Presidenti dhe ligji për ambasadorët

Nga Leonidha Mëëërtiri, botuar në Panorama Online, 14 prill 2015

19974399Këto ditë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për shërbimin e jashtëm. Në vërejtjet që bëhen me këtë rast, jepen një sërë argumentesh, sipas të cilave, ligji në gjendjen që është paraqitur, i hap rrugë politizimit të diplomacisë.
Në një shkrim timin të mëparshëm, botuar në këtë gazetë, ndalesha në disa aspekte të rëndësishme, ku duhet ta vendosë më mirë theksin ky ligj dhe te roli i pazëvendësueshëm i diplomatëve të karrierës. Duke parë mendimet e Presidentit lidhur me këtë ligj, pasi atij i është paraqitur për firmë nga Kuvendi, dëshiroj të shpreh sërish disa mendime për to, për të dhënë sadopak ndihmesën në këtë drejtim.
Droja se ligji në fjalë, kështu siç paraqitet, në aspekte të ndryshme politizon diplomacinë, është e drejtë dhe, si rrjedhojë, nuk ka përse të fshihet. Shërbimi diplomatik nënkupton përkushtimin e secilit që pranohet në këtë shërbim, ku politika e jashtme merr jetë dhe ku interesat kombëtarë janë motoja e gjithçkaje. Duket açik fakti që në ligj lihet hapësirë e bollshme për dyndjen në këtë sistem të njerëzve jashtë tij. Cilët do të jenë ata? Njerëz që do t’i shërbejnë me devotshmëri politikës së ditës. Për rrjedhojë, ministrit përkatës i lihet dorë e lirë për militantët e partisë së tij, por edhe për të afërmit e vet apo të iksit a ipsilonit. Këtë e stimulojnë edhe kriteret e përzgjedhjes evazive jashtë sistemit. Në këtë mënyrë, ministrit i varet gjerdani i “të gjithëfuqishmit”, duke i dhënë tashmë me ligj të drejtën e pakufizuar, precedentë këta që e zvetënojnë diplomacinë tonë. Ndërkohë, te njerëzit kultivon dashur pa dashur mendimin se je “në dorën e tij” apo diku dhe kthimin e ndokujt në “jesmen”.
Por, boll ka vuajtur ky shërbim nga këto sëmundje: nga militantët e shumtë të partisë që ishte në pushtet, nga prurjet përmes lidhjeve nepotike, ku mjaftonte një vendim i Këshillit të Ministrave që t’i vihej bërryli ligjit të shërbimit të jashtëm. Tani duket fenomeni tjetër i çuditshëm: me ligjin t’u jepet qytetaria këtyre dukurive të dëmshme, kanceroze për shërbimin tonë diplomatik.
Me sa duket, kërkohet një mentalitet tjetër për diplomacinë. Ajo duhet të shihet realisht si një profesion sa i bukur dhe i vështirë, dhe, si i tillë, duhet të nderohet dhe respektohet. Nderimi dhe respektimi minimal do të ishte që diplomatët e karrierës t’i gjejnë ato të mishëruar qartë në vetë ligjin, jo të mbeten në oreksin e titullarit apo të dikujt tjetër, sipas “këta-tanët, këta-të njerkës”. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet fakti që diplomatë të njohur, me background të pasur, duke mos hyrë në shijet e titullarëve, vite të tëra, pas kthimit nga jashtë, humbasin të drejtën e emërimit me detyra të rëndësishme në përfaqësitë diplomatike, kur kolegë të tyre kanë bërë jo më pak se dy mandate. Kështu dhe me të rinjtë. Një politizim i diplomacisë do të shkaktonte dekurajim, demotivim të ligjshëm të tyre, mbyllje të portave të karrierës. Përsëritja e “nevojës për një diplomaci profesioniste”, “zbatimi i meritokracisë” vetëm do të rriste në këtë mënyrë zinxhirin e sloganeve.
Një çështje që lidhet me sa më sipër: Presidenti është institucioni më i lartë i shtetit. Edhe pas rikthimit të ligjit për shërbimin diplomatik nga ana e tij, Kuvendi mund ta miratojë këtë të fundit. Sepse është një fakt: paragjykimi për të. Pavarësisht se ai vjen në këtë post nga partia që ishte në pushtet dhe unë nuk do të ndalem në përplasjet që janë vërejtur midis Presidencës dhe qeverisë aktuale. Por, së pari, mendoj se nuk mund të lihet mënjanë roli i tij në diplomaci, jo rol sa për makijazh, por, ashtu sikurse argumentohet në vërejtjet e bëra për një shërbim sa më të specializuar. Presidenti, si autoriteti më i lartë, nuk mund të mënjanohet gjithashtu nga konsultimet paraprake për titullarët e përfaqësive. Kolegët e mi e dinë që, sapo i paraqet letërkredencialet Presidentit të vendit pritës, kjo dhe sipas protokollit vendës, fjalët e para janë: “Me dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë… jam emëruar ambasador…”. Do të ishte nonsens ky mënjanim. Ai sigurisht mund të ketë dhe përvojën e mëparshme të gabuar të emërimit të ndonjë ambasadori, militantë të ish-partisë së tij, por kjo nuk do të thotë që pas kësaj të mos reflektohet.
Në përgjithësi, vërejtjet e bëra për ligjin nuk mund të kalohen pa u vënë re, ashtu sikundër nuk duhet të kalonin dhe ato të disa anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Kuvendit gjatë diskutimit të këtij ligji. Vetëm kështu nuk do të lejojmë shtrirjen e tentakulave të politikës në shërbimin diplomatik. Në fund të fundit, ky shërbim është shëmbëlltyra e vetë qeverisjes.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan