“Freedom House”: Shqipëria e Kosova, pjesërisht të lira

Raporti Freedom House, 2015

Freedom-HouseNë një vit, kur gjendja e lirisë në botë pësoi rënie për të nëntin vit me radhë, siç vëren “Zëri i Amerikës”, Shqipëria dhe Kosova vazhduan të përfshihen në kategorinë e shteteve pjesërisht të lira.

Raporti vjetor i organizatës së njohur “Freedom House” tregon një vlerësim të pandryshuar për Shqipërinë, ndërsa Kosova nga ana tjetër ka shënuar përparim, duke u përfshirë për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale.

Me 3 pikë është vlerësuar në raportin e fundit vendi ynë për gjendjen e lirisë në përgjithësi. Sistemi matës i organizatës ndërkombëtare ka një shkallë nga 1-shi te 7-ta, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

Freedom House ia atribuon mosndryshimin e vlerësimit, kombinimit të problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave pozitive, por që janë ende në fazat e para.

“Padyshim, ne do të kishim preferuar që Shqipëria të shënonte progres edhe më të madh. Mendoj se vendi ende po përpiqet të dalë nga ajo errësirë, ku ishin zhytur nën regjimin Hoxha. Prandaj mund t’u duhet pak më shumë kohë. Ata kanë shënuar përparime të rëndësishme”, tha Arch Puddington, zv.president për kërkimet, “Freedom House”.

Raporti nënvizon se qeveria e kryeministrit Edi Rama siguroi në vitin 2014 statusin e vendit kandidat, pas tre shtyrjeve të mëparshme, dhe është vlerësuar për masat ndaj krimit të organizuar, ligjit të ri për lirinë e informacionit dhe ligjit për proceset e konsultimit për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat.

Megjithatë, “Freedom House” thekson gjithashtu se vendi po vazhdon të vuajë pasojat e mosmarrëveshjeve politike, përfshirë bojkotimin e Parlamentit nga opozita, mosndëshkimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe një trashëgimi emërimesh politike në postet e gjyqtarëve.

Sipas Puddingtonit, të cituar nga “Zëri i Amerikës”, nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet t’i shtojë përpjekjet e saj. Një nga gjërat që kemi mësuar – kujton ai, – është se kur një vend anëtarësohet në BE ka prirjen t’i respektojë standardet demokratike në mënyrë të qëndrueshme, ndaj ne shpresojmë që Shqipëria ta arrijë këtë qëllim. / Top Channel

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi