Borxhi teorik dhe borxhi real i koncesioneve

Nga Gjergj Erebara, botuar në Reporter.al, 5 dhjetor 2016

Gjergj-ErebaraNë fund të vitit 2013, qeveria e sapongjitur në pushtet e Edi Ramës deklaroi se qeveria paraardhëse i pati lënë rreth 500 milionë euro fatura të papaguara, të cilat ajo i quajti Borxh Publik. Një debat teknik pasoi mbi faktin nëse këto fatura qenë me të vërtetë borxh publik apo jo. Teknikisht, borxhi publik nuk është çfarëdo lloj detyrimi që i ka lindur shtetit përballë qytetarëve apo bizneseve, por vetëm ai detyrim qëështë krijuar në bazë të ligjit për borxhin publik. Drejtoria e Borxhit në Ministrinë e Financave, në raportet e veta përgjatë viteve 2014 dhe 2015, vijoi të paraqesë gjendjen e borxhit sipas parimeve të veta, por i vuri një shënim kuptimplotë atyre, duke shkruar se në këto të dhëna “nuk përfshihen detyrimet e prapambetura të Qeverisë”. (Shih p.sh raportin e borxhit për vitin 2014.)

Teknikisht qe kështu; faturat e prapambetura nuk janë borxh publik. Praktikisht, qeveria kishte të drejtë. Si detyrime kontraktuale, këto fatura do të duhej të shlyheshin dhe rrjedhimisht qenë borxh. Me mirëkuptimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria emetoi borxh dhe i përdori këto para për të shlyer faturat e prapambetura. Borxhi publik u rrit nga 872 miliardë lekë në shtator 2013, në 1 trilion e 68 miliardë lekënë shtator 2016, shtesë që u përdor për të shlyer si faturat e qeverisë paraardhëse, ashtu edhe për të paguar faturat e qeverisë aktuale. Shtesa prej 196 miliardë lekësh ose 1.4 miliardë eurosh, e rriti barrën e borxhit publik nga 62 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 72 për qind.

Në konferencën e fundit për shtyp të Fondit Monetar Ndërkombëtar, përfaqësuesja e Fondit theksoi se qeveria aktuale ka krijuar një problem të vetin me faturat e prapambetura, të cilat, janë akumuluar sakaq dhe nuk janë shlyer.

Paralelisht me problemin e faturave të prapambetura, FMN ka kërkuar me këmbëngulje së paku një kontabilizim të një kategorie tjetër borxhi, detyrimeve që qeveria aktuale ka krijuar dhe ka ndër mend të vijojë të krijojë me kontratat e koncesioneve me financim nga buxheti i shtetit. Këto lloj kontratash koncesionare janë lidhur përgjatë tri viteve të fundit dhe kostot e këtyre kontratave janë mbajtur gjithmonë të fshehta nga ana e qeverisë. Vetëm në raportin e fundit të buxhetit, si pjesë e kërkesave të FMN-së, është dhënë një përmbledhje sintetike e kostove të koncesioneve të qeverisë aktuale.

Të shtatë kontratat e dhëna, plus njëe tetëqë pritet të jepet në prag të zgjedhjeve, kanë një kosto totale prej 65.8 miliardë lekësh, (rreth 480 milionë euro). Këto detyrime mjaftojnë që ta rrisin borxhin publik real në 74 për qind të PBB-së, nga rreth 70 për qind që qeveria pretendon se është aktualisht. Por teknikisht, qeveria aktuale mund të mbrohet duke deklaruar se detyrimet kontraktuale të qeverisë nuk janë borxh, në kuptimin e borxhit publik të emetuar sipas ligjit përkatës dhe për këtë ka po aq të drejtë sa kishte edhe qeveria e kaluar në vitin 2013, kur argumentonte se detyrimet e prapambetura nuk janë borxh.

Përveç kontratave koncesionare, qeveria aktuale ka krijuar edhe ajo dosjen e vet me detyrime të prapambetura. Pushteti vendor ka krijuar 12.2 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Qeveria thotë se nuk ka ndër mend t’i shlyejë këto fatura në tërësi gjatë vitit të ardhshëm, por synon që fillimisht t’i verifikojë ato. Dhe përveç faturave të prapambetura të pushtetit vendor, qeveria ka akumuluar edhe një detyrim prej rreth 4 miliardë lekë ndaj Bankers Petroleum, të cilat do të duhet të kthehen. Këto mjaftojnë që borxhi publik real të mbërrijë në 75 për qind të PBB-së.

Por më e rëndësishme se sa diskutimi i nivelit të borxhit teorik dhe real është pyetja se sa efikas ka qenë përdorimi i këtij borxhi në ekonominë shqiptare. Borxhi zyrtar, i emetuar sipas ligjit për borxhin, është rritur nga shtatori 2013 deri në shtator 2016 me 196 miliardë lekë. Përgjatë të njëjtës periudhë, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me rreth 180 miliardë lekë. Kjo nuk qe ç’ka shpresohej të ndodhte. Borxhi publik teorikisht ka një efekt multiplikator në ekonomi, gjë që do të thotë se kur qeveria merr një lek borxh dhe e shpenzon, efekti në PBB duhet të jetë minimalisht më i madh se sa 1 lek. Por kjo nuk ka ndodhur. Shqiptarët kanë një borxh më të lartë sot dhe krahasimisht një ekonomi më të vogël. Duke i shtuar këtyre edhe borxhet e koncesioneve, situata nuk duket aspak mirë për gjeneratën e ardhshme të shqiptarëve. Duke llogaritur vetëm borxhet zyrtare, pa faturat e koncesioneve, borxhi publik për frymë është rritur nga 2100 euro në vitin 2013 në 2600 euro në vitin 2016.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi