“Partitë tona politike, me tipare të organizatave mafioze”

Intervistë me politologun Afrim Krasniqi, botuar në Dita, 6 mars 2015

afrim-KrasniqiNjë bisedë me politologun Afrim Krasniqi, disa ide dhe mendime mbi situatat politike në vend, format se si zgjidhet një deputet dhe niveli intelektual i parlamentit: Mund të ketë parlament cilësor dhe parlament të dobët. Ky aktuali nuk është as njëri dhe as tjetri

Ai është analist i njohur i aktualitetit politik në vend, gjithashtu edhe drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike. Afrim Krasniqi, disa muaj më parë ka përfunduar një studim në lidhje me përbërjen, formimin profesional dhe karrierat politike të deputetëve. Si autor të këtij studimi, por edhe si analist e kemi ftuar sot në “Dita” për të na folur në lidhje me aktualitetin politik që po kalon vendi dhe çfarë ndikimi ka niveli arsimor i deputetëve dhe si përkthehet e gjithë kjo në shoqëri.

Rrjetet sociale kanë bërë të tyren duke mbajtur mbi vete të gjitha pakënaqësitë dhe mllefit që kanë njerëzit nga situata dhe “tallavaja” politike e këtyre ditëve. Në një status që po qarkullon më së shumti në internet thuhet “50 vetë me shkollë t’nalt’ në vitet 1920 dhe përfaqësohesh nga Luigj Gurakuqi e Gjergj Fishta…25,000 vetë “me shkollë të lartë” në 2010 dhe voton Dosh & co…Çfarë rrënimi’t!”. Shumëkush mund të mos jetë dakord me këtë shprehje dhe ndan krejt qasje tjetër, por Afrim Krasniqi i ka thënë disa gjëra troç në këtë bisedë me Dita-n.

Ai na pohon se kur vjen puna për shpalosjen e programit nga një parti politike e caktuar, “askush nuk përmend në debate partiake e publike kushtetutat e partive, për shembull, programin, statutet, rregulloret, por të gjithë flasin nga aspekti personal, bazuar në kodet e nderit, kodin e familjes, kodin e miqësisë, kodin e njohjeve, kodin e përvojës në bashkëpunim, – tipare këto që jemi mësuar t’i gjejmë në organizata me natyrë mafioze jo në organizimet moderne të partive politike. Tipare të tilla gjenden në modelet e disa vendeve të Amerikës Latine dhe në pak vende ish-komuniste në Evropë, dhe në dy rastet, pasojat e sjelljes së tyre në sistemin politik kanë qenë negative” – shprehet ndër të tjera Krasniqi. Më poshtë një bisedë me të…

Zoti Krasniqi, si e gjykoni situatën në të cilën ndodhen partitë politike shqiptare?

Pas fazës së partive – fronte dhe partive popullore me prirje ideologjike gjatë pjesës më të madhe të dy dekadave të tranzicionit, kemi kaluar në modelin e partive klienteliste dhe karteli, pa rregulla të brendshme funksionimi, pa transparencë në vendimmarrje, por me drejtim piramidal dhe personal nga shefat e tyre politikë. Shikoni një detaj domethënës: Askush nuk përmend në debate partiake e publike kushtetutat e partive, për shembull, programin, statutet, rregulloret, por të gjithë flasin nga aspekti personal, bazuar në kodet e nderit, kodin e familjes, kodin e miqësisë, kodin e njohjeve, kodin e përvojës në bashkëpunim,- tipare këto që jemi mësuar t’i gjejmë në organizata me natyrë mafioze jo në organizimet moderne të partive politike. Tipare të tilla gjenden në modelet e disa vendeve të Amerikës Latine dhe në pak vende ish-komuniste në Evropë, dhe në dy rastet, pasojat e sjelljes së tyre në sistemin politik kanë qenë negative. Funksioni bazë i partive janë alternativat programore, edukimi politik dhe jetësimi i konkurrencës. Nëse nuk e bëjnë këtë, funksionet e tjera nuk kanë rëndësi. Ne ndodhemi aktualisht në fazën kur partitë kanë hequr dorë nga këto funksione dhe natyra pragmatiste, klienteliste, pa identitet ideologjik dhe programor, dominon në tërësinë e 66 partive konkurruese në zgjedhje.

Pak ditë më parë pamë përjashtimin e një deputeti nga Partia Socialiste, mos të merremi me rastin konkret, por do doja t’ju pyesja pse vijnë situata të tilla në partitë politike?

Politika aktuale reflekton tranzicionin, është produkt tranzicioni dhe si e tillë, është projektuar të prodhojë një nivel përfaqësimi problematik në cilësi dhe integritet. Ligji elektoral 2009 dhe 2013 do duhej t’i jepte fund praktikës së militantëve të fortë dhe personave me CV problematike në raport me të drejtën. Produkti i ligjit në dy rastet është i kundërt: Dyfishoi të fortët dhe nivelet militante politike. Këto produkte nuk dinë të bëjnë politikë, nuk e kanë profesion dhe as ideal, nuk e kanë projekt dhe as kulturë, thjesht e shohin politikën si burim fitimi dhe imuniteti. Partitë rendën drejt njerëzve që prodhojnë, vota jo ide dhe alternativa politike. Duke qenë e tillë, na ndodh shpesh të shohim situata dramatike si ato të viteve të fundit, ku konflikti, dhuna verbale, promovimi, kërcënimet dhe aleancat informale bëhen tipar i jetës politike e parlamentare.

Ju jeni shprehur kritik ndaj mënyrës se si zgjidhen deputetët në Kuvendin e Shqipërisë, për cilat arsye e kritikoni?

Së pari nuk i zgjedhim ne, i zgjedhin kryetarët e partive. Listat hartohen nga kryetarët, nuk votohen fare as në strukturën partiake, janë të mbyllura dhe bazohen mbi njohjet personale, besnikërinë, forcën e financimit elektoral, ndikimin në zona të caktuara dhe jo mbi një sistem merite, transparence dhe konkurrence edhe brenda vetë partive. Së dyti, sepse me konsensus politik partitë e mëdha e kanë mbyllur sistemin, nuk lejojnë emigrantët të votojnë, nuk lejojnë kandidatët e pavarur dhe nuk krijojnë mundësi për prurje të reja politike. Ato e kanë lënë Shqipërinë vendin e vetëm në kontinent ku administrimi zgjedhor është 100% partiak, ndër vendet e vetme ku ligji krijon hapësira që partitë të mos bëjnë kurrë publike burimet e financimit dhe kanë krijuar një sistem paralel klientele, duke pushtuar me rotacion administratën dhe strukturat shtetërore e publike. Nuk gjendet vend tjetër në NATO përveç në Shqipëri ku partitë ndajnë me marrëveshje në tavolinë përqindjet e pushtetit dhe emërimeve në administratë, në gjykatë, në institucione drejtuese dhe në pushtetin vendor. Së fundi, sepse nuk ka demokraci përfaqësuese, i vetmi zyrtar që zgjidhet direkt nga qytetarët mbetet kryetari i bashkisë, shumë pak për një demokraci të re dhe me deficite të mëdha përfaqësimi siç është Shqipëria.

Si ju duket niveli i parlamentit aktual, duke e krahasuar edhe me parlamentet e shkuara të 25 viteve të fundit?

Mund të ketë parlament cilësor dhe parlament të dobët. Ky aktuali nuk është as njëri dhe as tjetri. Është i tretë, është parlament me probleme të mëdha integriteti. Referuar të dhënave të vetë deputetëve rreth gjysma e tyre nuk e kanë politikën profesion, disa prej tyre nuk marrin pjesë asnjëherë as në debate dhe as në procedurat parlamentare, shumë prej tyre e përdorin parlamentin për të fituar imunitet dhe krijuar rrethe klienteliste emërimi dhe nderesh në zonat ku janë caktuar dhe vetëm një pakicë prej tyre kuptojnë, bëjnë dhe synojnë politikën. Gjykuar për nga cilësia, sjellja, formimi dhe aktet e komunikimit të tyre shumë më i denjë dhe dinjitoz është, fjala vjen, masa e tregtarëve dhe klientëve tek sheshi “Avni Rustemi” sesa ato që prodhon parlamenti aktual. Unë kam drejtuar një studim në emër të Institutit të Studimeve Politike që drejtoj mbi përbërjen e parlamentit të ri. Përfundimet janë shokuese dhe në kontrast të thellë, p.sh sidomos me parlamentin e vitit 1992-1996, i cili referuar PD, PS, PSD, etj, është dhe mbetet parlamenti më i mirë i tranzicionit.

Politologë dhe analistë në vend thonë se sistemi politik është problematik duke arritur deri sa ta quajnë të kalbur. A mund të kërkohet nga një klasë politike e tillë që të vetërregullohet?

Jo, është utopi. Klasa e sotme politike mund të detyrohet përmes presionit pozitiv të bëjë disa lëshime, të cilat më pas ndikojnë direkt ose indirekt edhe në reformimin e sistemit. Për shembull, t’u japin të drejtë vote emigrantëve. Nëse 1.2 milion shqiptarë në vendet e ndryshme perëndimore votojnë, atëherë shanset që ata të sillen si militantë partiakë dhe klientë votash janë minimale. Nëse sistemi hapet duke mundësuar më shumë zgjedhje direkte, për shembull, kalimin nga lista e mbyllur proporcionale në listën e hapur shanset për kandidatët me integritet janë më të mëdha. Nëse respektohet ligji mbi partitë dhe neni 9 i kushtetutës atëherë partitë do detyrohen të bëjnë zgjedhje brenda tyre dhe të tregojnë burimet e financimit. Nëse zbatohet ligji mbi nëpunësin civil, atëherë shumë zyrtarë në konflikt interesi partiak do duhej të dorëhiqeshin. Nëse vendosim që Presidentin ta zgjedhim direkt nga populli, atëherë rriten shanset për një institucion të ri garancie dhe ndërmjetës në raste krizash. Nëse detyrojnë politikanët, ashtu siç detyrojmë çdo shtetas tjetër, të tregojë burimet e financimit dhe mirëqenies familjare atëherë shumë prej tyre nuk do ishin më në politikë dhe as në parlament. Pra, janë zgjidhje të cilat të gjithë i dimë, janë të realizueshme, janë këshilla që jepen vazhdimisht edhe nga SHBA e BE, janë praktika që kanë pasur sukses në vendet e tjera dhe ne, thjesht duhet t’i marrim dhe t’i zbatojmë. Kjo do të ndodhë një ditë, ndonëse vonë.

    Afrim Krasniqi

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi