke i kujtuar më pas, por pa i përmendur, se me çfarë energjie u ka bërë presion vendeve të ndryshëm, që nga Kina në Brazil, që nga Rusia në Japoni, për të patur votat që i duheshin për t’u emëruar Drejtore e Përgjithshme e FMN. “Nëse jam inteligjente apo tërheqëse, kjo u takon të tjerëve ta thonë, por nuk jam dakord me historinë e ambicies, sepse e gjej të pabazë”, këmbëngul ajo. Detyrat me pushtet kanë qenë një konstante në karrierën e saj, por thotë se nuk ndihet kaq e pushtetshme. “Do të doja të isha, sepse nëse do të isha, atëherë me siguri do të mundesha të reduktoja papunësinë, të krijoja kushte për rritje ekonomike, të sillja pakëz buonsens në sallat ku ka shumë testosteron dhe shumë arrogancë… Këto janë gjëra që do të doja të bëja, por nuk mundem”.

EKONOMIA GLOBALE

Bota ka hyrë në një fazë të gjatë rritjeje ekonomike të ngadaltë, ajo që ekonomistët e quajnë “stanjacioni shekullor”? Christine Lagarde thotë se për të përshkruar situatën aktuale preferon të përdorë shprehjen “mediokriteti i ri”, dhe shpjegon se rritja ekonomike botërore në dy vitet e fundit, dhe sërish këtë vit, ka qenë mesatarisht 3.5%, praktikisht e njëjta normë mesatare me të cilën është rritur ekonomia botërore në dy dekadat e fundit.

Me fjalë të tjera, situata aktuale, nuk është kaq e ndryshme nga njëzetë vitet e fundit. Ajo që ka ndryshuar, vëren ajo me shqetësim, është natyra e rritjes ekonomike. “Nuk po krijon vendet e punës të nevojshëm, dhe krijimi i vendeve të punës është i shpërndarë në një mënyrë që nuk u përgjigjet nevojave. Po kështu, nuk po i jep shtytjen e mjaftueshme produktivitetit, dhe çuditërisht tregjet në zhvillim, që kanë potencialin për t’u rritur me një ritëm më të shpejtë, nuk po e bëjnë”.

Kur e pyes nëse kjo rritje e pamjaftueshme ka të bëjë me programet e kursimit që janë përshtatur në shumë vende pas vitit 2008, ajo përgjigjet se vënia përballë e masave të kursimit dhe rritjes ekonomike është një debat fals. “Të dyja këto nuk janë të papajtueshme. Mund të kesh në të njëjtën kohë rreptësi në menaxhimin e buxhetit dhe një rritje të qëndrueshme”.

Thomas PIketty, ekonomisti i famshëm francez, pohon se pabarazia ekonomike në rritje shkaktohet nga forca që kanë rrënjë të thella në sistemin kapitalist. A jeni dakord me të? Christine Lagarde shmang diskutimin e drejtpërdrejtë të tezës së Pikettyt dhe preferon të thotë: “Unë jam një nga ato që mendojnë se sistemi kapitalist i lë hapësirë të mjaftueshme inovacionit dhe që i kushtojnë shumë rëndësi forcave të tregut, por gjithmonë brenda një konteksti normativ që u ofron qeverive instrumentat për t’iu kundërvënë pabarazisë”. Teknologjia, tregtia ndërkombëtare, sistemi financiar dhe politikat publike përmenden së bashku si faktorët parësorë në bazë të pabarazisë. Ju kë do të vendosnit në krye të listës? “Teknologjinë”, përgjigjet Lagarde, “por edhe financën, e cila përqëndron burime të mëdhenj mbi një grup të ngushtë. Dhe do të shtoja si faktor edhe kulturën, sidomos kur kjo kufizon shanset për gratë. Dhe natyrisht, korrupsionin”.

E shqetëson fakti që pesha, kostot e krizës financiare kanë rënë në mënyrë të shpërpjestuar mbi shpatullat e të varfërve dhe klasës së mesme, dhe shumë më pak mbi bankierët dhe financierët përgjegjës për shumë prej vendimeve që krijuan problemin? “Po, më shqetëson shumë”, përgjigjet Lagarde, “dhe në fakt jemi të angazhuar për ta ndryshuar situatën. Në fillim, kur një bankë përfundonte në telashe dhe duhej të shpëtohej, kjo bëhej me paratë e taksapaguesve. Tani kemi krijuar një sistem që e shkarkon barrën e shpëtimit mbi aksionistët e institucioneve financiarë që përfundojnë në telashe”.

Eshtë më i sigurtë tani sistemi financiar? “Po: qeveritë kanë tashmë bazat ligjore, mundësinë dhe autoritetin për të vepruar në mënyrë shumë më efikase”. A e shqetëson Lagarden përqëndrimi i lartë i veprimtarive financiare në pak institucione të mëdhenj? “Po, për dy arsye. Kur isha një avokate e re në moshë, kisha studiuar të drejtën e konkurrencës dhe kisha mësuar se përqëndrimi kufizon konkurrencën, dhe që kjo është një gjë e keqe. Shqetësimi im i dytë, pasi kam mbuluar disa detyra menaxheriale, është që organizatat shumë të mëdha dhe komplekse bëhen shumë të vështira për t’u menaxhuar, dhe bëhet shumë më e vështirë për t’i detyruar që të japin llogari për punën e tyre”.

PER GREQINE

Drejtorja e Përgjithshme e FMN është kritikuar më parë pasi ka qenë shumë “e butë” dhe tani se është “shumë e fortë” me qeverinë greke. Për shembull, Paolo Noguiera Batista, anëtari brazilian i bordit të FMN, ka thënë se “në rastin e Greqisë, rregullat e FMN-së janë shkelur për hir të nevojave të eurozonës. Kjo e ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e institucionit”. Vështrimi i Christine Lagarde bëhet i ashpër, ajo nuk është aspak dakord: “Deklaratat e këtij zotërisë janë të pasakta. Janë shumë të pjesshme dhe nuk janë të bazuara mbi fakte… Për shembull, kemi kryer një studim mbi rregullimin e financave publike që kërkohen nga Fondi në vende të ndryshëm dhe kemi arritur në përfundimin se përpjekja që duhet të bëjnë europianët është më e madhe, për nga vëllimi dhe natyra, se sa ajo që u kërkohet për shembull, vendeve të Lindjes së Mesme si Jordania, Tunizia dhe Maroku”.

Christine Lagarde sapo është takuar me Yannis Varoufakis, ministri i EKonomisë i Greqisë, i cili pas takimit me të u ka thënë gazetarëve se “Greqia ka ndërmend të përballojë të gjithë borxhet e saj, me të gjithë kredidhënësit, gjithmonë”. “Ju besoni?” e pyes.

“Unë i besoj vetëm asaj që më ka thënë mua. Dhe më ka thënë se Greqia do të respektojë pagimin e borxheve afati i të cilëve po skadon”.

Po sigurisht, këmbëngul unë, ju duhet të keni një ide edhe për sa i përket të ardhmes jo të afërt. Ajo i rrëshket me zhdërvjelltësi pyetjes duke shmangur vërtetimin e premtimit të kryeministrit grek. Megjithatë, pranon se është e shqetësuar për perspektivën afatmesme të ekonomisë greke dhe thotë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë, dhe që për ta bërë do të ketë nevojë për një sasi të madhe fryme bashkëpunimi dhe vullneti. “Dhe nga ana jonë ka me bollëk”, thotë.

EUROPA

A ka një defekt strukturor projekti europian? A mundet një kontinent, me një monedhë të përbashkët që e ndajnë shtete me ekonomi ende shumë të fragmentuara, me normativa të ndryshme dhe secila me politikat e veta të buxhetit, të jetë e qëndrueshme? “Ju përshkruani të kaluarën”, replikon me forcë Christine Lagarde. “Që kur ka shpërthyer kriza financiare, Europa ka bërë hapa të mëdhenj përpara dhe shumë prej problemeve që ju përmendni janë përballuar, dhe rezultati është që sot, projekti europian është më i fortë se kurrë”.

Mund të jetë edhe kështu, i them, por nuk mund të mohojmë se shumë europianë, duke lexuar një deklaratë të tillë, do të mendojnë: “Po në çfarë bote jeton?” Shumë janë të papunë, rrjetet e sigurimeve shoqërore janë reduktuar apo janë në rrezik, e ardhmja e bijve të tyre nuk është rozë, pabarazia është në rritje, tensionet socialë po rriten. Si mund t’i kërkohet kësaj popullsie të zemëruar, të shqetësuar dhe të irrituar, që të jetë e kënaqur me reformat që ju përmendët? “Të gjitha këto i di. Po flisja për projektin europian, jo për hapat përpara. Ai projekt sot është më i fortë dhe më mirë i mbrojtur. A do të thotë kjo që kushtet për rritjen ekonomike dhe prosperitetin janë forcuar? Ende jo. Por është bërë shumë në fushën e monedhës së përbashkët dhe politikave buxhetore. Dhe ka ende shumë për të bërë sa u përket reformave strukturore, e në mënyrë të veçantë sa i përket investimeve në infrastruktura. Këto dy leva – reformat strukturore dhe investimet në infrastruktura – janë absolutisht të domosdoshme për të stimuluar rritjen ekonomike, por autoritetet nuk i kanë përdorur atëherë kur duhej”.

Po Gjermania? Në të kaluarën, Lagarde nuk e ka fshehur irritimin e saj kundrejt Angela Merkelit dhe hezitimit të saj për të vepruar me më shumë vendosmëri për të stimuluar ekonomitë e kontinentit të vjetër. Ky hezitim, e pyes, është një element ideologjik i kancelares gjermane? Pas një pauze të gjatë reflektimi, drejtorja e FMN-së shpjegon se nuk është e sigurtë që bëhet fjalë për një ideologji, por më shumë një “mentalitet që është shumë i përhapur mes taksapaguesve gjermanë”. Më pas nis të rendisë avantazhet e shumtë që ka patur Gjermania nga Europa, që nga euro, tek liria më e madhe e lëvizjes së krahut të punës, si dhe shtytjes së këtyre faktorëve i kanë dhënë ekonomisë së saj të bazuar në eksportet. Nxiton të theksojë se gjërat po ndryshojnë në një drejtim që atë e kënaq: pagat në Gjermani janë rritur dhe kjo do të thotë që kostoja e punës e eksporteve gjermane do të jetë më shumë në linjë me atë të pjesës tjetër të Europës. Ka mendim pozitiv edhe për faktin që Gjermania po lançon programe ambiciozë investimesh në infrastrukturë. Investimet publikë në Gjermani, deri në këtë moment, kanë qenë dukshëm më të ulët se sa në pjesën tjetër të Europës.

CHRISTINE LAGARDE, BURRAT DHE GRATE

Drejtorja e FMN ka folur në mënyrë eksplicite edhe për nevojën për më shumë gra në pozicione me pushtet, si dhe në përgjithësi për angazhimin për krijimin e më shumë shanseve për seksin e dobët. Ka shprehur në mënyrë eksplicite edhe zhgënjimin e saj nga fakti që të 24 anëtarët e bordit të FMN (përveç njërës) janë burra. “Nuk mund të bëj asgjë, duke qenë se janë emëruar nga qeveritë respektive, por jam e lumtur që mes funksionarëve të nivelit më të lartë të organizatës tani ka shumë gra”, shpjegon.

Për Christine Lagarde, emërimi i grave në pozicione me përgjegjësi është një çështje barazie. Eshtë sinqerisht e bindur se normalisht gratë arrijnë të menaxhojnë më mirë pushtetin se sa burrat. Dhe nuk ka hezitua ta thotë shumë herë publikisht. Ka pohuar gjithashtu se meshkujt i pengon shpesh herë një tepri arrogance dhe testosteronesh.

A nuk janë pohime seksiste, e pyes. “Jo, është e vërteta”, përgjigjet aty për aty. “Eshtë një gjë që e kam parë personalisht gjatë jetës sime profesionale, si avokate, si menaxhere e një institucioni të rëndësishëm, si ministre e EKonomisë, apo si drejtore e përgjithshme e FMN. Dhe përpiqem të nxis të tjerët që të vënë në provë gratë dhe t’u japin shans të komandojnë, sepse janë në gjendje ta bëjnë, e ta bëjnë mirë madje”.

Christine Lagarde flet me forcë edhe për nevojën për të inkurajuar gratë që të kërkojnë me më shumë vendosmëri shanset për to, që të luftojnë për kushte më të mirë pune. “Ndonjëherë mendoj se ne gratë jemi armiku më i keq i vetvetes, në kuptimin që nuk kemi të njëjtin besim tek aftësitë tona, siç kanë shpesh burrat. Shpesh herë e nisim fjalinë me “më vjen keq t’ju them”, apo “a mund të them diçka”?

Për ta mbyllur, i kërkoj të më japë një mendim të sajin për faktin që tre drejtorët e përgjithshëm të FMN, në fillim ishin burra dhe europianë dhe të tre janë larguar para përfundimit të mandatit. Horst Kohler u largua për t’u bërë president i RFGJ, dhe më pas u detyrua të japë dorëheqjen; Rodrigo Rato u largua për një karrierë politike në Spanjë dhe tani ka probleme me drejtësinë; Dominique Strauss-Kahn u largua pa nder nga detyra, pasi u përfshi në një skandal seksual. “Ka një skemë që përsëritet?” e pyes. Christine Lagarde bën një pauzë, më sheh drejt e në sy e pastaj më thotë vendosmërisht: “Unë kam ndërmend ta mbyll mandatin tim”. /The Atlantic/

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi