Gropa e pensioneve po na përpin dhe ISSH rri e vështron!

Nga Erion Habilaj, botuar në Dita, 15 janar 2015

isshShpërthimi i megaskandalit

Ditët e fundit qeveria ka bërë publik megaskandalin e mospagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore nga rreth 1600 subjekte buxhetore, shtetërore dhe private. Ky skandal paraqet dy të reja: E para, deklarimi i pagesës së kontributeve është bërë, por nuk është kryer. E dyta, mëkatarë janë jo vetëm subjektet private, por edhe ato shtetërore dhe buxhetore. Shkurt, shteti, në vend që ta mbushte, e ka thelluar më tej gropën e sigurimeve shoqërore. Defiçiti i madh i skemës së pensioneve, rreth gjysma e të cilës mbahej, dhe mbahet ende, me burime financimi dhe subvencione prej buxhetit të shtetit, nuk ishte shkaktuar vetëm nga mungesa e kontributeve prej sektorit privat, por edhe prej atij publik. Më keq s’ka ku të shkojë! Por në një farë kuptimi, ne nuk habitemi nga ky zbulim. Ishte dhënë që para 23 qershorit alarmi për rrezikun e falimentimit të skemës. Por qeveria që iku e kundërshtonte kuturu dhe pas asnjë argument bindës këtë rrezik social, politik dhe kombëtar. Gjithashtu, në një varg shkrimesh “DITA” ka paralajmëruar për gropën e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ekspertë të njohur të fushës i kanë bërë me dije publikut, por edhe qeverisë, se kjo rrokopujë, e cila u shndërrua në një ngjarje kriminale duhet të ndalej. Më mirë vonë se kurrë. Ashtu si edhe mjaft çështje të tjera, mbijetesa dhe fuqizimi i fondit të pensioneve është shndërruar në një emergjencë kombëtare.

Si ka mundësi një institucion shtetëror të mos paguaj kontributet?

Faktikisht kjo ka ndodhur. Dhe në disa kontekste të caktuara. Deri para pak vitesh, mospagesa e kontributeve tolerohej edhe nga degët e Thesarit. Sidomos kur kontributet derdheshin direkt në llogarinë e ISSH. Kjo e fundit vazhdon të sillet si një bamirëse e madhe, por e papërgjegjshme, me paratë e taksapaguesve dhe buxhetin e shtetit. Ndërmarrjet shtetërore nuk kontrolloheshin ngaqë nuk kanë llogari buxhetore, por likuiduese. Për këtë arsye, ato e kanë pasur më të lehtë të manovrojnë dhe abuzojnë. Sytë duhen mbajtur hapur ndaj ndërmarrjeve shtetërore si ujësjellësat, repartet ushtarake, agjencitë e ndryshme etj., të cilat mund të vazhdojnë edhe në të ardhmen këtë praktikë. Por pavarësisht nga rrethanat dhe kontekstet, ky është një veprim i papërgjegjshëm dhe vetëshkatërrues për sistemin e pensioneve. Mospagesa, pra, ka ndodhur për shkaqe të ndryshme. Ndërmarrje të caktuara buxhetore dhe shtetërore mund ta kenë neglizhuar se kanë pasur fonde të kufizuara. Dhe papërgjegjshmërisht, e kanë gjetur kamardaren e shpëtimit atje ku nuk duhej: te fondi i pensioneve. Këta torollakë e kanë konsideruar detyrimin e pagesës së kontributeve të pensioneve një detyrim të dorës së dytë dhe jo si një problem kritik dhe jetësor të sistemit të mirëqenies. Ka ndodhur që fondet të jenë devijuar edhe për veprimtari të tjera, ndoshta edhe tendera. E keqja ka qenë edhe më thellë. Mjaft institucioneve u janë planifikuar buxhete të pamjaftueshme, duke u kumtuar tërthorazi “Bëni si të bëni, jepni pagat dhe fusni gërshërët kontributeve”. Vajmedet o ish-qeveri e shqiptarëve!

Si mund të zgjidhet ky problem?

“DITA” ka kërkuar mendimin e ekspertëve të cilët sugjerojnë se për tre grupet kryesore të debitorëve, ndërmarrjet buxhetore, ndërmarrjet shtetërore dhe ndërmarrjet private, problemi kërkon zgjidhje specifike. Së pari, ndërmarrjet buxhetore duhet t’i përfshijnë këto detyrime në llogarinë e detyrimeve të prapambetura dhe të programojnë shlyerjen e tyre për një periudhë një-dy vjeçare. Së dyti, ndërmarrjet shtetërore duhet të detyrohen të paguajnë, duke nënshkruar marrëveshje me Tatim-Taksat për një shlyerje të kalendarizuar të këtyre detyrimeve. Së treti, ndërmarrjet private duhet t’i shlyejnë menjëherë këto detyrime. Midis tyre mund të ketë ndërmarrje, të cilave qeveria u ka borxhe. Detyrimet duhet të mbahen nga këstet e borxheve që do të shlyhen. Të gjitha subjektet private duhet t’i shlyejnë detyrimet një për një. Qeveria ka krijuar një klimë favorizuese dhe miqësore me sipërmarrjen. Por edhe sipërmarrja duhet të tregohet korrekte me të punësuarit e vet, duke shlyer një për një të gjitha detyrimet. Së katërti, mosshlyerja e detyrimeve të kontributeve të pensioneve, në raste të caktuara, të cilat duhet të identifikohen, mund të përbëjë edhe një vepër penale. Në këtë rast, përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht.

ISSH që kriminalisht bën sehir

Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet një bamirës i madh. Ky institucion, në kundërshtim me ligjin, është vetëpërcaktuar si një institucion që vetëm shpenzon paratë e shtetit dhe të kontribuuesve dhe as që e ka në fokusin e vet grumbullimin e kontributeve. Edhe sot e kësaj dite drejtuesit e ISSH na sillen si engjëj, të cilëve u kanë rënë në qafë drejtorët e papërgjegjshëm të qeverive të kaluara. Por nuk është kështu. Kjo gropë e madhe, po të qe për ISSH-në, do të ishtë shndërruar në një piramidë që do zinte brenda shtetin. Nëse piramida nuk u rrëzua, merita nuk është e ISSH-së. Për më tepër, kjo nuk e çliron këtë institucion nga përgjegjësia. Mosderdhja e kontributeve të pensioneve ka ndodhur para syve dhe nën hundën e drejtuesve të ISSH-së. Vërtet kontributet derdhen në organet e Tatimeve, por ISSH merr rregullisht, e detyruar nga ligji, kopje të listë-pagesave. Pse ka heshtur ISSH kur listë-pagesat kalonin pa derdhjen e kontributeve. Çfarë pune më të rëndësishme kanë drejtuesit e këtij institucioni, përveç kqyrjes së derdhjeve të kontributeve. Mirë që nuk i mbledhin vetë, por pse neglizhojnë kontrollin e derdhjes së tyre? I shkon këtij institucioni të paaftë të bëjë sehirxhiun dhe qokaxhiun me paratë e shqiptarëve dhe të shtetit të tyre? Për më tepër, kur degë të Institutit nuk kanë paguar, siç rezulton, as kontributet për punonjësit e tyre? A ka tallje më të madhe me detyrën dhe misionin fisnik të këtij institucioni? Përgjigjen e kësaj pyetjeje duhet ta japin organet e drejtësisë. Ndërsa qeveria ka për detyre të hetojë administrativisht se përse ISSH shërben si streha e grumbullimit të grave, motrave dhe të afërmve të VIP-ave të vendit? As qeveria, as Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nuk duhet të miklohen nga fasada e jashtme e këtij institucioni-piramidë. Ato duhet të hyjnë në labirintet e këtij institucioni dhe të mos habiten me ato që do të zbulojnë. Sepse ISSH, me gjendjen në të cilën është, po shndërrohet në një gjyle të rëndë në këmbët e qeverisë dhe në zbatimin e reformës së pensioneve. Nuk mund të ketë reformë të pensioneve, pa reformë të ISSH!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi