Legjitimiteti demokratik

Në kuptimin më të përgjithshëm, legjitimiteti ka të bëj me aprovimin ose, thjesht, me pranimin e status quo-së së formës së shtetit apo të drejtuesve të tij prej pjesës më të madhe të shoqërisë (Th. Skocpol). Ndërsa sipas S. Martin Lipset: “Legjitimiteti nënkupton aftësinë e një sistemi për të krijuar dhe ruajtur besimin e qytetarëve se institucionet politike ekzistuese janë më të përshtatëshmet për shoqërinë”.

E formuluar më thjesht, çështja mund të shtrohet kështu: Çfarë e bën pushtetin të jetë legjitim? Ose, çfarë është ajo prerogativë, e cila mundëson që pushteti, nga një mjet dhune të shndrohet në autoritet të pranuar vullnetarisht nga pjesa më e madhe e popullsisë, apo, siç shprehet A. Giddens, që një qeveri “të pranohet se ka të drejtë të qeverisë?”. Për M.Weber, legjitimiteti është ajo cilësi që e konverton pushtetin (macht) në autoritet (herrschaft). E thënë ndryshe, legjitimiteti krijon si “obligimin për t’u bindur”, ashtu edhe “të drejtën për të sunduar” (Schimtter).

Pamvarësisht nga formulimet e ndryshme, pothuajse të gjithë e pranojnë se legjitimiteti, në thelb, ka të bëj me mbështetjen popullore për vendimet politike, për personalitetet dhe për institucionet shtetërore. Sipas disa autorëve, legjitimiteti mund të kuptohet ose në përgjithësi (për një sistem politik të dhënë), (Merelman), ose në mënyrë specifike (për politika të caktuara apo për individë të veshur me pushtet), (Easton, Lipset). Veprime apo politika të caktuara të një qeverie mund të konsiderohen legjitime nisur nga rezultatet që ato arrijnë, në këto raste flitet për “legjitimitet substantiv”, për ta dalluar atë nga “legjitimitetit procedurial”, i cili ka të bëj me mënyrën se si merren vendimet. Prej këtej rrjedh se legjitimiteti mund të kuptohet, nga njëra anë, si një transaksion midis efiçiensës së veprimtarisë së shtetit dhe stabilitetit të tij, dhe, nga ana tjetër, drejtësisë normative dhe stilit politik (Lipset).

Shkalla dhe forma e legjitimitetit të pushtetit mbeten faktorë thelbësorë në përcaktimin e rrugëve që kanë ndjekur dhe ndjekin të gjitha vendet postkomuniste. Nëse disa shoqëri europiano-lindore mundën të rimëkëmben shpejt pas përmbysjes së komunizmit dhe të konsolidohen si shoqëri demokratike, kurse shoqëri të tjera, ndër to, edhe Shqipëria, vazhdojnë një proces të vështirë dhe të gjatë rimëkëmbje dhe konsolidimi demokratik. Kjo spjegohet, ndër të tjera, edhe me shkallën e legjitimitetit që kanë mundur të gjenerojnë elitat politike apo me mënyrën dhe metodat me të cilat këto vende synojnë të legjitimojnë autoritetin e pushtetit, ndërkohë që shfaqin reminishenca apo tendenca të hapura autoritarizmi. Legjitimiteti i një sistemi politik apo i një qeverie, qoftë e ardhur demokratikisht me anën e zgjedhjeve të lira, nuk mund të konsiderohet inherente dhe aq më pak, diçka e arrirë vetvetiu, tërësisht dhe përfundimisht vetëm nga rezultatet e zgjedhjeve. Një qeveri mund ta humbas legjitimitetin e vet kur provon se nuk është në gjëndje të qeverisë efektivisht, kur në politikën e saj të brëndëshme (ose të jashtme) vepron në kundërshtim me programin elektoral, i cili i mundësoi asaj marrjen në dorë të drejtimit të punëve të shtetit. Megjithatë programet në vetvehte nuk gjenerojnë legjitimitet për qeveritë; legjitimiteti i një qeverie buron nga praktikat aktuale të qeverisjes së saj.

Zgjedhjet e lira krijojnë vetëm premisat për krijimin e një sistemi demokratik, por nuk garantojnë funksionimin demokratik të shtetit apo legjitimitetin e tij. Ato janë të domosdoshme për instalimin e institucioneve demokratike në çdo shoqëri dhe përbëjnë vetëm fillimin e procesit demokratik. Demokracia nuk është thjesht apo vetëm zgjedhje, por një proces, jo një ngjarje e një dite të vetme. “Në fund të fundit, demokracia mbështetet jo në votat, por në qytetarët”, thoshte O’Donnell.

Pra, demokracia nënkupton krijimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor; respektimin e lirive të tilla civile dhe politike për çdo qytetar, siç janë e drejta apo liria për të folur, për të botuar, për t’u mbledhur dhe për t’u organizuar, të cilat janë të domosdoshme për një debat politik: mbrojtjen e minoriteteve; institucione të përgjegjshme; respektimin e pavarësisë së pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, etj. Të gjitha këto janë procese të cilat zgjasin më shumë se një votim i vetëm. Ato zgjasin për vite apo dekada të tëra. J.Madison shprehte vazhdimisht shqetësim për rrezikun që sjell “tirania e mazhorancës”, ndërsa Th. Jefferson fliste shpesh për rreziqet e “despotizmit të zgjedhur”, duke theksuar se “njëqind e shtatëdhjetë e tre despotë mund të jenë pa dyshim po aq shtypës sa dhe një i vetëm”.

Më gjërësisht Legjitimiteti Demokratik trajtohet në librin “Paradigma e tranzicionit demokratik” të F. Tarifa, K. Krisafi dhe E. Tarifa.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan