Shpresat janë të pakëta për dekriminalizimin e politikës në Shqipëri

Megjithëse parlamenti ka miratuar një rezolutë për dekriminalizimin dhe ndërkombëtarët përshëndetën largimin e Doshit nga grupi parlamentar socialist, shumë analistë mendojnë se shanset janë të pakta për ndërprerjen e flirtit mes politikës dhe krimit.

Nga Gjergj Erebara, BIRN, 10 mars 2015

kuvendi-600x360Kur deputeti i debatueshëm Tom Doshi u përjashtua nga Grupi Parlamentar Socialist më 2 mars, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Delegacioni i Bashkimit Europian e përshëndetën këtë vendim si hapin e duhur drejt dekriminalizimit e parlamentit dhe jetës politike në tërësi në vend.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale,” tha ambasada e SHBA-së në Tiranë në një deklaratë që u konsiderua si e paprecedent.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë përshëndeti gjithashtu përjashtimin duke thënë se i jep shumë rëndësi çështjes së dekriminalizimit.

“Bashkimi Europian mbështet hapat që duhet të ndërmerren për zbatim tërësor të marrëveshjes mes qeverisë dhe partive të opozitës në parlament… përfshirë çështjes së individëve me të shkuar kriminale që mbajnë pozicione publike,” thuhet në deklaratën e Delegacionit, përfaqësia diplomatike e Bashkimit Europian në Tiranë.

Por pavarësisht këtyre mesazheve diplomatike të ashpra dhe të prera, kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin Opinion në TV Klan të enjten e kaluar se ai nuk sheh ndonjë lidhje mes përjashtimit të Doshit nga grupi i deputetëve të Partisë Socialiste dhe procesit të dekriminalizimit.

“Unë nuk kam dijeni që në parlament të ketë njerëz të inkriminuar,” tha Rama.

Por pavarësisht kësaj, janë të paktë njerëzit që mohojnë që në kuvendin e Shqipërisë ka njerëz të dyshimtë.

“Parlamenti ka nevojë jo vetëm të dekriminalizohet, por edhe të profesionalizohet,” tha për BIRN Skënder Minxhozi, Drejtor i gazetës Java në Tiranë. “[Parlamenti] vuan si për emra të pastër, ashtu edhe për mendje të ndritura. Mungojnë juristët, ekonomistët ka shumë anonimë për shkak të sistemit ku kryetarët i caktojnë vetë listat. Ka shumë persona që kanë hyrë duke paguar para, duke ruajtur apo duke vjedhur vota,” tha ai.

“Udhëheqësit tanë politikë i kanë marrë kriminelët sa herë që i kanë hyrë në punë,” thotë Mero Baze, botues i gazetës Tema.

Mentor Nazarko, analist politik, thotë se problemi duket se lidhet me pabarazinë e stërmadhe ekonomike të krijuar në vend përgjatë 25 viteve të fundit.

“Problemi kryesor është fuqia disproporcionale ekonomike e disa individëve te kriminalizuar në biznesin e tranzicionit përgjithesisht pa rregulla të shoqërisë shqiptare. Nëse këta njerëz janë të fuqishëm në jetën publike e ekonomike, e kanë më të lehtë të hyjnë në politikë”, tha ai.

Dhjetorin e kaluar, partitë politike në qeveri dhe në opozitë votuan sëbashku në parlament një rezolutë, e cila bën thirrje mes të tjerash, për krijimin e barrierave për personat me të shkuar kriminale të cilët janë zgjedhur apo duan të zgjidhen në poste publike.

“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”, thuhet në rezolutën e cila u miratua me 126 vota në Kuvend nga 138 deputetë të pranishëm. Për ironi, edhe shumë deputetë të cilësuar si “të fortë”, votuan pro rezolutës.

Tani parlamenti do të duhet ta përkthejë këtë rezolutë në nismë ligjore konkrete, gjë që kërkohet me ngulm edhe nga diplomacia Europiane dhe Amerikane.

Por analistët politikë të pyetur nga BIRN shohin vështirësi të mëdha dhe besojnë se ka pak shpresa që një proces i mirëfilltë dekriminalizimi të nisë së shpejti.

Mentor Nazarko e sheh si të vështirë ndalimin përmes mekanizmave ligjorë të angazhimit politik të një grupi politikanësh të cilëve media i referohet si “të fortë” apo “biznesmenë” dhe që janë dalluar në të shkuarën për agresivitetin e treguar gjatë zgjedhjeve.

“Nëse do të vendosen barriera atëherë këto barriera duhet të vendosen në shoqëri dhe brenda partive politike para së ata të zgjidhen. Ose në kodin penal te zgjatet periudha e ndalimit te ushtrimit te funksioneve publike për disa lloje krimesh. Është shumë e vështirë me ligj te kufizosh të drejtën kushtetuese universale që të ndalohet dikush të garojë apo aq më tepër ta bësh këtëe a posteriori, pra me ata që [sakaq] janë në parlament”, thotë Nazarko.

Minxhozi dhe Baze ia vënë fajin krerëve aktualë të partive kryesore në vend për nivelin e pjesëmarrjes së njerëzve të dyshuar për aktivitete kriminale apo të dënuar më herët për vepra të tilla si dhe sistemit aktual zgjedhor, i cili ngarkon partitë politike me hartimin e listave të mbyllura për kandidatë për deputetë apo kandidatë për këshilla vendorë.

“Është një proces i vështirë për shkak se politika shqiptare është e kapur dhe e bërë pis. Të dyja palët nuk janë serioze në këtë punë,” thotë Minxhozi.

“Nuk jam optimist se do të ketë ndonjë dekriminalizim të parlamentit aktual përveç akuzave politike të karakterit demaskues,” thotë Baze. “Zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet parlamentare janë test për të parë nëse liderët politikë e kanë kriter dekriminalizimin”, shton ai.

Partia Demokratike në opozitë kreu një fushatë denoncimesh vitin e kaluar të njerëzve me precedentë penalë që qenë emëruar në pozicione të larta drejtuese të administratës publike pasi koalicioni i majtë mori pushtetin në shtator 2013. Kulmi u shënua në Korrik 2014, kur Partia Demokratike deklaroi se Arben Ndoka, deputet i Partisë Socialiste nga zona elektorale e Lezhës, qe dënuar në Itali me shtatë vjet burg në maj 2002 por pati përfituar ulje dënimi nga gjykatat shqiptare pasi qe riatdhesuar për të vuajtur dënimin më pranë shtëpisë së vet.

Ndoka reagoi dhunshëm në korridorin e Kuvendit duke goditur me grushte deputetin Gent Strazimiri sëbashku me deputetin tjetër socialist Pjerin Ndreu. Ai është aktualisht duke u gjykuar në Gjykatën e Lartë, ku mund të dënohet nëse shpallet fajtor.

Por pavarësisht fakteve, procesi i dekriminalizimit për momentin mbetet i kufizuar te një fjali e vagullt e rezolutës parlamentare të dhjetorit, e cila nuk dihet nëse do të transformohet ndonjëherë në ligj.

Problemi i përdorimit të njerëzve të dyshimtë në Shqipëri është ngritur prej kohësh. Gjatë viteve 2001-2008, pati një debat mes qarqeve politike se si mund të shmangej flirti mes politikës dhe krimit. Në vitin 2008, Edi Rama, në atë kohë, kreu i opozitës dhe Sali Berisha, kryeministër, arritën një marrëveshje politike në bazë të së cilës u krijua sistemi aktual zgjedhor ku partitë konkurrojnë me njëra-tjetrën me lista të mbyllura në 12 zona elektorale dhe ku renditja e deputetëve në listë, e për rrjedhojë, shanset e deputetëve për t’u zgjedhur, përcaktohen nga partitë përkatëse politike. Por në praktikë, listat dhe renditja nuk rezultojnë të jenë produkt i proceseve të brendshme demokratike të partive politike por produkt arbitrar i udhëheqësve përkatës të partive. Marrëveshja politike e vitit 2008 është kritikuar si një hap në dëm të demokracisë përfaqësuese në vend, ndërkohë që zbatimi i saj nuk e uli peshën e individëve të dyshuar për aktivitete kriminale në jetën politike të vendit. Por shumë mendojnë se pikërisht për këtë fakt, shqiptarët e kanë më të lehtë të identifikojnë personat përgjegjës për angazhimin e individëve të dyshimtë: përgjegjësit janë ngushtësisht thjeshtë krerët e partive.

Baze mendon se në fund të fundit, çështja Doshi është një shembull se si përdorimi i individëve të dyshimtë mund të kthehet në barrë për krerët e partive.

“Nuk kemi akoma mekanizëm detyrues se si liderët të ndalojnë të inkriminuarit nga pjesëmarrja në jetën politike të vendit. Le të shpresojmë që ngjarja e fundit të shërbejë si incentivë që të mos i përdorin më”, tha ai.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi