Tkurrje institucioni apo një “reformë” për Nishanin!?

Nga Rexhep Meidani, botuar në PanoramaOnline, 13 shkurt 2015

Rexhep_MeidaniKohët e fundit lexohet qartë ngërçi midis dy institucioneve kryesore, Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit (qeverisë). Krahas pakënaqësisë së qeverisë ndaj rolit jo rrallë të orientuar të Presidentit, përplasja Presidencë-qeveri, në mjaft raste, nëpërmjet disa të vërtetave apo disa zhurmave, diku drejtpërsëdrejti dhe diku tërthorazi, diku haptazi dhe diku fshehurazi, është perceptuar si një sulm frontal për reduktimin e rolit dhe të kompetencave të Presidentit të Republikës. Madje, në përmasa të tilla, një diçka e tillë nuk u pa as kur nisi përplasja Moisiu-Berisha apo ajo Topi-Berisha!…
Në fakt, janë ndërmarrë hapa jo të paktë, diku të karakterit administrativ, diku të karakterit legjislativ. Madje, më shpesh, ndryshimet përkatëse ligjore “antipresidenciale”, ose janë të hedhur poshtë prej Gjykatës Kushtetuese, ose janë pranuar prej saj, për hir të “teknologjisë” së ekuilibrit.
Nuk do të merrem këtu me një analizë kushtetuese të drejtpërdrejtë të asaj që po tentohet, gjë që mund ta bëjë ndoshta në një kohë tjetër, por veçse dua të ngre disa pyetje që realisht më shqetësojnë si qytetar dhe ish-kryetar shteti. Bëhet fjalë, ndoshta dhe nga “halli”, për prirje që po vihen re, madje po theksohen dita-ditës në shumicën e sotme. Dikur u godit demokracia e brishtë shqiptare me gjoja sulmin komunist kundër komunizmit, më vonë me sulmin korruptiv ndaj korrupsionit, ndërsa sot me pretendimin “për të bërë shtet” me teknika arrogante jo shteti. Aq më pak për atë realisht demokratik!…
* * *
Pyetja e parë lidhet me merakun e vitit 2008. Në përgatitjen e paketës së reformës kushtetuese, a është marrë mendimi i specialistëve? A do të rikthehen në pozicionet fillestarë mekanizmat bazë të Kushtetutës demokratike të vitit 1998, si ai i ndarjes së pushteteve dhe ai kontroll-balancimit? A do të rikthehet në gjendjen e vet normale republika parlamentare përkundrejt përpjekjes, të nisur gati 10 vjet më parë, për një qeverisje tipike kancelarike, jo rrallë dhe me nuanca autoritare e autokratike? A është menduar realisht për rregullime ligjore-kushtetuese për institucionet bazë të shtetit, apo gjithçka është ndërtuar në funksion të emrave konkretë, që edhe në një demokraci të brishtë, janë, natyrisht, të përkohshëm?
Po e nis me këtë “hallin” e fundit. Sipas një përfytyrimi të gjerë publik, më shumë se një reformë për Drejtësinë (së fundi dhe për një reformë përmbysëse kushtetuese!), po tentohet, apo të paktën të lihet përshtypja e tillë, për një “reformë” për Nishanin dhe strukturat e lidhura me të. Pra, në vend të një përpjekjeje serioze të përbashkët pozitë-opozitë për të korrigjuar atë që nuk ka ecur ashtu si duhet në këtë periudhë 16-17 vjeçare të zbatimit të Kushtetutës demokratike, të vlerësuar aq shumë në kohën e miratimit nga Komisioni i Venecias apo nga një ekspertizë e specializuar dhe e gjerë ndërkombëtare, një “verbim” i tepruar lidhet me kompetencat dhe tkurrjen e tyre, jashtë kornizave të shumicës. Në fakt, nëse flitet për rregullime, korrektime apo korrigjime, pa prekur thelbin e vet Kushtetutës, frymën e saj, atëherë ndryshimet nuk mund të jenë të atilla që të prekin këtë përmbajtje. Atëherë pse duhet e gjithë kjo zhurmë e madhe? Do të preken institucionet me anë të një reformimi tërësor të Kushtetutës, apo thjesht gjithçka lidhet me emra konkretë në krye të tyre?! Po të jetë ky synimi, nëse gjithçka lidhet me emra konkretë, kjo do të rezultojë krejtësisht asfiksuese për zhvillimet demokratike, për vetë demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. Por nëse, siç duket nga komentet, në qendër të reformës është vendosur institucioni i Presidentit dhe strukturat e lidhura me të, jashtë emrit konkret, të paktën të ishte tentuar paraprakisht një shkëmbim përvoje me ish-kryetarët e shtetit, pse jo dhe me stafet ligjore të tyre. Dhe, më tej, të pyetej populli.
* * *
Le të ecim më tej me pyetjet tona. Në radhë të parë, a mos po tentohet që të tkurret më tej ky institucion? Nëse po, vendimin për diçka të tillë duhet ta japë vota popullore, referendumi popullor. Akoma, a do të mbetet Shqipëria një republikë normale parlamentare? Nëse është kështu, a do të jetë Presidenti i Republikës – Kryetar Shteti, si dhe në gjithë republikat e tjera parlamentare? A do të përfaqësojë ai më tej unitetin e popullit? Nëse po, atëherë, për këtë përfaqësim duhet menduar më shumë, madje një zgjedhje nga populli do të ishte shumë më e përshtatshme, pavarësisht “frikës” së politikës së ditës që një zgjedhje e tillë mund ta fuqizonte atë mbi peshën e saj. Ndërkohë, një procedurë e tillë e bën këtë institucion më të besuar, më të votuar, sidomos në rrafshin moral. Janë pikërisht këto aspekte të fundit, që e lidhin këtë institucion me detyra e kompetenca të tilla si ajo e faljes, dhënies e heqjes së shtetësisë, dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit. Ndërkohë, është detyra e Komandantit të Përgjithshëm – si Kryetar Shteti, që e bën institucionin e Presidentit atë që jep gradat më të larta ushtarake. Dhe, mbi të gjitha, rolin e Komandantit të Përgjithshëm Presidenti i Republikës e ka në të gjitha republikat parlamentare.
Krahas detyrës së Komandantit të Përgjithshëm si kryetar shteti, një nga veprimtaritë e tjera të Presidentit të Republikës është dhe ajo që lidhet me rolin e tij në politikën e jashtme. Me të lidhet dhe kompetenca e tij për lirimin dhe emërimin e ambasadorëve të Shqipërisë në shtetet e tjera apo përfaqësuesit e saj në organizata ndërkombëtare (me propozim të Kryeministrit). Në zhurmat e emetuara të ditëve të fundit ndeshet dhe përpjekja për kufizimin e kësaj kompetence qoftë me komisione shtesë (por duke hequr “hiring” të praktikuar prej vitesh në Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme), qoftë me afate të imponuara, qoftë me pezullim pa vendimmarrje të vetë Presidentit. Madje, edhe kuotat e kufizuara në përqindje për prurje nga politika po tentohen të hiqen fare; duke e rritur arbitraritetin në origjinën e rekrutimit. Ose, ndoshta, do të hiqet fare kjo kompetencë, për t’ia lënë atë strukturave të tjera? Apo, do të ndërthuret ajo me funksionimin e dhomës së dytë, që kërkon një përpunim kushtetues shumë më të plotë? Po ashtu, ç’do të bëhet me kompetenca të tjera në fushën e politikës së jashtme si ato të pranimit të letrave kredenciale; tërheqjen e përfaqësuesve të shteteve të tjera dhe organizatave të akredituara në Shqipëri, të lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare etj.? Sepse të gjitha ato janë të lidhura në një zinxhir të plotë dhe në mënyrë organike me njëra-tjetrën.
* * *
Për kryerjen e misionit të kryetarit të shtetit, në funksion të unitetit, moralit e besimit, në Kushtetutën aktuale, Presidentit të Republikës i është deleguar dhe kompetenca e emërimit të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe e gjithë rektorëve të universiteteve publike dhe shkollave të larta publike. Natyrisht, pas një procesi zgjedhor në trupat përkatës, një emërim i tillë ka më shumë përmbajtje honorifike, verifikuese, por edhe mbrojtëse. Ama, kalimi ligjor i të drejtës së pezullimit (apo largimit nga detyra) të rektorit, pa miratimin e Presidentit, te struktura të tjera, p.sh., te ministri i Arsimit, e cenon thelbin e kësaj kompetence kushtetuese. Pra, edhe në këtë rast synohet prej qeverisë një tkurrje tjetër në kompetencat e Presidentit të Republikës.
Tepër i veçantë është roli i Presidentit të Republikës në fushën e Drejtësisë. Sipas Kushtetutës, anëtari i Gjykatës së Lartë apo ai i Gjykatës Kushtetuese emërohen nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit. Por, mbi të gjitha, aty Presidenti i Republikës është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Po ashtu, në Kushtetutë theksohet se prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit, ndërkohë që prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti me propozim të prokurorit të Përgjithshëm. Pra, nëse Presidenti nuk do të jetë më Kryetar i KLD-së, atëherë dhe kompetencat e tij në ndërveprimin me Prokurorinë nuk duken se kanë më kuptim. E thënë ndryshe, propozimi “reformues”, që ndeshet sot për mosdrejtimin e KLD-së nga Presidenti, synon që të reduktohet gati tërësisht roli i Presidentin në fushën e Drejtësisë. Por, kjo rrezikon ngacmimin, pse jo dhe ushqimin e një oreksi me pasoja në kalimin e gjykatave dhe prokurorive në duart e politikës, sidomos të shumicës qeverisëse apo ekzekutive. A mund të pranohet diçka e tillë, kur dhe sot kjo ndërhyrje është më se e përfillshme!…
* * *
Së fundi, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, sot, Presidenti, me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, drejton Këshillin e Sigurimit Kombëtar; emëron dhe shkarkon në kohë lufte Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit; Apo, në kushte të zakonshme, emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm (me propozim të Kryeministrit), emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare e ajrore (me propozim të ministrit të Mbrojtjes). Por, nëse Presidenti i Republikës nuk është më Komandant i Përgjithshëm, kompetencat e fundit nuk kanë më kuptim, janë pa logjikë! Pra, pa këtë detyrë, tkurret, më saktë bëhet zero, roli i Presidentit në këtë fushë.
Si përfundim, po të vazhdohet në këtë rrugë, reduktohet fare roli i institucionit të Presidentit si Kryetar Shteti. Madje, as nuk mund të flitet për reformë, që e ushqen frymëmarrjen demokratike, dhe, mbi të gjitha, që kërkon fuqizim dhe rregullim kompetencash (në funksion të ndarjes më të qartë të pushteteve dhe të vetë kontroll-balancimit), por për një tkurrje të stimuluar, për gati një asgjësim apo “zerim” të institucionit të Presidentit të Republikës. Aq më keq, nëse gjithçka e tillë është nisur pikërisht nga emri konkret. Prandaj dhe nuk mund të heshtet; Prandaj dhe nuk duhet të heshtet! Kjo dhe për kolegët e mi. Sepse diçka e tillë, jo vetëm është e tejet gabuar, por dhe me humbje të mëdha kohe, madje me pasoja vështirësish të riparueshme…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi