Çfarë është “Quantitative Easing”?

Sipas il Post, 19 janar 2015

Një shpjegim për ata që dëshirojnë të kuptojnë planin që BQE pritet të paraqesë të enjten. Sipas analistëve dhe shtypit të specializuar është një prej planeve më të rëndësishëm që kur ka nisur kriza.

bce

Të enjten, më 22 janar Banka Qëndrore Evropiane (BQE) pritet të njoftojë fillimin e një plani të shumëpritur të “Quantitative Easing” (QE, “lehtësimit sasior”). Kështu quhet blerja e obligacioneve të qeverive evropiane dhe letrave të tjera të bankave, për të futur para të re në ekonominë evropiane, për të stimuluar kreditimin bankar për bizneset dhe rritjen e inflacionit  – tani rrezikshmërisht i ulët – rreth 2 për qind. BQE nuk e ka konfirmuar e as mohuar planin, por shumica e analistëve dhe e shtypit të specializuar ndërkombëtar bien dakord me faktin që hapi i ardhshëm është QE – është fjala për një hipotezë të diskutuar për shumë vite – dhe se ky operacion do të jetë një prej më të rëndësishmëve dhe impenjativëve të ndërmarrë ndonjëherë nga Banka, që nga fillimi i krizës ekonomike. Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, pritet të shpall planin në një konferencë për shtyp, por ende nuk është e qartë nëse në këtë rast do të jepen të gjitha detajet dhe se si do të proçedohet me blerjen e letrave me vlerë.

Çfarë është “Quantitative Easing” (“lehtësimi sasior”) (QE)?

Në mënyrë që të kenë para për të mbështetur ekonominë, shërbimet dhe aktivitetet e tyre, shtetet lëshojnë letra me vlerë, të cilat mund të blihen nga qytetarët, bizneset dhe bankat. Duke folur më thjesht: periodikisht, shteti shet tituj që kushtojnë X për një afat të caktuar, dhe angazhohet që të kthej paratë atyre që blenë titujt, duke shtuar një përqindje interesi në fund të maturimit. Kush blen letrat me vlerë mund të marrë përsëri paratë e investuara plus interesat nga shteti vetëm në afatin e maturimit të tyre. Në qoftë se dëshiron, mund ti shesi në treg (quhet tregu dytësor) ose për të spekulluar ose që të mos humbasë, në rast se vlerëson se ka rreziqe reale që letrat me vlerë nuk mund të ripagohen në kohën e skadimit, nga shteti që i ka lëshuar ato.

Ndër blerësit kryesorë të këtyre letrave me vlerë janë bankat, që kanë shuma të mëdha të parave të investuara në letrat me vlerë, (jo vetëm të shtetit). Për të krijuar para, domethënë për të patur më shumë të holla në qarkullim, për të nxitur kredinë nga bankat dhe për të mundësuar investimet me kosto më të ulët, një bankë qendrore mund të vendosë të përdorë QE. Në praktikë u ofron bankave për të blerë letrat me vlerë, zakonisht me kushte të favorshme, duke shpresuar se duke mare parasysh diferencen mes normes se interesit ne treg dhe normes se interesit te ofruar nga BQE, bankat komerciale te lehtesojne dhenien e kredive për  klientët e tyre – individët dhe bizneset – ne menyre qe ata të marrin më lehtë para në hua dhe me norma interesi më të ulët.

Quantitative Easing“ ka disa pasoja, zakonisht të lidhura me mjedisin ekonomik në të cilin zbatohet. Ndër më të zakonshme është ndikimi në ecurinë e kostos së jetesës dhe të fuqisë së blerjes së monedhës. Me pak fjalë: duke vënë më shumë para në qarkullim me operacione si QE, reduktohet vlera e monedhës (rënia e vlerës: ka më shumë likuiditet në treg se sa ka mallra dhe sherbime dhe kjo ushtron presion mbi koston e monedhës) dhe si rjedhim çmimet rriten, sepse paratë me të cilat bëhen blerjet vlejnë më pak. Kjo është arsyeja pse inflacioni rritet: një fenomen përgjithësisht i perceptuar si negativ, sepse rrit çmimet. Por bankat qendrore janë të vetëdijshme se një minimum i inflacionit është pozitiv për të parandaluar që ekonomia të përfundojë në deflacion, pra në një ulje graduale të çmimeve. Sot për BE dhe Eurozonën skenari më i afërt dhe më i rrezikshëm ështëmë shumë se inflacioni, padyshim deflacioni.

Deflacioni është shumë i rrezikshëm, sepse ai shkakton një rreth vicioz të dëmshëm për ekonominë: konsumatorët dhe kompanitë shtyjnë në kohë blerjet e tyre jo të domosdoshme sepse shohin që çmimet vazhdojnë të bien dhe presin pastaj të tjera rënie. Për pasojë kërkesa mbetet e dobët dhe prodhuesit e mallrave dhe shërbimeve zvogëlojnë më tej çmimet e shitjeve. Për pasojë, ndërmarjet regjistrojnë më pak të hyra, kryejnë shkurtime dhe provojnë për të ulur kostot, duke u nisur nga ato që ndikojnë më shumë mbi bilancet e tyre, që zakonisht janë të punësuarit. Heqin dorë gjithashtu nga marrja e huave nga bankat, sepse nuk duan të bëjnë investime të tjera dhe duke pasur më pak të ardhura nuk do të dinë se si të paguajnë kamatat.

Sipas shumë ekonomistëve, një nga zgjidhjet më efektive për të dalë nga deflacioni është “Quantitative Easing”. Kjo qasje lejon, të paktën teorikisht, veprim të shpejt në ecurinë e inflacionit. Rruga e QE është ndjekur prej shumë kohësh nga Banka e Japonisë, e cila tashmë që nga vitet nëntëdhjetë filloi një fushatë për të blerë letra me vlerë nga bankat për të luftuar deflacionin. Dy vjet më parë politika e QE është forcuar me një plan shumë ambicioz, dhe të shtrenjtë, për të rritur inflacionin në Japoni: është fjala për “Abenomics“, politika ekonomike e ndjekur nga kryeministri japonez Shinzo Abe. Po ashtu Federal Reserve, dmth banka qendrore e Shteteve të Bashkuara, ka zbatuar politika të QE, që sipas disa vëzhguesve, kanë kontribuar në rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane të rregjistruar në muajt e fundit (llogaritur sipas GDP dhe shkallës së punësimit në rritje).

Çfarë dëshiron të bëjë Banka Qendrore Evropiane?

Midis 2011 dhe 2012 Banka Qendrore Evropiane tashmë ka bërë diçka të ngjashme me QE me të ashtuquajturin “planin afatgjatë të rifinancimit“. Kjo ka konsistuar në një sërë ndërhyrjesh financiare me të cilat Banka Qendrore Evropiane jep hua para me një maturim prej tre vjetësh bankave që kanë aplikuar, dhe që, në këmbim mund të lënë si garanci letrat me vlerë të vendeve evropiane, të cilat këto banka komerciale i kanë blerë. Ky mekanizëm ka lejuar të evitojë një krizë bankare në Europë, që do të kishte pasoja dramatike, por nuk ka kontribuar shumë për të rigjallëruar ekonominë. Kjo trajtohet si një zgjidhje hibride dhe jo një aplikim i një QE të vërtetë.

Plani i bërë nga Mario Draghi dhe nga teknikët e Bankës Qendrore Evropiane për politikën e re të QE nuk është ende e qartë, dhe ndoshta do të duhet të presim deri të enjte për të mësuar disa elemente më shumë. Bloomberg, një nga agjencitë më të mëdha të informacionit ekonomik në botë, ka intervistuar dhjetra analistë dhe konsultuar gazetarë ekonomike evropianë për të kuptuar se çfarë parashikon plani. Sipas tyre, Draghi do të synonte që bankat e ndryshme kombëtare qendrore në Evropë, që kanë lidhje direkte me Bankën Qendrore Evropiane, të ndanin riskun që lidhet me operacionin e blerjes, duke siguruar që çdo bankë të përgjigjet për borxhin në vendin e tyre.

Sipas informatave të qarkulluara deri tani, supozohet se çdo bankë qendrore mund të blej në maksimum 20-25 për qind të borxhit të vendit të vet, nëpërmjet blerjes së letrave me vlerë të zotëruara nga bankat komerciale. Prej këtij operacioni mund të përjashtohet Greqia, vendi në të cilin kriza ekonomike ka pasur efekte dramatike, dhe letrat me vlerë të së cilës ende nuk konsiderohen në gjendje të ofrojnë garanci të mjaftueshme. Sipas mediave gjermane, Mario Draghi do të kishte zgjedhur këto kushte për të qetësuar Gjermaninë, vendi që ka ndjerë më pak efektet e krizës dhe për pasojë është më pak i interesuar për QE dhe më shumë skeptik kundrejt operacionit (shumë prej përfaqësuesve të tij politikë janë drejtpërdrejt kundër blerjes). Negociatat janë ende në vazhdim dhe sipas disa vëzhguesve, ekziston rreziku se i tërë plani për QE të lihet mënjanë për të përmbushur kërkesat e qeverisë gjermane.

Kostot dhe përfitimet e QE

Mund të supozohen efekte të ndryshme që do të kishte “Quantitativ Easing” në Evropë. Falë disponueshmërisë më të madhe të parave, normat e interesit që vendet evropiane garantojnë për titujt e tyre për ata që i blejnë ato, duhet të ulen, duke ndihmuar kështu në reduktimin e borxhit të vendeve në fjalë (duke premtuar më pak interesa, shumat që do të kthehen në maturim janë më të ulëta). Qeveritë evropiane atëherë do të kenë mundësi për të shpenzuar më shumë para, duke rritur shpenzimet publike në veprimtari të ndryshme afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Në rastin e parë, politikat për të inkurajuar dhe nxitur punësimin dhe konsumin, në të dytin duke investuar paratë në ndërtimin e infrastrukturës, nga rrugët, në hekurudhat, për telekomunikacion (për shëmbull, “broadband”, që prej kohësh është bërë legjendare për Italinë).

Efekti pozitiv që e nxjerr Evropën  nga deflacioni duke çuar inflacionin drejt 2 për qind, konsiderohet si pikë optimale nga Banka Qendrore Evropiane. Megjithatë, kjo mund të jetë e rrezikshme në kohën kur duhet dalë nga faza më akute e krizës ekonomike. Çmimet do të mund të fillojnë të rriten shpejt dhe papritmas, mund të lind rreziku i shkuarjes në hiperinflacion. Deri më sot, megjithatë, mendimi i përhapur midis ekonomistëve është se ky skenar nuk do të ndodhë në një periudhë afatmesme dhe se nuk ka rreziqe në mënyrë të veçantë.

Një pasojë tjetër e QE është  zhvlerësimi i euros. Kjo do të thotë që mallrat që eksportojnë vendet evropiane do të kushtojnë më pak, gjë pozitive për të rritur nivelin e eksporteve, por në të njëjtën kohë, euro do të ketë një fuqi më të ulët blerëse. Disa mallra mund të kushtojnë më shumë, për shembull nafta (tani në nivelet e saj më të ulët), sepse çmimi i saj është në dollarë (nëse euro do të zhvlerësohet, ajo merr më shumë për tu këmbyer në dollarë). Konsumi, sidomos në vendet që importojnë shumë mallra, mund të ulet, veçanërisht në qoftë se rritja e inflacionit nuk do të përputhet me një rritje të punësimit.

A do të funksionojë?

Sipas kritikëve, plani i “Quantitativ Easing” nuk mund të ketë efektin e dëshiruar nga ana e BQE. Ata pretendojnë se në Shtetet e Bashkuara ky sistem nuk ka funksionuar mirë, se normat e interesit në Evropë janë tashmë mjaft të ulta, që bankat komerciale evropiane do të vazhdojnë duke mos dhënë lehtësisht kredi. Të tjerë besojnë se nëse do të konfirmohet plani për ndarjen e rrezikut – domethënë, i blerjes së letrave me vlerë prej bankave qendrore që kanë të bëjnë me borxhin e vendeve të tyre – sistemi financiar në zonën e euros do të jetë më tej i fragmentuar dhe jo homogjen. Problemi themelor, thonë më kritikët, është se në SHBA, QE është bërë i mundur nga fakti që banka qendrore i referohet një shteti të vetëm qendror, ndërsa në Evropë, përkundrazi, shteti qendror nuk ekziston. Siç është argumentuar me vite, pa bashkimin politik, vetëm bashkimi monetar me euron, nuk është i mjaftueshëm për të siguruar efektivitetin e masave në një shkallë të gjërë dhe impenjative, si në rastin e “Quantitativ Easing”.

Në përmbledhje:

BQE dëshiron që të zbatojë një plan të QE për të blerë letra me vlerë të mbajtura nga bankat dhe për këtë arsye të vërë më shumë para në qarkullim, duke besuar se në këtë mënyrë ato të japin më lehtë kredi. Kjo pritet tu japë qeverive evropiane hapësira për të zbatuar politika ekspansioniste (më shumë shpenzime, pa humbur shumë) duke e ngritur ekonominë evropiane  jashtë deflacionit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi