Letra e infermieres dhe Reforma Shendetësore

Sipas gazetës Tema, 2 janar 2015

mjeke“Në ndërrim të viteve kryeministri Edi Rama ju dërgoi një letër të personalizuar gjithë personelit mjekësor të Shqipërisë. S’do mend, që një e tillë më erdhi dhe mua. S’pata fat ta marr në dorë pasi më qëlloi të jem turni i tretë, por ma kishin lënë tek zyra e kuadrit të spitalit. Mënyra si u njoftova për letrën në emrin tim s’qe dhe aq dinjitoze po nejse. Ndërsa ngjisja shkallët për në pavion, u këmbeva me shefin e kuadrit, që më hungëroi diçka si të tille si..”na moj shushkë, ke një letër tek zyra ime nga ai i gjati” E mora letrën dhe mu bë zemra mal. Kam 30 vjet infermiere dhe s’i ka rënë njeriu në mend për mua të më dërgojë kartolinë, që nga koha kur kisha burrin ushtar s’kam marrë të tilla. …Me fal se s’tu prezantova…Jam Elisabeta, shkurt e gjatë Beti më flasin, infermiere ne spitalin N siç thoshe ti me të tallur në fillimet e tua. Kartolinë goxha luksoze dhe e punuar me shije. Jashtë e brenda kishte vetëm ty, stemën tënde të re, ambientet e reja të kryeministrisë. Po unë i vlerësojë punët me dorë. Më duken shumë të personalizuara dhe se vë re edhe kanë nga pak kult individi me tepri brenda. E lexoja shkallëve letrën tënde dhe zemra mal më bëhej. Më falënderoje për bashkëpunimin dhe përkushtimin. Në fakt ne s’para kemi bashkëpunuar, se ku ti e ku unë. Ndërsa sa për përkushtimin, unë kam 30 vjet që bëjë këtë punë se më duhet rroga dhe njëlloj e kam bërë edhe për Nard Nokën punën, me të njëjtin përkushtim ndaj s’ke pse më falënderon.

Por, gjithë ajo përshtypje pozitive për kartolinën e personalizuar erdhi e mu zbeh krejt, kur mora vesh si i kishin marrë në apel, gati në rresht personelin për tu shpërndarë letrën tënde sikur të qemë në Korenë e Veriut. Dhe fillova të mendoj pak si menaxhere. Po sikur me lekët e kartolinave të na kishte bërë një banjë të re për pavijonin, se ne e dimë ç’heqim. Për një të urinuar, shkojmë 3 pavijone me tutje se ne s’kemi banjë, na u bllokua dhe e bënë depo më në fund. Le pastaj sikur të na kish bërë ca dollapë ku vishemi e zhvishemi, se jo vetëm që s’kemi një gardërobë, po zhvishemi në infermieri pas ca dollapëve. Dhe dollapët janë ndihma, që nga koha e krizës së kosovarëve dhe të mbushur me furrtare. Edhe tavolina e tillë është. Karriget i kemi të gjitha me 3 këmbë, se nuk mbahet mend sa jam unë të jemi furnizuar ndonjëherë me mobilje.

Eh mor Ed , shpirt i motrës, ç’të të them më parë. Këtu nuk ka asgjë. S’ka sapunë, s’ka doreza, s’ka çarçafë, krevatet janë të kohës së Nuhut. Atë natë s’mu duk fare koha. Fluturoi nata si me magji, vetëm prej kënaqësisë që më kishe dërguar një letër… Kam hequr të zitë e ullirit me një të sëmurë që nuk urinonte dot dhe më duhej t’i fusja një kateteter se po plaste. Po kateter s’kishte gjëkundi. Dërgova njërin, ia bleu tek farmacia e natës. 2 mijë lekë bën i shkreti, po ja që s’e gjen kur të duhet. Kërkova e ku s’kërkova për një palë doreza, që të mos ia prekja hallatet me dorë burrit të botës, po në fund i dhashë karar me duar se po plaste. U qetësua i shkreti njeri. Ka mbushur një legen me urinë, ku e pati mbajtur ditëziu dhe sa më ka falënderuar thua ti…më shumë se Ti në letër, sigurisht.

Dalë jashtë dhe fut dorën në xhep, kur ç’të shof. Më kishte futur një 2000 lekësh të vjetër fshehurazi në kohën që unë po punoja. U ktheva dhe e bëra rezil.

‘” S’të vjen turp që më jep lekë, i thashë. Po ke dëgjuar ti që mjekësia është falas, po për mbulimin universal që flet Ed Rama ke dëgjuar…Le që janë dhe spiunët e tij nëpër këmbë, na ruajnë si qentë. Do të më marrësh në qafë ti. Bëj nder, e gjej qeder, i thonë kësaj pune”’

Natën hëngra dynjanë se kish 30 të sëmurë dhe sa i mbarohet serumi njërit, akoma s’ia ke filluar tjetrit, po drejtoria thotë që mjafton një infermiere, pse çdo bëni ju… E di ti Ed, që tek spitali ku unë punoj nuk ka sistem sinjalizimi me zile dhe me dritë alarmi, po të thërrasin me majëkrahi, “Oj cuce, ku je se mbaroi serumi…”

Në korridor temperatura ishte minus 8 gradë celsius, se ne s’kemi sistem ngrohje. Kaloriferë në mure kemi, po nafta e kaldajës ka vite që s’dihet ku përfundon dhe nuk janë ndezur kurrë, ndaj punojmë me golf e me pardesy mbi përparësen e bardhë.

Vras mendjen s’u del më keq ju kështu, që ngrohet çdo pacient me kalorifer, sesa t’i kishit me ngrohje të përqendruar…? Se tani ca i burgosin dhe për 30 mijë lekë të vjetra me ç’kam dëgjuar dhe s’u mbyllet çështja derisa e mbyllin vetë…Më duket se ju jeni siç themi ne tironsit, gjimoni kokrrën e ullinit dhe ju hik oka e vojit… Mirëpo ti Ed, në letër po me thoshje se jemi në rrugën e modernizimit dhe unë në atë pak kohë që pata të lirë, nisa të ëndërrojë sikur spitali im do bëhej një ditë normal, ku të hyje me kartë, ku t’i kishe të dhënat në një kompjuter të lidhura për çdo dhomë dhe jo në atë regjistrin e madh me kapakë ngjyrë m… si defter turk, ku çarçafët do ndërroheshin 2 herë në ditë, ku çezma do të kishte ujë të ngrohtë e të ftohtë, ku tualeti do të kishte edhe dush, ku ajri i kondicionuar do të bënte të punoje shpenguar, ku ambulancën do ta kishe tek dera dhe s’do t’ia vidhte benzinën drejtori, ku dollapi do të kishte të gjitha barnat që duhen dhe të mos isha e detyruar të bëjë këtë në vend të atij që s’e kam.. ku aget e përdorura do t’i futja në 3 kosha me ngjyra të ndryshme sipas rrezikshmërisë dhe jo në një shishe koka­kole, ku materialet e rrezikshme do të digjeshin çdo ditë në një akselerator dhe nuk do të hidheshin tek kazani i plehrave….Po ç’them dhe unë. Këto s’kanë për tu bërë kurrë, se ti e ke filluar mbrapsht. Ti flet vazhdimisht për reformë, por kjo mënyra jote shto ujë e shto oriz s’më duket se të nxjerrë gjëkundi. Pilaf do bëhet prapë në fund. Unë jam mrekulluar kur të kam dëgjuar, që the se fajin e ka sistemi dhe jo individi, sepse është sistemi që i korrupton njerëzit. Ja një burrë i mençur që po e kap demin prej brirësh mendova.

Mbase të gënjejnë mor shpirt i motrës dhe s’i di të gjitha. Po ta thotë motra, që sistemi vetëm kështu siç po e bën ti, nuk bëhet. Mbase unë s’e kam kapacitetin të të japë mend, po dy gjëra i di dhe unë. Sistemi aktual shëndetësor është konceptuar gabim që në fillim, sepse është krijuar nën ndikimin e tregtarëve të ilaçeve dhe në dobi të tyre. E ke vrarë ndonjëherë mendjen, pse kemi kaq shumë farmaci dhe kaq pak studio mjekësore private? Sepse, të mirat e sistemit shkojnë për ta. Ata zgjedhin ministrat dhe drejtorët, dhe ty të duket sikur i zgjedh ti, po ti s’ke në duar as leshtë e Currit siç i thonë në lagjen time, se të gjitha drejtoritë i ka LSI. Dhe atje ku s’i ka ajo i ka Koqo Kokëdhima.

Pra, në qendër të këtij sistemi është pacienti pjesërisht si kavje dhe farmacisti ndërkohë, që duhet të jetë pacienti dhe doktori, se këta janë shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor. Farmacisti është ndihmës i tyre, ashtu siç jam edhe

unë. Ti po bën një vrimë në ujë, se po i dend me ilaçe. Nuk po i shëron, as nuk i parandalon. Sa për atë check­up in që po e paraqet si reformim, mos ta dëgjojë njeri se e bënte shoku Enver para teje. Dërgonte një ekip mjekësor nga Tirana dhe i chek-onte të gjithë qytetarët e një qyteti. Ky mbulimi universal i yti, megjithëse s’më plas fare për të, se ai u realizoka në 2030 sipas ministrit, kështu që unë kam shkuar tek ara e Tares deri atëherë, por dhe ty s’të lë njeri kaq gjatë në pushtet, kot përpiqesh, do t’ju vërë më shumë ilaçe në dispozicion të varfërve apo çfarë?

Po ti pse i bie kaq gjatë mor shpirt i motrës? Për të ndihmuar ata që s’kanë fuqi paguese, listën e të varfërve e ke gati, që nga kjo puna e dritave. Paguaju faturën e spitalit atyre sipas kushteve që do vendosësh ti dhe s’ke pse mendon as për çarçafë, as për ushqim, as për ilaçe, as për rrogat tona, se spitali e di vetë pastaj si e rregullon punën; kë do mbajë e kë do heqë nga puna prej nesh.

Meqë ra fjala tek çarçafët Edo, ma ke nxirë mbrëmë fare. Kisha një të sëmurë, që villte dhe lëre që mbeta duke i larë të vjellat, po s’kisha çarçafë t’ia ndërroja. Se e ka marrë një firmë pastrimin e spitalit dhe ajo kalon dy herë në ditë siç

e ka në kontratë, për të futur një leckë, po s’vjen sa herë kemi nevojë ne. Se këto punet me bereqet, i kanë marrë privatët. Vetëm këto punët e ndyra që bëjmë ne, s’i marrin përsipër. Eh mor Ed, të na i kishe dhënë lekë për Vit të Ri ato shpenzimet e kartolinave, do na kishe bërë punë se jemi hollë vërtetë. Ti s’e di po unë tentova një muaj të jem e ndershme dhe të mos pranojë asnjë bakshish, po të lutem mos ia thuaj njeriu këtë. Mora rrogën, 25 mijë lekë të reja. Pagova dritat, që të mos më fusje në burg zotrote,14 mijë lekë, pagova dhe ujin 20 mijë lekë, bëmë dhe dy oferta telefoni 20 mijë lekë, bleva dhe një ilaç për lavatriçen 10 mijë lekë, bleva dhe ca ilaçe për prindërit, (se ato që jepni ju tek lista janë niseshte s’bëjnë efekt) 60 mijë lekë dhe pashë se s’kisha më lekë as për autobuz. U ktheva në këmbë në shtëpi. Për të ngrënë se di si ia dola…Të bësh atë punë, që s’e bën njeri dhe të mendosh për bukën, s’më duket dhe aq e drejtë, po hajt se mbase Rilindim. Kjo shpresë na mban gjallë.

Nejse, unë po pres gjithsesi që ti ta modernizosh shëndetësinë siç thua, por duhet filluar nga gjërat e vogla, për të arritur tek të mëdhatë. Po ti, ngaqë je i gjatë shikon larg dhe nuk shef ç’ke tek këmbët…

Por, një gjë po ta them: Ti po përpiqesh të arnosh sistemin që ka endur Tritan Shehu, i shtyrë nga grosistët e barnave.

Po a ka gjë që ta bëjë Tritani dhe të jetë e hajrit? Më thuaj! Sistemin po do ta bësh vërtetë, bëje nga e para, ndryshe bëji çiçin bahçes… Me këto mendime më zuri mëngjesi dhe me letrën tënde në duar. Rrofsh që ma dërgove. Më ke bërë një nder të paparë. Isha gati që në autobus, ndërsa kthehesha në shtëpi me fytyrë të palarë se s’kishte ujë çezma, pa le pasqyrë që konsiderohet luks, të thërrisja ta merrnin vesh të gjithë. Hej… Edi Rama më ka shkruar një letër…

Nga infermieria Beti, Spitali N

Për lexuesit e infermiere Betit!

Redaksia e gazetës “TemA” ka botuar dje në mbrëmje një shkrim në formën e një letre, nga një infermiere drejtuar Kryeministrit Rama. Shkrimi është bërë ndërkohë shumë popullor dhe është ribotuar nga dhjetra portale, duke e kthyer atë në një nga letrat publike më popullore. Suksesi, duket se bazohet tek nevoja që qeveria ka të ulet e të shikojë realitetin në shëndetin publik dhe jo të vetëkënaqet duke bërë propagandë.

Kanë mbërritur ndërkohë dhjetra reagime në redaksi dhe qindra pyetje se kush është infermieria Beti. Ndaj po më duhet të rimarrë këtë çështje.

Si fillim dua tu sqaroj se “Infermieria Beti” është një detaj gazetaresk i shpikur nga gazeta Tema dhe letra është një produkt gazetaresk i redaksisë. Për këtë kemi bërë kudjes të themi se punon në spitalin “N”, një simbol I adresës anonime si dikur reparti ushtarak “N”.

Për botimin e saj morëm shkas nga kontrasti real që ekziston mes gjendjes reale në mjekësi dhe mënyrës se si qeveria përpiqet ta paraqesë atë. Mënyra më interesante, për ta bërë publike këtë gënjeshtër, është të vendosesh në vendin e atyre mjekëve dhe infermierëve të Shqipërisë, që përballen përditë me rrënojat e një sistemi shëndetësor të degraduar më së paku për faj të tyre, nga një anë, dhe nga ana tjetër me këndvështrimin propagandues të qeverisë për këtë çështje.

E vërteta është se sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk ka prekur ende një reformë në sistem që të ndihet ndonjë ndryshim. Disa masa populiste për Check-up falas të popullsisë mbi moshën 40 vjeçe, janë konsideruar më shumë si tendera klienteliste, se sa si një sistem i ri që mund të funksionojë. Spitalet publike, të vetmen gjë cilësore që kanë, janë mjekët, por, edhe ata po i thithin spitalet private. Ndërsa spitalet private, të vetmen gjë moderne që kanë, janë godinat, por ata po thithin të ardhruat e shqiptarëve në makth për shëndetin. Qeveria Rama, e cila ka kryer reforma të guximshme në arsim, në sistemin e pensioneve, në ndarjen territoriale dhe në luftën kundër paligjshmërisë, në të vërtetë duket më e paqartë se kurrë se ç’duhet të bëjë me mjekësinë. Në thelbin e saj, masat që ka propozuar për shëndetësinë në programin elektoral janë utopike dhe populiste dhe në kundërshtim të thellë, jo vetëm me frymën e tregut por dhe me vet reformat e tjera që ajo ka ndërmarrë.

Fjala vjen,reforma në arsim, e cila ka nisur bazohet tek konsiderimi si aktorë të barabartë para qeverisë i univeristeteve private me ato publike. Shteti është thjesht një rregullator, që mbron individët e dobët nga e drejta për arsim dhe stimulon individët e aftë si shpërblim për cilësinë. Nuk është e njëjta gjë për shëndetësinë. Spitalet privatë modern, që janë hapur në Shqipëri po kthehen në privilegj për një pakicë të pasurish, ndërsa spitalet publike, në një makth për shumicën e popullsisë. Detyra e qeverisë është jo vetëm të zhduk këtë hendek klasor që vendoset padashje nga tregu, por të kthejë në mundësi të barabartë për çdo qytetarë, nevojën për të marrë shërbim të mirë mjekësor dhe mundësitë financiare mund të bëjnë vetëm diferencën për shërbimin luksoz mjekësor.

Dhe për këtë reform duhet guxim intelektual, politik dhe një transparencë reale financiare, se ku shkojnë parat për shëndetin publik.

Qeveria duhet të vendos në qendër të saj një kosto për cdo sëmundje apo diagnozë që ajo duhet të harxhoj për cdo qytetarë të këtij vendi dhe të garantoj marrjen e asaj pakete njësoj brenda gjithë sistemit publik apo privat.Vetëm kështu publiku dhe privati do të zhvillohen si mekanizma të tregut të shëndetësisë dhe jo nga një anë si monopole private, dhe nga ana tjetër si monopole korrupsioni publike, të disa fytyrave, që të krijojnë ndjesinë e hajdutit që kur u dëgjon emrin. Po ashtu duhen gjetur mënyra shpërblimi për mjekët që tejkalojnë rrogën fikse sidomos për mjekun e familjes, në mënyrë që ai të luftoj të kuroj cdo pacient dhe jo të pres me turi varur kur I shkon në klinikë. Mjekësia e sotme, ngaqë është e fokusuar vetëm tek dhënia e barnave falas, i ka mbushur sirtaret e pensionistëve me një mal ilace. Jemi i vetmi vend që mund të marrësh ilace pa recetë dhe për rrjedhojë nuk e kontrollon tregun nga hyjnë apo sa hyjnë , në mënyrë të rregullt apo kontrabandë . Më mirë do të ishte rimbursimi diagnozave dhe le të mjekohet ku te dojë me ato lekë që i vë në dispozicion. Kështu dhe sistemi privat ka më shumë siguri për investime në teknologji dhe burime njerëzore.

Duke i paraqitur problemet e tmerrshme, me të cilat përballet shëndetësia publike, me hallet e një infermierie, që nuk ka ku zhvishet, nuk ka lëndë të parë për të bërë punën dhe nuk ka fuqi as të ndalë bakshishin, që vjen nga njerëz të dëshpëruar, që duket sikur ua ka falë zoti shërbimin kur ua bën spitali publik, ne thjeshtë deshëm ta bëjmë më të dukshëm kontrastin mes asaj që qeveria percepton si sukses dhe asaj që në të vërtetë është një dështim.

Qeveria është në kohë të mendojë seriozisht për një reformë të thellë shëndetësore në vend. E dimë që nuk është një gjë e lehtë. Vende të mëdha perëndimore e kanë vërtetë problem, pasi po u kalbet sistemi i vjetër publik që kanë. Anglia është një shembull shumë i keq, por dhe Obamës iu desh betejë historike për të kaluar reformën e kujdesit shëndetësor. Qeverisë sonë nuk i mungojnë votat, por një ide e qartë për këtë reformë, e cila ka ngecur në rrjetën e peshkatarëve profesionist të këtij sistemi, që vazhdojnë të vjelin privatisht shëndetin publik.

Edi Rama nuk duhet të ketë kompleks që ia ka futur kot në fushatë elektorale për shëndetësinë. Ai duhet të sillet ndaj saj, siç po sillet me arsimin, me pensionet dhe fushatën për vendosjen e ligshmërisë në vend, lidhur me shërbimet publike. Ai duhet të krijojë tregun e shëndetit në Shqipëri, i cili duhet të jetë konkurrues, i barabartë për çdo qytetarë dhe i mbrojtur nga shteti, për pasojat tek kategori të caktuara sociale.

Gjatë 24 viteve ky sistem degradoi. Sali Berisha, i cili erdhi në politikë nga mjekësia, zbuloi padashje në pushtet një mëri të madhe me pasionin e tij të parë dhe i vuri shkelmin në fyt më shumë se kushdo tjetër shëndetësisë. Për shkak të komplekseve të tij nga e shkuara si mjek, ai u hakmorrë ndaj tyre duke i lënë në dorë të gruas së tij dhe fisit të saj, duke e kthyer shëndetësinë në një shans për të pasur ministër dhe Nard Ndokën. Në fund, i gjithë sistemi u katandis, që punonte për të bërë ballon e bamirësisë për Lirinë dhe Sekretaria e Përgjithshme e Ministrisë ishte një grua, që e kishte burrin drejtor tatimesh, si një mënyrë për ta bërë të rëndësishme ftesën për ballo kur të vinte prej saj. Tani falë zotit nuk punojnë më për ballon e zonjës së parë, por shikojnë secili të bëjë ndonjë punë të vetën. Shumë njerëz të emëruar në poste kyçe, sidomos ato që kanë të bëjnë me tenderat, vijnë nga gërmadhat e korrupsionit të Berishës, por problemi nuk është tek ata, por tek koncepti, se si kjo qeveri do ta ndryshojë gjendjen në mjekësi. Ajo ka zgjedhur të arnojë sistemin, dhe kjo është jo vetëm një rrugë e gabuar, por dhe një rrugë tinëzare, për të mos u kuptuar ku shkojnë milionat. Po ashtu beteja estetike me spitalet nga jashtë vlen për muajt e parë të qeverisjes. Kur del nga spitali nuk mban mend si ka qenë kur ke hyrë.

Rruga e duhur është guximi për të bërë një reformë në themel për sistemin. Mund dhe të mos ia dalin, por duhet ta provojnë. Dështimi për të bërë një reformë vlen më shumë se kjo zvarritje pa dinjitet, pas tenderave dhe kartolinave. Këtë rrugë e kemi provuar dhe paguar shtrenjtë për 24 vjet.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi