Qyrku i fajit

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 8 prill 2015

ish-presidenti-rexhep-meidani-150x150Kush e ka fajin?
Media shqiptare dhe ajo e huaj, përfaqësues të politikës shqiptare, por edhe mjaft… përfaqësues europianë, dashamirës dhe ndjekës të jetës në Shqipëri, kanë përjetuar kohët e fundit një zhgënjim e tronditje serioze. Madje, vetë figura e politikanit ka pësuar një zhvlerësim të dukshëm në sytë e opinionit publik shqiptar. Por, kush e ka fajin? Si u shfaqën disa individë pa meritë e kontribut të mëparshëm në përfaqësimin politik e partiak? Si erdhën ata në politikë? I solli aty aftësia dhe merita? I solli përzgjedhja apo procesi i votimit brenda strukturave partiake? Ishte më shumë një rastësi, një dëshirë, një nevojë ose një detyrim drejtuesi apo…? Por, besoj, lexuesi i thjeshtë e di më mirë përgjigjen.
A ishin më të mirët?
Kjo pyetje po ndeshet sot shumë më shpesh. Madje, edhe përgjigjet janë gati konvergjente; si për përfaqësimin parlamentar, ashtu edhe administratën e qeverisjen ekzekutive! Diçka e ngjashme është ndeshur ose ka qenë e pranishme dhe më parë, por ama jo në këtë përmasë, të shndërruar kohët e fundit në një shqetësim real qytetar. Aq sa po kërkohet e mirëpritet një procedurë ose ligj për dekriminalizimin, përfshirë edhe ndryshime kushtetuese lidhur me të. Ndërkohë, gjithçka mund të ishte realizuar (dhe mund të arrihet lehtë në një të ardhme të afërt) me anë të një komisioni etike brenda partisë politike, si dhe një përzgjedhje e detajuar në forumet partiake, në zbatim të parimit demokratik “një anëtar, një votë”. Por, jo një imponim kryetari, që, në një mënyrë apo tjetrën, prodhoi dhe problemin e sotëm! Dhe, me sa duket, është shkuar larg, tepër larg, aq sa konsiderohet nga vetë politika se përfaqësimi parlamentar sot është cilësisht shumë më i dobët se 95 vjet më parë, me krijimin e Parlamentit të parë shqiptar, të dalë nga Kongresi i Lushnjës! Apo cilësia e Parlamentit në fillimet e tranzicionit, pse jo edhe përbërja e demokratëve, në 1996, apo ajo e socialistëve, në vitin 1997, ku figuronte numri më i madh i specialistëve më të shquar të fushave të ndryshme, i profesorëve të universitetit, përfshirë ata me doktorata në Francë, Itali etj. Dhe, secili prej tyre ishte përzgjedhur nga partia, nga strukturat e poshtme partiake deri te Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i saj… Edhe media shqiptare, megjithëse shpesh rezulton e orientuar, ka vendosur në debatin televiziv dhe faqet e gazetave, skandalet e kohëve të fundit që, deri diku, kanë lënë jashtë vëmendjes zvarritjet e dobësitë e vëna re në disa dikastere, në administrim e mungesë efektiviteti. Ndërkohë që atje zëvendësimi është bërë urgjent.
Po problemi i karrierës?
Në fakt, vitet e fundit është cenuar seriozisht procesi i karrierës në politikë dhe drejtimi administrativ. Aq më tepër që karriera është një proces normal, sa individual e profesional, aq edhe ligjor, institucional e politik. Por, kjo vlen edhe për karrierën partiake, në përzgjedhjet për strukturat drejtuese partiake dhe ato përfaqësuese institucionale, që duhet t’u nënshtrohen proceseve elektorale në parti dhe shtet, apo procedurave të ndershme të konkurrimit. Por, faktet e viteve të fundit në Shqipëri flasin më shumë për “pompim” karriere prej drejtuesit, sesa ecuri normale karriere dhe vazhdimësi e saj. Natyrisht, nga ky rregull vazhdimësie mund të përjashtohen më të talentuarit apo ata me aftësi të dukshme drejtuese-administrative; Por jo ky të jetë rregulli, sidomos i imponuar nga drejtuesi ose kryetari. Parë me këtë sy, evidenca e deritanishme, pavarësisht konkurseve të organizuara dhe dosjeve të trajtuara, nuk është as nxitëse, as pozitive. Vazhdon të dominojë koncepti i përkatësisë partiake, jo ai i meritokracisë. Madje, shpesh, duhet kërkuar me llupë për ta gjetur të aftin, të talentuarin, administratorin dhe të palodhshmin në administratë. Dhe, ndërkohë, në media ndeshen mjaft akuza për evazion dhe favorizim familjar e korruptim! Ka mundësi që evolucioni i ngjarjeve të fundit të ndihmojë për korrigjimin e situatës dhe ndoshta të pasqyrohet pozitivisht në zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Arti” i të mundshmes
Në thelb, një politikë e mirë është ajo që mishëron praktikën e balancimit me atë të shpërndarjes së fuqisë. Një politikan i mirë e kupton shpejt nevojën e ndryshimit dhe përmirësimit, sidomos në ekonomi, duke u angazhuar tërësisht. Për më tepër, ai, së bashku me ekipin e vet, duke studiuar situatën konkrete dhe të dhënat e nevojshme nxit hartimin e ligjeve, drejton e frymëzon qytetarët, diku duke lehtësuar shqetësimet e tyre, diku tjetër duke e përmirësuar sistemin rregullator. Dhe, si shërbyes i tyre, ai, mbi të gjitha, duhet të dijë të dëgjojë me vëmendje të pranishmit, dhe jo të flasë aq sa ta lodhë dëgjuesin, por të punojë pa pushim, të mendojë e veprojë me shpejtësi në kryerjen e detyrave. Në këtë kuptim, politikani i mirë është ai që e konsideron veprimtarinë politike si një profesion me kohë të plotë, dhe angazhimin vetjak transparent e serioz. Por, ama, jo ta harxhojë pjesën më të madhe të kohës jashtë saj, aq më keq në shërbim të biznesit të tij, dikur i deklaruar, tashmë gjoja i transferuar!…
Por, pse hyn biznesmeni në politikë? Në një kuptim të pranueshëm, duke qenë në politikë, ai bëhet figurë publike, tërheq vëmendjen e medias, bëhet një fytyrë e njohur në faqet e gazetave dhe revistave, në ekranet televizive. Po ashtu, çdo fjalë e thënë prej tij shndërrohet në një rekord publik, që analizohet për mirë apo për keq, si ajo “fabula e kanabisit”. Pra, është gjë e mirë, kur kuptohet ajo që thuhet, madje kur analizohet paraprakisht çdo mendim i shprehur. Por, jo të lihen mënjanë situatat konkrete; aq më keq, kur tentohet të ndërtohen paralele të situatës shqiptare me atë përkatësen në vende të tjera të zhvilluara, si p.sh., krahasimi me Amerikën. Në përgjithësi, kërkohet një sjellje korrekte, përndryshe, dhe në kushte të “favorshme” përkundrejt një media jo luftarake, politikani bëhet lehtë pre e një opinioni publik negativ, deri mund të “piqet” prej tij (qoftë dhe duke komanduar drejtpërdrejt ose tërthorazi një media me peshë!…)
Biznesmeni i suksesshëm s’është patjetër politikan i tillë
Pa dyshim, biznesi është një rrugë, sa e mundimshme, po aq dhe e mundshme për të arritur suksesin. Madje, në atë sukses ndërtohet profili dhe krenaria e vetë biznesmenit. Por, sot, në Shqipëri, janë shtuar si tepër rastet kur biznesmenë, të quajtur “të suksesshëm”, duke synuar një zgjerim të “triumfit” të tyre, përfshihen në veprimtari të drejtpërdrejtë politike-publike, në vetë përfaqësimin politik. Për disa, kjo lexohet si pjesë e “krenarisë”, për disa të tjerë kjo nënkupton më shumë ndikim, pushtet e para! Në rastin e fundit, disa prej tyre kanë pasur sukses, disa të tjerë edhe kanë “dështuar”, duke mos i nxjerrë shpejt paratë e shpenzuara për të hyrë në politikë… Ndërkohë që pritshmëria qytetare në këtë angazhim ka qenë për shërbim të ndershëm në detyrën publike dhe jo për të vrarë mendjen si e si për të fuqizuar biznesin, tashmë gjoja të shitur apo të pronësuar nga persona të tjerë. Parë me këtë sy, faktet e deritanishme në Shqipëri nuk janë aq pozitive. Edhe pse ekziston një ligj për konfliktin e interesit dhe një institucion për kontrollin e deklarimin e të ardhurave dhe të pasurisë!…
Nuk mohohet se shembuj të ngjashëm në binomin politikë-biznes ndeshen edhe në vende të tjera. Diku ata janë pozitivë, diku tjetër negativë, diku për të shërbyer, diku për të shtuar kapitalin, diku për mbrojtje të biznesit, diku dhe për të shmangur burgun. Vlen të përmenden këtu (si raste pozitive ose negative) ai, p.sh., i kryetarit të Bashkisë të Nju Jorkut, Blumberg (Michael Bloomberg), rasti Pero i biznesmenit amerikan Ross Perot, që kandidoi si i pavarur në zgjedhjet presidenciale në ShBA, në 1992 e 1996; rasti i Berluskonit në Itali, rasti i Presidentit aktual, biznesmenit Petro Poroshenko apo i ish- kryeministres të akuzuar për korrupsion, Yulia Tymoshenko në Ukrainë, pjesë të rëndësishme të kabinetit të presidentit Bush etj. etj.
Së fundi, nuk ka arsye që të mendohet se një biznesmen i mirë është dhe një politikan i mirë. Politikanë të mirë ndeshen në çdo nivel, nga pushteti vendor në atë qendror, në Parlament. Por, që të fitosh një vend në Parlament se i ke bërë një shërbim ose nder, i ke dhuruar një apartament apo një dhuratë tjetër, madje ndonjë kostum një drejtuesi, kjo mund të konstatohet vetëm në Shqipëri…
A justifikohen prurjet e tepërta nga biznesi?
Në mjedise si ai shqiptar, me institucione të pavarura pa peshën e duhur ligjore e kushtetuese, me një sistem rregullator jo efektiv mbi biznesin, mbi të gjitha kur aplikohen procese të paqarta privatizimi, prokurimi e tenderimi, kur shkelen e mbyllen sytë ndaj investimeve të huaja të drejtpërdrejta, përfshirë dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit, apo shfaqen si të dyshimta lidhjet e drejtpërdrejta ose të tërthorta në binomin biznes-politikë. Po ashtu, ende i papërfillshëm ose i dobët është auditi social, zëri i organizatave joqeveritare dhe i medias. Në këtë këndvështrim, lidhjet e paqarta politikan-biznesmen bëhen akoma më shqetësuese në kushte jo efektiviteti e dobësie të sindikatave, gjykatave, i vetë partive politike, forumeve të tyre, apo në mënyrë më të veçantë të “kartonizimit” të përfaqësimit parlamentar.
Nuk mohohet se shpesh paraja dhe politika ecin së bashku. Politikanët kanë nevojë për para për të zhvilluar fushatat e tyre, por edhe vetë paraja apo kapitali ka nevojë për nxitje, orientim e mbështetje, por, ama, gjithmonë brenda ligjit dhe vetëm brenda tij. Në të vërtetë, në Shqipëri, situata nuk duket se ndalon thjesht aty. Madje, ndikimi i biznesmenëve të fuqishëm ka marrë përmasa të skajshme në procesin tonë politik. Niveli i deformimit, korruptimit dhe pandershmërisë ka alarmuar qytetarët dhe dashamirësit e Shqipërisë. Ai shfaqet në të gjitha raportet ndërkombëtare. Aq më keq se disa akte të tilla abuzimi mbartin qartë dhe arrogancën e pushtetit! Së fundi, nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë rastet kur politikanët shndërrohen në biznesmenë, ndërkohë që hyrja e biznesmenëve në politikë po bëhet gjithnjë më e lehtë, krejt normale…
Qyrku i fajit
Që në moshë të re, më ka mbetur në mendje një fejton me titull “Qyrku i fajit” në revistën “Hosteni”. Aty, pasi u analizua me shifra mosrealizimi i planit në një ndërmarrje prodhuese, u kalua më tej te kritikat dhe përgjegjësia, te gjetja e fajit dhe e fajtorit apo e fajtorëve. Drejtori e kryeinxhinieri e nxorën veten të larë, madje nuk lejuan që ata të përfshiheshin në atë përgjegjësi. Po ashtu dhe shefat e reparteve dolën pa faj e kështu me radhë u zbrit poshtë në “hierarki”, deri sa u ndalua tek i fundit – roja e ndërmarrjes. Ai doli “fajtori” i mosrealizimit të planit, atij iu vesh “qyrku i fajit”, kurse të gjithë të tjerët dolën krejt pa lag. Në fakt, diçka e ngjashme po ndodh çuditërisht sot në Shqipëri, pikërisht në politikë, në institucione e media. Me përjashtim të disa zërave tepër të veçantë, për të treguar me gisht ku u gabua në politikë e institucione, një pjesë tjetër, që duket si e ardhur nga qielli, po tregon përsëri me gisht “rojën”. Me sa duket, për hesap e “punë hesapi” është më lehtë që qyrku i fajit të mbetet atje!…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi