Neoliberalizmi dhe Demokracia

Nga Edi Shano, botuar në Shekulli Online, 24 mars 2015

Sot, zërat në botë po shtohen kundër neoliberalizmit dhe shkolla e Çikagos po sulmohet nga të gjitha anët, madje dhe nga vetë nxënësit e Fridmanit (Milton Friedman, ekonomist i shkollës së Çikagos, filozofi dhe teoricieni i neoliberalizmit) duke e quajtur këtë të fundit shkaktar dhe teorinë e tij, një vegël të sofistikuar në dorën e kapitalit, i cili po varfëron kombet dhe shoqëritë. Bota perëndimore po kalon një periudhë krize dramatike, një tërmet i krijuar nga pokeri i luajtur në tregjet e babëzisë së “apikulturës” neoliberale, ku rolin e sekserit të këtyre kompanive, korporatave apo bankave e kanë marrë edhe politikanët. Me gjendjen në Greqi dhe me antinomitë e grupimeve shoqërore brenda saj, por edhe gjendja në të gjithë Europën e Jugut, shoqëritë, viktimat e këtij banketi, po tregojnë se kanë një limit dhe se po u kalua nuk e kanë për asgjë të tregojnë dhëmbët. Ëndrra bindëse, se shoqëria është me tregje të lira pa ndërhyrjen e shtetit, me tregti të hapur ndërkombëtare, me një antagonizëm të fortë e të guximshëm në çdo sektor, pa sindikata, pa profesione të mbyllura, ku cenojnë antagonizmin etj. po zbehet kudo.

Për Fridmanin, antagonizmi është vetë zhvillimi dhe sipas tij ky realitet, ku herë shfaqet si kontratë e lirë mes te barabartëve dhe të pabarabartëve dhe herë si marrëveshje, jo vetëm është e mirë për të gjithë ne ekonomikisht, por lidhet dhe kombinon me lirinë dhe drejtësinë. Pra, pabarazia ekonomike e kapitalizmit për Fridmanin është prosperitet, liri dhe drejtësi, dhe duke i shtuar teorinë, se tregu duhet të fitojë lirinë nga shteti, që sot e ka fituar plotësisht. Lindin pyetjet: a mundet pabarazia ekonomike të jetë garant për lirinë? Kur tregu duhet të mos t’i nënshtrohet shtetit, përse shoqëritë duhet t’i nënshtrohen atij; pra, kur shteti dëmton tregun, përse nuk dëmton edhe shoqëritë? Këtë Fridmani e ka të paqartë. Herë e ndan, e herë nuk e ndan. Kur bëhet fjalë për interesat e korporatave, se përse nuk duhet të paguajnë taksa, sa më të mëdha dhe të plotfuqishme të bëhen këto korporata, aq më shumë vende pune ka për punëtorin. Këtu shoqëria është punëtori.

Në të vërtetë, është e kundërta, bazuar në formulën keinsiane. Korporatat, thotë Keinsi, duhet të kenë një tavan, sepse sa më të mëdha të jenë fitimet për to, aq më shpejt shkojmë drejt krizës dhe pamundësisë së sigurimit të tregut të këtij hiperprodhimi, që detyrimisht do të na çonte drejt spekulimeve dhe flluskave, ku papunësia, si dhe siguria e sistemit kapitalist do të vihej në rrezik. Por, kur bëhet fjalë se kush do të zotërojë kapitalin, Fridmani quan shoqëri grupet e interesit dhe jo punëtorin apo nëpunësin etj. Këta i quan joprodhues. Për këta, me sa duket, duhet të ekzistojë ligji dhe shteti demokratik. Është e pakuptueshme si mund të lidhet e gjithë kjo teori e Fridmanit me atë që propagandohet.

Sot kemi kuadrin institucional të lirisë dhe të barazisë në nivel standard në aspektin juridik, ligjor, të drejtat e njeriut, të punëtorit etj. që do të thotë se të gjithë qytetarët dhe fshatarët e një vendi, bankierë, aksionerë trustesh, punëdhënës, punëtorë, të vetëpunësuar, pensionistë, me ndihmë sociale, lypsarë, janë të barabartë përpara ligjit – i kërkojnë të drejtat e tyre në të njëjtat gjykata, i nënshtrohen të njëjtit ligj penal. Sot quajmë demokraci votën dhe fjalën e lirë. Një sistem ku partitë paraqesin një program për të cilin votohet më i miri dhe kjo parti apo koalicion partish, do të përfaqësojë vullnetin e popullit, do të kenë në dorë qeverisjen e kombit-shtet dhe njëkohësisht do të jenë garanci për institucionet e lira.

Për mendimin tim, nuk është ashtu. Sot një korporatë, apo grup interesi, mund të blejë për interesat e saj kryetarin e partisë. Po bleve kryetarin e partisë, ke blere deputetet, ligjbërësit, ligjvënësit; ke nënshtruar gjykatën dhe prokurorinë; ke nënshtruar policinë; ke në dorë rendin dhe po të shohim se si zgjidhen kryetarët e shteteve në shumë vende, ke nënshtruar edhe ushtrinë. Me pak fjalë, një komb të tërë. Në të vërtetë, nuk ka asnjë dëshmi se përfaqësimi ka qenë sistem demokratik. Demokracia vjen me rrëzimin e sistemit përfaqësues. Demokracia është diktatura e ligjit. Diferenca, na thotë Aristoteli, midis demokracisë dhe oligarkisë është se në demokraci ligjin e aprovon, si dhe ka te drejtën e plotë për ta krijuar, këshilli i popullit. Ai urdhëron gjykatën e lartë. Ai vendos për gjithçka. Në këshillin e popullit 20% ishin shtresa e pasur, 30% shtresa mesatare 50%. Këta të gjithë zgjidheshin me short dhe nuk ishin në dijeni se kujt i përkisnin çështjet. Kishin të drejtë vetëm një herë në vit të ishin pjesë vëzhguese dhe gjykuese, sepse, në vendimmarrje merrnin pjesë të gjithë. Për një ligj të thjeshtë në Agora duhet te ishin prezent 1/4 e qytetarëve të Athinës. Parlamenti si dhe gjykata e lartë Arios Pagos, në demokraci kanë qenë organe zbatuese, jo vendimmarrëse, siç janë sot. Kurse pushteti oligarkik ndahej midis parlamentit dhe gjykatës së lartë, ku kjo e fundit ka qenë dhe garancia e rendit oligark.

Duhet theksuar se pas shumë revolucioneve nga abuzimi i pushtetit të oligarkëve aristokratë, shpëtimtari i oligarkisë doli Soloni. Siç thotë Aristoteli, me pak i përlyeri. Ai, duke kuptuar situatën, shoi të gjitha borxhet, që rrezikonin oligarkinë. Reforma u quajt sisahthia (heqja e barrës). Ajo ndaloi skllavërinë nëpërmjet borxhit, të merrnin pjesë nga shtresa e mesme në institucione, për kushte pronarit, për përmirësimin e gjendjes te çdo skllavi etj. Ai krijoi paralelisht Këshillin Popullor, i cili në një farë mënyre kontrollonte Parlamentin. Këtu fillojnë votimet, të cilat janë krejtësisht formale, sepse vetëm oligarkët kishin të drejtë të zgjidhnin se kë do të propozonin për të përfaqësuar popullin. Populli thjesht votonte. Kjo u reformua në shumë sisteme, ku oligarkët si Soloni reformonin për të shpëtuar revolucionet.

I fundit qe Themistokliu. Ai u dëbua nga Athina nga oligarkët e tjerë dhe u vendos diktatura e Arios Pagos (gjykatës). Ne vitin 462 para Krishtit, u rrezua nga Këshilli Popullor diktatura e Ario Pagos dhe u vendos demokracia. Këtu lindi për herë të parë fjala demokraci. Sot sistemi ynë përfaqësues nuk ndodhet as në nivelin e Solonit. Në demokraci politikani nuk kishte asnjë pushtet më tepër, vetëm atë të fjalës, që e kishin të gjithë. Ne Agora, gjithkush mund të propozonte gjithçka dhe votohej ideja, apo gjykimi më i mirë. Ky sistem quhej republikë dhe gradualisht republikë e përfaqësuar deri sa dalëngadalë, filluan ta quajnë si në dhomën e lordëve e kudo, demokraci të përfaqësuar. Ky sistem krijon Ludovik pushtetarë të gjithëpushtetshëm dhe se përputhet plotësisht me sistemin neoliberal të korporatave e dekarteleve, të krijuara nga pamundësia e shteteve për të ndërhyrë ne tregje dhe se do të ishte e pamundur të ekzistonte në një sistem demokratik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi