Avantazhet e Shqipërisë në fushën e hidrokarbureve

Konferencë me investitorët e huaj, 17 mars 2015

Albania2015-1110x400Kanë nisur nisur në Tiranë punimet e Samitit të Energjisë, ku janë të pranishëm përfaqësuesit e kompanive më të mëdha të naftës dhe gazit në botë. Në fjalën e tij, duke iu përgjigjur interesit të investitorëve të huaj për burimet e Shqipërisë, kryeministri Rama ka deklaruar se, qeveria shqiptare do të ofrojë lehtësi për aksesin tek procesi i privatizimeve, si dhe transparencë për këtë proces.

Duke vënë një theks të veçantë tek Albpetrol, shefi i qeverisë tha se shteti do të marrë të gjitha të drejtat që burojnë prej saj, ndërkohë që Albpetrol do të trajtohet si një bllok i veçantë, i ndarë nga pjesa tjetër.

“Shteti do të marrë të gjitha të drejtat që burojnë nga Albpetrol dhe ndërkohë Albpetrol do të ndahet nga blloqet e tjera të naftës që do të vihen në dispozicion të investitorëve. Për ne ka qenë e qartë që Albpetrol është një atavizëm i një kohe të shkuar dhe një hibrid që nuk mund t’i rezistojë sfidës që vjen. Padyshim që mbetet një aset i vlefshëm dhe ne do të sigurojmë që të gjithë aktorët seriozë që do të shprehin interes të kenë një proces transparent përmes një gare të hapur dhe konkurruese, ku do të ftohen të gjithë të interesuarit. Jemi të bindur që jetojmë në një vend me mundësi unike për veten dhe për rajonin”, tha Rama.

Ndër të tjera, kryeministri ka vënë në dukje se, sektori i energjisë ka një hapësirë të posaçme në programin e kabinetit të tij.

“Sektorin e energjisë ne e shohim si një nga burimet më të rëndësishme të ekonomisë sonë. Orientimi ynë është përfshirja në politikat e energjisë të BE-së, ndërsa sa i takon rajonit tonë, fjalët kyçe duhet të jenë ‘ndërlidhës’ dhe ‘ndërlidhje energjitike’, për të bashkuar vendet e Europës jug-lindore”, ka thënë Rama.

Shefi i ekzekutivit është shprehur i vetëdijshëm se në këtë drejtim duhet të realizohen reforma rrënjësore, ndaj ka theksuar se procedurat e reja të miratuara nga Parlamenti do të ofrojnë lehtësi për ata investitorë që kanë hasur vështirësi në të kaluarën.

“Është me rëndësi që qeveria të luajë rolin e rregullatorit, që të kontrollohet konkurrenca dhe jo standardet”, ka vijuar Rama.

Në samitin e nivelit të lartë për energjinë, Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri ftoi kompanitë e interesuara që të investojnë në Shqipëri në fushën e kërkimit dhe nxjerrjes së hidrokarbureve në 13 blloqet e lira që ka identifikuar qeveria.

“Aktualisht janë 13 blloqe të lira në tokë dhe në det dhe pak ditë parlamenti miratoi ndryshimet ligjore që të nisin të jepen këto zona. Së shpejti do të jepen 3 blloqet e para duke synuar kompanitë me serioze të interesuara dhe që mund të përballojnë investimet në kërkime”, tha Gjiknuri.

Ministri u shpreh se përzgjedhja e kompanive përmes proçedurave dhe një procesi transparent do të shmangë dështimet e së kaluarës në këtë sektor, kur blloqet e naftës, sipas tij, iu dhanë investorëve jozerioze që nuk ishin në gjendje të mbanin zotimet e tyre.

“Ftojmë kompanitë e interesuara që të përfitojnë nga avantazhet e Shqipërisë në fushën e hidrokarbureve dhe avantazheve ligjore”, deklaroi Gjiknuri duke shtuar se kuadri ligjor fleksibël është një garanci për kompanitë që të rimarrin mbrapsht investimin e kryer.

Ministri u ndal edhe tek përpjekjet e Shqipërisë për të diversifikuar energjinë duke përmendur këtu TAP-in dhe masterplanin për gazifikimin e vendit, një projekt që po hartohet së bashku me palën azere. / Top Channel

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi