Ligjërimi që i mungon opozitës

Nga Ndriçim Kulla, botuar në Mapo, 21 nëntor 2018

Ditët kalojnë me halle gjithnjë e më të shtuara për qytetarët, problematikat dhe të çarat në trupin e drejtësisë sociale, ligjshmërisë e madje dhe vetë demokracisë që hap pushteti përditë, po shkojnë drejt mahisjes. E megjithatë aksioni opozitar është mjaft i vagullt për të frymëzuar, mjaft i tymtë për të lënë gjurmë. E kemi thënë, por do të qe shumë mirë ta përsërisnim, në mënyrë që mos biem në po të njëjtin gabim edhe njëherë tjetër, e të mos e vërvitim elektoratin opozitar në një hendek, të ndryshëm vërtet nga të mëparshmit, por me po të njëjtin rezultat, humbjen. Është e vërtetë që njëri krah i aksionit duhet të jetë denoncimi, por po kaq e qartë është që krahu tjetër, edhe më i rëndësishmi, i takon alternativës, shpalosjes së saj. Dhe një detyrë e tillë është barrë e rëndë që s’e mbajnë dot supet e një lideri, sado i përvojtë qoftë. Ndërtimi i një alternative i takon një ekipi, një diskutimi të gjerë në fillim e pastaj të ngushtuar në disa projekte konkrete, që me kreativitet duhet të peshohen nga grupe të posaçme për të nxjerrë jo vetëm bazën apo përmbajtjen spikatëse të programit, por edhe strategjinë më të mirë të shpalosjes së këtij programi.

Nuk mund të aludojmë asgjë për ekzistencën apo jo të një program të mirëdetajuar në të gjitha fushat, përtej asaj ekonomike, pasi nuk duket të jetë bërë publike ndonjë platformë. Natyrshëm që mund të ketë ide e diskutime, madje dhe nisma të veçanta, por në këtë pikë të zhvillimit të problematikave, përparësi merr ligjërimi alternativ që liderët e opozitës përdorin. Po nëse shohim takimet e tyre nëpër rrethe do të kuptojmë se ky ligjërim jo vetëm që është i vakët, por edhe nuk është aspak e qartë se cilit grup i drejtohet dhe në ç’mënyrë synon të arrijë te ky grup. Madje, për të qenë më të përpiktë, ligjërimi i tyre vijon të jetë më i vjetruar akoma dhe se strategjia, duke iu drejtuar si gjithmonë shtrëngimit të radhëve të fashës më të pandryshueshme të elektoratit ose të thënë ndryshe bërthamës së fortë të tij. E në një projekt alternativ, në një ndërmarrje që kërkon të ngjallë frymë e të zgjojë shpresë, ligjërimi i miradresuar dhe i drejtpërdrejtë për çdo fashë është parimi kryesor i suksesit. Për t’u thelluar në këtë pohim të përmbledhur që sapo parashtruam, le të shohim në detaje se kujt duhet t’i drejtohej ligjërata e opozitës? Në radhë të parë shpresës së një kombi, rinisë, programit për t’i dhënë asaj hapësirën e nevojshme jetike për të kontribuar me të gjithë fuqinë, jo vetëm në ekonominë, por në të gjithë fushat e demokracisë së një vendi, duke filluar nga administrata, partitë dhe pjesëmarrja në grupimet intelektuale. Paskëtaj, vjen elektorati i ashtuquajtur gri, por që unë fare mirë mund ta quaja dhe pjesa më e pavarur në mendime dhe më e kultivuar në ide e qëndrime e shoqërisë. Janë që të dyja këto fasha, ndaj të cilave çalon më shumë ligjërimi i opozitës.

Pjesa civile dhe intelektuale e vendit, kanë legjislatura të tëra që kanë vendosur suksesin e çdo palë zgjedhjeje, e përsëri janë më pak të përfshira në “strategjinë thithëse të votave” të çdo partie. Po përse vallë? Mos ndoshta intelektualiteti dhe bazimi tek ato është i rrezikshëm për drejtuesit? Për këtë arsye vallë, nuk hapet e shtohen radhët e tyre me të tillë produkt moral dhe me integritet, që mund ta përfaqësojë e ta udhëheqë me të drejtë edhe opozitën drejt kauzës morale, që aq shumë i nevojitet. Janë aq të fortë stomakët e këtij elektorati, janë aq të pakontrollueshëm nga ingranazhet dhe instrumentet partiakë këta lloj individësh, sa u ngjallin frikë liderëve dhe shpesh ata për “opozita të tëra” veç i kanë anashkaluar duke i lënë të ecin sipas rrjedhjes që u dikton vetvetja. Po njëlloj dhe për rininë, ka shumë fjalë e propagandë ndaj saj, por pak brumë idesh që ajo t’i përtypë me dhëmbët e vet të etur e të fortë. Madje, gabimi më i rëndë që bëhet është këndvështrimi i saj ngushtësisht në përmbushjen e aspiratave arsimore dhe atë të punësimit, në një kohë kur ajo është pjesa më e guximshme, pjesa më përparimtare dhe shpresëngjallëse e shoqërisë, për t’i dhënë opozitës pikërisht atë komponentë idealiteti që aq fort i mungon. Së treti, një tjetër shkëmb i lartë për t’u kapërcyer, sidomos për të gjithë elektoratin demokrat, është ajo pjesë shumë e madhe e të zhgënjyerve të tij, që në masë nuk votoi në zgjedhjet e fundit (mund të llogaritet edhe deri në 200 mijë), por që në kapacitetet e drejtimit dhe pranimit të ligjërimit i ka përkitur gjithmonë krahut të kësaj partie. Një fashë e tillë është sa komplekse aq edhe delikate për referim, pasi ka brenda njerëz që qerthojnë personalitete të dikurshme të demokratëve, tashmë të dala “jashtë loje” dhe që për hakmarrje, për qejfmbetje apo dhe thjesht për të prishur punë, nuk duan t’i përgjigjen ligjërimit të liderit të sotëm.

Ka të tjerë, që me të drejtë dhe me arsye e shohin me dyshin aftësinë e tij për ta shpënë në fitore PD, dhe ligjërimi ndaj skeptikëve të tillë ka një shkallë tjetër vështirësie. E së fundi, ka dhe vëzhgues të mprehtë e të qetë, që presin me shpresë të shohin një ndezje të re të shkreptimës frymëzuese, për t’u bashkuar me të parën kauzë të rëndësishme dhe fitimtare të opozitës, që për ta ende nuk është shfaqur. Nuk mund të ketë formula që mund t’i vinin në një emërues të përbashkët grupime të tilla, ata kërkojnë një ligjërim të matur, të mirëpeshuar, por parësisht të sinqertë dhe serioz, vetëkapërcyes dhe të qëndrueshëm, që të japë çdoherë prova koherence ndaj tyre. Vetëm kështu, nëse arrin që të shpalosë një program që të përmbajë këto adresime dhe ligjërime të shumëfishta, opozita do të mund të arrijë të ndërtojë një alternativë fituese me këto tre fjale bazë: besnikëri, moral dhe idealitet ndaj elektoratit. Nëse do të vazhdojë me ligjëratat e deritanishme, merr dhe kopjo, të strategjisë tashmë të vjetruar të së kaluarës, asgjë e re duket të ndodhë në këto ditë të rënda e problematike për çdo shqiptar, që mezi pret një vend të vërtetë, një forcë a një parti të lirë nga fijet e pushtetit, që ta marrë për krahu e ta ndihmojë të ngrihet nga zvarritja ku është detyruar sot të lëngojë nga qeverisja.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi