21 qershori, shans i humbur për meritokracinë?

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 18 mars 2015

afrim-KrasniqiEdi Rama është kryetar i PS, Ilir Meta është kryetar i LSI, Lulzim Basha është kryetar i PD. Të tre, ashtu si 126 kryetarët e tjerë të partive politike në Shqipëri, bazuar në legjislacionin mbi partitë dhe nenin 9 të Kushtetutës së RSH, në funksionet e kryetarëve të partive, kanë mandat statutor drejtimi, dhe duhet të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e partive respektive, – statutet e miratuara nga Kuvendi/Konventa Kombëtare.

Statutet e secilës parti janë parakusht për miratim në gjykatë dhe në brendësinë e tyre përcaktojnë kompetencat dhe përgjegjësitë, organet që marrin vendime, mandatet, mënyra e vendimmarrjes dhe procedurat e tjera politike e organizative të funksionimit. Parimi i demokracisë së brendshme partiake është dhe mbetet i tillë: sa më demokratike të jenë partitë nga brenda aq më shumë shanse ka të prodhojnë demokraci nga jashtë. E kundërta, modeli jo demokratik brenda paralajmëron modele jo demokratike në jetën publike dhe politike.

Edi Rama dhe Ilir Meta u takuan këtë fundjavë dhe për 90 minuta bisedime mes tyre përcaktuan fatin politik të një të katërtat e bashkive të reja në vend. Nga 61 njësi vendore, 15 i kalojnë LSI, aleatit të dytë politik. Nëse lexohen me vemendje emrat e bashkive 70% e tyre janë bastione të së majtës ose bashki me probabilitet të lartë fitimi. Në listë bëjnë pjesë edhe qëndra prefekture, si Gjirokastra e Berati, të cilat kanë qënë tradicionalisht bastione të së majtës, dhe nën drejtimin e PS.

LSI rimerr Lezhën (e drejton prej vitit 2007), merr Kukësin, Pogradecin, dhe disa njësi vendore të tjera vendore të kategorisë së dytë. Me Beratin, Kucovën dhe Skraparin LSI merr një qark të tërë, qarkun e Beratit, – zona më votuese e të majtës në 25 vjet. Njëkohësisht, po vijohen bisedime për dhënie të tjera njësish për aleatët e vjetër apo të rinj, përfshirë disa forca (ish) të djathta.

Përtej kësaj statistike politike ka disa “detaje” të tjera që marrin vlerë më të madhe, sepse prej tyre, arrijmë të shohim sesi do jetë imazhi, drejtimi dhe projektimi për qeverisjen e ardhshme vendore 2015-2019. Konkretisht, sipas Statutit të PS (neni 28) e drejta për përcaktimin e koalicioneve politike në zgjedhjet vendore i përket Asamblesë Kombëtare. Në rastin konkret ky organ nuk është mbledhur as formalisht dhe për pasojë, akti politik i koalicioneve të reja nuk ka mbështetje statutore.

Sipas nenit 14 të së njëjtit dokument, njësia bazë lokale bën propozimet për organet e qeverisjes vendore, dhe sipas nenit 29, pika 15, kryesia e partisë miraton kandidatët për drejtues në organet vendore. Në rastin konkret nuk është respektuar asnjëra dispozitë dhe apriori, rreth 20 njësi i janë deleguar aleatëve politikë, pjesa tjetër është e kushtëzuar po ashtu nga miratimi prej aleatëve politikë, sidomos LSI.

E njëjtë është situata edhe tek LSI. Sipas nenit 11.5 Konventa Kombëtare miraton kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për në qeverisjen vendore, gjë që nuk ka ndodhur dhe as pritet të ndodhë. Sipas nenit 11.10 Komiteti Drejtues miraton kandidatët për qverisjen vendore, proces që dukshëm bëhet i pavlefshëm kur marrëveshja e fundjavës ka formalizuar zonat, kandidatët dhe shtesën “se për kandidatët secila palë gëzon të drejtën e vetos”, pra se vendimmarrja del jashtë partisë, jashtë sturkturave të saj dhe jashtë dokumenteve statutorë.

Statuti i PD dhe ndryshimet e reja të viteve të fundit ka përcaktuar parimin e zgjedhjes një anëtar – një votë, parim që aktualisht nuk pritet të zbatohet. Në Statut, neni 34 detyron konsultimin me gjithë anëtarësinë të kandidatëve për pushtetin vendor (konsultimi nënkupton votimin e anëtarësisë), neni 41 përcakton delegimin e autoritetet final tek Këshilli Kombëtar, organ i cili ende nuk është mbledhur. Edhe PD ka nisur bisedimet me aleatët për zonat e “dhuruara”, madje në një rast, bashkë me zonën i ka përcaktuar partnerit të vet edhe emrin e kandidatit që duhet të jetë.

Të njëjtat përcaktime statutore dhe mosrespektim të tyre gjejmë edhe tek partitë e tjera më të vogla, aleate të majta ose të djathta, apo nga ato që vrapojnë pas cdo pushteti e pale në kërkim të një hapësire klienteliste pushteti. Për pasojë, midis numrit të madh të partive politike shqiptare nuk ekziston ende një model pozitiv i partive që veprojnë, funksionojnë dhe përcojnë demokraci të brendshme, që respektojnë kushtetutat e tyre, që kanë vendimmarrje transparente dhe legjitime dhe që bazuar në to, mund të premtojnë të krijojnë një model demokratik edhe në qeverisjen e vendit.

Në raste të tilla kritikat ndeshen në logjikën militante: nuk kanë rëndësi procedurat, rëndësi ka produkti. Një alibi që vlen në një shoqëri me nivel demokratik minimal, por bie ndesh dukshëm me pretendimin e Shqipërisë për tu bërë demokraci funksionale dhe për tu sjellë si anëtare potenciale për në BE.

Sepse Shqipëria vijon të jetë ndër vendet e pakta në kontinent ku partitë veprojnë më shumë si grupime klienteliste dhe piramidale sesa si organizata konkurruese alternative dhe horizontale. Sepse përzgjedhja bazohet në njohjet personale ndaj liderëve, në preferenca personale, në imponime nominale me emra, kryesisht nga Tirana dhe kryesisht nga bota e biznesit, – a thua se do caktojmë menaxherët lokalë të një firme të madhe dhe jo kryetarët e bashkive të vendit më të varfër në kontinent!

Cila është zgjidhja dhe sugjerimi? Vota, vetëm vota e brendshme dhe sjellja korrekte “kushtetuese” me normat statutore brenda partive dhe me normat ligjore jashtë tyre. Ditët e fundit fondacioni i njohur gjerman FES dhe partneri i tij lokal CDI, prezantuan analizën e parë në 25 vjet mbi demokracinë e brendshme në tri partitë kryesore, analizë statutore dhe e sjelljes faktike, përmes përfshirjes së vetë strukturave drejtuese dhe anëtarësisë.

Studimi dëshmon gjendjen minore të demokracisë partiake, kontrastin e thellë midis rregullave të shkruara dhe atyre të zbatuara dhe kështu, kontrastin e thellë në standardet midis demokracisë partiake funksionale dhe asaj hibride, ku lideri ka peshë më shumë se cdo intitucion tjetër dhe ku forca politike identifikohet me liderin, jo me programin, anëtarësinë, alternativën dhe bilancin politik.

A mund të ketë shpresë për ndryshim? Të dhënat paraprake flasin se zgjedhjet vendore do jenë një tjetër shans i humbur për sistemin e meritokracisë dhe konkurrencës demokratike. Mbi 50% e zonave janë zona-bastion dhe kryetarët atje emërohen direkt nga titullari i partisë, majtas apo djathtas.

Në rreth 30% të njësive të tjera dominon një palë dhe me aleatët e duhur ka shanse të fitoje. E gjithë zgjedhjet bëhen për rreth 20% të njësive, ku mbështetja e palëve është e balancuar dhe ku mund të ketë fushatë e garë. Ironikisht, shanset flasin se vetëm në këtë të fundit, në 20% të zonave partitë nuk mund të eksperimentojnë ndaj nuk mund të emërojnë kandidatët, por do jenë të detyruar të bëjnë procese seleksionuese midis tyre dhe midis prurjeve të koalicionit.

Një tregues pozitiv është fakti se pritet të ketë kandidatë të pavarur në disa zona, përfshirë Tiranë, Shkodër, Kavajë, dhe ndofta edhe Fier, Berat, Korcë, – si rezistencë ndaj mbylljes së partive dhe refuzim të sistemit të tyre të emërimit pa meritokraci dhe konkurrencë. Në dy rastet, kjo mbetet një sinjal minor shprese për një sistem politik jopërfaqësues që ka nevojë për riformatim tërësor dhe kalim të sovranitetit aty ku Kushtetuta përcakton, jo tek selitë e partive, por tek qytetarët dhe për qytetarët.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi