Demokratizimi, Shqipëria një rast “sui generis”

15-210x300Promovimi/ Rektori i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj vjen me librin më të ri “NOVA DEMOKRATIA ( 15 ese për tranzicionin dhe për demokratizimin)”, botim i UET-Press me parathënie nga Servet Pëllumbi.

A përbën Shqipëria një rast “sui generis” në procesin e demokratizimit? Prof. Dr. Tonin Gjuraj, në librin e tij më të ri “NOVA DEMOKRATIA ( 15 ese për tranzicionin dhe për demokratizimin)”, i jep një përgjigje të kësaj pyetjeje të ngritur nga vetë ai. Janë 15 ese për tranzicionin shqiptar në një libër që vjen si botim i UET-Press, me parathënie nga Servet Pëllumbi.

Analiza e profesor Gjurajt, Rektor i UET-it, prek çështje të ndryshme të 25 viteve demokraci në vendin tonë, që nga ajo që ai e cilëson “Kultura e mosbesimit” në tranzicionin paskomunist shqiptar, roli i elitave në ndryshimet socio-politike në Shqipëri, shoqëria civile, dështimi i lëvizjeve sindikaliste, mediat, konfliktet ndërinstitucionale, binomi parti politike-shoqëri civile, për të shkuar deri te pyetja “A ka përfunduar tranzicioni?”.

Nga Tonin Gjuraj

A përbën Shqipëria një rast “sui generis” demokratizimi, krahasuar me vendet e tjera të Europës Lindore dhe Qendrore, meqenëse vendi ka kaluar nga një krizë në tjetrën dhe është karakterizuar nga një mungesë e theksuar e stabilitetit politik?

Për të kuptuar procesin e demokratizimit, lipset që ky proces të trajtohet shkencërisht, duke përdorur koncepte dhe qasje sa më të qarta teorike, pasi problemi i tranzicionit drejt demokracisë liberale është më interesanti nga pikëpamja teorike dhe më i përshtatshmi nga perspektiva politike.

Funksionimi dhe konsolidimi i rendit demokratik përbën një prej shumë zhvillimeve të mundshme të procesit të tranzicionit.

Duke iu referuar rastit të Shqipërisë, nëse marrim në konsideratë parakushtet për demokracinë, në kohën kur vendi u hap drejt Perëndimit, ai plotësonte vetëm një të tillë: atë të homogjenitetit etnik. Parakushtet e tjera të një vendi normal pothuajse nuk ekzistonin aspak.

Më konkretisht, nuk kishte përvojë të pluralizmit politik (ose shumë shkurt, midis viteve 1920 – 1930), Shqipëria ishte një vend feudal, pa shtresë të mesme dhe e pazhvilluar ekonomikisht, e vetizoluar, që do të thotë, pa asnjë lloj ndikimi politik, shoqëror e ekonomik nga Perëndimi i zhvilluar dhe demokratik; një shoqëri e pamodernizuar, pothuajse pa traditë të shoqërisë civile dhe “kampion” i dhunimit si edhe i mosrespektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Por, a kishte Shqipëria premisa për fillimin e ndryshimeve demokratike? Vështirë të thuhet, sepse vendi u karakterizua nga një izolim i tejskajshëm pothuajse për pesë dekada, që për pasojë mbeti në periferi të vëmendjes së Perëndimit; pa rëndësi strategjike, as rajonale, as globale. Shqipëria jo vetëm që ishte një vend me sistem njëpartiak, por dhe me një mungesë të madhe të mediave të lira, pa sistem gjyqësor të pavarur dhe pa organizime të pavarura të shoqërisë civile.

Kështu që viti 1990, përtej një tradite të shkurtër të një demokracie (të pjesshme), u duk sikur do të shënonte fillimin e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, gjë që do ta vështirësonte dhe do ta zgjaste natyrshëm edhe tranzicionin demokratik drejt konsolidimit demokratik.

Pra, kalimi në demokraci filloi në rrethana dhe në pozita shumë më të vështira, por edhe me barriera më të mëdha, krahasuar me vendet e tjera të ish –Lindjes komuniste. Po ashtu, konteksti rajonal ishte i pafavorshëm për një tranzicion demokratik normal, duke shtuar dhe rrezikun e rrymave të rrezikshme të paqëndrueshmërisë që i vinin nga jashtë, si nga ish-Jugosllavia, nga Serbia, nga Kosova etj.

Një vështrim i shkurtër historik i procesit të demokratizimit

Në këndvështrimin historik, shekulli i 19-të mund të konsiderohet si shekulli i fillimit të demokracisë dhe për rrjedhojë edhe i procesit të demokratizimit të shumë vendeve. Natyrisht, shkaqet e demokratizimit për shumë vende variojnë në kohë e në hapësirë, pasi procesi në vetvete nuk ka qenë thjesht linear, i padebatueshëm dhe i pakontestuar.

Sipas studimeve të shumë analistëve politikë dhe sociologëve ( Jean Grugel 2013, për shekullin e 19- të, motori i demokratizmit ishte klasa, kurse për vitet ’80 dhe vitet ’90 të shekullit të kaluar nënvizojnë elemente të tjera, si: konfliktin social, shtetndërtimin por, mbi të gjitha, ndikimin e jashtëm.

Nëse i hedhim një vështrim demokratizimit përgjatë historisë, për Robert A. Dahl-in, ai do të fillonte më 1776-n me revolucionin amerikan ku, sipas tij, triumfoi ideja e përfaqësimit, që çoi pastaj drejt revolucionit amerikan dhe krijimit të SHBA-së.

Më vonë, Samuel P. Huntington-i do të barazonte demokracinë me individualizmin dhe do të konsideronte vitin 1828 si fillimin e procesit të demokratizimit. Për Jean Grugel (2013), viti 1870 shënon fillimin e këtij procesi, pasi para këtij viti kemi të bëjmë me institucione defektoze, si dhe me mospërfshirjen e popullit në procese demokratizuese.

Sipas tij, demokratizimi filloi në Britani, në disa pjesë të Europës Perëndimore, në SHBA dhe disa koloni të banuara nga britanikë, në Kanada, në Australi dhe në Zelandën e Re, me kufij territorialë qartësisht të përcaktuar, që do të lejonin më pas zhvillimin e shtet-kombeve të konsoliduara, zgjerimin gradual të funksioneve dhe kapaciteteve të shteteve, avancimin e shpejtë të kapitalizmit, demokracinë liberale në më shumë vende, më konkretisht në SHBA, Francë, Suedi, Danimarkë, Norvegji, Belgjikë, Zvicër etj.

Ndërsa i kthehet demokratizimit bashkëkohor, Jean Grugel-i (2013) flet për dështim të demokracive në vitet ’60, i cili çoi pastaj në një pesimizëm të përgjithshëm dhe me pak shanse për demokratizim më të thellë. Më pas, ndeshemi me rilindjen e demokracisë në Europën Jugore në vitin 1970, në Spanjë, Greqi, në Portugali dhe në Amerikën Latine.

Sipas tij, rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, dizintegrimi i ish- BS-së, ndryshimet demokratike në Afrikën e Jugut dhe fundi i aparteidit atje, instalimi i qeverive demokratike në Amerikën Latine dhe lëvizje të tjera prodemokratike në botë përbëjnë ngjarjet më domethënëse të demokratizimit bashkëkohor.

Koncepti i klasës ose forma të tjera të konfliktit social dhe procesi i globalizimit janë përdorur nga shumë studiues dhe shkencëtarë socialë për të shpjeguar demokratizimin në pjesën më të madhe të botës. Sipas Ch. Tilly (1997),“proletariati” ose klasa punëtore e organizuar ka shërbyer si agjente e demokratizimit, kurse lëvizjet e ndryshme fshatare, lëvizjet e grave, rrjetet mjedisore kanë si promotorë të ndryshimit demokratik, duke shtuar këtu edhe rolin e shtetit dhe të grupimeve të ndryshme të shoqërisë civile.

Në përpjekje për të shpjeguar zgjerimin e demokratizimit përgjatë kohës, Samuel Huntington (1991) arrin të grumbullojë përvoja të ndryshme së bashku në “valë” të ndryshme, që janë qartësisht të dallueshme, por me shkaqe të përbashkëta. Metafora e valës është shumë domethënëse për Huntington-in, madje ai shkon më tej, duke zbërthyer atë që quhet valë riverse e autoritarizmit.

Sipas këtij shpjegimi, disa shoqëri dështuan në konsolidimin e demokracisë, disa të tjera përjetuan rënien e saj. Teoritë e demokratizimit merren kryesisht me shkakun dhe me identifikimin e faktorëve kryesorë që kanë çuar në lindjen e demokracive dhe, bazuar në to, shumica e shpjegimeve të demokratizimit nxjerrin elemente të qasjeve të dallueshme, kryesisht të teorisë së modernizimit, strukturalizmit apo sociologjisë historike dhe teorinë e tranzicionit, apo e njohur ndryshe si teoria e agjencisë. Teoria e Valës konsiderohet pjesë konvencionale e historisë së demokratizimi, por nuk jep, në fakt, një shpjegim të qartë të demokratizimit, kësisoj me qëllim që të kuptohet më mirë procesi i demokratizimit duhen parë edhe këndvështrimet historike, por dhe ato aktuale.

Vala e demokratizimit është një grup tranzicionesh nga regjime jodemokratike në shoqëri demokratike, që shfaqen brenda një periudhe specifike kohe, dhe që në mënyrë domethënëse ia kalon në numër tranzicioneve në drejtim të kundërt gjatë asaj periudhe kohe. Vala përfshin gjithashtu liberalizim ose demokratizim të pjesshëm në sistemet politike që nuk bëhen plotësisht demokratike.

Secila prej dy valëve të para të demokratizimit u pasua nga një valë riverse, në të cilën disa, por jo të gjitha vendet që kishin kryer së fundi tranzicionin drejt demokracisë u kthyen mbrapsht në sundime jodemokratike. Sipas Huntington-it, Vala I shtrihet prej shek. 19 deri në vitin 1930, e cila karakterizohet nga rritja e numrit të qeverive demokratike në botë, nga zgjerimi i demokracive liberale, përforcimi i nocionit të demokracive socialiste, komunizmi, fashizmi dhe nacional-socializmi (Hitler-i) në Itali, Gjermani etj.

Diku midis viteve 1926 – 1942 përballemi me një “valë të kundërt”, që do të thotë, me rënie të sistemeve politike demokratike në vende si: Spanja, Argjentina dhe në disa vende të tjera në Europën Lindore. Po ashtu, midis viteve 1920 – 1930 kemi mbisundim të fashizmit si bërthamë ideologjike të disa diktaturave që u përhapën përgjatë Europës, për shembull, Portugalia dhe Spanja nën regjimin diktatorial midis viteve 1930 – 1970.

Megjithatë, e përbashkëta e këtyre zhvillimeve mbeten zgjerim i kapitalizmit, krijimi i tregjeve globale, si edhe difuzioni i idesë së demokracisë në shumë vende të botës. Vala II është më e shkurtër në kohë, sipas Huntington-it, e cila kulmon në vitin 1945, me goditjen që u jepet pushteteve të Aksit. Aleatët amerikanë, britanikë dhe francezë u bënë arkitektë të demokratizimit në territoret e pushtuara gjermane, japoneze dhe austriake.

Po ashtu, në këtë periudhë ndodh procesi i shkolonizimit në shumicën e Afrikës, por përsëri vijojnë me demokraci jo të qëndrueshme. Kjo valë në tërësi dominohet nga ndikimi i Perëndimit në shkolonizim dhe në Luftën e Ftohtë, por, nga ana tjetër, kemi një triumf ideologjik të demokracive liberale brenda botës kapitaliste. Vala III fillon me demokratizimin në Portugali, më 1974, pasuar nga Greqia dhe Spanja.

Më tej, më 1980-n një numër vendesh të Amerikës Latine filluan të demokratizohen, duke kulmuar më 1989-n, ku një numër vendesh në Europën Qendrore dhe Lindore, ish-BS dhe pjesë të Afrikës përqafojnë demokracinë. Edhe në disa vende të tjera të Azisë, si: Tajvani dhe Koreja e Jugut ndodhin lëvizje demokratike. Shqipëria mund të përfshihet në “Valën e tretë”, edhe pse ajo shënon pothuajse fundin e kësaj vale.

Servet Pëllumbi: Një libër që shpalos natyrën e tranzicionit shqiptar

Ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi ka qenë dhe lexuesi i parë i Gjurajt, duke shkruar dhe parathënien e librit “Nova demokratia”. Pëllumbi vë në dukje se tema e tranzicionit politik zë një vend të rëndësishëm në politologjinë bashkëkohore, veçanërisht për vendet e demokracisë së re, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Në këtë kontekst ai shprehet se përmbledhja e 15 eseve, të shkruara së fundi nga Prof. Dr. Tonin Gjuraj, sqarojnë koncepte, por edhe paraqesin me një gjuhë të kuptueshme, të qartë dhe të ngjeshur me argumente, veçori të tranzicionit dhe demokratizimit në Shqipëri, si dhe probleme të diskutueshme, ende të pazgjidhura teorikisht, gjë që reflektohen në nivelin e politikave dhe të reformave konkrete që propozohen nga forcat e ndryshme politike.

“Në këtë rrafsh, libri më i ri i Prof. Dr. Tonin Gjurajt sjell vlera të reja. Në këto ese, ai reflekton njohje solide të tranzitologëve perëndimorë dhe lindorë, të cilët i sjell në funksion të sqarimit të një çështjeje të caktuar, por edhe për të zbuluar të përbashkëtën dhe të veçantën e tranzicionit demokratik në vende të ndryshme.

Autori, në disa nga esetë e përfshira në këtë botim, mendoj se përdor drejt metodën komparativiste, që në raste të tilla është e domosdoshme. Pa të, bije fjala, është e vështirë të shpjegosh pse Shqipëria e viteve 1989 – ‘90 u vonua në pranimin e pluralizmit politik dhe për nisjen e proceseve demokratike, krahasuar me vendet ish-socialiste të Europës”, shkruan ndër të tjera Pëllumbi. Ai veçon gjatë parathënies esenë mbi shoqërinë civile, ku analizohen disa nga keqkuptimet, keqpërdorimet, pse jo dhe deformimet që janë vënë re gjatë tranzicionit.

Pëllumbi thotë se”autori nuk ndalet vetëm tek evidentimi i tyre, por tregon cili është kuptimi që duhet të dominojë, si arrihet ai etj”. Profesor Pëllumbi vlerëson kontributin që ky libër sjell duke shpalosur “natyrën e tranzicionit shqiptar, konceptet teorike dhe jep raste konkrete të këtij tranzicioni dhe demokratizimi” dhe inkurajon Gjurajn dhe të tjerë shkencëtarë socialë, që të thellojnë më tej studimet në fushën e tranzitologjisë, fushë që është ende larg ezaurimit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi