Si të para-përcaktojmë rezultatin e zgjedhjeve – gerrymandering i shqipëruar

Përshtatur sipas The Washington Post, 3 mars 2015

Tre rrugë të ndryshme për të ndarë 50 njërëz në 5 qarqe të ndryshme

Screen Shot 2015-03-03 at 19.13.16“Gerrymandering” – vizatimi i kufijve politikë për ti dhënë partisë tuaj më shumë avantazhe mbi partitë e tjera – është një proces jo i lehtë për t’u shpjeguar. Do të perpiqemi ta thjeshtojmë duke përdorur vizatimin e mësipërm.

Supozoni se kemi një shtet shumë të vogël me pesëdhjetë njerëz. 30 prej tyre i përkasin Partisë Blu, dhe 20 i përkasin Partisë së Kuqe. Dhe për fat, ata të gjithë jetojnë në një rrjet të mirë-organizuar me Blutë nga njëra anë e shtetit dhe me të Kuqtë në anën tjetër.

Tani, le të themi se kemi nevojë për të ndarë këtë shtet në pesë qarqe. Çdo qark do të dërgojë një përfaqësues në Parlament për të përfaqësuar popullin. Idealisht, ne duam që përfaqësimi të jetë proporcional: në qoftë se 60 përqind e banorëve tanë janë Blu dhe 40 përqind janë të Kuq, ato pesë vende duhet të ndahen në të njëjtën mënyrë.

Për fat të mirë, sepse qytetarët tanë jetojnë në një rrjet të organizuar me kujdes, është e lehtë për të nxjerrë pesë qarqe të gjata – dy për të Kuqtë, dhe tre për Blutë. Voila! Ky është një përfaqësim perfekt proporcional. Ky është rrjeti 1 më lart, “përfaqësimi i përsosur.”

Tani, le të themi që Partia Blu kontrollon qeverinë dhe janë ata që vendosin sesi tërhiqen vijat. Në vend që t’i ndërtojnë kufinjtë e qarqeve vertikalisht ata i tërheqin horizontalisht, në mënyrë që në çdo qark të jenë gjashtë Blu dhe katër të Kuq. Ju mund ta shihni atë në rrjetin 2 më lart, “kompakt por i padrejtë.”

Me një shumicë Blu të rehatshme në këtë rast, çdo qark zgjedh një kandidat blu për në Parlament. Blutë fitojnë 5 vende dhe të Kuqtë nuk marrin asnjë. Epo mirë! Gjithçka është e drejtë në dashuri dhe në politikë.

Së fundi, po sikur Partia e Kuqe të kontrollojë qeverinë? Të Kuqtë e dinë që kanë shumë disavantazhe. Por me disa vizatime krijuese të vijave kufitare – të llojit që shihni në rrjetin 3, “as kompakt dhe as i drejtë” – ata mund ta ndajnë popullsinë Blu në mënyrë që të marrin një shumicë në dy qarqe. Pra, pavarësisht që përbëjnë 40 përqind të popullsisë, të Kuqtë fitojnë 60 përqind të vendeve. Jo keq!

Tani, ky ushtrim është sigurisht një thjeshtim i madh. Në botën reale njerëzit nuk jetojnë në kutiçka të organizuara me kujdes, me kufinj të ndarë nga partia politike në pushtet. Por për politikanët e vërtetë që janë duke kërkuar për ti dhënë vetes një avantazh në momentin e percaktimit te zonave elektorale, proçesi është fiks i njëjtë, siç reflektohet dhe në rezultatet për palët që manipulojnë zgjedhjet me sukses.

Një nga mënyrat për të zgjidhur këtë çështje, do të ishte të eliminohej procesi i ndarjes së zonave zgjedhore nga vendimet e faktorit njeri. Ka tashmë software të aftë për të bërë këtë punë.

Zgjidhja ideale e sugjeruar nga Shtetiweb do të ishte që ndarja e zonave elektorale të bëhej në bashkëpunim të plotë mes pozitës dhe opozitës, në një optikë interesash politike afatgjatë. Konkretisht, nqs do të ishim në qeveri, do të synonim një ndarje që nuk do të na dënonte kur të ktheheshim në opozitë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi