Forumi Civil propozon ndryshimin e Kushtetutës

Forumi Civil, 15 janar 2015

forumicivilAngazhimi i qeverisë për të kryer një reformë në sistemin e Drejtësisë nuk mund të ndodhë pa ndryshuar fillimisht ligjin themeltar të shtetit, Kushtetutën. Ky është konstatimi i arritur në tryezën e Forumit Civil, të kryesuar nga ishpresidenti Alfred Moisiu, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të majtë dhe të djathtë të politikës, por edhe konstitucionalistëve të njohur në vend. Të gjithë pjesëmarrësit ishin njëzëri dakord rreth nevojës për të bërë ndryshime në Kushtetutë, pasi vetë koha e ka treguar se ndryshimet në të janë të domosdoshme. “Përplasja” e vetme mes pjesëmarrësve në këtë konferencë, ishte fakti nëse do të bëhen ndryshime në nene të caktuara apo duhet riformuluar një Kushtetutë e re. Pjesë e personazheve të politikës që i mëshojnë idesë për një Kushtetutë të re, ishte kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi. Sipas tij Kushtetuta e krijuar në vitin ’98, tashmë nuk garanton zgjidhje për problemet e sotme, ndaj ajo as nuk mund të korrigjohet por duhet riformuluar. Pro ndryshimeve radikale në Kushtetutë, u shpreh edhe juristja Aurela Anastasi dhe konstitucionalisti Rustem Gjata. Një qëndrim ndryshe me kreun e LZHK-së, ndau deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Edhe pse Braho shprehu mendimin pro ndryshimeve në Kushtetutë theksoi se kjo e fundit nuk është një pamflet, që të ndryshohet çdo 20 vjet dhe ku çdokush mund të ulet dhe ta shkruajë. Për kreun e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj qeveria është e vendosur në rrugën e saj për realizimin e reformës në Drejtësi, pavarësisht nëse opozita do të dëshirojë apo jo të jetë pjesë e kësaj reforme. Xhafaj kujtoi se jo gjithmonë, bashkëpunimi mes palëve ka qenë frytdhënës duke kujtuar rastin e ndryshimeve që PSPD bënë në kushtetutë në vitin 2008. Për njeriun që ka kaluar në duart e tij ndryshimet më të rëndësishme ligjore të 10 viteve të fundit, ish- kryetarin e komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali, problemi qëndron tek vetë politikanët. Çdo vakum ligjor, do të përdoret prej tyre, sipas tij, për të arritur atje ku duan. Ilir Rusmali ka theksuar se ndryshimet nuk do sjellin asnjë përmirësim, për sa kohe qe nuk ndryshon sjellja e politikanëve, pasi duhet kuptuar që kushtetuta iu takon qytetareve për t’i mbrojtur nga pushteti. Ndryshimi i neneve të Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit nga populli, ishte një propozim i pothuajse të gjithë juristëve të mbledhur nga ish- presidentët.

Dashamir Shehi: Reforma kushtetuese të paraprijë, të jetë kolona, shtrati bazë. Ky është lumi kryesor ku do të derdhen gjithë këta përrenjtë pastaj. Ne kemi bërë një kushtetutë me vitin ’98, me ndryshimet, ku Presidenti bëhet me 71 vota, por mbaroi që këtu, ka rënë e gjithë struktura. Unë besoj se ka ardhur dita që ta ndryshojmë Kushtetutën, jo ta arnojmë dhe as ta korrigjojmë. Duhet të shkojmë drejt kufizimeve të mandateve. Shqiptari po e kapi karrigen nuk e lëshon. Ky është një realitet i hidhur i kësaj shoqërie. Degjenerimi i institucioneve që kemi pretenduar që do të ishin demokratike këtu e 18 vite më parë, kanë mbërritur në një situatë të tillë sa që nuk mund të “arnohen” më. Ky është një divan i vjetër, që nuk ka më as susta, asgjë. Unë them që të bëjmë një të ri dhe për Kushtetutën e re duhet të biem dakord, për një sistem gjeneral apo me senat, se dhe kjo është temë e madhe. Këtu është bërë që çdo dy muaj shkoka një ligj në Gjykatë Kushtetuese dhe ajo ka zëvendësuar senatin, dhe kjo nuk është fort demokratike, që nëntë veta gjykojnë ligjshmërinë, demokracinë e një ligji.

Fatmir Xhafaj: Qeveria është e vendosur në rrugën e saj për realizimin e reformës në Drejtësi, pavarësisht nëse opozita do të dëshirojë apo jo të jetë pjesë e kësaj reforme. Kemi dhe eksperiencën e vitit 2008 ku u bashkuan jo pak, po të dyja forcat politike në vend që prodhuan padyshim deformimin më të madh që i është bërë Kushtetutës në këto vite

Spartak Braho: Unë gjykoj që duhen bërë ndryshime por nuk duhet të jenë radikale. Kushtetuta nuk është pamflet, është dokument serioz dhe nuk duhet të ndryshojë çdo 20 vjet, nuk bëhet as me revolucione. Nuk bëhet as nga njerëz dosido nga rruga por bëhet nga specialistët më të mirë.

Ilir Rusmali: Çdo amendament i Kushtetutës, që imponon sjellje të re kushtetuese është shpëtim për këtë vend dhe për raportet politike këtu. Çdo amendament tjetër, formulë teknike për të zëvendësuar një formulë teknike që ka dështuar për shkak se i është nënshtruar interesave politike mes palëve nuk do të na çojë shumë përpara, se rreziku është shumë i madh që të dështojë edhe formula e re teknike në mënyrë eklatante. Burimin e keqja e ka këtu dhe defektin nesër do ta kemi përsëri këtu. Partitë politike të rëndësishme të këtij vendi, kushtetutën e kanë konsideruar instrument politik për arritjen e qëllimeve. Ne duhet të modifikojmë sjelljen kushtetuese, ky duhet të jetë qëllim besoj unë. Nëse për të modifikuar sjelljen kushtetuese duhet të ndryshohet kushtetuta që ajo të imponojë sjellje të re kushtetuese, atëherë çdo amendament është i mirëpritur.

Moisiu: Nuk bëhet reforma në Drejtësi pa ndërhyrje në Kushtetutë

Për ish- presidentin e vendit në vitet 2002-2007, Alfred Moisiu tashmë është shumë e nevojshme që të bëhen reforma qoftë edhe radikale për sa i përket sistemit të Drejtësisë por ish- presidenti nënvizon se pa bërë ndryshime në Kushtetutë nuk mund të bëhen reforma në Drejtësi. Sipas Moisiut, edhe më parë kanë ndodhur edhe disa ndërhyrje, të cilat pavarësisht se kanë qenë të pranuara me konsensus, në vend që ta përmirësonin përmbajtjen dhe efektin e Kushtetutës, e kanë dobësuar dhe ndërlikuar atë më shumë. Veçanërisht kjo ka ndodhur pas ndryshimeve të prillit 2008. “Me gjithë reagimin kundërshtues që patën atëherë për ato ndryshime qarqet e ndryshme intelektuale, mediatike, juridike dhe të shoqërisë civile, nga organet politike drejtuese asgjë nuk u mor parasysh. Edhe pse në të pastajmen, u pranua dëmi i dukshëm që iu shkaktua demokracisë së brishtë shqiptare, si pasojë e atyre ndryshimeve, deri tani çdo gjë ka mbetur në stadin e fjalëve, komenteve dhe disa takimeve të shoqërisë civile, por asgjë serioze ende nuk duket në horizont. E kundërta, heshtja e politikanëve kryesorë në lidhje me këto probleme po bëhet shqetësuese, gjë e cila duhet të na vërë në alarm” tha Moisiu. Për Moisiun edhe pse vazhdohet të flitet për një reformë me qëllim përsosjen e sistemit, hapa konkrete ende nuk po hidhen. Ish- presidenti Moisiu ngriti pyetjen nëse mund të bëhet një reformë pa bërë ndërhyrjet e duhura në Kushtetutë? “Të gjithë njëzëri përgjigjen se është e pamundur. Atëherë me të drejtë shtrojmë pyetjen çfarë pritet? Koha po ikën dhe ende jemi në stadin e fjalëve. Dëshiroj ta përsërisë mendimin, se pa ndërhyrë në Kushtetutë është e vështirë të bëhen reforma seriozë, si në drejtësi ashtu edhe në drejtimet e tjera. Më duket me vend të vë në dukje se ndërhyrjet në kushtetutë, si ligj themeltar i shtetit, duhen menduar mirë dhe me mjaft kujdes” u shpreh Moisiu. Sipas ishpresidentit Moisiu, duhet treguar kujdes më ndërhyrjet që duhen bërë pasi çdo gabim do të kërkojë kohë për rikuperim “Gjithashtu duhet të jemi shumë të matur se kur e si duhet ajo të preket, por kjo nuk do të thotë të ngurohet, kur zhvillimet e kërkojnë një gjë të tillë. E rëndësishme është që ndërhyrjet të jenë të studiuara mirë dhe të argumentuara, jo thjesht nga nevojat politike të çastit, por për një thellim, zhvillim dhe forcim të mëtejshëm të demokracisë dhe shtetit të drejtës. Kjo kërkon kohë dhe angazhim serioz, pasi çdo gjë e vendosur gabim ose në mënyrë jo shumë të thelluar, është e vështirë të ndryshohet pa kaluar një kohë e pranueshme, ndryshe do të binim në pozitat e një shteti dhe politike jo serioze. Veç këtyre, nga përvoja mund të evidentohen edhe probleme të tjera që kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë. Këtë do t’ia lëmë komisionit që duhet ngarkuar për këtë detyrë urgjente”.

Luan Omari: Të eliminohen amendamentet e vitit 2008

Për konstitucionalistin Luan Omari tashmë është koha e duhur që të bëhen një sërë ndryshimeve në Kushtetutën e vendit. Sipas Luan Omarit janë disa pika që kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme nëse kërkohen të bëhen ndryshime të vlefshme dhe jo si ato të vitit 2008 që nuk sollën asnjë zgjidhje të problemeve por një përkeqësim të situatës. Sipas Omarit duhet të specifikohet mënyra e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit. Duhet të vendoset për një zgjedhje me shumicë absolute votash dhe jo si kjo aktuale me 36 të tilla. Një çështje që konstitucionalisti Omari e sheh më mjaft rëndësi është edhe miratimi i buxhetit nga ana e Kuvendit, ku në këtë rast nuk duhet të përdoret nocioni i 3/5-ve. Për sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Omari u shpreh se nëse nuk arrihet që për këtë të fundit të grumbullohet një sasi votash e vlefshme me 3/5 atëherë më mirë do të ishte që Presidenti të zgjidhej nga populli. Për Luan Omarin një pikë tjetër që kërkon mjaft kujdes është edhe ajo që lidhet me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas Omarit duhet parë si një zgjidhje fakti që Presidenti të vazhdojë të jetë kreu i KLD-së por pa pasur mundësinë të ushtrojë të drejtën e votës. Për Omarin edhe Ministri i Drejtësisë mund të vazhdojë të jetë pjesë e KLD-së por edhe ky i fundit pas pasur mundësinë e votës. Për konstitucionalistin Omari në lidhje me ndryshimet që duhen bërë në Kushtetutë duhet parë pjesa që lidhet me Presidentin e Republikës pasi gjithnjë e më shpesh po ndërhyhet në kompetencat e tij. Omari argumenton se për tu bërë ndryshime në Kushtetutë duhet të ketë gjithë përfshirje. Angazhimi i forcave politike dhe profesionale është mjaft i rëndësishëm me qëllim sjelljen e një produkti “frutdhënës”. Konstitucionalisti Omari nuk e sheh mjaft me vend dhënien e kaq shumë kompetencave Parlamentit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi