Merkeli është programi

Që prej 10 prillit 2000 ajo është kryetare e CDU-së. Në këto 15 vjet, Angela Merkel jo vetëm e ka përtërirë partinë. Ajo e ka bërë partinë e saj, mendon Volker Wagener.

Nga Volker Wagener, DW, 11 prill 2015

merkelAi që udhëton shumë dëgjon shumë për Angela Merkelin. Shumicën e herëve gjëra të habitshme. Putini e respekton, dëgjon të të thonë ata që njohin shpirtin rus. Në Uashington ajo ndërkohë flet si e barabartë. Në Afrikë e duan modestinë e saj, në Ballkan çuditen si arrin t’i kthejë ajo në shtëpiakë prijësit meshkuj të kopeve. Merkeli, me sa duket, ndodhet pak para shpalljes shenjtore. Në të gjallë, kjo nuk duhet harruar! Ne, mediet, i ashtuquajturi pushtet i katërt në shtet, kemi pjesë të rëndësishme si mjeshtra ceremonie në përkujdesjen ndaj monumentit. “Rënie në gjunjë para gruas pa alternativë” ose “Angela Royal” janë shembuj të nderimit gazetaresk, nganjëherë edhe të përuljes pa takt. Njëkohësisht, ne vazhdojmë të pyesim për “pse”-në? Cilat janë modelet e ADN-së së suksesit të saj? Modeste në daljen në publik, e kursyer në gjeste dhe në mimikë, e varfër në retorikë: ajo mbetet një anti-tipike në dinamikën politike të atyre që kërkojnë vëmendjen publike. Një fenomen.

Qënia për 15 vjet shefe e CDU-së të lë përshtypjen e një vazhdimësie, e cila nuk është tipike për partinë unioniste. Nga CDU-ja e vjetër të Kohlit, një shoqatë burrash me pak gra sa për alibi në krye, është krijuar një parti krejt e re. Megjithatë, jo një parti me konture të mprehta. Përkundrazi. Merkeli e ka socialdemokratizuar CDU-në konservatore, të afërt me ekonominë, në një mënyrë të tillë, sa rezistenca dhe kryengritja në bazë kundër kryetares së Partisë nuk u ndezën vetëm sepse nga shkëlqimi i postit të kancelares përfitoi edhe partia. Sa për krahasim: shpërthime të ngjashme përmbajtësore-programatike tek Partia Socialdemokrate, SPD, në të njëjtën periudhë kohore, kanë konsumuar pesë kryetarë partie dhe e vazhdojnë ta preokupojnë kryetarin aktual.

CDU është ndarë nga gjëra të rëndësishme nën Merkelin. Elementët konservatorë janë spostuar në sfond, edhe elementi katolik. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është eleminuar, shkëputja nga energjia atomike është vënë në dispozicion. Kuota për gratë është realitet, paga minimale është vendosur dhe për temën e migrimit ka konsens. Merkeli ka zaptuar qendrën, thonë disa. Atje ku mungon busulla, çdo drejtim është i saktë, ankohen anëtarë të zhgënjyer të partisë. Merkeli e ka bërë CDU-në si ajo që është vetë: e shumëllojshme. Ajo është e çliruar nga ideologjitë, pa iluzione, nuk ka vizione, por është pragmatike – deri në mërzi. Por pikërisht në këtë mënyrë e krijon besimin tek zgjedhësit. Ajo mbledh më shumë pikë duke heshtur, se duke folur. Me kritikë nga radhët e saj ajo shpesh nuk merret fare.

Dhe madje edhe kundërshtarët e saj politikë ajo i bën të dalin huq, duke përdorur mjete të kursyera. Dhe megjithatë ekziston një problem me kauzën Merkel: suksesi i saj është krijuar pjesërisht në kurriz të partisë. Prandaj triumfet e Merkelit si kancelare shënojnë edhe disfata të partisë së saj në lande, pa e gërryer ato pushtetin e saj. Vetëm pesë nga 16 lande gjermane drejtohen ende nga partitë unioniste. Edhe në qytetet e mëdha CDU-ja ka pasur humbje. Berlini, Hamburgu dhe Mynihu qeverisen nga ngjyra e kuqe, edhe Frankfurti. Në metropolin ekonomik të Shtutgartit madje është një i Gjelbër ai që e përcakton tonin. Partia e dikurshme e protestës, Aleanca90/Të Gjelbrit është kthyer në një konkurente të vërtetë, krahas SPD-së, për partitë unioniste – megjithatë edhe një opsion për koalicione. Gjë që është ngushëlluese për konservatorët. Pasi me vdekjen e papritur të liberalëve, CDU-së i humbi partneri i natyrshëm. Megjithatë: Merkeli nuk duhet të ketë frikë nëse do ta ndjekë pas partia. Mungesa e debatit në CDU tashmë është kthyer në legjendë: i urtë, edhe më i urtë, kristjandemokrat.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi