Cilësitë e një nëpunësi publik

Nga Teuta Nunaj, botuar në Shekulli, 28 dhjetor 2014

Për efekte studimi dhe kërkimi, kam lexuar pak ditë më parë një ese, e cila ishte një analizë kritike mbi trajnimin e administratës publike, e punuar nga Happy Mickson Kayuni. Punimi ishte paraqitur në një konferencë ndërkombëtare 6 vjet më parë. Më ka kënaqur intelektualisht analiza e autorit, pikërisht aty ku mendimi im hyri paralelisht me të tijin, duke bërë një analogji me rastin shqiptar. Kayuni, pas një analize të gjerë shprehej se “një trajnim i mirë i administratës publike duhet të nxjerrë elementët relevantë nga sociologjia, shkencat politike, ligji, menaxhimi, psikologjia, ekonomia, etj. në mënyrë që një kontekst i duhur i këtyre vlerave të përvetësohet” nga nëpunësi publik”. Me pak fjalë, ai mbronte tezën, që elementë nga shkencat e cituara prej tij, duhen bërë pjesë e trajnimeve të nëpunësve publikë, pasi ata duhet të zotërojnë një formim të përgjithshëm, krahas atij specifik të fushës.

Më tej, në punimin e tij, Kayuni sillte argumente shkencore edhe nga studiues të tjerë, që kishin mbrojtur kohë më parë të njëjtat teza. Më 1969, Leslie W. Baker pas një observimi prej disa vitesh, doli në përfundimin se “një arsimim profesional i administrimit publik është i mangët në qoftë se nuk përfshin ligjin, ekonominë, gjuhën dhe qeverinë”. Këtë gjë ajo e argumentonte sepse “me drejtësi do të thotë ligji kushtetues dhe administrativ; me ekonomi do të thotë financat publike; në rastin e gjuhës do të thotë gjuha zyrtare e atij vendi, sepse politika është formuluar dhe duhet përcjellë nga një gjuhë zyrtare. Në rastin e qeverisjes, do të thotë studimi i strukturës, metodave dhe kontrolli mbi institucionet e qeverisë dhe të politikës”. Edhe pse kanë kaluar 45 vite nga ky studim i Baker, mbetet shkencërisht dhe praktikisht i vlefshëm edhe sot për t’u aplikuar te nëpunësit e administratës publike. Dhe siç ndodh zakonisht, gjuha shkon aty ky dhemb, te nëpunësit e administratës sonë. Prej vitesh, administrata publike shqiptare është kthyer në një shtojcë dhe vegël e politikës, e cila e përdor atë sa herë ka nevojë. Punonjësit e administratës i gjen edhe si pjesëmarrës, duke mbushur sheshet e mitingjeve apo edhe si grevistë, duke proklamuar greva të stisura, gjoja në emër të mbrojtjes të të drejtave. Politika e ka zënë atë prej fyti – në çdo çast i tregon rrugën dhe bukën e gojës – ndaj ajo shumë herë hesht, ul kokën dhe pranon të nëpërkëmbet në mënyrën më të rëndomtë, duke u kthyer në një qenie pa personalitet dhe shpeshherë, në kufijtë e rrezikut.

Si anë tjetër e medaljes, konstatohet edhe një tjetër fenomen mes nesh. Pozicioni i punonjësit publik shpesh shihet si një pozicion rehatie e pune pa lodhje; ku pagesa (rroga) nuk varet nga rendimenti i tij në punë; ku të qenit punonjës në institucion nuk pengohet nga rezultati i produktit që jep; ku nuk jepet llogari për dëmet që i shkaktohen institucionit apo buxhetit të shtetit; ku drejtshkrimi i gjuhës shqipe në shkresa e dokumente zyrtare është në nivelet më të ulëta; ku të qenit nip i filanit, mbesa e fistekut është CV-ja që dorëzon kur aplikon për një pozicion pune, pasi kjo e fundit, CV-ja e vërtetë, dorëzohet pasi ke fituar me “meritë” vendin e punës; ku respektimi i sistemit të karrierës shihet si një fjalë e huaj; kur motivimi i punonjësit bëhet vetëm teorikisht në trajnime; ku individi që punon në administratë shihet si më i paaftë se ai që punën në privat; apo ku ai që punon seriozisht shihet edhe si “jashtë mode”. Kjo mënyrë trajtimi i punonjësit të shërbimit publik bën që të kualifikuarit të mos kenë dëshirën, vullnetin dhe angazhimin për të qenë pjesë e këtij sektori, kaq të rëndësishëm për vendin në tërësi dhe për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian në veçanti.

Konstatohet dhimbshëm se ne jemi të varfër, jo vetëm në mendim, por edhe në zgjedhje e zgjidhje. Baker dhe më pas në kohë Kayuni ofrojnë imazhin e plotë të tërësisë së dijeve, që duhet të zotërojë një punonjës publik për formimin e tij intelektual. Ky modelim është mjaftueshëm argumentues për të na ndihmuar, që të hidhen hapat e parë për të bërë zgjedhje të drejta, kur bëhet fjala për të rekrutuar punonjës profesionistë dhe më tej për t’i trajnuar plotësisht me dije, sipas kërkesave të kohës, që të jenë të aftë për të kryer detyrat dhe shërbimet publike, që ata kanë marrë përsipër t’i bëjnë. Disiplinat e përmendura, me kalimin e viteve duhet të shtohen, pasi edhe ekonomia është gjithnjë edhe më dinamike dhe e hapur ndaj zhvillimeve dhe zbulimeve të reja teknike dhe teknologjike, njëkohësisht se bota po bëhet gjithnjë e më shumë globale. Ky ballafaqim realiteti shqiptar me kërkesat e shkencës, na mundëson të vëmë re se sa larg këtyre standardeve punonjësit publik janë, por njëkohësisht duhet synuar që ata t’i zotërojnë.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan