Radikalizmi islamik dhe politikat e identitetit në Europë

Nga Fatos Tarifa, botuar në Ballkanweb, 16 janar 2015

fatos-tarifaAkti terrorist i 7 janarit në Paris ka ringjallur me një intensitet të veçantë debatin tashmë endemik mbi shkaqet që e motivojnë radikalizmin islamik në kohën tonë. Në këtë analizë nuk merrem me ngjarjen në fjalë, por shtjelloj, nga një këndvështrim sociologjik, shkaqet që e lindin dhe e ushqejnë këtë formë radikalizmi, veçanërisht në Europën Perëndimore.
Francis Fukuyama ka argumentuar se sfida e ardhshme më serioze, me të cilën do të ndeshen demokracitë liberale, nuk është “një sfidë e jashtme, si mbrojtja nga terrorizmi ndërkombëtar”, por “problemi i brendshëm i integrimit kulturor të popullsive kulturalisht të ndryshme” dhe i “minoriteteve të emigrantëve, veçanërisht i atyre nga vendet myslimane”, në një “komunitet të vetëm kombëtar koheziv”, si “qytetarë të demokracive pluraliste”. Emigrantët që vijnë nga vende me kultura të ndryshme krijojnë probleme për çdo shoqëri që i pranon ata. Sidoqoftë, sipas Fukuyamës, “Europa është bërë dhe do të vazhdojë të jetë një terren ushqyes dhe një fushë beteje në luftën midis radikalizmit islamik dhe demokracisë liberale”. Sipas tij, kjo shpjegohet me faktin se vetë fondamentalizmi islamik nuk buron nga kultura dhe nga shoqëria tradicionale myslimane, por është një “manifestim i politikës moderne të identitetit dhe një fenomen që shoqëron vetë procesin e modernizimit të shoqërisë”. Si i tillë, fondamentalizmi islamik është “esencialisht një fenomen i kohëve të fundit”. Shmuel Eisenstadt dhe Peter Berger pajtohen tërësisht me këtë gjykim. Në librin e tij Fondamentalizmi, sektarizmi dhe revolucioni: Dimensioni jakobin i modernitetit, botuar më 1999, Shmuel Eisenstadt ka argumentuar se fondamentalizmi nuk është një fenomen tradicional, por një fenomen i ri. Sociologu amerikan Peter Berger, gjithashtu, argumenton se fondamentalizmi, i kuptuar si “përpjekja për të restauruar apo rikrijuar nga e para një strukturë besimesh dhe vlerash të marra si të mirëqena”, është “esencialisht një fenomen i ri dhe jo traditë”.
Pikëpamja që e konsideron radikalizmin islamik në ditët tona si një formë të politikës së identitetit është argumentuar me forcë veçanërisht nga studiuesi francez Olivier Roy, në librin e tij Islamizmi i globalizuar (2004). Sipas tij, rrënjët e radikalizmit islamik nuk janë kulturore. Ky fenomen nuk është pasojë e diçkaje që është inherente, ose esenciale në fenë islame apo në sistemin kulturor që ka krijuar kjo fe. Roy argumenton se radikalizmi islamik ka lindur për shkak se feja islame është deterritorializuar në një mënyrë të tillë, që e ka lënë të hapur vetë çështjen e identitetit mysliman. Sipas tij, çështja e identitetit nuk shtrohet aspak në shoqëritë tradicionale myslimane, ashtu sikurse nuk shtrohej as në shoqëritë tradicionalisht të krishtera. Në shoqëritë tradicionale myslimane, identiteti i një individi rezulton nga prindërit dhe nga mjedisi social në të cilin individi jeton. Gjithçka që e rrethon individin apo me të cilën ai ka të bëjë, që nga fisi dhe klani nga ai vjen, deri tek imami apo struktura politike e shtetit, e lidh identitetin e tij me një formë apo sekt të caktuar të besimit mysliman. Identiteti i individit në shoqëri të tilla nuk është, pra, një zgjedhje personale e tij.
Si Roy, ashtu edhe Fukuyama, argumentojnë se çështja e identitetit bëhet problematike kur myslimanët largohen nga shoqëritë e tyre tradicionale, për shembull, për të emigruar në Europën Perëndimore, ku identiteti i një individi, si mysliman, nuk ka më asnjë bazë në shoqërinë që e rrethon atë. Kjo shoqëri, përkundrazi, ushtron presion të fortë mbi të që të veprojë në konformitet me normat kulturore sunduese të shoqërisë perëndimore. Sipas autorëve të sipërpërmendur, sot çështja e autenticitetit sot shtrohet në një mënyrë që nuk ka ekzistuar asnjëherë në shoqëritë tradicionale, ngaqë tani krijohet një hendek i thellë midis identitetit të brendshëm të një individi, si anëtar i një komuniteti kulturor mysliman dhe sjelljes së tij vis-à-vis shoqërisë që e rrethon.
Farhad Khosrokhavat, një sociolog francez në École des Hautes Études en Sciences Sociales, në një libër të titulluar Kur Al-Qaida flet: Dëshmi pas kangjellave të burgut (2006), i cili përmbledh një numër intervistash me individë të dyshuar si anëtarë të Al-Qaedës në burgjet franceze, raporton këtë intervistë me një mysliman të lindur në Algjeri: “Unë kuptova se unë isha ndryshe, se unë nuk isha francez, se unë kurrë nuk do të bëhesha francez dhe që as më duhej të përpiqesha të bëhesha francez…Unë isha krenar për identitetin tim të ri mysliman. Të mos jem francez, por të jem mysliman, vetëm kaq. Edhe algjerian, sigurisht, por mbi të gjitha mysliman. Ky ishte ripushtimi nga unë i vetvetes, shkëndija e qartësisë time, zgjimi im. Unë shpëtova më në fund nga sëmundja prej të cilës kisha vuajtur dhe krejt papritur fillova të ndihem mirë për atë që jam. Unë nuk kisha më ëndrra të pamundura apo dëshirë për t’u bërë pjesë e kësaj France që nuk më donte (ff. 136-137).
Një tjetër mysliman radikal nga Algjeria, i izoluar në një prej burgjeve të Francës për shkak të lidhjeve të tij me Al-Qaidën, pohon si më poshtë: “Më parë, Franca ishte modeli im¯edhe pse unë e kundërshtoja këtë. Sidoqoftë, ideali im ishte që të bëhesha francez, të sillesha si francez: të kisha një grua, fëmijët e mi, makinën time, apartamentin tim, një shtëpi jashtë qytetit, të bëhesha një francez i mesëm dhe të jetoja në paqë…Por, në të njëjtën kohë, unë e dija se të gjitha këto ishin pothuajse të pamundura: ata nuk më donin mua, edhe pse unë kisha shtetësinë [franceze] dhe gjithçka tjetër. Ata më shihnin me përçmim, më trajtonin sikur të isha asgjë, më përbuznin. Kjo urrejtje e tyre po më vriste krejt. Ishte një torturë….Feja islame u bë shpëtimi im. Unë kuptova se cili isha: një mysliman. Një dikush me dinjitet dhe francezët më urrenin sepse ata nuk kishin shumë frikë nga unë. Për shkak të fesë islame [tani] Perëndimi më respekton mua në një farë mënyre. [Në Perëndim] njerëzit janë të tmerruar nga ne. Na quajnë fanatikë, të çmendur, njerëz të dhunshëm që nuk hezitojmë të vdesim apo të vrasim. Por, ama, nuk na përbuzin më. Kjo është arritja e islamizmit. I urryer, por jo i përbuzur…Tani ne jemi të urryer, por të respektuar (ibid., 135-136).
Të kuptuarit e fondamentalizmit islamik si një formë e shprehjes së identitetit shpjegon, gjithashtu, përse një numër i madh myslimanësh europianë të brezit të dytë apo të tretë, të lindur, pra, në Europë, kanë përqafuar këtë formë radikale të islamizmit. Të ndodhur midis dy kulturave, me asnjërën prej të cilave ata nuk identifikohen, dhe me këtë ndjenjë të të qenurit “tjetër”, apo “ndryshe”, ata tërhiqen fort pas ideologjisë universaliste që ofron xhihadizmi bashkëkohor. Stéphany Giry argumenton se grupe të tëra emigrantësh, të cilët ndjehen të deprivuar në shoqëri, fillojnë ta shohin veten e tyre si minoritete të margjinalizuara dhe t’u largohen vlerave themelore europiane, për të përqafuar një komunitet mysliman supranacional (umma) si një shoqëri alternative.
Radikalizmi islamik mund të mos jetë një fenomen kryesisht europian, pasi ka shumë burime të tjera për ideologjitë radikale, të cilat vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga rajone të tjera. Arabia Saudite, Pakistani, Irani dhe Afganistani kanë eksportuar dhe eksportojnë ideologji islamike radikale, megjithatë, është pikërisht konfrontimi i këtyre shoqërive me modernitetin ajo që krijon kriza të identitetit dhe radikalizëm. Globalizimi, të cilin e stimulojnë Interneti dhe një mobilitet i jashtëzakonshëm, i ka sfumuar kufijtë midis botës së zhvilluar dhe shoqërive tradicionale myslimane. Nuk është rastësi që shumë nga pjesëmarrësit në aktet terroriste gjatë dhjetëvjeçarit të fundit kanë qenë myslimanë europianë të radikalizuar në Europë, apo të ardhur nga shtresa relativisht të privilegjuara të shoqërive myslimane, me mundësi për kontakte me perëndimin, të arsimuar, me eksperiencë në udhëtime dhe me aftësi në gjuhë të huaja (Roy, Rosenthal).
Nëse islamizmi radikal bashkëkohor kuptohet si një produkt i politikës së identitetit dhe, për këtë arsye, si një fenomen i ri, prej këtej mund të nxirren dy konkluzione, të cilat i gjejmë të shtjelluara qartë tek Francis Fukuyama. Së pari, ne e kemi vërejtur këtë problem në të kaluarën në politikat ekstremiste të shekullit të 20-të në radhët e të rinjve që u bënë anarkistë, bolshevikë, fashistë apo anëtarë të bandës Bader-Meinhof. Siç kanë argumentuar Frits Stern, Ernest Gellner dhe autorë të tjerë, modernizimi dhe tranzicioni nga Gemeinschaft në Gesellschaft përfaqëson një proces tjetërsimi intensiv, të cilin e kanë përjetuar në një mënyrë negative individë të shumtë në shoqëri të ndryshme. Mesa duket, tani është radha e një pjese të rinisë myslimane që të provojë të njëjtën eksperiencë. Nëse ka vërtet ndonjë veçori specifike në fenë myslimane që e inkurajon këtë radikalizëm, kjo mbetet një çështje e hapur. Është e rëndësishme të kujtojmë, sidoqoftë, se njëmijë vjet më parë, bota arabe ishte lideri i progresit të shoqërisë njerëzore dhe se shoqëritë myslimane ishin më tolerante sesa ato të krishtera. Maimonides, fjala vjen, lindi në Kordovën myslimane. Bagdadi, nga ana e tij, për gjenerata me radhë ka qenë qendra e komunitetit më të madh hebre në botë. Këto dy qytete (Kordova dhe Bagdadi) u bënë qendrat kulturore më të rëndësishme të botës arabe, duke i lënë në hije kryeqytetet e Europës për shumë shekuj me radhë. Sipas Fukuyamës: “Ta shpjegosh islamizmin radikal bashkëkohor si një produkt të paevitueshëm të fesë islame është po aq e pakuptimtë sa edhe të thuash se fashizmi ishte, në një mënyrë apo në një tjetër, konkluzioni final i një tradite kulturore të krishterë europiane”.
Së dyti, problemi i terrorizmit xhihadist nuk do të zgjidhet duke çuar modernizimin dhe demokracinë në Lindjen e Mesme. Pikëpamja se terrorizmin e ushqen mungesa e demokracisë injoron faktin që shumë terroristë janë radikalizuar në disa nga vendet me demokracinë më të konsoliduar në Europë. “Është tepër naive”, shkruan Fukuyama, “të mendosh se islamikët radikalë e urrejnë Perëndimin ngaqë ata nuk e dinë se ç’është ai. Modernizimi dhe demokracia janë të mira në vetvete, por në botën myslimane, për një periudhë të ardhshme, ato ka të ngjarë ta nxisin problemin e terrorizmit, në vend që ta reduktojnë atë”.
Ka njerëz islamofobë në Europë, të cilët shprehen hapur për segregimin, deprivimin dhe poshtërimin e emigrantëve të huaj. Në shumicën e vendeve europiane gjen parti populiste të djathta, të cilat janë kundër emigracionit, të tilla si Fronti Nacional në Francë, Partia Nacionale e Britanisë, Vlaams Belag në Belgjikë, partitë popullore në Danimarkë dhe Zvicër, Partia e Lirisë në Austri etj. Me ideologjitë dhe veprimet ultranacionaliste të tyre, parti të tilla kanë provokuar zemërimin dhe aktivizmin politik në radhët e komuniteteve të emigrantëve myslimanë, të cilët shpesh herë kanë marrë forma të dhunshme e virulente.
Thirrjet për të ndaluar me ligj emigracionin e huaj dhe një politikë intensive për asimilimin e minoriteteve myslimane në kulturën libertine të Holandës, për shembull, rezultuan në vrasjen e regjisorit dhe publicistit të njohur Theo van Gogh, nipit të piktorit të famshëm Vincent van Gogh, në një rrugë të Amsterdamit, në nëntor 2004, nga një ekstremist maroken, i cili ishte lindur dhe rritur në Amsterdam. Kjo ngjarje makabre tronditi jo vetëm Holandën, por mbarë Europën. Në Holandë, ajo provokoi një varg sulmesh ndaj shkollave dhe xhamive myslimane në këtë vend, ndërsa grupe islamikësh radikalë u përpoqën të djegin kisha katolike dhe protestante në Roterdam, në Utreht dhe në Amersfort.
Në një vend si Holanda, i njohur për legalizimin e marijuanës dhe të prostitucionit, një vend në të cilin kanë selinë e tyre Gjykata Botërore (International Court of Justice) dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale (International Criminal Court) dhe ku një sistem gjeneroz i mirëqenies bën të mundur një jetë të çliruar nga domosdoshmëria e të punuarit, sulme të tilla ishin një sfidë e vërtetë për kulturën tradicionalisht tolerante të saj. Holandezët, të cilët konsiderohen si një ndër popujt më tolerantë të Europës dhe që deri pak kohë më parë besonin se myslimanët mund të përbënin një tjetër “shtyllë” socio-konfesionale të shoqërisë holandeze, si protestantët, katolikët dhe unionet profesionale, u detyruan, pas këtyre ngjarjeve, të merrnin masa radikale për të kufizuar rrezikun e përhapjes së islamizmit militant, madje edhe duke kërkuar që legjislacioni i moderuar i këtij vendi të adoptonte masa të rrepta, të ngjashme me Aktin Patriotik (Patriot Act) që adoptuan Shtetet e Bashkuara pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001.
Ngjarje si ato që përmendëm më sipër mund të gravitojnë në forma tepër ekstreme të nacionalizmit, të ksenofobisë apo të “islamofobisë”, të racizmit dhe të antimodernizmit në Europë dhe në rajone të tjera të botës. Bashkekzistenca e nativizmit europian (i shprehur në krijimin e organizatave dhe të lëvizjeve ekstremiste anti-emigracion dhe anti-myslimane) me radikalizmin islamik përbën një sfidë serioze dhe të rrezikshme për atë që sociologu danez Ole Waever e cilëson “siguri shoqërore” (societal security), apo kohezion kombëtar (national cohesion) në shumë vende të Europës sot.
Ka njerëz, të cilët besojnë se radikalizmi i sotëm islamik është thjesht pasojë e luftës në Afganistan dhe në Irak dhe e konfliktit Izrael-Palestinë dhe se, me zgjidhjen e këtyre konflikteve, rreziku i tij do të kalojë. Ideologë dhe përkrahës të islamizmit të moderuar europian, të përfaqësuar kryesisht nga filozofi mysliman zviceran Tariq Ramadan, mendojnë se islamizmi i moderuar përmban mundësinë të shërbejë si një urë midis kulturës perëndimore dhe kulturës islame, nëse bëhet e mundur që t’u pritet rruga fanatizmit islamik që vjen nga Pakistani apo nga Arabia Saudite dhe, bashkë me të, imamëve injorantë dhe parave që ushqejnë radikalizmin në Europë. Në librin e tij Të jesh një mysliman europian (To be a European Muslim), Ramadan pretendon se në Europë po lind një islamizëm liberal në radhët e të rinjve myslimane të arsimuar, të cilët janë të influencuar pozitivisht nga Perëndimi, nga sistemi i demokracisë liberale, nga shtypi i lirë dhe nga ndarja e kishës prej shtetit.
Edhe pse kjo mund të jetë deri diku e vërtetë, vështirë të besohet se problemi i radikalizmit islamik në Europë do të zgjidhet përmes krijimit të një sinteze multikulturore, ku të përzihen Mavduli (frymëzuesi shpirtëror i islamizmit radikal) me racionalizmin e Kantit, trashëgimia e të majtës europiane me të drejtën islame, feminizmi europian me mënyrën ortodokse myslimane të jetesës, apo kultura europiane me Vahabizmin. Për sa kohë që shumë myslimanë në Europë do të besojnë se feja e tyre është përcaktuese ndaj politikës dhe se nuk është shumica ajo që vendos, por vullneti i Allahut, shanset për konsensus ndërmjet europianëve dhe emigrantëve myslimanë mbi demokracinë nuk janë shumë optimiste. Dilema kryesore sot në Francë, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në Holandë dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian është se si mund të ruhen rregulli dhe ligji në këto vende, si mund të parandalohet krijimi i grupeve ekstremiste dhe agresive, të cilat mund të mobilizojnë anëtarët e tyre për xhihad në vende të tjera apo në vetë këto vende europiane.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi