Mbi neoliberalizmin në qeverisje dhe në ekonomi

Nga Enriko Ceko, botuar në Mapo Online, 19 shkurt 2015

enrikocekoNeoliberalizmi në qeverisje dhe ekonomi është rihedhja në tregun e politikave ekonomike të pikëpamjeve dhe ideve të “laissez faire”, shoqëruar me pikëpamjet dhe idetë që mbështesin liberalizimin e ekonomisë, tregtinë e lirë dhe reduktimin e shpenzimeve qeveritare, me synim zgjerimin e sektorit privat në ekonomi. Neoliberalizmi është një filozofi ekonomike që e ka fillesën në vitet 1930, kryesisht nga studiuesit europianë të ekonomisë.

Pikëpamjet e sotme për ekonominë liberale lidhen ngushtë edhe me teoritë ekonomike të dy ekonomistëve me më shumë influencë në ekonominë botërore: Friedrich Hayek dhe Milton Friedman, teori që u vunë në praktikë nëpërmjet politikave ekonomike mjaft të suksesshme të Margaret Thatcher në Britaninë e Madhe dhe Ronald Reagan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ditët tona, neoliberalizmi në ekonomi lidhet më së shumti me politikat liberale të privatizimit, hapjes së tregjeve dhe derregullimeve. Neoliberalët e sotëm kanë për bazë Shoqërinë Mont Pelerin, e krijuar në vitin 1947 nga Friedrich Hayek (ekonomist austriak), me synim për të mbledhur së bashku mendimtarët dhe figurat politike neoliberale që kishin arritur të kuptonin se deri në atë kohë ishin bërë shumë gabime në kuptimin e teorive ekonomike dhe në implementimin e tyre në praktikë.

Ishin idetë neoliberale ato që në fakt ndihmuan Gjermaninë e pasluftës dhe babain e ekonomisë gjermane, Ludwig Erhard, në rindërtimin e vendit. Erhard ishte një nga anëtarët e Shoqërisë Mont Pelerin.

Edhe arritjet e mëdha të ekonomisë së një prej vendeve të Amerikës Latine, Kili, pas rënies së regjimit të Pinoçetit, u kushtohen ideve neoliberale dhe kjo sepse në vitin 1955 disa studentë kilianë u ftuan në Shkollën Ekonomike të Çikagos për të vazhduar studimet nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Milton Friedman, duke qenë të ekspozuar edhe ndaj ideve të Hayek. Kur u kthyen në vendin e tyre, ata bënë përpjekje për të aplikuar idetë e shkollave ekonomike të Çikagos dhe të Vjenës dhe kjo bëri që një vend ku më shumë se 40% e popullsisë jetonte nën vijën e varfërisë, të rilindte përsëri me një pikësynim të qartë për krijimin e shtresës së mesme, që çon përpara shoqërinë.

Në Australi, politikat ekonomike neoliberale janë ndjekur nga të dy krahët politikë, të majtë e të djathtë, që në fillim të viteve 1980, nën atë që është quajtur liberalizimi ekonomik në vazhdimësi dhe programi i reformave makroekonomike dhe mikroekonomike. Atje u privatizuan korporatat shtetërore, u bë derregullimi i tregjeve të faktorëve të prodhimit, u la i lirë kursi i këmbimit të monedhës, u reduktuan proteksionet tregtare, u bë një reformë tërësore në sigurimet shoqërore dhe u përmirësuan procedurat e financimit të universiteteve. Tashmë Australia renditet midis vendeve të zhvilluara me mirëqenien në rritje për tërë shtresat e popullsisë.

Singapori së bashku me Hong Kongun, Korenë dhe Tajvanin, të njohur si Tigrat e Azisë, mbështetur në idetë dhe praktikën neoliberale kanë arritur rritje të shpejtë dhe të fortë ekonomike dhe industrializim të shpejtë në pak vite. Në këtë lloj neoliberalizmi të këtyre vendeve bëhet fjalë për një ekonomi tregu sociale, ku në qendër të vëmendjes janë siguria dhe drejtësia sociale.

Megjithatë, unë mendoj se pavarësisht nga modeli ekonomik i ndjekur dhe kushtet e vendit ku aplikohen pikëpamjet neoliberale, duhet theksuar fakti i evoluimit të liberalizmit praktik të David Hume dhe Adam Smith në Britaninë e Madhe dhe liberalizmit teorik të Descartes (Rëne Dekart) dhe Rousseau (Zhan Zhak Ruso) në Francë, që me një vështrim evolucionar drejt lirisë arritën të krijojnë një botë të re, duke lënë mënjanë tërë idetë dhe pikëpamjet e vjetra të kohës, përballë teorive racionaliste që në ditët tona synojnë të marrin ngjyra komuniste, fashiste dhe/ose social-liberale.

Në thelb të neoliberalizmit qëndron fuqia e ligjit dhe respektimi i tij. Sipas neoliberalëve, në aspektin njerëzor, një shoqëri me liri të madhe dhe me një kohezion social do ishte idealja për zhvillim dhe prosperitet, ku mbrojtja e sferës personale dhe e dinjitetit njerëzor të mbeten parime thelbësore, duke qenë të barabartë para ligjit, ku të ketë ndarje të fuqive dhe të ekzistojë konstitucionalizmi reflektues, ndërsa në aspektin ekonomik, neoliberalizmi synon adoptimin e ndërhyrjeve minimale të qeverisë në ekonomi dhe lidhet ngushtë me konceptet e deficitit buxhetor, shpenzimeve qeveritare, reformave në sistemin e taksave dhe tatimeve, normën e interesit, kursin e këmbimit, liberalizimin tregtar dhe të llogarive kapitale, procesin e privatizimit, eliminimin dhe shmangien e barrierave dhe pengesave të tjera në tregje etj.

Sipas pikëpamjeve neoliberale në ekonomi, arma e deficitit të lartë buxhetor duhet të përdoret vetëm në raste okazionale, pasi deficiti buxhetor duhet mbajtur në nivele të ulëta, për të patur nivel të ulët inflacioni dhe nivel të lartë produktiviteti, duke patur parasysh që deficiti i lartë buxhetor është një pagesë në kurriz të brezave të ardhshëm.

Në lidhje me shpenzimet qeveritare, neoliberalët synojnë ridrejtim të tyre nga subvencionet dhe shpenzimet e tjera, drejt elementeve që janë kryesore për rritjen ekonomike si edukimi, shëndeti primar, investimet në infrastrukturë etj.

Reformimi i sistemit të taksave, tatimeve dhe pagesave të tjera me synim zgjerimin e bazës së tatueshme dhe adaptimin e pagesave margjinale të taksave për të inkurajuar rinovimin teknologjik, aftësinë sipërmarrëse, eficiencën dhe efektivitetin, me synim rritjen e produktivitetit, është një nga parimet kryesore të neoliberalëve.

Gjithashtu, përcaktimi i normave të interesit dhe kursit të këmbimit nga vetë tregu, paralelisht me liberalizimin tregtar të importeve, me synim eliminimin e kufizimeve të tyre në sasi, licenca dhe legjislacion, për të arritur tarifa uniforme që inkurajojnë konkurrencën dhe rritjen ekonomike afatgjatë, janë pikësynime të tjera të neoliberalëve.

Së bashku me këto, neoliberalët mbështesin edhe liberalizimin e llogarive kapitale në bilancin e pagesave, në mënyrë që të lejohen subjektet të kenë mundësinë për të investuar fonde jashtë shtetit, fonde që të kenë edhe mundësinë praktike të sillen në vendin e origjinës së subjektit për t’u investuar.

Edhe privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, duke nxitur tregun e lirë të mallrave dhe shërbimeve, si dhe eliminimi dhe shmangia e rregullimeve që kufizojnë hyrjen në treg dhe konkurrencën, me përjashtim të atyre çështjeve që justifikohen nga ana e sigurisë, mjedisit dhe bazat e mbrojtjes së konsumatorëve, duke patur edhe siguri ligjore për të drejtat e pronësisë, janë pikësynime të tjera të neoliberalëve dhe kjo për faktin e vetëm dhe të padiskutueshëm se qeveria, cilado qoftë ajo, nuk mund të jetë aq eficiente dhe efektive sesa sistemi i konkurrencës.

Parë nga ky këndvështrim neoliberal, unë mendoj se është e dukshme që Shqipëria dhe ekonomia e saj, në të vërtetë, janë shumë larg të qenit vend kapitalist në zhvillim me ekonomi tregu neoliberale.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi